Lajmet

​Çështja e të pagjeturve, familjarët fajësojnë politikën

Published

on

Dy dekada pas përfundimit të luftës në Kosovë vazhdon të mbetet e pazgjidhur çështja e fatit të mbi 1 mijë e 600 personave të pagjetur. Familjarët që jetojnë në ankth fajësojnë politikën që është bërë shumë pak për më të dashurit e tyre, ndërsa thonë se nuk kanë shumë besim të institucionet. Sipas tyre, në disa raste pushteti lokal nuk ka as të dhëna për numrin e të pagjeturve.

Zyrtarë të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur presin që muajin e ardhshëm të vazhdojnë gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore, ndërsa përfaqësuesit e familjarëve të të pagjeturve kërkojnë që në dialogun në Bruksel, pala kosovare të mos shkojë pa e pasur dokumentacionin e plotë për të pagjeturit.

Udhëheqësi i njësisë në kuadër të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Kushtrim Gara, tha për KosovaPress se më 5 maj të këtij viti pritet të rifillojnë gërmimet në territorin e Serbisë ku dyshohet për varreza masive të shqiptarëve të vrarë e të zhdukur nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Ai kujton se këto gërmime ndaluan vitin e kaluar për shkak të kushteve klimatike.

“Gjatë vitit të kaluar kemi qenë të fokusuar edhe në Kishevac të Rashkës në territorin e Serbisë dhe në këtë rast gërmimet vlerësuese në lokacionin Kishevac janë ndërprerë për shkak të kushteve klimatike dhe presim që këto ditë, në javën e ardhshme si opsion është edhe data 5 maj, po do të shohim varësisht prej kushteve klimatike. Po flasim për një lokacion mjaft specifik, një zonë malore e ish-minierës që ka pasur ndërhyrje të vazhdueshme në këtë hapësire”, tha Gara.

Sipas Garës, këtë vit pritet të fillojnë gërmimet edhe në disa rajone të Kosovës, si ai i Gjakovës, Prizrenit dhe Mitrovicës.

“Lokacioni në lagjen ‘Brekoc’ të Komunës së Gjakovës për të vazhduar më pas gërmimet në lagjen ‘Arbanë’ të Komunës së Prizrenit dhe së shpejti besoj që në fund të kësaj jave të ketë gërmime në një lokacion në varrezat në Mitrovicë”, tha Gara.

Ndërsa, kryetari i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur, Bajram Qerkini, tha se kanë mbetur në terr të plotë, me shpresat se fati i fëmijëve të tyre një ditë do të dalë në dritë.

“Ne si Qendër Burimore kemi vizituar diku 15 komuna e pushtete lokale, nuk e di edhe sa është numri i të pagjeturve. Pushteti qendror e ka kap politikën përpara dhe karriget dhe ne kemi mbetur në terr të plotë qe 21 vjet, jemi në terr duke jetuar edhe duke parë ëndrra për fëmijët tanë kur do t’i gjejnë apo kush do të na ndihmojë t’i gjejmë”, tha ai.

Qerkini për dialogun me Serbinë kërkon që ky proces të mos vazhdohet pa dokumentacion të kompletuar për të pagjeturit.

“Me armikun tonë që ka qenë i përbetuar t’i shfarosë shqiptarët pa u ul nuk bëhet, por kur është çështja e të pagjeturve, është gjynah të shkohet pa imazhe satelitore dhe pa dokumentacion të kompletuar”, tha ai.

Kryetari i Këshillit Koordinues për të zhdukurit dhe krime lufte në Kosovë, Ahmet Grajqevci kërkon nga qeveria e re që të mos ndërrohet stafi i Komisionit qeveritar për të zhdukurit, dhe ekspertët e trajtuar për këto çështje.

“Ne si familjarë 27 prillin dhe çdo festë të të zhdukurve të familjarëve e presim me vështirësi, në ankth, sepse nuk i kanë gjetur. Edhe ata që janë gjetur e ndjejnë dhimbjen e këtyre familjarëve të tjerë që ende nuk i kanë gjetur, do të thotë është ankth, dhimbje, stres, pagjumësi. Paramendo sa stresin e ki vetëm nëse zhduket një familjar 24 orë, po për 22 vjet? Ne si familjarë nuk presim shumë prej qeverive, sepse këtu qeveritë tona ndërrohen çdo 6 muaj, jo vetëm që ndërrohen çdo 6 muaj po edhe stafin e aftësuar dhe të trajnuar për këtë çështje ndërrohen çdo 6 muaj, çdo 1 vjet. Kjo është e tmerrshme. Kjo do të thotë që kemi ngecje çdo herë. Kërkoj që qoftë stafi i Komisionit, qoftë i mjekësisë ligjore, ekspertët, të mos ndërrohen”, tha ai.

Ndryshe, me rastin e 27 prillit, Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti bënë nderime te memoriali për të pagjeturit.

Osmani së bashku me Konjufcën do të bëjnë homazhe edhe në kompleksin memorial në Mejë të Gjakovës. Ndërsa një aktivitetet për fikjen e dritave për 5 minuta, si simbolikë për dhimbjen për 1 mijë e 639 të pagjetur, do të mbahet në orën 20:00.

Live

Marta Kos: Sot zhvillohen katër konferenca për BE-në, Shqipëria mbyll tre kapitujt e parë

Published

on

By

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, e ka cilësuar të martën si një ditë të rëndësishme për procesin e zgjerimit, duke njoftuar se për herë të parë në më shumë se dy dekada po zhvillohen katër konferenca ndërqeveritare të anëtarësimit brenda së njëjtës ditë.

Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetin social X, Kos bëri të ditur se katër vendet që po shënojnë hapa përpara në këtë proces janë Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi.

Sipas saj, Shqipëria do të mbyllë tre kapitujt e parë të negociatave, ndërsa Mali i Zi ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave formale, duke pasur të mbyllur 18 nga 33 kapitujt gjithsej.

Komisionerja Kos theksoi se ky momentum i krijuar duhet të shndërrohet në rezultate konkrete në terren. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Gjashtë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve

Published

on

By

Në raportin e fundit të Policisë së Kosovës janë regjistruar gjashtë raste të dhunës në familje në disa komuna të ndryshme. Në të gjitha rastet, pas intervistimit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorëve përkatës.

Në Graçanicë janë raportuar dy raste të ndara të dhunës psikike. Në rastin e parë, një grua ka njoftuar se ish-bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë psikike të vazhdueshme ndaj saj. Në rastin e dytë, një burrë ka ushtruar dhunë psikike ndaj motrës së tij.

Në Lipjan është arrestuar një person i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij. Dy viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor.

Në Istog dhe në Rahovec janë regjistruar dy raste të ngjashme ku bashkëshortet kanë qenë viktima të dhunës fizike nga burrat e tyre. Viktimës në Istog i është ofruar edhe ndihma mjekësore, ndërsa rasti ka kaluar nën hetime.

Një grua në Pejë ka pranuar trajtim mjekësor pasi është sulmuar fizikisht nga ish-bashkëshorti i saj. I dyshuari është arrestuar nga policia dhe më pas është liruar.

Në Mitrovicën e Veriut është iniciuar rast ndaj një personi, i cili dyshohet se ka kanosur përmes telefonit ish-bashkëshorten e tij.

Continue Reading

lajme

Profesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, ftohet si studiuese kërkimore në një nga bibliotekat më prestigjioze në botë

Published

on

By

Profesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, është ftuar zyrtarisht si Guest Researcher në Herzog August Bibliothek në Wolfenbüttel të Gjermanisë, një prej bibliotekave kërkimore më prestigjioze në botë dhe ndër institucionet më të rëndësishme për studimet humanistike.

Ky angazhim përbën një vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar për punën e saj shkencore, duke e pozicionuar atë në një prej qendrave më elitare të kërkimit në Evropë, ku studiues nga e gjithë bota zhvillojnë projekte mbi historinë, kulturën dhe trashëgiminë intelektuale evropiane.

E themeluar në vitin 1572, Herzog August Bibliothek ka një histori mbi 450-vjeçare dhe në shekullin XVII njihej si “Mrekullia e Tetë e Botës”, falë koleksionit më të madh të librave në Evropë. Biblioteka ruan mijëra dorëshkrime mesjetare, inkunabula, harta historike, dokumente arkivore dhe koleksione unike me rëndësi botërore. Ndër pasuritë e saj më të çmuara është edhe Evangeliari i Henrikut të Luanit, një nga dorëshkrimet më të rëndësishme të Mesjetës evropiane. Institucioni është udhëhequr ndër shekuj edhe nga personalitete të shquara të mendimit evropian, si Gottfried Wilhelm Leibniz dhe Gotthold Ephraim Lessing.

Gjatë qëndrimit në këtë institucion, Prof. Bekteshi-Ferati do të zhvillojë projektin e saj kërkimor me titull “Cultural Encounters and Theatrical Representation: The Balkans between the Ottoman and Habsburg Worlds (16th–18th Century)” (“Takimet kulturore dhe përfaqësimi teatror: Ballkani ndërmjet botës Osmane dhe asaj Habsburge (shekujt XVI–XVIII)”), duke hulumtuar në një nga fondet më të pasura arkivore në Evropë.

Ky projekt synon të analizojë ndërveprimet kulturore dhe mënyrën e përfaqësimit të Ballkanit në teatër gjatë periudhës ndërmjet shekujve XVI dhe XVIII, duke u mbështetur në burime të rralla historike dhe materiale arkivore me vlerë të jashtëzakonshme shkencore.

Continue Reading

Lajmet

Vdes një grua në Fushë Kosovë si pasojë e një aksidenti të ndodhur në qershor

Published

on

By

Një grua ka vdekur dje në Prishtinë, si pasojë e lëndimeve të marra nga një aksident trafiku që kishte ndodhur më 5 qershor 2026 në rrugën “Nënë Terezë” në Fushë Kosovë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, asaj i është keqësuar gjendja shëndetësore të hënën, me ç’rast është dërguar me autoambulancë në Emergjencën e QKUK-së në Prishtinë, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e saj.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara