Lajmet

​Ankohen qytetarët: U ngritën çmimet e produkteve ushqimore, por jo edhe pagat

Ata thonë se çmimet janë rritur nga 20 deri në 30 përqind.

Published

on

Çmimet e produkteve të konsumit dhe derivateve kanë shënuar rritje gjatë muajve të fundit në Kosovë. Qytetarët ankohen duke thënë se çmimet janë rritur dhe nuk kontrollohen nga askush, derisa pagat mbesin të njëjta. Ata thonë se çmimet janë rritur nga 20 deri në 30 përqind e për këtë kërkojnë edhe ndërhyrjen e Qeverisë.

Drejtuesi i Organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku ka thënë për KosovaPress, se më së shumti i frikëson ngritja e çmimit të energjisë elektrike, karburanteve, por ka mundësi edhe mielli, buka dhe produktet e qumështit.

“Çmime ka pas varësisht nëpër sektorë, variojnë, janë në përqindje të ndryshme. Ajo që më së shumti na brengos tani, na frikëson është ngritja e çmimit të energjisë elektrike, të karburanteve, të emergjenteve të tjerë. Kjo aq më parë duke pas parasysh që ne po hyjmë në stinën që nevojitet ngrohja dhe natyrisht që derivatet e naftës na nevojiten për transport automobilistik etj. Ngritje të çmimeve ka pas te mielli, buka dhe nën prodhimet e qumështi, te mishi, bashkë me nën prodhimet. Ajo që ne e kemi vërejt si organizatë është e habitshme se para se të ngritet çmimi i produkteve kryesore siç është mielli, mishi dhe qumështi, ngritje çmimesh kemi pas te nënproduktet e tyre dhe për fat të keq kjo ngritje nuk ka bërë përshtypje te agjencionet të cilat e përcjellin tregun dhe këto çmime tani si inercion vazhdojnë të ndikojnë edhe në ngritjen e çmimeve tjera”, ka thënë ai.

E papranueshme për Kaçanikun është edhe ngritja e çmimit të bukës. Po ashtu, ai thotë se Qeveria duhet të ndikojë ndaj bizneseve që po bëjnë ngritjen e çmimeve.

“Çmimi i bukës nuk është ngritur atëherë kur kemi pasur ngritje të miellit, dhe kur çmimi i miellit po mrizon, kemi ngritjen e çmimit të bukës. Edhe kjo është një simptomë një sharet se diçka nuk është në rregull, se diçka po ndodhë jashtë kriteriumeve të tregut, jashtë ligjeve të ekonomisë. Dhe kur kjo ndodhë jashtë këtyre normave, atëherë inspeksionet, Qeveria duhet të ndikojë menjëherë dhe mos të bie pre e presioneve të ashtuquajtura alobime sepse ne e dimë që Qeveria dhe Kuvendi ndikohen nga lobistë të fortë të bizneseve por ato duhet të lobohen, por qytetari, konsumatori që është taksapagues, si taksapagues ne jemi gjenerues të buxhetit. Ne me buxhet e financojmë shtetin, nga ky buxhet marrin rroga edhe qeveritarët edhe kuvendarët, d.m.th ata veç tani janë në konflikt interesi dhe marrin nga dy burimet dhe duhet të vetëdijesohen, të veprojnë në dobi të qytetarit çoftë elektorat, çoftë konsumatorë, qoftë taksapagues, sepse obligimet ndaj nesh i kanë më të mëdha se ndaj bizneseve, fundja edhe ekonomia, edhe bizneset na shërbejnë neve e jo ne atyre”, ka shtuar Kaçaniku.

Ndërkohë, ngritjen e çmimit të produkteve e komentojnë edhe qytetarët. Leart Sfeqla tha se ngritja e çmimeve është e vështirë për shumicën e qytetarëve, pasi që edhe një pjesë e tyre janë me rrogë mesatare. Ai kujton se me standardin që ka populli, nuk është lehtë të përballen me këto çmime.

“(Ngritja e çmimeve) Absolutisht është shumë e vështirë për shumicën e popullatës, sidomos me rrogën mesatare të popullit tonë që me i bo ballë këtyre çmimeve që janë rritur kohëve të fundit…Por që në secilin produkt mundesh me vërejt një rritje të vogël të çmimeve, edhe në ujin nëse e përdorë atë të blinim, kështu që normalisht nuk është e lehtë aspak me iu bërë ballë këtyre çmimeve që nuk po shkojnë në raport me ngritjen e pagave, le të themi ose me standardin e përgjithshëm të popullit”, ka thënë ai.

Kurse, Hasan Krasniqi thotë se ngritje të çmimeve më shumë ka në gjërat ushqimore.

“Rritja e çmimeve është evidente, kam mundur me vërejt në minimarkete, sidomos gjërat ushqimore. Me siguri pandemia por mendoj që edhe tregtarët po bëjnë keqpërdorim, po e shfrytëzojnë situatën, d.m.th edhe biznesmenët mundohen të përfitojnë më shumë…Derisa rritja e çmimeve nuk përcillet me ngritjen e pagave ndikon në uljen e standardit,” ka shtuar Krasniqi.

Po ashtu, Izet Zhuja tha se shtrenjtimi i ushqimeve është gjëja më e keqe që mund t’u ndodh qytetarëve. Ai thotë se Qeveria duhet të bëjë gjithçka që jeta e qytetarëve të mos shtrenjtohet.

“Ngritja e çmimeve kur njëherë nuk është popullore sepse ne e dimë çfarë standardi kemi në Kosovë, kështu që ndikon shumë keq në standardin tonë të përgjithshëm, pasi që shumica e mjeteve që disponojnë, shkojnë për ushqim, ushqimet nëse shtrenjtohen atëherë shtrenjtohen edhe gjërat tjera të cilat ndoshta nuk i kemi kushtet, ndoshta të gjithë për shembull për veturë, për benzinë, për rrymë për shërbime të tjera, mirëpo kriza botërore ekziston në botë dhe jo veç te ne dhe kriza botërore vjen gradualisht te ne, ani pse ndoshta më pak se në shtetet tjera sepse jemi shtet i vogël me të ardhura të vogla, kështu është një gjë e padëshirueshme. …Nuk kemi fort luks si popull për me ble gjana të shtrenjta, kështu që shtrenjtimi i ushqimeve është gjëja më e keqe që mund të na ndodh, natyrisht edhe rryma eventualisht ngritet edhe ajo është një gjë pa të cilën nuk mundemi, edhe Qeveria do të duhej të bënte gjithçka të mos na e shtrenjtojë jetën”, ka thënë ai.

Rafet Ademi thotë se çmimet po rriten në vazhdimësi, kurse pagat jo dhe kjo për qytetarin është shumë e rëndë.

“Nuk ke si me vlerësu, shumë keq pagat fare nuk janë rritur, çmimet në vazhdimësi janë duke u ngritur, minimumi tash është 20-30%. Pagat kanë mbetur të njëjtat për ne konsumatorët dhe për njerëzit është shumë e rëndë kjo. Unë çka kam mundur të vërej në produktet ushqimore, karburante dhe të tjera”, ka thënë ai.

Lajmet

Zbulimi i varrezave masive në Zubin Potok: Kryeprokurori Gashi e cilëson si obligim ligjor e moral ndriçimin e fatit të viktimave të luftës

Published

on

By

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka reaguar përmes një deklarate zyrtare lidhur me rastin e zbulimit të varrezave masive në komunën e Zubin Potokut, ku janë gjetur mbetje mortore dhe dyshohet për trupa të tjerë të viktimave nga lufta e fundit në Kosovë.

Kryeprokurori Gashi ka vlerësuar lart punën e të gjitha institucioneve ligjzbatuese që janë të përfshira në këtë proces, duke theksuar rëndësinë e madhe që ka ky rast për drejtësinë dhe familjarët.

“Zbulimi i këtyre varrezave masive është një përpjekje dhe angazhim shtetëror për zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë. Mbi të gjitha, ndriçimi i këtyre rasteve përbën një detyrim institucional dhe ligjor ndaj viktimave dhe familjeve të tyre që prej vitesh presin përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre“, ka deklaruar Kryeprokurori Gashi.

Në deklaratën e tij, ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit gjithëpërfshirës për identifikimin e përgjegjësve për këto krime.

“Kryeprokurori i Shtetit vlerëson praninë e të gjitha institucioneve dhe qytetarëve në vendin e ngjarjes ku janë gjetur mbetjet mortore. Kontributi dhe bashkëpunimi i secilit kanë qenë dhe mbetet thelbësor për zbardhjen e këtyre rasteve, si dhe për identifikimin e personave përgjegjës të përfshirë në kryerjen e këtyre krimeve me qëllim që ata të përballen me drejtësinë“, përmbyllet deklarata. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Kurti takon Zijadin Selën, diskutojnë zhvillimet politike dhe projektet infrastrukturore

Published

on

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e partisë Lidhja Shqiptare dhe deputetin në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Zijadin Selën.

Gjatë takimit, Kurti i uroi mirëseardhje Selës në Prishtinë dhe e falënderoi për vizitën, ndërsa bashkëbiseduan për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.

Në fokus të bisedës ishin përgatitjet për konstituimin e legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit të Kosovës, formimin e Qeverisë së re dhe procesin e zgjedhjes së presidentit ose presidentes së vendit.

Palët diskutuan gjithashtu për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, me theks të veçantë te projektet infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e rrugës Prizren–Tetovë dhe aksit Bllacë–Shkup./A.K/

Continue Reading

Lajmet

KDI mirëpret vendimin e Supremes për shfuqizimin e disa dispozitave të Rregullores së KQZ-së

Published

on

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Supreme për shfuqizimin e disa dispozitave të Rregullores Zgjedhore nr. 04/2026 për Vëzhguesit e Zgjedhjeve, duke vlerësuar se ato tejkalonin kompetencat e përcaktuara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Sipas KDI-së, dispozitat e shfuqizuara i jepnin Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kompetenca shtesë për të kërkuar informacione mbi burimet e financimit të organizatave, zgjeronin kërkesat për dokumentacion dhe krijonin kritere të paqarta për refuzimin e akreditimit të organizatave dhe mediave, duke lënë hapësirë për vendimmarrje arbitrare.

KDI thekson se rregullorja kufizonte edhe pjesëmarrjen e vëzhguesve që ishin në procedurë hetimore për shkelje zgjedhore, gjë që, sipas organizatës, cenonte parimin e prezumimit të pafajësisë. Po ashtu, kufizoheshin edhe të drejtat e vëzhguesve dhe mediave për të ndjekur mbledhjet publike të KQZ-së dhe Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, ndonëse karakteri publik i tyre garantohet me ligj.

Sipas KDI-së, vendimi i Gjykatës Supreme konfirmon se të drejtat dhe detyrimet e subjekteve nuk mund të kufizohen apo zgjerohen përmes akteve nënligjore pa mbështetje të qartë ligjore, duke vendosur një standard të rëndësishëm për ligjshmërinë, sigurinë juridike dhe transparencën në administrimin e zgjedhjeve.

Në fund, KDI i ka bërë thirrje KQZ-së që ta zbatojë pa vonesë aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe ta harmonizojë Rregulloren për Vëzhguesit e Zgjedhjeve me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës me konsultim publik të organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe akterëve të tjerë relevantë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nga 1 shtatori vendoset tarifa e rikyçjes për konsumatorët që shkyçen për mospagesë të rrymës

Published

on

By

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike KESCO ka njoftuar konsumatorët se nga 1 shtatori 2026 do të fillojë zbatimi i tarifës së rikyçjes nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH).

Sipas njoftimit të KESCO-s, kjo tarifë do t’u aplikohet të gjithë konsumatorëve të cilët shkyçen nga rrjeti elektrik për shkak të mospagesës së faturave dhe kërkojnë rikyçjen e furnizimit. Masa bazohet në Rregullën për Shkyçje dhe Rikyçje të miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Tarifa e re e rikyçjes do të aplikohet krahas tarifës së shkyçjes, e cila tashmë është në fuqi. Perveç kanaleve zyrtare të komunikimit, njoftimi do të përfshihet edhe në faturat mujore të rrymës që do të shpërndahen gjatë muajit gusht.

KESCO u ka bërë thirrje konsumatorëve që t’i kryejnë obligimet financiare brenda afateve të përcaktuara në faturë, në mënyrë që të shmangin shkyçjen dhe kostot shtesë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara