Lajmet

​Vëzhguesit evropianë: Zgjedhjet lokale të organizuara mirë, s’ka transparencë në financimin e fushatës

Në raportin përfundimtar të zgjedhjeve ia adresuan 23 rekomandime institucioneve kosovare.

Published

on

Misioni i BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve i konsideroi të organizuara mirë zgjedhjet lokale të vitit 2021. Sipas tyre, liritë themelore janë respektuar dhe votuesve iu është ofruar mundësia për të zgjedhur, me përjashtim të komunave veriore.

Megjithatë, në publikimin e raportit përfundimtar të zgjedhjeve i adresuan 23 rekomandime institucioneve kosovare për përmirësimin e mëtutjeshëm të procesit zgjedhor. Të njëjtit, shqetësuese e konsiderojnë vazhdimin e mosllogaridhënës dhe transparencës së financimit të fushatave të partive dhe kandidatëve. Rrjedhimisht, kërkojnë nga Kuvendi që të organizojë auditimin financiar të partive çdo vit.

Shefi i vëzhguesve të BE-së, Lukas Mandl përgëzoi KQZ-në se ka bërë përgatitjen zgjedhore në mënyrë profesionale duke respektuar gjitha afatet kohore.

“Zgjedhjet lokale 2021 kanë qenë të organizuara mirë nga KQZ-ja e kryesuara nga Kreshnik Radoniqi. KQZ bëri përgatitjen zgjedhore në mënyrë profesionale duke respektuar të gjitha afatet kohore dhe kishte një lloj niveli të lartë të besimit nga gjitha palët e interesit. Liritë themelore janë respektuar dhe votuesve i është ofruar një mundësi e vërtet për të zgjedhur, me përjashtim të komunave në pjesën veriore ku gara ishte e kufizuar. Votimi në dy raundet më 17 tetor dhe 14 nëntor është vlerësuar jashtëzakonisht në mënyrë pozitive nga vëzhguesit e BE-së. Tabelimi i rezultateve të raundit të parë ishte i përpiktë dhe transparent, por zgjati deri në mbrëmje të raundit të dytë duke zbuluar disa dobësi në numërim të regjistrim të rezultateve”, tha ai.

Mandl e konsideroi shqetësuese mungesën e transparencës dhe llogaridhënies të financimit të fushatave zgjedhore nga ana e partive dhe kandidatëve.

“Në mesin e gjërave që brengosin mund të përmendi vazhdimin e mungesës së transparencës dhe llogaridhënies në përputhje me financimin e fushatave të garuese të kandidatëve. Derisa korniza ligjore ofron një bazë adekuate për zgjedhje janë disa mangësi që ekzistojnë se një kohë të gjatë dhe duhet të adresohen”, deklaroi ai.

Më tej, ai paraqiti disa nga rekomandimet që sipas tij do të përmirësonin procesin zgjedhor.

“Kuvendi i Kosovës kërkohet të organizojë auditimin financiar të të gjitha subjekteve politike çdo vit. Në praktik auditimi i mungon dhe ato bëhen me disa vite vonesë dhe vetëm me partitë parlamentare, duke penguar kështu verifikimin kuptimplotë të financave të partive dhe zbatimin me kohë të ndëshkimeve… Të ketë dispozita për kontestimin e rezultateve përfundimtare zgjedhore që publikohen nga KQZ-ja dhe të qartësohen paqartësitë lidhur me ankesat që kanë të bëjnë me votimin, numërimin dhe procesin në QNR… Ne rekomandojmë që të ri-dizajnohen fletëvotimet për zgjedhjet komunale në mënyrë që votuesit t’i kuptojnë më lehtë dhe të informohen si duhet votuar”, tha ai.

Mandl kërkoi që të modernizohet metoda e regjistrimit të qytetarëve si votues nga jashtë Kosovës dhe të ketë legjislacion adekuat që reflekton fushatën digjitale.

Krahas këtyre, ai tha se partitë politike duhet të kenë politika të brendshme që promovojnë pjesëmarrjen e grave në politikë.

Lajmet

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit për mosdeklarim të pasurisë

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se në periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2022, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Prishtinës, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë. Konkretisht, ai akuzohet se nuk ka deklaruar deponime në para të gatshme, të realizuara personalisht gjatë viteve përkatëse.

Prokuroria bën të ditur se shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172 mijë e 600 eurosh.

Rasti i është përcjellë për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamentit Special.

Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

Continue Reading

Lajmet

30 të dënuar përfundojnë me sukses programet rehabilituese në burgun e Smrekonicës

Published

on

By

Në burgun e Smrekonicës, kanë përfunduar me sukses dy programe rehabilituese për të burgosurit. Programi “Menaxhimi i Zemërimit” është ndjekur nga 20 të burgosur, ndërsa programi “Vendimmarrja Sociale” nga 10 të burgosur.

Shërbimi Korrektues i Kosovës, thotë se programet janë zbatuar në përputhje me politikat rehabilituese, planprogramin institucional dhe standardet profesionale të trajtimit.

Sipas njoftimi të ShKK-së, fokusi ka qenë zhvillimi i aftësive psikosociale, rritja e vetëkontrollit emocional, përmirësimi i sjelljes ndërpersonale dhe forcimi i aftësisë për marrjen e vendimeve të përgjegjshme dhe të ligjshme.

Me rastin e përfundimit të programeve është organizuar edhe ceremonia e shpërndarjes së certifikatave, derisa gjatë eventit u theksua rëndësia e programeve rehabilituese në përmirësimin e sjelljes së të burgosurve dhe në zvogëlimin e rrezikut të përsëritjes së veprave penale.

Continue Reading

Lajmet

Prattipati takon kryetarët e komunave veriore, kërkon qeverisje transparente

Published

on

By

E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka vizituar sot kryetarët e sapo inauguruar të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Përmes një postimim, Ambasada e ShBA-së në Prishtinë tha se Prattipati nënvizoi pritshmëritë e Amerikës për qeverisje transparente, efektive, ofrim të barabartë të shërbimeve dhe rëndësinë e angazhimit me institucionet e sigurisë publike të angazhuara në shërbim të të gjitha komuniteteve.

“E ngarkuara me punë Anu Prattipati u takua sot me katër kryetarët e sapo inauguruar të Mitrovicës së Veriut, Zveçan, Zubin Potok, dhe Leposaviq dhe përfaqësues të shoqërisë civile serbe kosovare në veri të Kosovës. Ajo nënvizoi pritshmëritë e SHBA-së për qeverisje transparente, efektive, ofrim të barabartë të shërbimeve dhe rëndësinë e angazhimit me institucionet e sigurisë publike të angazhuara në shërbim të të gjitha komuniteteve”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Continue Reading

Lajmet

Osmani: Me ShBA-në diskutuam për rikthimin e dialogut strategjik

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se gjatë takimit me zëvendëssekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau, kanë diskutuar për rikthimin e dialogut strategjik mes Kosovës dhe ShBA-së.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Osmani tha se me zëvendëssekretarin amerikan kanë trajtuar gjithashtu një sërë çështjesh që lidhen me bashkëpunimin dypalësh, sigurinë, paqen, zhvillimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik të Kosovës.

Presidentja u ndal edhe te nënshkrimi i një ligji nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili përfshin edhe Republikën e Kosovës. Sipas saj, ligji parashikon mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, përjashton ndryshimet e kufijve dhe përcakton që dialogu me Serbinë duhet të bazohet në njohje reciproke.

Diskutuam edhe për një sërë çështjesh të tjera, për të cilat është e domosdoshme të kemi koordinim të plotë dhe të vazhdueshëm me SHBA-në si aleatin tonë më të rëndësishëm strategjik, si dhe për hapat dhe veprimet që duhet t’i ndërmarrim për rikthimin e dialogut strategjik me SHBA-në”, deklaroi Osmani pas takimit.

Ajo theksoi se në këtë takim është rikonfirmuar mbështetja e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për rritjen e investimeve strategjike në sektorin ekonomik.

Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm me SHBA-në dhe shprehu besimin e saj të plotë në administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, duke e cilësuar partneritetin me SHBA-në si shtyllë kyçe të politikës së jashtme të Kosovës.

Continue Reading

Të kërkuara