Lajmet

​Tollovi e madhe për patentë-shoferë, nuk respektohen as masat anti-COVID

Published

on

Hapja e afatit të testimit për patentë-shoferë ka bërë që shumë kandidatë të aplikojnë për test teorik dhe praktik.

Vonesat për hapjen e këtij afati kanë bërë që interesimi i kandidatëve të jetë shumë i lartë, gjë që ka shkaktuar tollovi në qendrën ku mbahen provimet teorike tek Stacioni i Autobusëve në Prishtinë.

Ministria e Infrastrukturës pezulloi për një kohë paraqitjen e provimeve shkaku i pandemisë, veçanërisht për pjesën praktike, dhe kjo ka bërë që numri i kandidatëve që presin të jetë shumë i madh.

Mëngjesi i sotëm shumë nga ta i gjeti para kësaj qendre, duke pritur që të hapen sportelet për të paraqitur testin. Madje, për të mbajtur rendin për shkak të tollovisë së shkaktuar aty kishte dalë edhe Policia e Kosovës.

Policia kërkonte nga ta që të mbanin edhe distancën për shkak të pandemisë, ata vetëm sa vinin e shtoheshin, duke kundërshtuar urdhrat.

Njëra nga kandidatet, Doruntinë Ibrahimi, e cila ka 5 muaj që po pret të paraqesë testin praktik, thotë për KosovaPress se do të ishte dashur që qendra e testimeve të ishte më e organizuar.

“Qysh po shihni edhe ju sot, që jemi mbledhur këtu sot për me e paraqitë vozitjen unë, dhe për të hyrë për test teorik, tollovinë po e shihni edhe ju siç është, as policia nuk po mundet të kryejë punë, sidomos policia e thjeshtë pa ardhur njësia speciale. Radha ka qenë shumë e madhe, por edhe këta së pari është dashur të organizohen, të vendosin shiritat, me i nda kush është për teori, kush është për praktikë”, tha ajo.

Ajo tregon se për shkak të tollovisë së madhe ishte e vështirë që edhe kandidatët mes vete të dinin se kush kishte shkuar më herët, në mënyrë që të mund të mbanin njëfarë rendi.

“Askush nuk u dinte kush ka ardhur më herët e kush më vonë. Unë faktikisht jam prej orës 7:00 këtu dhe ende nuk kam mundur të hyjë ta paraqes (testin). Po ashtu, kush shkon në punë prej 10-11, nuk mundet të shkojë hiç. Tani edhe atje ankesa, edhe këtu mos me mujt me e paraqit, ka që prej 5-6 muaj që janë duke prit veç për vozitje me e paraqit dhe nuk munden me hy. Do të thotë problemi është tek këta, nuk është as policia problem, problemi është që nuk po munden t’i rreshtojnë se këta me fillim është dashur me e ditë që bëhet llugë kështu për shkak të vonesave të tyre”, u shpreh ajo.

Periudha e ndërprerjes së testit praktik ka bërë që shumë qytetarë sot të ishin të revoltuar, pasi që kishte nga ata që patentë shoferi iu është dashur edhe për punë. Ibrahimi kujton një nga këto raste.

“Ka pasur raste kur policia të pyesnin ku e ki lejen e makinës, prapë të dënonin”, tha ajo.

Euron Musliu, i cili po pret që nga shtatori që t’i nënshtrohet testit praktik, as sot që është hapur afati nuk është optimist nëse do të mund të kryejë punë.

“Jam duke pritur prej shtatorit, por deri sot boll shumë kallaballëk, shumë njerëz. Krejt për diçka kemi ardhur, për një qëllim. Po mundohemi me bë diçka”, tha ai.

Për Saimir Berishën është e pakuptimtë mungesa e një organizimi më të mirë për paraqitjen e testitit për pjesën teorike po praktike. Ai tregoi për KosovaPress se në fillim ishin shpërndarë disa numra, por për shkak të tollovisë së madhe as kjo mënyrë e mbarëvajtjes nuk kishte funksionuar.

“Jemi duke pritur prej orës 8:00. Filluan me disa numra me i shpërnda, por nuk mundem me i marrë. Njëherë ja nisën ashtu, por nuk funksionoi më. Tash me rend (njësia) speciale janë duke i lëshuar, kush po mundet po hyn, kush nuk po mundet po presim edhe pak”, tha ai.

Ai beson që sikur të ishte hapur afati më parë, nuk do të kishte kaq shumë kandidatë sot.

“Se di pse e kanë vonuar kaq shumë. Diku në fillim të dhjetorit e kom kryer testin, tash duke pritur kështu. Kemi qenë edhe para një jave, ‘jo po e marrim vendimin sot, jo nesër’, edhe deri dje kur më tregoi Autoshkolla që e ka marrë për sot”, u shpreh Berisha.

KosovaPress ka kontaktuar edhe Ministrinë e Infrastrukturës për të marrë një qëndrim rreth organizimit të procesit për kandidatët që do t’i nënshtrohen pjesës teorike dhe praktike për patentë shoferë, por të njëjtit, përkundër pritjes, nuk kanë kthyer përgjigje.

Continue Reading

Lajmet

Osmani: Sakrifica e Jasharëve është udhërrëfyesi ynë për shtetin

Published

on

By

Në kuadër të shënimit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka bërë sot homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz, duke nderuar rënien e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari.

Gjatë vizitës në këtë vend historik, Presidentja theksoi rëndësinë e kujtesës kolektive.

“Në Kompleksin Memorial në Prekaz, çdo hap është histori, çdo gur është sakrificë. U përkulëm me nderim para altarit të lirisë, para komandantit legjendar Adem Jashari dhe para familjes që i dha Kosovës gjithçka. Sakrifica e tyre do të mbetet udhërrëfyesi ynë në çdo hap që bëjmë për shtetin dhe të ardhmen tonë”, shkruan Osmani.

Gjatë qëndrimit të saj në Prekaz, Presidentja u prit nga Rifat Jashari, të cilin e vlerësoi si simbol të qëndresës dhe dinjitetit kombëtar.

Ajo shprehu mirënjohjen e saj për këtë mikpritje, duke nënvizuar se mesazhi që buron nga kjo familje nuk do të shuhet kurrë. “Mirënjohje të thellë për pritjen e ngrohtë nga Baca Rifat, simbol i qëndresës dhe i dinjitetit të kësaj familjeje legjendare. Nga Prekazi buron një mesazh që nuk shuhet kurrë: Liria nuk është dhuratë, por amanet,” deklaroi Osmani, duke shtuar se ky amanet do të jetojë përjetë në zemrat e të gjithë shqiptarëve.

Continue Reading

Lajmet

UBT bëhet institucioni i parë dhe i vetëm në Kosovë dhe në rajon që merr akreditim prestigjioz nga British Accreditation Council

Published

on

By

Rektori i UBT, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka bërë të ditur se institucioni është akredituar nga British Accreditation Council për një periudhë katërvjeçare, duke e cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme për institucionin dhe për arsimin e lartë në Kosovë.

Gjatë një konference për media, Rektori Hajrizi theksoi se ky akreditim konfirmon se UBT përmbush standardet e larta britanike dhe evropiane të cilësisë në arsim, duke përforcuar më tej pozicionin e universitetit në skenën ndërkombëtare akademike.

British Accreditation Council është një nga institucionet më të njohura ndërkombëtare për sigurimin e cilësisë në arsim, me seli në Mbretërinë e Bashkuar, që vlerëson dhe akrediton institucione arsimore në mbarë botën për të garantuar standarde të larta akademike dhe menaxhim institucional të qëndrueshëm.

“Procesi i akreditimit nga British Accreditation Council është i detajuar dhe shumë rigoroz. Gjatë këtij procesi janë analizuar në mënyrë të thelluar programet tona akademike, cilësia e mësimdhënies, infrastruktura, menaxhimi institucional, shërbimet për studentët dhe angazhimi ynë për përmirësim të vazhdueshëm”, tha Hajrizi.

Ai bëri të ditur se si rezultat i këtij procesi, UBT është bërë institucioni i parë dhe i vetëm në Kosovë dhe në rajon që merr këtë akreditim prestigjioz nga British Accreditation Council.

Rektori Hajrizi e cilësoi këtë arritje si dëshmi të qartë se përkushtimi i universitetit për cilësi, inovacion dhe ndërkombëtarizim po njihet dhe vlerësohet edhe në nivel ndërkombëtar. Ai shprehu mirënjohje për stafin akademik dhe administrativ, studentët dhe partnerët ndërkombëtarë të UBT-së, të cilët kanë kontribuar në arritjen e këtij suksesi.

Sipas tij, për studentët dhe të gjithë ata që zgjedhin të studiojnë në UBT, ky akreditim përfaqëson një garanci shtesë se ata janë pjesë e një institucioni që funksionon sipas standardeve më të larta britanike dhe evropiane, duke i përgatitur për një treg pune gjithnjë e më global dhe konkurrues.

Në përfundim, Hajrizi theksoi se UBT do të vazhdojë të investojë në cilësi, kërkim shkencor, inovacion dhe bashkëpunim ndërkombëtar, me synimin që institucioni të mbetet një lider i arsimit të lartë në Kosovë, në rajon dhe më gjerë.

Continue Reading

Lajmet

Reuters: Presidentja e Kosovës shpërndan parlamentin, shpall zgjedhje të parakohshme

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpërndau të premten Parlamentin dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme, pasi ligjvënësit dështuan të zgjedhin kreun e ri të shtetit brenda afatit kushtetues, ka raportuar media prestigjioze ndërkombëtare Reuters.

Parlamenti kishte afat deri të enjten në mesnatë për të zgjedhur një president të ri para se mandati i Osmanit të përfundojë në prill, por partitë opozitare refuzuan të marrin pjesë në votim. Sipas ligjeve të vendit ballkanik, dështimi për të zgjedhur presidentin e ri nxit automatikisht zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ky veprim zgjat bllokadën politike në Kosovë, shtetin më të ri të Evropës që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Vendi mbeti pa një qeveri funksionale për pjesën më të madhe të vitit të kaluar, pasi parlamenti i fragmentuar dështoi për muaj të tërë të zgjidhte qoftë edhe kryetarin e Kuvendit.

Zgjedhjet e ardhshme do të jenë të tretat në pak më shumë se një vit. Kosova tashmë mbajti zgjedhje të parakohshme më 28 dhjetor, pas dështimit për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve të shkurtit 2025.

“Një parlament që nuk mund të zgjedhë një president, nuk mund të vazhdojë pafundësisht ta zvarrisë procesin ashtu siç po tentohet,” tha Osmani në një deklaratë. “Askush nuk duhet të dëshirojë një tjetër cikël politik, veçanërisht në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet.”

Osmani pritet të takohet me partitë politike këtë të premte, para se të caktojë datën e saktë të zgjedhjeve.

Fitorja bindëse e partisë Vetëvendosje të Kryeministrit Albin Kurti në dhjetor dukej se do t’i jepte fund ngërçit. Në atë kohë, shumë analistë politikë besonin se opozita do të merrte pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit. Megjithatë, megjithëse Vetëvendosja fitoi mjaftueshëm ulëse për të formuar qeverinë, ajo dështoi të siguronte pjesëmarrjen e nevojshme të opozitës për kuorumin e zgjedhjes së presidentit.

Partitë opozitare kanë kërkuar një kandidat konsensual, por Kurti ka nominuar Ministrin e tij të Jashtëm, Glauk Konjufca./Reuters/

 

Continue Reading

Lajmet

Kurti: Dekreti është antikushtetues, nuk u konsumua as raundi i parë

Published

on

By

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk mund të flitet për proces të ri zgjedhor pa marrë një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese, duke argumentuar se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit nuk ka bazë ligjore.

“Ndodhemi në një situatë ku unë nuk besoj se mund të flasim për zgjedhje të reja pa e thënë fjalën e vet Gjykata Kushtetuese, meqenëse kemi mospajtime dhe kërkesë para tyre”, u shpreh Kurti, duke theksuar se institucionet duhet të presin verdiktin final para çdo hapi tjetër.

Ai sqaroi se njoftimi për shpërndarjen e Kuvendit përmes mediave ishte i papritur dhe në kundërshtim me procedurat e parapara në aktin më të lartë juridik të vendit.

“Neni 86 paragrafi i gjashtë i Kushtetutës parasheh që Kuvendi shpërndahet nëse në votimin e tretë asnjë kandidat nuk zgjidhet president, pra asnjë nga kandidatët nuk i merr 61 vota dhe ne nuk kemi mbërritur atje. Dy kandidatë ishin mbrëmë, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku, mirëpo nuk u konsumua as raundi i parë e lere më i treti”, tha Kurti, duke vënë në dukje se procesi i votimit nuk është ezauruar sipas ligjit.

Tutje, Kurti ritheksoi se kompetenca për shpërndarjen e legjislativit nuk mund të ushtrohet në mënyrë arbitrare jashtë kornizave kushtetuese. “Në një situatë të tillë, dekreti për shpërndarjen e Kuvendit nuk është kushtetues sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit mund të ushtrohet vetëm në rastet e caktuara shprehimisht nga Kushtetuta”, përfundoi ai, duke kërkuar mbrojtjen e rendit juridik të Kosovës.

Zgjedhjet e reja në prill: Jepen datat opsionale

Ka përfunduar takimi i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me përfaqësuesit e partive politike, të cilin ajo e ka thirrur për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme.

Gjatë këtij takimi, ku morën pjesë pothuajse të gjitha subjektet opozitare, u diskutuan datat 5, 12 dhe 19 prill si mundësi për mbajtjen e procesit zgjedhor. Megjithatë,në takimi nuk mori pjesë Lëvizja Vetëvendosje dhe Listës Serbe.

Partia në pushtet, LVV, nuk pranoi të marrë pjesë me arsyetimin se vendimi i Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit është kundër rendit kushtetues, duke paralajmëruar se për këtë çështje do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar mospjesëmarrjen e LVV-së si një fyerje të rëndë për shtetin.

Ai u shpreh: “Është e pakuptimtë mospjesëmarrja e LVV-së me partnerët e saj të koalicionit dhe mungesa e Listës Serbe. Ne si opozitë, edhe kur nuk jemi pajtuar me shumë vendime të Presidentes dhe Qeverisë, prapë kemi marrë pjesë në takime të partive politike. Mosardhja e tyre, qoftë edhe me mendime të kundërta, për të mos u ballafaquar në këtë takim i cili është i nivelit më të lartë të mundshëm, është një lloj fyerje për vendin, shtetin dhe institucionet. Edhe adresimi në Gjykatën Kushtetuese është një fyerje në vete, një tallje-hajgare me proceset.”

Nga ana tjetër, Bedri Hamza nga PDK-ja theksoi rëndësinë e respektimit të ftesës së institucionit të presidencës, por shprehu keqardhje për rrugën që ka ndjekur politika deri më tani.

Hamza deklaroi “Në respektim të ftesës së Presidentes së Kosovës, ne ishim në takim ku u diskutua edhe për mundësinë e datës së organizimit të zgjedhjeve. Shpreh keqardhje që kemi ardhur deri këtu, pasi ka pasur më shumë se një alternativë dhe përgjegjësia më e madhe i bie partisë fituese.”

Në fund, Hamza sqaroi edhe qëndrimin e tij rreth bashkëpunimeve të mundshme politike, duke treguar se nuk është treguar refuzues ndaj proceseve.

“Unë nuk kam vendosur vija të kuqe me asnjë subjekt politik. Kam folur që ka mundësi për marrëveshje politike edhe para se të krijohej Qeveria; nuk e kemi pritur askënd tek dera për të na ftuar, mirëpo nuk kemi qenë refuzues as për këtë çështje”, tha ai.

Ndërsa, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit me presidenten Vjosa Osmani tha se nuk është caktuar datë zyrtare për zgjedhjet, megjithatë deklaroi se LDK-ja është e gatshme.

“Patëm diskutime zyrtare për datën e zgjedhjeve. Kurdo që Presidentja e vlerëson, në afatin kushtetues të rregullt brenda parashikimeve kushtetuese”, tha Abdixhiku, raportoi EO.

 

 

Continue Reading

Të kërkuara