Ka nisur zyrtarisht edicioni i 15-të i festivalit ndërkombëtar “Global UBT Fest 2026”, i cili konsiderohet si ngjarja më e madhe e dijes në rajon. Përgjatë tërë muajit korrik, ky festival do të shërbejë si një platformë gjithëpërfshirëse ku bashkohen arsimi, shkenca, inovacioni dhe zhvillimi profesional, me synim ndërtimin e zgjidhjeve për sfidat e së ardhmes.
Në këtë edicion jubilar, festivali ka konkretizuar vizionin e nisur pesëmbëdhjetë vjet më parë për ta shndërruar Kosovën në një qendër ndërkombëtare të bashkëpunimit akademik. Ngjarja pritet të bëjë bashkë mbi 3,000 pjesëmarrës nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës. Pjesë e debateve dhe ligjëratave do të jenë më shumë se 300 folës, profesorë, studiues dhe ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, të cilët do të ndajnë përvojën dhe njohuritë e tyre me të pranishmit.
Gjatë ditëve në vijim, në kuadër të festivalit do të organizohen mbi 50 shkolla verore. Këto programe do të mbulojnë fusha të shumta dhe të ndryshme si inteligjenca artificiale, shkencat kompjuterike, inxhinieria, siguria kibernetike, mjekësia, stomatologjia, farmacia, arkitektura, energjia, media dhe komunikimi, ekonomia, biznesi, drejtësia, psikologjia, arti, dizajni, muzika, politika publike, sporti, bujqësia dhe shkencat e ushqimit. Përveç shkollave verore, agjenda do të pasurohet me konferenca shkencore, forume ndërkombëtare, gara inovacioni, hackathone, ekspozita e prezantime të startup-eve.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, u ka uruar mirëseardhje të pranishmëve, duke vënë në dukje rëndësinë e kësaj ngjarjeje të dyfishtë për institucionin. Ai u shpreh se ky festival, i cili tashmë ka krijuar një traditë të fuqishme, ka për synim parësor ta pozicionojë muajin korrik si periudhën e ngjarjes më madhore akademike në Evropë.
“Ju uroj mirëseardhje në dy momente të rëndësishme për UBT-në. Ne sot zyrtarisht shënojmë hapjen e Festivalit të Dijes, që tashmë është bërë tradicional, me qëllimin që korriku të jetë festivali më i madh i dijes në Evropë. Po mundohemi që në Kosovë, përmes UBT-së, të krijojmë një platformë të një festivali ku marrin pjesë qindra folës, organizohen qindra aktivitete e mijëra pjesëmarrës, nga sot e deri në fund të korrikut”, u shpreh Hajrizi gjatë hapjes se ketij eventi.
Më tej, rektori Hajrizi ka shtjelluar strukturën programore të këtij edicioni, duke nënvizuar se shtyllat kryesore bazohen te diversiteti dhe bashkëveprimi ndërmjet disiplinave të ndryshme shkencore. Ai bëri të ditur se secili departament do të jetë bartës i shkollave verore, ku pritet të organizohen rreth 35 në kuadër të “Global UBT Fest 2026”, krahas një morie konferencash, garash e manifestimesh kulturore. Në përmbyllje, rektori Hajrizi theksoi se e gjithë kjo platformë është ndërtuar për të qenë plotësisht e hapur dhe pa asnjë lloj pagese, me qëllim që mundësitë e përfitimit të dijes t’u afrohen të gjithë qytetarëve pa dallim, duke përfshirë këtu edhe bashkëatdhetarët nga diaspora.
“Ideja e Festivalit Global të Dijes, përveç rolit të diversitetit vjen përmes programeve të fakulteteve, ku çdo fakultet këtë muaj do të organizojë shkolla verore – rreth 35 sosh në Global UBT Fest 2026. Por, do të ketë edhe konferenca e evente të tjera, gara e koncerte që po ashtu janë planifikuar brenda këtij festivali. Kjo platformë për të gjithë është mundësuar pa pagesë, me qëllim që të përfitojnë të gjithë qytetarët, përfshirë këtu edhe diasporën”, shprehet Hajrizi.
/E.A/