Lajmet

​Chollet: Marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi do të kërkojë zgjedhje të vështira dhe guxim politik

Chollet flet edhe për Asociacionin e tema të tjera.

Published

on

Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të kërkojë “zgjedhje të vështira” dhe “guxim politik”.

“Të dyja qeveritë duhet të jenë në gjendje të tregojnë gatishmëri për kompromis. Ne mendojmë se këto kompromise janë të mundshme. Ne po përpiqemi të gjejmë zgjidhje kreative, për t’i ndihmuar ata që t’i bëjnë ato kompromise”, thotë Chollet.

Duke folur një ditë para vizitës së pesë emisarëve ndërkombëtarë në Kosovë, Chollet thotë se ky është një moment i rëndësishëm dhe shfaq shpresën se do të ketë përparim në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai thotë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të formohet, por thekson se “Asociacioni në formën e Republikës Sërpska është një vijë e kuqe që SHBA-ja s’do do ta lejojë”.

“Shtetet e Bashkuara nuk do ta pranonin këtë dhe kjo nuk do të ishte diçka që do ta çonim përpara”, thotë Chollet.

Duke komentuar vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale serbe, KM, të regjistruara në dhjetor e këndej, Chollet thotë se ky “është pikërisht ai lloj hapi që SHBA-ja nuk ka dashur ta shohë”.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Chollet, si e komentoni vendimin e fundit të autoriteteve të Kosovës për të mos lejuar qarkullimin e makinave me targa të paligjshme serbe – KM, dhe me regjistrim të rinovuar?

Derek Chollet: Fatkeqësisht, ky është pikërisht ai lloj hapi që nuk kemi dashur ta shohim. Kur kam qenë në rajon, javën e kaluar, e kam bërë shumë të qartë se Shtetet e Bashkuara, duke punuar me partnerët evropianë, duan të dalin nga punët e diplomacisë së krizave – ne, thjesht, kalojmë nga një krizë në tjetrën – dhe të ecim përpara në dialogun që udhëhiqet dhe ndërmjetësohet nga BE-ja, drejt normalizimit që bazohet në njohje reciproke.

Mendoj se hapat e 24 orëve të fundit, që ka shpallur Prishtina, nuk janë në përputhje as me letrën dhe as me frymën e marrëveshjeve në fund të nëntorit, të cilat kanë shmangur një krizë të mëparshme. Mendojmë se asnjëra palë nuk duhet të ndërmarrë veprime të njëanshme tani.

Ne duhet të kemi një rrugë të koordinuar përpara, në mënyrë që këto gjëra të mos i përshpejtojnë llojet e krizave që ne me të vërtetë duhet t’i shmangim. [Ato] e largojnë vëmendjen tonë nga puna e rëndësishme e dialogut. Të premten, këtë javë, do të ketë takime të rëndësishme [në Prishtinë e Beograd], ku do të mblidhen këshilltarët për siguri kombëtare të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, së bashku me përfaqësuesin e BE-së [Mirosllav Lajçak] dhe me përfaqësuesin e Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kemi folur shumë për rëndësinë e këtyre takimeve dhe për disa detaje kur kam qenë në rajon javën e kaluar – në Prishtinë dhe Beograd. Ne, vërtet, duam që kjo të ketë sukses. Dhe, ky lloj njoftimi krijon një shpërqendrim dhe mund të çojë në një krizë që e bën gjithë këtë përparim shumë më të vështirë.

Radio Evropa e Lirë: Po flasim një ditë para vizitës së të dërguarve të posaçëm [perëndimorë] në Kosovë dhe në Serbi. Çfarë prisni nga kjo vizitë? A po sjellin ata ndonjë zgjidhje për t’i rikthyer dy palët në tryezë?

Derek Chollet: Përsëri, është shumë e rëndësishme që vizitat bëhen dhe që palët bisedojnë. Kjo vizitë është një vazhdim i vizitave të mëparshme, në fund të vitit të kaluar. Është një moment shumë i rëndësishëm. Arsyeja përse SHBA-ja po i bashkohet kësaj vizite, ka të bëjë me rëndësinë që i kushtojmë këtij procesi dhe mbështetjen tonë për këtë proces. Nuk presim që kjo situatë të zgjidhet gjatë këtyre takimeve nesër. Por, është një pikë e rëndësishme kthese.

Ne shpresojmë në këtë proces – në javët e ardhshme, ne shpresojmë të shohim përparim të vërtetë.

Radio Evropa e Lirë: Pas vizitave më të fundit në Kosovë dhe Serbi, a mund t’i ndani përshtypjet tuaja nëse dy vendet janë të gatshme ose mund të pajtohen për ndonjë gjë, sa i përket marrëveshjes përfundimtare?

Derek Chollet: Po, kam parë arsye për shpresë në bisedat në Prishtinë dhe në Beograd. Por, kjo do të kërkojë zgjedhje të vështira dhe guxim politik. Dhe, ajo që kam dashur t’ua bëj të qartë liderëve, si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd, ka qenë rëndësia që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë këtij procesi, shpresat që i kemi për këtë proces dhe mundësitë potenciale si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, nëse janë në gjendje të gjejnë një mënyrë për t’i normalizuar marrëdhëniet.

Mendojmë se rruga euroatlantike për Kosovën dhe për Serbinë ekziston. Dhe, ne duam t’i shohim ato duke ecur në atë rrugë. Por, do të jetë e vështirë, për aq kohë sa kjo çështje mbetet e pazgjidhur. Dhe, kjo është arsyeja përse do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta promovuar këtë ecje përpara.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë disa nga zgjedhjet e vështira që të dyja palët duhet t’i bëjnë?

Derek Chollet: Shikoni, nuk dua të futem në detaje. Do të ishte gjë e pamatur nga unë të flas publikisht për ato zgjedhje. Thënë kështu, të dyja qeveritë duhet të jenë në gjendje të tregojnë gatishmëri për kompromis. Ne mendojmë se këto kompromise janë të mundshme.

Ne po përpiqemi të gjejmë zgjidhje kreative, për t’i ndihmuar ata që t’i bëjnë ato kompromise. Por, gjithashtu, duam të jemi të qartë për rrugën e mundshme. Dhe, mendojmë se e mira e të pasurit të kësaj marrëveshjeje, e lëvizjes drejt normalizimit, është shumë, shumë e qartë për Kosovën, shumë e qartë për Serbinë.

Sipas mendimit tim, jeta e njerëzve në Kosovë dhe në Serbi do të bëhej padyshim më e mirë, nëse ata janë në gjendje ta rregullojnë këtë dhe t’i normalizojnë marrëdhëniet përgjatë linjave të propozimit të BE-së. Por, ka shumë detaje për t’u zgjidhur. Nuk dua të keqinformoj audiencën tuaj në asnjë mënyrë. Kjo do të jetë e vështirë, ashtu siç janë të gjitha negociatat në Ballkan. Por, ne mendojmë se ka shpresë dhe se ky është një moment i favorshëm.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka thënë së fundi se Serbia nuk do të pranojë kurrë që ta njohë Kosovën, as zyrtarisht, as jozyrtarisht dhe as nuk do të pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Në çfarë drejtimi shkon procesi i negociatave me një qasje të tillë të Serbisë?

Derek Chollet: Sërish, nuk dua të flas publikisht për negociatat. E gjitha që mund të them është të përsëris se besojmë që ka shpresë që mund të bëhen kompromise nga të dyja palët. Kjo do të jetë e vështirë. Kjo do të kërkojë kurajo, do të kërkojë guxim. Ne besojmë se liderët duhet të jenë të tillë, ne jemi duke i testuar ata dhe jemi duke qenë të qartë me ta për mundësitë potenciale që mund të vijnë kur ta kemi këtë lloj marrëveshjeje.

Radio Evropa e Lirë: Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur propozimin e Bashkimit Evropian për Kosovën dhe Serbinë. Kosova ka thënë se ai përbën bazë të mirë për negociata, por a ju kanë treguar zyrtarët serbë se çfarë mendojnë për të?

Derek Chollet: Ata ia kanë treguar Bashkimit Evropian një pjesë të opinionit të tyre, në rundin e parë të diskutimeve. Natyrisht se do të marrim më shumë përgjigje pas bisedimeve të së nesërmes. Prandaj, kemi shumë shpresa që këto bisedime do të jenë konstruktive, që njerëzit t’iu qasen me mendje të hapur dhe të gjejmë një rrugë përpara. Ne, po ashtu, mendojmë që ky dialog i ndërmjetësuar nga BE-ja përbën bazë të mirë për diskutim. Në secilin negocim do të ketë sprova. Do të ketë kompromise, që do të duhet të bëhen. Ne besojmë se korniza bazë dhe detajet e këtyre negociatave janë të qëndrueshme, ndonëse do të mund të ndryshojnë me kalimin e kohës.

Radio Evropa e Lirë: A do të ketë ndonjë masë apo sanksione për të dyja palët nëse nuk e pranojnë propozimin e BE-së?

Derek Chollet: Nuk dua të flas për anët negative, mirëpo mund të them që jemi duke qenë shumë të qartë me të dyja palët, për pritjet e larta që kemi për këtë proces, për gatishmërinë tonë që të jemi partnerë aktivë në këtë proces.

Nuk është se vetëm po e themi këtë gjë, ne jemi duke e bërë këtë gjë. Prandaj, kolegët e mi do të jenë pjesë e bisedimeve nesër dhe në vazhdim, qoftë vetëm, apo në bashkëpunim me kolegët e BE-së. Ne shohim shumë potencial këtu, në aspektin e shpërfaqjes së gjithë asaj që mund të ofrojë Ballkani. Nuk është sekret se ka sfida të mëdha ekonomike, ka sfida sa i përket sigurisë energjetike, sfida që vetëm sa janë përkeqësuar nga lufta në Ukrainë. Ne duam t’iu ndihmojmë këtyre njerëzve dhe liderëve që t’i tejkalojnë këto sfida, por edhe që ta shohin potencialin e madh. Çelës për këtë gjë do të jetë gjetja e rrugës për normalizim.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni thënë në Prishtinë se jeni duke pritur Qeverinë e Kosovës që të prezantojë disa propozime për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. A keni parë ndonjë lëvizje në këtë drejtim?

Derek Chollet: Ende jo, fatkeqësisht. Mirëpo, ne kemi qenë shumë të qartë – publikisht dhe privatisht – se ne besojmë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të formohet. Janë disa detaje me të cilat duhet marrë. Mirëpo, ne mendojmë se ky është një zotim që është bërë në të kaluarën, ne besojmë se krijimi i Asociacionit është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ne jemi shumë të qartë me kolegët tanë në Prishtinë që kjo nuk është diçka sikurse Republika Sërpska, si entitet. Shtetet e Bashkuara nuk do ta pranonin këtë dhe kjo nuk do të ishte diçka që do të çonim përpara.

Mirëpo, e kam dëgjuar drejtpërdrejt nga liderët serbë të Kosovës rëndësinë që ata e shohin në Asociacion, se si ata disi ndihen të shmangur nga vendimet që merren për komunitetin e tyre dhe duan të jenë pjesë e procesit, qoftë edhe duke marrë më shumë përgjegjësi për të ardhmen e tyre.

Kjo është diçka që ne promovojmë, është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe është zbatim i një vendimi që është marrë kohë më parë.

Radio Evropa e Lirë: Ju thatë në Prishtinë se po prisni që Qeveria e Kosovës të sjellë propozime për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. A keni parë ndonjë lëvizje për këtë?

Derek Chollet: Ende jo, fatkeqësisht. Por, kemi qenë shumë të qartë – publikisht dhe privatisht – që ne besojmë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të vihet në lëvizje. Ka disa detaje që duhet të vihen në rregull sa i përket kësaj, por ne besojmë se ky është një zotim që është bërë në të kaluarën. Ne besojmë që themelimi i këtij asociacioni është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Dhe, jemi shumë të qartë me kolegët tanë në Prishtinë që ky nuk është një entitet i ngjashëm me Republikën Sërpska. SHBA-ja nuk do ta pranonte atë gjë, nuk po e kërkojmë atë.

Por, kam dëgjuar drejtpërdrejt nga liderët nga veriu, nga Kosova… liderët serbë në Kosovë, [për] rëndësinë që ata i japin Asociacionit, përshtypjen se ata ndihen disi të distancuar nga vendimet që merren për vetë komunitetet e tyre dhe duan të jenë pjesë e një procesi ku ata marrin më shumë përgjegjësi për të ardhmen e tyre. Kjo është diçka që ne e promovojmë. Përsëri, ne mendojmë se kjo është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe është zbatim i një vendimi që është marrë kohë më parë.

Radio Evropa e Lirë: Qeveria e Kosovës nuk ka bërë lëvizje, siç thatë ju këtë javë. Ata, gjithashtu, thanë se nuk e përkrahin themelimin e Asociacionit. A ka ndonjë rrugëdalje nga Asociacioni për Qeverinë aktuale të Kosovës?

Derek Chollet: Përsëri, unë nuk dua të spekuloj për rrugëdalje të mundshme, sepse ne besojmë që programi i regjistrave, që zotimet që janë bërë, duhet të zbatohen. Ne besojmë se ato janë zbatueshme dhe ne besojmë se ato duhet të zbatohen. Ne, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do ta bëjmë pjesën tonë në tentim për t’u siguruar se çfarë është Asociacioni dhe çfarë nuk është. Por, ne mendojmë se ka ardhur koha që Asociacioni të zbatohet.

Radio Evropa e Lirë: Herën e kaluar, zotëri Escobar na tha se nëse Qeveria e Kosovës nuk përfshihet në themelimin e Asociacionit, SHBA-ja mund të nisë diskutime me partnerë alternativë. A do të ishte ky hapi i radhës për SHBA-në?

Derek Chollet: Përsëri, unë nuk dua të spekuloj për hapat e radhës. E gjitha që mund ta them është se ne, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të vazhdojmë t’ua bëjmë shumë të qartë partnerëve tanë në Prishtinë – publikisht dhe privatisht – rëndësinë e Asociacionit për ne, pikëpamjen tonë se ky është një zotim i mëhershëm që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe se nuk po e krijon një Republika Sërpska. Ne do ta bëjmë pjesën tonë në tentimin për ta çmitizuar Asociacionin në disa mënyra, sepse mendoj se ka shumë pasiguri lidhur me çfarë është Asociacioni dhe çfarë nuk është.

Ne do të jemi shumë të qartë për pikëpamjet tona lidhur me këtë, rëndësinë që ka për ne dhe, gjithashtu, që nuk do ta krijojë një entitet sikur Republika Sërpska brenda Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: A ka filluar SHBA-ja të kërkojë për partnerë alternativë? Kush janë ata për këtë çështje?

Derek Chollet: Përsëri, unë nuk dua të hyj në detaje për këto gjëra tani. E gjitha që mund ta them është se ne do të vazhdojmë ta bëjmë të qartë, publikisht dhe privatisht, rëndësinë që ka për neve dhe vijën e kuqe që kjo nuk është një Republikë Sërpska./REL

lajme

Rektori Hajrizi pjesëmarrës në ceremoninë e ndezjes së dritave në Crown të Texas-it

Published

on

Më 2 dhjetor, në mbrëmje, në qytetin Crown të Teksasit u zhvillua ceremonia tradicionale e ndezjes së dritave festive, e organizuar nga Kryetari dhe Zv. Kryetari i qytetit. Në këtë aktivitet të veçantë ishte i ftuar Rektori Hajrizi, i cili mori pjesë në darkën zyrtare së bashku me përfaqësues të institucioneve lokale, komunitetit shqiptar, universiteteve shqiptare dhe Sam Houston State University, duke thelluar bashkëpunimin akademik dhe lidhjet komunitare.

Për këtë ngjarje festive, si përfaqësues dhe figurë e dalluar e komunitetit shqiptaro-amerikan, u zgjodh z. Joe Haliti, i shpallur këtë vit “Personaliteti i Vitit” në rajon. Kontributi i tij i vazhdueshëm në jetën e komunitetit dhe roli i tij në promovimin e vlerave shqiptare janë vlerësuar gjerësisht nga autoritetet lokale dhe bashkëkombësit.

Gjatë ceremonisë, Rektori Hajrizi mbajti një fjalim ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes komunitetit dhe institucioneve arsimore, si dhe rolin e personaliteteve si Joe Haliti në forcimin e marrëdhënieve kulturore dhe akademike ndërmjet Shteteve të Bashkuara, Kosovës dhe Shqipërisë.

Ky aktivitet shënoi një moment të rëndësishëm për komunitetin shqiptaro-amerikan në Texas, duke nderuar punën dhe përkushtimin e Joe Halitit, ndërkohë që thelloi edhe më tej lidhjet mes komunitetit dhe institucioneve arsimore ndërkombëtare.

Continue Reading

lajme

Rektori i UBT-së zhvilloi vizitë zyrtare në Texas me ftesë të Sam Houston State University

Published

on

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, realizoi një vizitë zyrtare në Texas me ftesë të Sam Houston State University (SHSU), në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve dhe angazhimit të përbashkët për avancimin e bashkëpunimit akademik dhe kërkimor.

Gjatë vizitës, Rektori Hajrizi zhvilloi një sërë takimesh me drejtues akademikë, institucione kërkimore dhe personalitete të komunitetit shqiptar në SHBA, ku u diskutuan mundësitë për zgjerimin e shkëmbimeve studimore, projekteve të përbashkëta dhe iniciativave strategjike në fusha me interes të përbashkët.

Në delegacion morën pjesë edhe përfaqësues nga universitete partnere të rajonit: Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, dhe Kryetari i Senatit të UT, Prof. Dr. Kenan Ferati, si dhe përfaqësues të Universitetit të Tiranës. Pjesëmarrja e tyre shtoi edhe më shumë peshën e dimensionit ndër-universitar rajonal, duke e bërë vizitën një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të urave të reja të bashkëpunimit.

Vizitat në infrastrukturën e Universitetit ishin një tjetër pjesë e rëndësishme e programit, ku Rektori Hajrizi vizitoi Fakultetin e Biznesit, të Infermierisë, të Mjekësisë dhe një numër njësish të tjera akademike të SHSU-së. Këto vizita shërbyen për të parë nga afër standardet e larta akademike dhe laboratorike të institucionit, duke identifikuar mundësi konkrete për bashkëpunim dhe shkëmbime profesionale.

Gjatë qëndrimit, Rektori Hajrizi zhvilloi një takim të rëndësishëm me Major Gjeneral David P. Glaser, të cilin UBT e ka nderuar me çmimin më të lartë institucional. Në këtë takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimeve të mëtejshme në fushat e sigurisë, lidershipit dhe edukimit profesional, si dhe përfshirja e ekspertëve nga të dy institucionet në projekte të përbashkëta trajnimi dhe hulumtimi.

Po ashtu, u mbajt takimi me Dekanen e Fakultetit të Administrimit të Biznesit, Dr. Sharmistha (Shar) Self, e cila ishte organizatorja kryesore e vizitës, së bashku me Alban Fetahun – ish-student i SHSU-së dhe nismëtar i këtij partneriteti të rëndësishëm.

Rektori u prit gjithashtu nga dekanët e fakulteteve të Kriminologjisë, Shkencave, Teknologjisë Inxhinierike, Shkencave të Shëndetit dhe Shkencave Humane, me të cilët u shkëmbyen ide mbi programet akademike dhe mundësitë për projekte të përbashkëta kërkimore.

Një moment i veçantë i vizitës ishte takimi me Presidenten e SHSU-së, Dr. Alisa White, dhe Provost-in, Dr. Sumanth Yenduri, ku u diskutua thellimi i bashkëpunimit institucional, zhvillimi i programeve të përbashkëta studimore dhe krijimi i mundësive konkrete për studentët e UBT-së. Në të gjitha takimet, Rektori Hajrizi prezantoi programet akademike të UBT-së dhe potencialin për zgjerim të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, duke u dakorduar që së shpejti të nisin projekte të përbashkëta konkrete.

Në të dy rastet, Rektori Hajrizi prezantoi iniciativën për krijimin e qendrës për studime amerikane në UBT dhe të studimeve shqiptare në Texas, e cila u prit shumë mirë nga të gjithë.

Programi përfshiu edhe vizita në institucione të rëndësishme edukative dhe shkolla të zonës së Houston-it, si dhe një vizitë në NASA Headquarters dhe muzeun e tyre, ku u diskutua për mundësinë e përfshirjes së studentëve të UBT-së në aktivitete dhe programe edukative ndërkombëtare.

Një nga aktivitetet më të rëndësishme të vizitës ishte pjesëmarrja në eventin akademik dhe kulturor të SHSU-së, “Bridge-Building Event: Strengthening Partnerships with the Albanian Community”, ku u diskutua për perspektivat e reja të bashkëpunimit afatgjatë dhe për angazhimin e mëtejshëm me komunitetin shqiptar në SHBA.

Në këtë event morën pjesë përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan nga Houston dhe Dallas, si dhe Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, z. Ilir Dugolli, të cilët e mirëpritën me shumë entuziazëm iniciativën e bashkëpunimit dhe shprehën gatishmërinë për të mbështetur studentët shqiptarë me bursa dhe mundësi të tjera akademike.

Falë kësaj qasjeje bashkëpunuese, studentët e UBT-së potencialisht do të kenë mundësinë të përfitojnë bursa në studime në Sam Houston State University, si dhe të marrin pjesë në programe të përbashkëta studimore dhe kërkimore.

Më 2 dhjetor në mbrëmje, Rektori Hajrizi ishte i ftuar të marrë pjesë në ceremoninë e ndezjes së dritave të qytetit Crown në Texas, të organizuar nga Kryetari dhe Zv. Kryetari i qytetit. Për këtë ngjarje, u zgjodh z. Joe Haliti, anëtar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe kontribues i jashtëzakonshëm në jetën e komunitetit, i cili këtë vit u shpall “Personaliteti i Vitit” në rajon. Në këtë ceremoni, Rektori Hajrizi mbajti një fjalim gjatë darkës, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të rrethit, komunitetit shqiptar, përfaqësues të universiteteve shqiptare dhe të Sam Houston State University, duke forcuar edhe më shumë lidhjet midis komunitetit dhe institucioneve akademike.

Kjo vizitë nënvizon përkushtimin e UBT-së për të forcuar rrjetin e partneriteteve ndërkombëtare dhe për të krijuar mundësi të reja për zhvillimin akademik, shkencor dhe profesional të studentëve dhe stafit të universitetit.

Continue Reading

Lajmet

Trump: Evropa përballet me rrezikun e një zhdukjeje civilizuese

Published

on

Administrata e presidentit Donald Trump ka paralajmëruar se Evropa përballet me rrezikun e një “zhdukjeje civilizuese” dhe ka vënë në pikëpyetje nëse disa shtete evropiane mund të mbeten aleatë të besueshëm të Shteteve të Bashkuara, sipas një dokumenti të ri strategjik që i kushton vëmendje të veçantë kontinentit.

Në dokumentin 33-faqësh të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, Trump shpalos vizionin e tij për rendin botëror dhe mënyrën se si SHBA do ta përdorë fuqinë e saj ushtarake dhe ekonomike.

Ai e cilëson këtë strategji si një udhërrëfyes për ta mbajtur Amerikën kombin më të madh dhe më të suksesshëm në historinë e njerëzimit, shkruan BBC.

Politikanët evropianë kanë reaguar menjëherë. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, deklaroi se vendi i tij nuk ka nevojë për “këshilla nga jashtë” për mënyrën se si të organizojë shoqërinë e vet të lirë.

Zakonisht, një Strategji e Sigurisë Kombëtare publikohet nga presidentët amerikanë një herë gjatë mandatit dhe shërben si bazë për politikat dhe buxhetet e ardhshme, si dhe si sinjal për prioritetet e SHBA në arenën ndërkombëtare.

Dokumenti i ri vazhdon retorikën e ashpër të Trump, e cila u pa edhe në fjalimin e tij në Kombet e Bashkuara, ku ai kritikoi ashpër Evropën Perëndimore për politikat mbi migracionin dhe energjinë e pastër.

Sipas BBC, strategjia bën thirrje për rikthimin e identitetit perëndimor, ndaljen e migrimit masiv, luftimin e ndikimit të huaj dhe përqendrim në prioritetet amerikane, si lufta kundër karteleve të drogës.

Administrata Trump ka krijuar lidhje edhe me partinë e ekstremit të djathtë AfD në Gjermani, e cila është klasifikuar si ekstremiste nga shërbimet e inteligjencës gjermane.

Sa i përket Rusisë dhe luftës në Ukrainë, dokumenti thekson se Evropa tregon mungesë vetëbesimi dhe se përfundimi i konfliktit është një interes thelbësor për SHBA. Administrata Trump ka propozuar një plan paqeje, i cili fillimisht parashihte që Ukraina t’i dorëzonte disa territore Rusisë. Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se nëse trupat ukrainase nuk tërhiqen nga rajoni i Donbasit, Rusia do ta marrë atë me forcë.

Strategjia thekson gjithashtu rëndësinë e hemisferës perëndimore dhe nevojën për riorganizimin e pranisë ushtarake amerikane, duke zhvendosur burimet nga zonat më pak prioritare. Prania ushtarake e SHBA-ve tashmë është rritur në Karaibe, ku janë kryer edhe sulme kundër grupeve të dyshuara për trafik droge.

Një tjetër fokus i rëndësishëm është Deti i Kinës Jugore, që përbën një rrugë kyçe tregtare. SHBA deklaron se do të forcojë praninë e saj në Paqësorin Perëndimor dhe u bën thirrje aleatëve si Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Tajvani të rrisin shpenzimet për mbrojtje.

Dokumenti thekson se parandalimi i një konflikti për Tajvanin është një prioritet kryesor, ndërsa Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ribashkim.

Po ashtu, strategjia përmend forcimin e industrisë amerikane dhe zvogëlimin e varësisë nga teknologjitë e huaja, në përputhje me politikat proteksioniste dhe tarifat globale të vendosura nga administrata Trump./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​Thellimi i bashkëpunimit strategjik Shqipëri-SHBA, Spiropali takon Hanrahan

Published

on

By

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali, u takua me zyrtarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Brendan Hanrahan, me të cilin ka diskutuar mbi thellimin e bashkëpunimit strategjik Shqipëri-SHBA.

Spiropali theksoi në Facebook se partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA, është i ndërtuar mbi një aleancë historike.

Kënaqësi të ritakohem me zyrtarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Evroazisë, Brendan Hanrahan, në margjinat e ministerialit të OSBE, për thellimin e bashkëpunimit tonë strategjik shumëplanësh, përfshirë në fushat e ekonomisë, tregtisë, investimeve dhe energjisë”, ka shkruar Spiropali.

Kujtojmë, takimi u mbajt në margjinat e Ministerialit të OSBE në Vjenë/KP

Continue Reading

Të kërkuara