Lajmet

​Ambasada e ShBA në Sarajevë: Ju keni garancinë tonë për Marrëveshjen e Dejtonit

Në një njoftim për media thuhet se Ballkani Perëndimor ka një potencial të madh ekonomik.

Published

on

Ambasada e ShBA në Sarajevë ka thënë sot se të gjithë në BeH kanë një garanci të ShBA-së për Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe mbështetje të fortë për të luftuar korrupsionin dhe për të ndërtuar besimin e ndërsjellë.

Në një njoftim për media thuhet se Ballkani Perëndimor ka një potencial të madh ekonomik, i cili hapet më së miri përmes bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe përmbushjes së standardeve evropiane.

“Bisedimet mbi tërheqjen nga institucionet e nivelit shtetëror krijojnë pasiguri rregullatore dhe ligjore që do të dëmtojnë RS dhe do të minojnë perspektivat ekonomike të BeH dhe rajonit. Është në interesin e të gjithëve që të kthehen në tavolinë”, thekson ambasada.

Deklarimet nga ambasada amerikane në Sarajevë vijnë pas takimeve që zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit Gabriel Escobar, ka zhvilluar me anëtarët e Presidencës së BeH, Kolegjiumit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Dhomës së Popullit të Asamblesë Parlamentare të BeH.

Zëvendës ndihmës Sekretari Escobar u kujtoi anëtarëve të Presidencës së BeH dhe përfaqësuesve të parlamenteve të BeH dhe FBeH për nevojën për të bindur qytetarët për angazhimin e tyre për paqen dhe përparimin në BeH si një shtet sovran.

“Dialogu dhe puna përmes institucioneve mbi sundimin e ligjit, reformat zgjedhore dhe ekonomike do të ndërtojnë një BeH më funksionale, në të cilën të dyja entitetet dhe distrikti i Brckos përparojnë, dhe qeveria në të gjitha nivelet është e aftë të përmbushë detyrimet dhe një perspektivë evropiane”, përfundon komunikata.

Vendi

Kosova U19 mposhtet nga Belgjika në raundin e dytë kualifikues

Published

on

By

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.

Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.

Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.

Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Murati prezanton buxhetin për 2027-ën, opozita kritikon investimet kapitale

Published

on

By

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë para Komisionit për Buxhet Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, të mbështetura nga të hyra prej 4 miliardë e 2 milionë eurosh dhe një deficit fiskal prej 2 për qind.

Gjatë raportimit, ministri Murati theksoi se buxheti reflekton rritjen ekonomike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike, ndërsa arsyetoi rritjen e kostos së jetesës me faktorë dhe tronditje të jashtme gjeopolitike.

“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, deklaroi Murati.

Prezantimi u pasua me kritika të ashpra nga anëtarët e opozitës. Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ngriti shqetësimin për ngecjen e investimeve kapitale dhe ndikimin e inflacionit në mirëqenien e qytetarëve, duke iu referuar edhe raporteve që tregojnë se mbi një miliard euro investime të planifikuara kanë mbetur të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.

Seanca u karakterizua edhe nga debati i tensionuar mes ministrit Murati dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi mungesën e një orientimi të qartë strategjik në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, duke vënë në dyshim pasqyrimin e premtimeve qeverisëse në kornizën trevjeçare buxhetore.

“S’je i interesuar sepse je mashtruesi më i madh që ka pasur ky vend… Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik”, u shpreh Hoti gjatë përplasjes direkte me ministrin e Financave.

Sipas planifikimit të ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, për paga janë paraparë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale është alokuar shuma prej 1 miliard e 70 milionë eurosh. Projektligji pritet të vazhdojë procedimin në komisionet e linjës për shqyrtim të mëtejshëm. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Foda rindërton mbrojtjen pas largimit të Dellovës

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës në futboll është përballur me ndryshime të papritura në repartin defensiv në prag të ndeshjeve ndaj Izraelit dhe Irlandës.

Mbrojtësi Lumbardh Dellova është larguar nga grumbullimi i “Dardanëve”, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar në vend të tij Betim Fazlijin. Kjo mungesë e ndërlikon edhe më shumë situatën në prapavijë, meqë jashtë fushave vazhdon të jetë edhe Albian Hajdari për shkak të një lëndimi afatgjatë.

Në skemën e tij të zakonshme 3-4-3, tekniku gjerman do të duhet të rindërtojë treshen e mbrojtjes. Lajm pozitiv për skuadrën është rikthimi i Kreshnik Hajrizit pas lëndimit, i cili pritet të jetë nga minutat e para pranë Ilir Krasniqit dhe Ron Raçit. Si opsione të reja në dispozicion janë edhe dy debutuesit nga Zvicra dhe Suedia, Lindrit Kamberi e Bleon Kurtulus, si dhe Betim Fazliji i cili mbulon disa pozicione në mbrojtje e mesfushë.

“Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, u shpreh përzgjedhësi Foda lidhur me zgjedhjet e reja në mbrojtje. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kurti në Asamblenë Kombëtare të Francës: Diskutohet për thellimin e raporteve dhe integrimin euroatlantik

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar në Asamblenë Kombëtare të Republikës së Francës, ku ka zhvilluar një takim të përbashkët me përfaqësues të Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Komisionit për Çështje Evropiane.

Kurti në këtë takim theksoi përkushtimin për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh, duke kujtuar pesë marrëveshjet e nënshkruara gjatë muajit korrik midis dy vendeve.

Po ashtu, kreu i qeverisë shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit francez, duke e cilësuar rolin e saj si posaçërisht të rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit euroatlantik. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara