Aktualitet

​Bullgaria vendi i dytë me performancën më të mirë në Evropë në diagnostikimin dhe trajtimin njerëzve me sëmundje të rralla

Stefanov tha se Bullgaria renditet e dyta në Evropë pas Hungarisë, ndërsa Republika Çeke është e treta.

Published

on

Bullgaria është ndër tre vendet kryesore në Evropë që diagnostikon dhe trajton njerëzit me sëmundje të rralla, kështu tha për BTA Georgi Stefanov, një nga organizatorët e një konference kombëtare për sëmundjet dhe ilaçet me prodhim të kufizuar, duke cituar të dhëna nga një studim evropian.

Konferenca dy-ditore organizohet në qytetin jugor, Plovdivi, dhe fillon të premten.

Stefanov tha se Bullgaria renditet e dyta në Evropë pas Hungarisë, ndërsa Republika Çeke është e treta.

Të dhënat e Institutit Bullgar të Sëmundjeve të Rralla tregojnë se rreth 6% e bullgarëve vuajnë nga sëmundje të rralla. Shumica e rasteve kanë shkaqe gjenetike.

Stefanov tha se Ministria e Shëndetësisë ka një regjistër për çdo sëmundje individuale dhe informacionet janë të qasshme në ueb faqen e Ministrisë. Një sëmundje e rrallë është një sëmundje që prek më pak se një në 2000 persona.

Konferenca kombëtare e vitit 2022 mbi sëmundjet e rralla dhe ilaçet me prodhim të kufizuar fokusohet në diagnostikimin dhe trajtimin modern gjenetik dhe klinik të çrregullimeve neuromuskulare. Rreth 32 folës do të prezantojnë përparimet më të fundit në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të rralla, zhvillimin e rrjeteve evropiane të referencës për sëmundjet e rralla dhe qasjen në risitë në këtë fushë. Kjo konferencë mbahet për të 13 vit radhazi.

Stefanov tha se një fushatë ndërgjegjësimi për sëmundjet e rralla me moton “Si të gjithë të tjerët” vazhdon. Ajo organizohet nga Instituti i Sëmundjeve të Rralla, Aleanca Kombëtare e Personave me Sëmundje të Rralla, dhe Shoqata e Prodhuesve Kërkimor Farmaceutikë në Bullgari.

Live

REL: S’u morëm vesh kështu”: Trump e paralajmëron Iranin për Ngushticën e Hormuzit në prag të bisedimeve

Published

on

By

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kritikuar ashpër Teheranin lidhur me synimet e tij për Ngushticën e rëndësishme të Hormuzit, pak kohë para se zyrtarë të lartë amerikanë dhe iranianë të mblidhen në Islamabad për bisedime të rëndësishme paqeje të premten.

“Irani po bën punë shumë të dobët, disa do të thoshin të pandershme, lidhur me kalimin e naftës nëpër Ngushticën e Hormuzit. Kjo nuk është marrëveshja që kemi!” shkroi Trump në Truth Social të enjten vonë.

“Thuhet se Irani po u vendos tarifa cisternave që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit. Më mirë të mos jetë e vërtetë kjo dhe, nëse është, duhet ta ndalojnë menjëherë!” shkroi Trump në një postim tjetër.

Mosmarrëveshjet mbi planet e Teheranit për këtë rrugë jetike ujore, së bashku me sulmet e mëdha që Izraeli po i kryen në Liban, vazhdojnë t’i zbehin shpresat se mund të arrihet ndonjë marrëveshje e përhershme për t’i dhënë fund luftës, e cila filloi para më shumë se një muaji.

Ndër kërkesat kryesore të Trumpit si pjesë e një marrëveshjeje për armëpushim dyjavor është transporti i lirë përmes Ngushticës së Hormuzit, të cilën Irani e ka bllokuar qëkurse nisi lufta. Teherani është zotuar për ta rihapur këtë rrugë detare, megjithatë vetëm në bashkërendim ushtrinë iraniane dhe me pagesë.

Anijet nuk janë detyruar kurrë të paguajnë për të kaluar nëpër këtë ngushticë, pasi ajo vlerësohet si rrugë ujore ndërkombëtare dhe jo nën autoritetin e ndonjë shteti.

 

Kriza globale e energjisë

Ngecja e trafikut të cisternave të naftës dhe gazit i shkaktuar nga bllokimi i ngushticës ka çuar në një krizë globale energjetike dhe në rritje çmimesh. Mundësia e vendosjes së tarifave ka tronditur liderët në mbarë botën.

Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar, Greqia dhe të tjerë e dënuan planin e Iranit për vendosjen e tarifave. Bloomberg raportoi se kompanitë e transportit do të pritej të paguanin deri në 2 milionë dollarë për anije, ndërsa Financial Times tha se pagesat ndaj autoriteteve iraniane do të bëheshin vetëm në kriptomonedha ose në juan kinez.

Gjatë një vizite treditore në Gjirin Persik, kryeministri britanik Keir Starmer hodhi poshtë mundësinë që Teherani të bëjë me pagesë përdorimin e kësaj ngushtice jetike.

“Qëndrimi ynë është se ‘e hapur’ do të thotë e hapur për navigim të sigurt”, tha ai për televizionin britanik. “Kjo nënkupton navigim pa tarifa dhe që anijet të mund të kalojnë”.

Krediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, tha: “I bëjmë thirrje të gjitha palëve ta respektojnë plotësisht armëpushimin në rajon, t’i ndalojnë të gjitha operacionet ushtarake dhe të sigurojnë plotësisht lirinë e navigimit si dhe kalimin e lirë dhe të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, vendi i së cilës merr rreth 95 për qind të furnizimeve me naftë nga Lindja e Mesme, kërkoi në një telefonatë me presidentin iranian Masud Pezeshkian që ai t’i ulë tensionet dhe të garantojë sigurinë e anijeve në ngushticë.

Një deklaratë që i atribuohet liderit suprem të Iranit, Ayatollah Mojtaba Khamenei, dhe e lexuar në televizionin shtetëror më 9 prill, duket se nënvizonte synimin e Teheranit për të kontrolluar ngushticën dhe për të rregulluar trafikun detar në këtë arterie kyçe.

Në deklaratë thuhej se Irani “patjetër do ta çojë menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit në një fazë të re”, por nuk dha hollësi. “Irani nuk kërkon luftë, por nuk do të heqë dorë nga të drejtat e veta”.

Mes thashethemeve për gjendjen e tij, Khamenei nuk është parë që nga shpërthimi i luftës.

Takimet SHBA–Iran në Pakistan

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, i dërguari special, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, pritet të mbërrijnë në Islamabad të premten për takime me zyrtarë iranianë. Bisedimet mes tyre mund të jenë vendimtare.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, dhe kryetari i fuqishëm i Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, i njohur për deklarata të forta kundër SHBA-së javët e fundit, pritet ta udhëheqin delegacionin iranian.

Nuk është e qartë nëse bisedimet zyrtare do të fillojnë të premten apo të shtunën, por Pakistani ka shpallur dy ditë pushim në kryeqytet para bisedimeve.

Autoritetet shpesh shpallin pushim ose kufizime për ngjarje të mëdha diplomatike për arsye sigurie.

Pavarësisht kërcënimeve të tij, Trump i tha NBC News të enjten se është “shumë optimist” për një marrëveshje paqeje me Iranin dhe se Izraeli po “ulte intensitetin” e sulmeve në Liban.

Trump tha në një intervistë telefonike se liderët e Teheranit janë “shumë më të arsyeshëm” në biseda private, por shtoi se “nëse nuk bëjnë marrëveshje, do të jetë shumë e dhimbshme”.

 

Izraeli dhe Libani drejt bisedimeve

Ndërkohë, përfaqësues izraelitë dhe libanezë do të takohen në Uashington javën e ardhshme, tha Departamenti i Shtetit për Radion Evropa e Lirë (REL).

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka urdhëruar intensifikimin e sulmeve në Liban, ku bombardimet e rënda izraelite që synojnë militantët e Hezbollah e kanë lëkundur marrëveshjen e armëpushimit SHBA–Iran.

Së bashku me dënimin e veprimeve të Hezbollahut – i konsideruar organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – dhe sulmeve të Iranit në gjithë rajonin, shumë liderë botërorë kritikuan gjithashtu Izraelin për sulmet masive në Liban që kanë vrarë më shumë se 300 njerëz gjatë dy ditëve të fundit.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli këmbëngulin se Libani nuk ishte përfshirë në marrëveshjen e armëpushimit me Teheranin, ndërsa zyrtarët iranianë thonë se ishte përfshirë dhe se sulme të mëtejshme ndaj aleatëve të tyre të Hezbollahut mund ta prishin armëpushimin.

Kallas tha të enjten se “veprimet izraelite po e vënë armëpushimin SHBA–Iran nën presion të madh. Armëpushimi me Iranin duhet të shtrihet edhe në Liban”.

Sulmet izraelite në Liban janë “të gabuara” dhe “duhet të ndalen”, tha Starmer gjatë vizitës së tij në vendet e Gjirit/REL/

Continue Reading

Vendi

Ferizaj: Sulmohen policët në krye të detyrës, një i arrestuar dhe një zyrtar i lënduar

Published

on

By

Gjatë 24 orëve të fundit në Policinë e Kosovës është raportuar një incident i rëndë në Ferizaj, ku tre persona kanë kanosur dhe penguar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Sipas raportit policor, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes rreth orës 22:10, ku si pasojë e rezistencës dhe sulmit, një zyrtar policor ka pësuar lëndime trupore.

Njëri nga të dyshuarit, i cili ndodhej në gjendje të dehur, është arrestuar menjëherë dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë janë liruar dhe do të ndiqen në procedurë të rregullt.

Rasti po trajtohet si kanosje dhe pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës.

Continue Reading

Vendi

Gjashtë raste të dhunës në familje brenda një dite

Published

on

By

Gjatë 24 orëve të fundit në Policinë e Kosovës janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje dhe kanosjes në disa qytete të ndryshme.

Sipas raportit lidhur me këto raste janë arrestuar katër persona.

Në Drenas është arrestuar një i dyshuar pasi ka sulmuar fizikisht dhe ka kanosur një grua, e cila ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ngjashëm, në Podujevë dhe Kamenicë, dy persona janë dërguar në mbajtje nën dyshimin për dhunë në familje dhe kanosje ndaj viktimave.

Në Mitrovicën e Jugut, një person nën ndikimin e alkoolit ka sulmuar fizikisht një grua, e cila ka marrë ndihmë mjekësore, mirëpo i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Në Pejë po ashtu është raportuar një rast i kanosjes ku i dyshuari po hetohet në procedurë të rregullt.

Ndërsa në Vushtrri policia po vazhdon hetimet për një rast tjetër të dhunës ku viktima nuk ka kërkuar trajtim mjekësor. Të gjitha rastet janë iniciuar në koordinim me prokuroritë përkatëse.

Continue Reading

Lajmet

Studentët e Inxhinierisë së Energjisë në UBT thellojnë njohuritë praktike përmes vizitës studimore në KOSTT

Published

on

By

Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për të ndërlidhur teorinë me praktikën dhe për të përgatitur profesionistë të gatshëm për tregun e punës, studentët e vitit të dytë të programit Inxhinieri e Energjisë në UBT realizuan një vizitë studimore në ambientet e KOSTT, operatorit të sistemit të transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë.

Kjo vizitë, e organizuar nën udhëheqjen e profesorëve Vehebi Sofiu, Sami Gashi dhe Nexhmi Krasniqi, kishte për qëllim që studentët të njihen nga afër me funksionimin real të sistemit elektroenergjetik, mekanizmat e tregut të energjisë dhe sfidat bashkëkohore të këtij sektori strategjik.

Gjatë qëndrimit në KOSTT, studentët u pritën nga Dispeçeri Nacional, Muhamet Purellku, si dhe nga Zyrtarja për Zhvillim dhe Trajnime të Stafit, Aida Mirdita, të cilët ofruan një prezantim të detajuar dhe profesional mbi organizimin dhe funksionimin e sistemit të transmetimit të energjisë elektrike në vend.

Në fokus të prezantimit ishin proceset e monitorimit dhe menaxhimit të rrjetit elektroenergjetik, koordinimi ndërmjet sektorëve teknikë dhe operativë, si dhe struktura dhe zhvillimi i tregut energjetik në Kosovë. Studentët patën mundësinë të kuptojnë nga afër rolin dhe përgjegjësitë e institucioneve kyçe në këtë sektor, duke përfituar një pasqyrë reale mbi sfidat dhe zhvillimet e industrisë së energjisë.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rëndësisë së zhvillimit të qëndrueshëm të sistemit elektroenergjetik, investimeve strategjike në rrjetin e transmetimit dhe planeve afatgjata që lidhen me sigurinë energjetike dhe integrimin në tregjet rajonale dhe evropiane.

Kjo vizitë dëshmon qartë qasjen moderne të UBT-së në arsim, ku përveç përgatitjes teorike, studentëve u ofrohen mundësi konkrete për përvojë praktike dhe kontakt të drejtpërdrejtë me industrinë. Programi i Inxhinierisë së Energjisë në UBT synon të formojë kuadro të specializuara, të afta për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje të sektorit energjetik, si në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar.

Përmes bashkëpunimeve të tilla me institucione relevante si KOSTT, studentët e UBT-së fitojnë një avantazh të rëndësishëm profesional, duke lidhur njohuritë akademike me realitetin e punës dhe duke u përgatitur për sfidat e së ardhmes në një nga sektorët më vitalë të zhvillimit ekonomik.

Në përmbyllje të vizitës, studentët dhe profesorët shprehën mirënjohje për mikpritjen dhe për ndarjen e përvojave profesionale nga stafi i KOSTT, duke e vlerësuar këtë vizitë si një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e tyre akademik dhe profesional.

Continue Reading

Të kërkuara