Shtetet e Bashkuara do të ndalojnë dërgimin e disa armëve që i kishin premtuar Ukrainës për luftën e saj kundër Rusisë, sepse, pas një kontrolli nga Pentagoni, u pa që rezervat e tyre kishin rënë ndjeshëm.
Vendimi u mor “për t’i vënë interesat e Amerikës në radhë të parë”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly.
“Fuqia e Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara mbetet e padiskutueshme – thjesht pyeteni Iranin”, tha ajo, duke iu referuar bombardimeve dhe sulmeve me raketa të SHBA-së kundër objekteve bërthamore të Iranit.
Deklarata e Kellyt erdhi pasi një zyrtar amerikan u citua nga Politico të ketë thënë se, pas një rishikimi nga Pentagoni, u pa se disa nga rezervat e artikujve që ishin premtuar më herët, janë shumë të pakta, ndaj disa dërgesa të planifikuara nuk do të realizohen.
Shtetet e Bashkuara – të cilat i kanë ofruar Ukrainës armë dhe ndihmë ushtarake me vlerë prej më shumë se 66 miliardë dollarësh, që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022 – u kanë bërë presion aleatëve që t’i ofrojnë Ukrainës sisteme të mbrojtjes ajrore dhe pajisje të tjera.
Por, shumë prej tyre ngurrojnë t’i japin sistemet e tyre të teknologjisë së lartë, sidomos vendet në Evropën lindore, që gjithashtu ndihen të kërcënuara nga Rusia.
Ndalimi i disa armëve vjen pasi Rusia, në fundjavë, nisi sulmin e saj më të madh ajror të kombinuar kundër Ukrainës, thanë zyrtarët ukrainas.
Ukraina është duke u kërkuar me ngulm vendeve perëndimore që t’i dërgojnë më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, pasi Rusia ka intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë, duke goditur edhe objekte civile.
Trump u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në margjinat e samitit të NATO-s, javën e kaluar.
Pas takimit, ai tha se Shtetet e Bashkuara do të përpiqen t’i sigurojnë Ukrainës më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, për t’u mbrojtur nga sulmet vdekjeprurëse të Rusisë, por nuk do të angazhohen për të miratuar ndihma shtesë për Ukrainën.
“Do të shohim nëse mund t’i vëmë në dispozicion disa [sisteme Patriot]”, tha Trump në Hagë më 24 qershor, kur u pyet nga një gazetar nëse do t’i shiste Ukrainës sisteme të mbrojtjes ajrore.
“Ato janë shumë të vështira për t’u siguruar. Edhe ne kemi nevojë për to. Edhe Izraelin e kemi furnizuar me to”, tha presidenti amerikan.
Trump, i cili, gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024, e ka kritikuar sasinë e ndihmës ushtarake amerikane të dërguar në Ukrainë, dha një përgjigje të paqartë kur u pyet për vazhdimin e ndihmave për vendin në luftë.
“Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Trump, Partia Republikane e të cilit është thellësisht e ndarë për këtë çështje.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha më herët në një seancë dëgjimore në Senat se disa shpenzime të SHBA-së për Ukrainën janë ende në proces, por nuk dha detaje.
Hegseth pranoi se fondet për Ukrainën do të zvogëlohen.
Ai tha se administrata Trump ka një pikëpamje ndryshe për konfliktin në Ukrainë.
“Ne besojmë se zgjidhja e negociuar paqësore është në interesin më të mirë të të dyja palëve dhe në interesat e kombit tonë”, tha ai./REL