Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e djeshme ka prezantuar raportin lidhur me përgatitjet e procesit zgjedhor, me theks të veçantë për fillimin e periudhës së votimit jashtë Kosovës.
Kjo vlen për 43.933 shtetasit e Kosovës, të cilët janë regjistruar për të votuar përmes postës në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.
Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollim Financiar të Partive Politike në KQZ, Besnik Buzhala bëri të ditur se deri më tani, rreth 10 mijë pako individuale me fletëvotime janë dërguar jashtë Kosovës, ndërsa edhe 5 mijë të tjera janë kompletuar dhe do të dërgohen më tutje.
“Sot më datë 17 shtator në orën 13:00 janë kompletuar rreth 15 mijë pako individuale me fletëvotime dhe sipas konfirmimit nga posta dhe Telekomi i Kosovës rreth 10,000 pako tashmë janë dërguar jashtë Kosovës, ku pjesa më e madhe e tyre janë për shtetet Austri dhe Gjermani. Nëse marrim për bazë numrin e votuesve të regjistruar suksesshëm që në total është 43 mijën e 993, i bie se janë proceduar rreth 34 për qind të votuesve të regjistruar suksesshëm”, tha ai.
Ai po ashtu theksoi se nëse vazhdojnë me këtë ritëm të punës, dërgimi i të gjitha fletëvotimeve për qytetarët e regjistruar jashtë vendit do të përfundojë deri në fundjavë.
Në këtë mbledhje, KQZ konfirmoi adresat e kutive postare për votimin me postë nga jashtë Kosovës.
Me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që janë regjistruar për të votuar përmes postës, kutitë postare janë funksionale në këto shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.
Përveç kësaj, gjatë takimit të sotëm u diskutua edhe për pjesëmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në vëzhgim të zgjedhjeve që do të mbahen në Maqedoninë e Veriut, të cilat do të mbahen një javë pas atyre në Kosovë dhe po ashtu për pjesëmarrjen e disa anëtarëve të KQZ në një konferencë në Tiranë./S.K/KP/