Lajmet

​“The Wall Street Journal”: Ekonomia ruse drejt kolapsit, lufta dobësoi të ardhurat

Ndërsa lufta vazhdon në vitin e saj të dytë dhe sanksionet perëndimore goditen të ardhurat e qeverisë ruse.

Published

on

Lufta në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Moskës po e çojnë ekonominë ruse drejt kolapsit, parashikohet në një analizë në “The Wall Street Journal” (WSJ).

Ndërsa lufta vazhdon në vitin e saj të dytë dhe sanksionet perëndimore goditen të ardhurat e qeverisë ruse, ekonomia e saj ka gjasa të jetë në prag të një kolapsi.

Pjesa më e madhe e përkeqësimit të perspektivës ekonomike në vend, rrjedh nga një bast i keq vitin e kaluar nga Putini, i cili besonte se mund të përdorte furnizimet ruse të energjisë për të kufizuar mbështetjen e Evropës Perëndimore për Ukrainën.

“Si rezultat, të ardhurat e qeverisë nga energjia u përgjysmuan në dy muajt e parë të këtij viti, krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa deficiti buxhetor u zgjerua”, sipas WSJ.

Hendeku tatimor arriti në 34 miliardë dollarë në dy muajt e parë, ekuivalent me më shumë se 1,5 % të prodhimit të përgjithshëm ekonomik (PBB) të vendit. Kjo po e detyron Moskën të zhytet më thellë në fondin e saj të pasurisë sovrane, një nga tamponët e saj kryesorë kundër krizës.

Rubla ka rënë me më shumë se 20% kundrejt dollarit që nga muaji nëntor. Fuqia punëtore është tkurrur pasi të rinjtë dërgohen në front ose largohen nga vendi nga frika se mos rekrutohen. Pasiguria ka frenuar investimet e biznesit.

“Ekonomia ruse po hyn në një regresion afatgjatë”, tha Alexandra Prokopenko, një ish-zyrtare e bankës qendrore ruse që u largua nga vendi menjëherë pas pushtimit.

Lajmet

Kosova mirëpriti Kongresin më të madh evropian të cilësisë – EOQ Congress 2026

Published

on

By

Përfundoi Kongresi i 67-të i Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ 2026), i cili për tri ditë mblodhi në Kosovë përfaqësues të institucioneve, ekspertë ndërkombëtarë, akademikë dhe profesionistë, për të diskutuar mbi rolin e cilësisë në epokën e inteligjencës artificiale, transformimit digjital dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Sesioni përmbyllës i kongresit shërbeu si një moment reflektimi mbi përfundimet dhe mesazhet kryesore të këtij edicioni, duke vënë në pah rëndësinë e cilësisë si themel për inovacionin, besimin, qëndrueshmërinë dhe konkurrueshmërinë në një botë që po ndryshon me shpejtësi.

Në këtë kuadër u prezantuan përfundimet e kongresit me temën “Congress Conclusions: What Prishtina 2026 Has Taught Us”, si dhe mesazhi “Prishtina Quality Message 2026: The Future through Quality”, i cili thekson rëndësinë e angazhimit të përbashkët për ndërtimin e një të ardhmeje më cilësore dhe të qëndrueshme.

Një moment i veçantë ishte ceremonia e dorëzimit të flamurit të EOQ-së dhe prezantimi i kongresit të ardhshëm, i cili do të mbahet në Belgjikë, duke simbolizuar vazhdimësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe angazhimin e komunitetit evropian për avancimin e cilësisë.

Në fjalën e tij përmbyllëse, Prof. Dr. Paulo Sampaio, President i Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), përcolli mesazhin për një komunitet të bashkuar të cilësisë dhe përgjegjësi të përbashkët në avancimin e standardeve dhe praktikave cilësore.

Ndërkaq, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, president dhe rektor i UBT-së, president i Quality Kosova dhe nënkryetar i EOQ-së, përmbylli kongresin me mesazhin “From Prishtina to the Future through Quality”, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shndërrimit të ideve e diskutimeve në iniciativa konkrete për të ardhmen.

 

Organizimi i Kongresit të 67-të të EOQ-së në UBT përbën një mundësi të rëndësishme për promovimin e Kosovës si hapësirë e dialogut profesional, shkëmbimit të njohurive dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Përmes këtij organizimi, UBT dhe Quality Kosova kontribuuan në avancimin e diskutimeve mbi rolin e cilësisë në zhvillimin institucional, ekonomik dhe shoqëror. Me mesazhin “Nga Prishtina drejt së ardhmes përmes cilësisë”, Kongresi EOQ 2026 përmbylli punimet duke riafirmuar rëndësinë e vizionit të përbashkët, përgjegjësisë dhe bashkëpunimit për një të ardhme më cilësore dhe të qëndrueshme.

Continue Reading

Lajmet

UBT organizon Konferencën Ndërkombëtare për Stomatologë dhe Teknikë Dentarë

Published

on

By

Më 24 dhe 25 tetor 2026, në Kampusin e UBT-së në Lipjan, do të zhvillojë punimet Konferenca Ndërkombëtare për Stomatologë dhe Teknikë Dentarë. Kjo ngjarje e rëndësishme shkencore dhe profesionale vjen si një platformë e mirëfilltë që synon të bashkojë komunitetin akademik, stomatologët, teknikët dentarë dhe profesionistët e fushës, me qëllim promovimin e inovacionit, bashkëpunimit ndërprofesional dhe edukimit të vazhdueshëm.

Përmes prezantimit të njohurive të reja shkencore, përvojave klinike dhe zhvillimeve më të fundit teknologjike, konferenca synon të adresojë sfidat dhe mundësitë bashkëkohore në stomatologji. Ngjarjeve të tilla u jepet një vlerë e veçantë edhe përmes akreditimit zyrtar nga Oda e Stomatologëve të Kosovës dhe Oda e Infermierëve të Kosovës, ku pjesëmarrësit aktivë do të shpërblehen me 20 pikë EVP, ndërsa ata pasivë me 15 pikë EVP.

Lidhur me këtë ngjarje, Dekani i Fakultetit të Stomatologjisë dhe Teknikës Dentare në UBT, Prof. Ass. Dr. Agim Prokshaj, ka theksuar:

“Si fakultet, mbetemi të përkushtuar në avancimin e cilësisë së arsimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit profesional, duke besuar se bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe praktikës klinike është thelbësor për të ardhmen e stomatologjisë. I ftoj të gjithë kolegët, profesionistët dhe studentët të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje, e cila do të shërbejë si një hapësirë e rëndësishme për ndërtimin e bashkëpunimeve të reja dhe avancimin e profesionit tonë. Ju mirëpresim në UBT!”

Për të gjithë të interesuarit, regjistrimi i pjesëmarrësve në kampus zhvillohet më 23 tetor prej orës 14:00 deri në 17:00, si dhe më 24 tetor nga ora 09:00 deri në 17:00, ndërsa procedurat e aplikimit dhe pagesës realizohen sipas udhëzimeve zyrtare të organizatorëve.

 

Continue Reading

Lajmet

Ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë diskutojnë cilësinë, qëndrueshmërinë dhe inovacionin në ditën e dytë të Kongresit EOQ 2026

Published

on

By

Në kuadër të ditës së dytë të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ 2026), që po mbahet në UBT, u zhvilluan diskutime dhe prezantime mbi rolin e cilësisë në zhvillimin e qëndrueshëm, qytetet e mençura, mjedisin e ndërtuar dhe qëndrueshmërinë ekonomike e financiare.

Sesionet bashkuan ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, përfaqësues të institucioneve publike dhe drejtues të sektorit financiar, duke trajtuar sfidat dhe mundësitë që sjellin transformimi digjital, inovacioni dhe zbatimi i standardeve të cilësisë në sektorë të ndryshëm.

Qëndrueshmëria, qytetet e mençura dhe mjedisi i ndërtuar Sesioni “Qëndrueshmëria, qytetet e mençura dhe mjedisi i ndërtuar” u udhëhoq nga Prof. Dr. Visar Hoxha. Diskutimet u përqendruan në planifikimin hapësinor, ekonominë qarkore, infrastrukturën rezistente ndaj ndryshimeve klimatike dhe krijimin e hapësirave urbane të qëndrueshme.

Gjatë sesionit u prezantuan këto tema:

Valbone Dushi – “Cilësia dhe qëndrueshmëria: rritja e përgjegjshme, ekonomia qarkore dhe kriteret mjedisore, sociale dhe të qeverisjes (ESG)”.

Prof. Dr. Visar Hoxha, UBT – “Cilësia në patundshmëri dhe mjedisin e ndërtuar: krijimi i vlerës së qëndrueshme në qytetet e mençura”.

Prof. Dr. Alban Kuriqi, UBT – “Uji, klima dhe qëndrueshmëria e infrastrukturës: zbatimi i standardeve të cilësisë inxhinierike për sisteme të qëndrueshme”. Dr. José Pedro Teixeira Domingues, nënkryetar i Shoqatës Portugeze për Cilësi (APQ) dhe përfaqësues i Universitetit të Minhos – “Cilësia në një pikë kthese: ndërlidhja e kulturës, qëndrueshmërisë dhe inovacionit digjital”. Prof. Dr. Binak Beqaj, UBT – “Cilësia e hapësirave, sistemet urbane dhe mjedisi i qëndrueshëm i ndërtuar”.

 

Prezantimet theksuan rëndësinë e integrimit të standardeve të cilësisë në planifikimin urban, zhvillimin e infrastrukturës dhe menaxhimin e mjedisit, duke synuar krijimin e hapësirave funksionale, të qëndrueshme dhe me ndikim pozitiv në cilësinë e jetës.

Në kuadër të programit të Kongresit u trajtuan gjithashtu tema që lidhen me cilësinë financiare, besimin dhe qëndrueshmërinë ekonomike, me fokus në stabilitetin e sistemit financiar, transformimin digjital të bankave, menaxhimin e rrezikut dhe zhvillimin e shërbimeve financiare inovative.

Në këtë kuadër u prezantuan këto tema: Suat Bakkal, kryeshef ekzekutiv i BKT Kosova – “Cilësia, inovacioni dhe shërbimet bankare të orientuara drejt klientit”. Prof. Dr. Shpresim Vranofci, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës (AMIK) dhe moderator i forumit – “Inteligjenca artificiale, teknologjia financiare (FinTech) dhe sigurimi i cilësisë në të ardhmen e shërbimeve financiare”.

Continue Reading

Lajmet

Forcimi i cilësisë në arsim, shkencë dhe zhvillimin e aftësive në qendër të Kongresit të EOQ-së në UBT

Published

on

By

Në kuadër të punimeve të Kongresit të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), dita e dytë ka sjellë në fokus sfidat, perspektivat dhe inovacionin në arsimin e lartë dhe zhvillimin e aftësive për një shoqëri në ndryshim të vazhdueshëm.
Sesioni paralel i kësaj dite, i kushtuar sigurimit të cilësisë, njohjes ndërkombëtare dhe aftësive të së ardhmes, ka bashkuar ekspertë të shquar, vendimmarrës dhe akademikë, të cilët kanë paraqitur pikëpamjet dhe vizionin e tyre për ngritjen e standardeve në sistemet arsimore.
Sesioni, i moderuar nga Prof. Dr. Besnik Skenderi, trajtoi tema kyçe që lidhen me qeverisjen e cilësisë, transformimin digjital, arsimin dual dhe lidhjen e ngushtë mes universiteteve, industrisë dhe shoqërisë. Në hapje të punimeve, deputeti dhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, Prof. Dr. Enver Hoxhaj, theksoi rëndësinë e forcimit të cilësisë në arsim, shkencë dhe zhvillimin e aftësive si shtyllë kryesore për zhvillimin e shoqërisë.

Diskutimi u pasurua nga z. Shkëlzen Gërxhaliu, drejtor i Departamentit për Post-akreditim dhe Monitorim, i cili u ndal tek qeverisja e cilësisë në arsim dhe ndërtimi i sistemeve mësimore transparente, inovative dhe të orientuara nga teknologjia.

Gjithashtu prezantuan edhe Prof. Dr. Fatbardh Sallahu dhe Mimika Dobroshi, udhëheqëse e Zyrës së Erasmus+ në Kosovë, prezantoi ndikimin afatgjatë të projekteve evropiane në sigurimin e cilësisë dhe zhvillimin e aftësive të reja.

Pjesë e rëndësishme e sesionit ishin edhe praktikat ndërkombëtare dhe modeli i arsimit dual. Assoc. Prof. Dr. Gordana Nikolić, eksperte e arsimit dual nga European University, elaboroi lidhjen mes universiteteve, industrisë dhe aftësive të së ardhmes.

Aspekti i digjitalizimit u trajtua nga Prof. Dr. Kozeta Sevrani nga Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit të Tiranës, e cila foli për transformimin digjital dhe cilësinë në menaxhimin dhe arsimin e lartë. Për rëndësinë e kërkimit shkencor foli Prof. Dr. Anila Hoda, sekretare shkencore, duke u përqendruar te përsosmëria shkencore dhe bashkëpunimi në sistemet e njohurive. Ndërsa znj. Efka Heder, ish-drejtoreshë e SEECEL dhe përfaqësuese e Universitetit Mondragon, solli shembuj të arsimit të lartë të zbatuar dhe lidhjes së institucioneve me shoqërinë.

Kornizën shkencore të këtij sesioni e pasuroi Assoc. Prof. Dr. Cengiz Çesko nga UBT, i cili prezantoi punimin me titull “Quality, Productivity and Sustainable Value Creation in Food and Industry: Polyphenol Oxidase: From Biochemistry to Industrial Quality”. Në ligjëratën e tij, ai elaboroi kontrollin e PPO-së si një levë strategjike të cilësisë, duke sjellë para të pranishmëve qasjet bashkëkohore shkencore, mekanizmat, aplikimet praktike dhe integrimin e tyre me standardet e sigurisë ushqimore dhe kërkesat e tregut.

Në mbyllje të këtij blloku, Prof. Dr. Besnik Skenderi nga UBT prezantoi pikëpamjet mbi cilësinë, kompetencën dhe arsimin profesional, duke dëshmuar rolin kyç të UBT-së në ndërtimin e aftësive për punësim dhe performancë më të lartë në tregun e punës.

Ky sesion i Kongresit të EOQ-së konfirmoi angazhimin e përbashkët të institucioneve, akademisë dhe ekspertëve për të adresuar sfidat aktuale dhe për të çuar përpara standardet e cilësisë dhe inovacionit në arsim.

 

 

Continue Reading

Të kërkuara