Lajmet

​AKI ende pa drejtor, njohësit e sigurisë thonë se jo stabiliteti politik po dëmton çështjet e sigurisë

Published

on

Ka një muaj prej kur ka kaluar afati ligjor për emërimin e drejtorit Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, por pozita ka mbetur ende e lirë meqë kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti dhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, nuk janë pajtuar rreth emrit që duhet të udhëheqë me këtë institucion. Hoti e Osmani shkelën ligjin për AKI-në duke e lënë të zbrazët këtë pozitë për më shumë se 20 ditë, siç e përcakton ligji. Ekspertët e sigurisë po vlerësojnë se jo stabiliteti politik po dëmton edhe sigurinë në Kosovë.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti dhe Vjosa Osmani e cila ushtron postin e presidentit të vendit ende nuk kanë arritur konsensus për emërimin e drejtorit të ri të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, që prej 17 dhjetorit 2020, kur Hoti kishte kërkuar që Kreshnik Gashi të lirojë pozitën e shefit të këtij institucioni.

Ligji për AKI-në specifikon se “presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me kryeministrin, emërojnë së bashku drejtorin e AKI-së brenda 20 ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.

Nga Qeveria e Kosovës i kanë thënë KosovaPress-it se ende nuk ka ndonjë zhvillim në këtë drejtim, ndërsa presidenca nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara.

Për njohësen e çështjeve të sigurisë, Besa Kabashi-Ramaj, rasti me AKI-në është vetëm një prej shembujve si dëmtohen çështjet e sigurisë në Kosovë si pasojë e jo stabilitetit politik.

“Fatkeqësisht ky është një prej shembujve më flagrant se si çështjet e sigurisë dëmtohen jashtëzakonisht shumë kur ka jo stabilitet politik në vend. Ky është një prej shembujve që është bërë shumë publik, po e vërejmë çfarë dëmi është duke shkaktuar përkundër faktit që dëme të tilla janë shkaktuar në Kosovë në vazhdimësi duke mos pasur stabilitet politik, duke mos pasur qeveri stabile, duke mos pasur qeveri që arrin të përfundojë një mandat dhe duke mos pasur institucione apo qeveri në këtë rast që janë në gjendje me bë bartjen e memories institucionale, me bë bartjen e mandatit nga një qeveri në tjetrën”, thotë Kabashi-Ramaj.

Deri në emërimin e shefit të ri, AKI-në e drejton zëvendësdrejtori, për çka Besa Kabashi-Ramaj konsideron se me një përgjegjësi të tillë zëvendësdrejtori do të duhej të ngarkohej vetëm në 20 ditët e para kalimtare dhe jo në një periudhë kaq të gjatë.

Ajo konsideron se të gjithë liderët e pozitës dhe opozitës në Kosovë do të duhej të merreshin me këtë çështje dhe të gjejnë kandidatë konsensual për të drejtuar AKI-në, në të kundërtën, vlerëson se vakumi në institucionet e sigurisë është i rrezikshëm.

Ndërsa sipas njohësit të sigurisë, Drizan Shala, emërimet e drejtuesve të AKI-së janë bërë përmes preferencave politike, çka sipas tij e ka dëmtuar këtë institucion.

“Pozita e drejtorit të AKI-së është çelësi kyç i sigurisë nacionale të Republikës së Kosovës, ne jemi në prag të zhvillimeve të qeverisë së re, jemi në prag të zhvillimeve të dialogut me qeverisje ne re, në mungesë të një drejtori në krejt këto procese mund të dëmtojnë sigurinë e Republikës së Kosovës sepse vendimmarrja bazohet vetëm të një ushtrues i detyrës, pavarësisht pozitës, profesionalizmit të saj e cila e ka fushë-veprimtarinë inteligjente, por i mungon një drejtor AKI-së që në proceset vendimmarrëse politike të brendshme e të jashtme, të jemi kredibil për të ushtruar funksionin me të cilin është emëruar Agjencia e Kosovës për Inteligjencë”, thotë ai.

Ai shton se ndërrimi i disa drejtorëve të AKI-së brenda një periudhë të shkurtë e ka dëmtuar edhe imazhin e Kosovës, meqë sipas tij ka përcjellë mesazhin që vendi nuk mund t’i mbajë institucionet profesionale larg politikës.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti më 17 dhjetor 2020 i kishte kërkuar Kreshnik Gashit të lirojë pozitën e shefit të AKI-së, për çka ishte mbështetur edhe nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, por që arsyet për një gjë të tillë nuk u bënë të ditura.

Vetëm prej vitit 2015 në AKI janë ndërruar tre drejtorë. I vetmi që e ka përfunduar një mandat të plotë ka qenë i emëruari i vitit 2009, Bashkim Smakaj.

Lajmet

Qeveria mban mbledhjen e 29-të elektronike, miraton disa vendime

Published

on

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e saj të 29-të në formë elektronike, ku ka miratuar disa vendime që lidhen me infrastrukturën, arsimin dhe mbështetjen e sektorit të inovacionit dhe teknologjisë.

Vendimet kryesore:

  • Miratohet projekti për furnizimin me ujë në Leposaviq – Qeveria ka miratuar dhënien në shfrytëzim afatgjatë pa kompensim të pronave të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës për KRU “Mitrovica”, me qëllim realizimin e projektit për sigurimin e furnizimit me ujë të pijshëm në Komunën e Leposaviqit.
  • 255 mijë euro për tekstet e nxënësve shqiptarë në Luginën e Preshevës – Janë ndarë 255,153.45 euro për pajisjen me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, për vitin shkollor 2025/2026.
  • 40 mijë euro për inovacionin dhe teknologjinë – Qeveria ka ndarë 40,000 euro për mbështetjen e organizimit të ngjarjeve ndërkombëtare në fushën e inovacionit, teknologjisë, ndërmarrësisë dhe transformimit digjital, me qëllim promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe forcimin e ekosistemit vendor.
    • 20,000 euro janë ndarë për FLOSSK – Free Libre Open Source Software Kosova.
    • 20,000 euro janë ndarë për Innovation Centre Kosovo (ICK)./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj gjashtë personave për krim të organizuar dhe vepra të tjera penale

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj gjashtë personave të identifikuar me inicialet A.H., L.D., M.D., Q.E., A.G. dhe F.O.

Të pandehurit akuzohen për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, kjo akuzë ndërlidhet edhe me vepra të tjera penale, që përfshijnë “Veprimet përgatitore për vrasje të rëndë”, “Detyrimi”, “Zjarrvënia”, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Continue Reading

Lajmet

Kosova dhe Mali i Zi nënshkruajnë marrëveshje për njohjen e identifikimit elektronik

Published

on

By

Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar një marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të shërbimeve të besuara dhe identifikimit elektronik. Kjo marrëveshje synon të lehtësojë përdorimin e shërbimeve digjitale ndërmjet dy vendeve dhe të mbështesë bashkëpunimin në kuadër të transformimit digjital.

Ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike i Kosovës, Lulëzon Jagxhiu, deklaroi se ky dakordim përbën një hap në avancimin e transformimit digjital dhe integrimit evropian të Kosovës, duke vlerësuar gjithashtu marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve.

Nga ana tjetër, Ministri i Administratës Publike i Malit të Zi, Marash Dukaj, vlerësoi se marrëveshja do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, bizneset dhe procesin e përbashkët të integrimit në Bashkimin Evropian.

Ai shtoi se Mali i Zi synon që deri në fund të muajit tetor të nënshkruajë marrëveshje të ngjashme me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

Dy viktima nga stuhitë në Francë, mbi 53 mijë familje mbeten pa energji elektrike

Published

on

Të paktën dy persona kanë humbur jetën pasi stuhi të fuqishme goditën Francën gjatë natës, duke i dhënë fund një vale të zgjatur të të nxehtit.

Sipas mediave franceze, në Saint-Victornienne një grua humbi jetën pasi u godit nga një pemë e rrëzuar, ndërsa në Dolomieux një burrë u gjet i karbonizuar në një punishte që mori flakë pasi u godit nga rrufeja.

Operatori i rrjetit elektrik Enedis njoftoi se rreth 53 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike. Ndërprerjet kanë prekur kryesisht rajonet Auvergne-Rhône-Alpes në juglindje dhe New Aquitaine në jugperëndim të Francës.

Ndërkohë, shërbimi meteorologjik Meteo-France ka hequr paralajmërimin portokalli për stuhi në departamentet e prekura, pasi më herët kishte paralajmëruar për breshër dhe erëra të forta në disa pjesë të vendit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara