Lajmet

​100 nxënës të arsimit fillor braktisën shkollën vitin e kaluar

Nga ministria po kërkohet që të punojnë në parandalimin e rasteve të tilla.

Published

on

Bankave shkollore vitin e kaluar iu munguan rreth 100 nxënës të arsimit fillor. Ani pse arsim i obligueshëm, shumë vajza e djemë nuk arritën të përfundojnë as nëntëvjeçaren. Numër më i madh i braktisjes u regjistrua në arsimin e mesëm të lartë. 900 nxënës të tjerë të Kosovës nuk vijuan shkollimin gjatë vitit 2020-2021. Madje në këtë periudhë Kosova regjistroi 12 mijë nxënës më pak. Kjo më së shpeshti po ndodhë për shkak të kushteve jo të mira ekonomike, ku fëmijët po detyrohen të punojnë, ani pse është shkelje e të drejtave të fëmijëve. Në raste të tjera, vajzat detyrohen të lënë shkollimin, numër i madh evidentohet te komunitet. Nga ministria po kërkohet që të punojnë në parandalimin e rasteve të tilla, ndërkaq nga vet ky institucion thonë se kanë hartuar politika në parandalim e rikthim të nxënësve.

Koordinatorja për të drejtat e njeriut në Ministrinë e Arsimit, Merita Jonuzi tregon se shifrat e rasteve të braktisjes së shkollave kanë rënë, por vjetëve të fundit ka edhe rënie të natalitetit.


“Rreth 100 apo në përqindje është 1.05 braktisja në arsimin e obliguar, klasa 1 deri në 9. Ndërkaq, braktisjen e kemi të lartë në arsimin e mesëm të lartë. I kemi 1,19, ndërkohë që viteve më parë kemi pasur 3 për qind, ka qenë një numër i lartë ose shifra të larta të braktisjes në niveleve arsimore. Tani kemi një rënie, por që neve na shqetëson secila shifër, për faktin se legjislacioni në fuqi dhe sidomos në arsimin e obligueshëm kërkon që të gjithë fëmijët të jenë në banka shkollore dhe të jenë përfitues të sistemit arsimor…(10:36) I kemi rreth 900 nxënës braktisës në arsimin e mesëm të lartë. Nuk është arsim i obligueshëm, por vëmendja jonë është që terreni të punojë shumë në parandalim”
, tregon ajo.

Faktorët social e ekonomik janë kryesorët që po ndikojnë në braktisjen e shkollimit. Por kjo po ndryshon varësisht nga komunat në Kosovë.


“Faktorët kryesorë që e motivojnë braktisjen e shkollimit janë faktorët social e ekonomik. Ka edhe faktorë individual, familjarë që e gjenerojnë problemin e braktisjes. Por, kryesisht faktori ekonomik e social herë-herë kulturor është ai që e shkakton problemin kryesor të braktisjes…(04:36) Komunat që kanë braktisjen më të madhe të shkollave janë komunat e mëdha, por edhe komuna të vogla. E kemi Gjakovën, Pejën, Prizrenin, Malishevën, Vushtrrinë, Prishtinën që kanë shifra pak më të larta të braktisjes”, shton ajo.

Përveç braktisjes së tërësishme të shkollave, problem për shumë nxënës mbesin edhe mungesat e shumta.

Kryesuesi i kolegjiumit parauniversitar në Asociacionin e Komunave të Kosovës, Samir Shahini thotë se që nga pandemia ka pasur vështirësi të nxënësve për t’iu rikthyer normalitetit.

“Kemi ende raste të shumta që nxënësit vazhdojnë të mos gjejnë përshtatshmëri të nevojshme për t’iu rikthyer sistemit arsimor dhe ka mungesa të shumta. Mendoj se si fenomen ende kemi problemi të shumta me mungesat e shumta më tepër se sa me mungesë totale. Mirëpo, në arsimin e obligueshëm këta që kanë mungesa të shumta duhet të iu mundësojë shkolla, jemi të obliguar me ligj, t’iu mundësohet që arsimin e obligueshëm ta përfundojmë edhe me provime klasore”, deklaron Shahini.

Në vend gjithmonë e më pak ka numër të nxënësve në shkolla, por shkak është edhe migrimi.


“Arsimi i obligueshëm shpesh herë, arsyeja kryesore e braktisjes është largimi nga Kosova, migrimi. Prej vitit të kaluar në këtë vit shkollor kemi statistikisht 12 mijë nxënës më pak në sistem të arsimit parauniversitar në Kosovë. Që është shumë alarmante. Faktor kryesor mbetet nataliteti në ulje e sipër në vendin tonë. Një tjetër faktor është migrimi”
, shton Shahini.

Koalicioni i organizatave joqeveritare për mbrojtjen e fëmijëve (KOMF) e konsideron shkelje të drejtave të fëmijëve, pamundësinë për vijimin e shkollimit.

“Ne si koalicion konsiderojmë se kjo është shkelje e të drejtave të fëmijëve, sepse e drejta për arsim është e drejtë e garantuar me të gjitha instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Madje, edhe me legjislacionin në Kosovë edhe përmes kushtetutës dhe të gjiytha ligjeve të tjera, nuk është vetëm e drejtë por edhe obligim i të gjithë personave dhe shoqërisë që fëmijëve t’iu mundësojmë dhe t’iu garantojmë shkollim falas. Sipas të dhënave të ASK-së në bashkëpunim me UNICEF, raporti i fundit tregon se braktisja e shkollave vazhdon të mbes një problem sidomos te komunitetet romë, ashkalinj, egjiptianë. Ku 84 për qind e fëmijëve të komuniteteve ndjekin shkollat fillore… 64 për qind e ndjekin shkollën e mesme të lartë, ndërkaq 31 për qind e ndjekin shkollën e mesme të ulët”, shprehet Bukureza Surdulli.

Një nga grupet e cenueshme në arsim janë edhe fëmijët me aftësi të kufizuara.

“Sidomos gjatë pandemisë ka pasur braktisje, por edhe janë lënë anash për shkak të pamundësive që të ndjeket shkollimi. Për shkak edhe të mungesës së infrastrukturës, për shkak të mungesës së pajisjeve elektronike. Ka qenë një fenomen që është vënë në dukje në vitin 2020 në pandemi, mirëpo edhe përgjatë viteve të mëparshme fëmijët me aftësi të kufizuara kanë pasur vështirësi për ndjekjen e mësimit”, thekson Surdulli nga KOMF.

Në bazë të dhënave të ministrisë, 63 meshkuj dhe 46 femra në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët kanë ndërprerë shkollimin. Por, nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC) thonë se femrat mbesin më të ‘përjashtuarat’ në arsim.

Hekuran Meta nga kjo organizatë deklaron se nga raportimet në organizatën e tyre kanë evidentuar disa faktorë që po ndikojnë në braktisjen e shkollave.

“Shumicën e rasteve që i kemi pasur që detyrohen ta lënë mësimin janë në zona rurale apo ku ka shumicë të komuniteteve. Ku për shkak të kushteve të këqijave ekonomike detyrohen ta lënë mësimin dhe të bëjnë punë të tjera të cilat mund ta ndihmojnë familjen e tyre. Por, kemi edhe shumë raste të tjera ku nxënëset detyrohen ta lënë mësimin në rastin kur vajzat detyrohen që të ndjekin normat dhe rolet gjinore. Pra, në vend se të shkojnë në edukim detyrohen të bëjnë punët e shtëpisë apo të familjes. Kemi shumë raportime që na kanë ardhur në formën e raportimit të Këshillit të Nxënësve të Kosovës ku përveç arsyejeve që i përmende, kemi pasur shumë raste kur nxënësit janë detyruar të lënë mësimin për shkak të kushteve të këqija në sistemin arsimor të Kosovës”, deklaroi ai.

Merita Jonuzi nga Ministria e Arsimit shprehet se kanë krijuar sistem të identifikimit të hershëm të problemit të braktisjes. Sipas saj, ekipet në terren po punojnë në parandalimin dhe kthimin e nxënësve në banka shkollore.

“Ekipet po punojnë, dikush më mirë, dikush më dobët. Ne jemi duke punuar ngushtë si ministri për të ngritur kapacitetet e të gjithëve në terren për t’i zbatuar mirë këto politika në mënyrë që të gjithë fëmijët në Kosovë, pa dallim gjinie, etnie apo rrethane tjetër të jenë përfitues të sistemit arsimor. Dhe të zhvillohen brenda potencialit të plot, për aq sa ata kanë potencial”, përfundoi ajo.

Institucionet arsimore bazuar në Konventën për të Drejtat e Fëmijëve duhet të kujdesen për pjesëmarrje dhe gjithëpërfshirje në arsim cilësor, duke siguruar zhvillimin e fëmijëve brenda potencialit të plotë. 

Continue Reading

Aktualitet

“Hajdutët 2.0” që ju vjedhin me pajisje POS!

Published

on

By

Hajduti 2.0, siç e kanë quajtur kolegët tanë nga Italia, përkatësisht stafi editorial i medias me reputacion italiane Corriere della Sera, është një nga temat tek italianët. Italianët kanë analizuar histori rreth hajdutëve teknologjikë që dyshohet se fshihen në turma dhe, me ndihmën e pajisjeve POS, shfrytëzojnë pagesat pa kontakt për të vjedhur shuma deri në 50 euro nga viktimat e tyre. Por sa realiste është kjo formë grabitjeje? Ata pyesin veten…

Një sërë pengesash për hajdutët

Nga Milano në Romë, deri në rastin shumë të fundit në Napoli, duket se një valë frike e lidhur me vjedhjet fantazmë ka filluar përsëri, dhe psikoza është nxitur më tej nga videot në rrjetet sociale që dyshohej se ishin të inskenuara – u pretendua se ato ishin filmuar në Itali, por kishin origjinën nga vende të ndryshme. Tani, nga Napoli vijnë raportime të reja për vjedhje të kryera duke përdorur të njëjtën metodë krijuese dhe teknologjike: viktima është një kontabilist nga San Giorgio a Cremano, i cili e vuri re vjedhjen kur telefoni i tij inteligjent vibroi me një njoftim nga një aplikacion bankar: Pagesa u krye: 50 euro, nëpërmjet terminalit POS, shkruan Corriere della Sera, duke kujtuar se gushtin e kaluar pati një arrestim në Sorrento, dhe një grua 36-vjeçare, e ndaluar për vjedhjen e një kartëmonedhe 100 euroshe, u gjet me një terminal POS portativ në çantën e saj.

Por a është e mundur të vidhni para nga kartat ose telefonat inteligjentë duke mbajtur një pajisje POS portative afër xhepave të kalimtarëve dhe duke përfituar nga opsioni i pagesës pa kontakt pa një PIN? Përgjigja është – PO, por në kushte shumë specifike që e bëjnë këtë lloj grabitjeje jashtëzakonisht të vështirë në praktikë.

Kur bëhet fjalë për kartat, që një hajdut të jetë në gjendje të tërheqë para prej tyre, ai së pari duhet të kapërcejë disa pengesa fizike dhe teknologjike. Konkretisht, kartat “gjallërohen” vetëm kur hyjnë në fushën elektromagnetike të gjeneruar nga lexuesi (POS), dhe që çipi të aktivizohet dhe të fillojë transmetimin e një sinjali, distanca midis antenës së lexuesit dhe antenës së kartës duhet të jetë minimale, zakonisht më pak se katër centimetra. Fizika e dobësimit të sinjalit në 13.56 MHz, frekuenca në të cilën funksionojnë kartat e afërsisë, e bën jashtëzakonisht të vështirë, madje pothuajse të pamundur me pajisje standarde, “leximin” e një karte nga një distancë prej një metri ose përmes çantave të trasha. Hajdutët teorikisht mund të krijojnë antena të modifikuara, por edhe atëherë ato do të ishin jopraktike për hajdutët e xhepave, shkruan Corriere della Sera, duke shtuar se një hajdut modern, duke mbajtur terminalin e tij POS afër xhepit në të cilin mbajmë kartën tonë të kreditit ose debitit, teorikisht mund të vjedhë një shumë më pak se 50 euro.

Arsyeja qëndron në faktin se kartat e gjeneratës së re janë gjithmonë aktive dhe nuk kërkojnë zhbllokim. Por, ekziston një pengesë e madhe në të gjithë historinë, e njohur si përplasje kartash, e cila funksionon në mënyrë të tillë që nëse një përdorues ka dy karta pa kontakt në portofolin e tij, të dyja i përgjigjen fushës magnetike të hajdutit, dhe pajisjet POS janë të programuara të mos zgjedhin rastësisht dhe, nëse zbulojnë më shumë se një përgjigje, do ta ndërpresin transaksionin. Pra, që një hajdut të vjedhë para, viktima duhet të ketë vetëm një kartë pa kontakt në portofolin e tij, portofolin në xhep ose në pjesën e çantës më afër hajdutit, dhe viktima nuk duhet të ketë asnjë kartë tjetër të pajtueshme me RFID, siç është një kartë biznesi ose, le të themi, një kartë palestre. Përveç kësaj, nuk duhet të ketë mburoja metalike si monedha dhe çelësa, sepse ato gjithashtu do ta dobësojnë sinjalin. Pra, një grabitje është e mundur, por probabiliteti që gjithçka të përkojë në të njëjtën kohë, ose të krijojë kushte ideale për hajdutin, është jashtëzakonisht i vogël.

Telefonat inteligjentë paraqesin një sfidë edhe më të madhe për hajdutët

Kur bëhet fjalë për telefonat inteligjentë, transaksionet funksionojnë ndryshe dhe siguria përmirësohet më tej falë token-ave. Nëse një kriminel do të hakonte me sukses një transaksion me telefon inteligjent, ai do të merrte vetëm të dhënat e lidhura me atë token, të dhëna që janë plotësisht të padobishme për krijimin e një karte fizike të klonuar ose për të bërë blerje online në faqet e internetit, ku kërkohet numri aktual i kartës, shkruan Corriere della Sera, duke shtuar se vjedhja nga një iPhone është pothuajse e pamundur sepse arkitektura e sigurisë së Apple Pay kërkon vërtetim biometrik ose futjen e një kodi zhbllokimi për të aktivizuar antenën NFC.

Prandaj, një iPhone me ekran të fikur ose të kyçur nuk do t’i përgjigjet pajisjes POS, duke e bërë të pamundur një transaksion të padëshiruar dhe të fshehur. I vetmi përjashtim është modaliteti “Express Transit”, i projektuar për të shpejtuar kalimin nëpër barrierat e metrosë pa zhbllokuar telefonin.

Corriere della Sera shton se disa studiues britanikë kanë treguar në laborator se është e mundur të mashtrosh një iPhone të kyçur duke e bërë të besojë se është përpara një barriere metroje. Nga ana tjetër, pronarët e Android-ëve të vjetër duhet të jenë ende pak më të kujdesshëm, sepse për vite me radhë Google Wallet(më parë Google Pay) u lejonte përdoruesve të kryenin transaksione të vogla, zakonisht deri në 25-50 euro, thjesht duke ndezur ekranin, pa pasur nevojë ta zhbllokonin plotësisht, dhe kjo veçori përfaqësonte një cenueshmëri pak më të madhe kur bëhet fjalë për mundësinë e vjedhjes. Këshillohet që këta përdorues ta mbajnë funksionin NFC të fikur, ose ta aktivizojnë atë vetëm kur është e nevojshme. Megjithatë, prezantimi i Android 15 solli një hap përpara, pasi Google filloi të kërkonte zhbllokimin e pajisjes për të gjitha transaksionet NFC.

A ndihmojnë portofolet bllokuese RFID/NFC?

Ekzistojnë portofolet bllokuese RFID/NFC në treg, por a ndihmojnë ato? Përgjigja është – PO, sepse materialet e përfshira në to krijojnë një pengesë që reflekton ose thith valët e radios 13.56 MHz, duke parandaluar që fusha elektromagnetike e terminalit POS të arrijë antenën e kartës, dhe kjo mund të arrihet edhe duke e mbështjellë kartën pa kontakt në letër alumini. E gjithë kjo është efektive, por mund të mos jetë e rëndësishme për përdoruesin mesatar, pasi mbajtja e dy ose më shumë kartave krah për krah në portofolin tuaj eliminon problemet. Si përfundim, ndërsa “Hajduti 2.0” është teknikisht i mundur, një numër pengesash fizike, teknologjike dhe praktike e bëjnë këtë skenar të pamundur.

Continue Reading

Aktualitet

Gjakovë: Paraburgim për 22 të dyshuar për falsifikim votash

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj 22 kryesuesve, të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave në zgjedhjet për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Komunën e Gjakovës.

Sipas komunikatës për opinionin publik, kërkesa për paraburgim është paraqitur pas veprimeve hetimore të zhvilluara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë.

“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 22 (njëzet e dy) kryesuesit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndaj të cilëve Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria njofton se ndaj të gjithë të dyshuarve është iniciuar procedura penale për veprën-falsifikimi i rezultateve të votimit nga neni 216, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Të gjithë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale ‘Falsifikimi i rezultateve të votimit’”, thekson Prokuroria.

Në kuadër të këtyre veprimeve hetimore janë intervistuar gjithsej 22 kryesues, lidhur me dyshimet për manipulim të rezultateve të votimit gjatë numërimit të votave brenda subjekteve politike për zgjedhjet parlamentare. /Ekonomia online/

Continue Reading

Rajoni

Policia e Maqedonisë së Veriut bën sekuestrimin më të madh të kanabisit ndonjëherë, raporton TV MRT

Published

on

By

Policia në Maqedoninë së Veriut ka sekuestruar 28 tonë kanabis, kapja më e madhe e realizuar ndonjëherë në vend, pas bastisjes së dy ish-objekteve industriale, ka raportuar Reuters duke cituar televizionit shtetëror, MRT

Sipas raportit, aksioni policor në objektet në kryeqytetin e Shkupit dhe në qytetin jugor të Strumicës, i cili nisi të enjten, kishte në shënjestër kanabisin mjekësor që nuk ishte planifikuar të përdorej për qëllimet e tij të autorizuara.

Maqedonia e Veriut e legalizoi kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore në vitin 2016.

MRT raportoi gjithashtu se ky aksion policor lidhet me një bastisje të fundit në Serbinë fqinje, ku u sekuestruan pesë tonë kanabis.

Prokurorët serbë deklaruan të hënën se kanabisi i gjetur në një fermë në Serbinë qendrore kishte ardhur nga Maqedonia e Veriut. Prodhimi i kanabisit është i paligjshëm në Serbi. / Reuters/

Continue Reading

Lajmet

Një model modern i arsimit fillor në UBT International Smart Schools, 40 për qind zbritje në regjistrimet e hershme

Published

on

By

Shkolla Fillore në UBT International Smart Schools po ofron 40 për qind zbritje për regjistrimet e hershme, duke u dhënë prindërve një mundësi të veçantë për të investuar në arsimimin cilësor të fëmijëve të tyre.

E vendosur në Qytetin e Mençur të UBT-së, Shkolla Fillore synon të ndërtojë një bazë të forte edukative për nxënësit, duke kombinuar mësimdhënien bashkëkohore me përkujdesje të vazhdueshme dhe zhvillim të gjithanshëm të personalitetit të fëmijës.

Programi mësimor është i ndërtuar mbi praktikat më të mira ndërkombëtare, duke përfshirë përdorimin e teknologjisë moderne në klasë, metoda inovative të të nxënit, si dhe aktivitete që nxisin kreativitetin, mendimin kritik dhe bashkëpunimin. Ambienti shkollor është i sigurt, stimulues dhe i përshtatur për nevojat zhvillimore të nxënësve të ciklit fillor.

Përveç fokusit mësimor dhe edukativ, Shkolla Fillore i kushton rëndësi të veçantë edukimit qytetar, vlerave njerëzore dhe ndërtimit të vetëbesimit te fëmijët, duke synuar formimin e gjeneratave të përgatitura për sfidat e së ardhmes.

Prindërit e interesuar mund të aplikojnë online, ndërsa për informata shtesë janë në dispozicion edhe kanalet zyrtare të komunikimit të shkollës. Vendet janë të limituara!

Lokacioni: Kampusi i UBT-së, Lipjan

Informata: +383 46 332 233

APLIKO ONLINE!

Continue Reading

Të kërkuara