Sport

​Simeone fajëson gjyqtarin për humbjen nga Reali

Ai lavdëroi skuadrën e tij për paraqitjen e mirë.

Published

on

Pas përfundimit të derbit të Madridit, me humbjen nga Colchoneros (1-3) dhe me pasojë eliminimin, në çerekfinale, të Kupës së Mbretit, trajneri argjentinas i Atlético Madridi, Diego Pablo Simeone, fajësoi arbitrin për rezultatin përfundimtar të ndeshjes.

Duke folur pas ndeshjes, trajneri 52-vjeçar lavdëroi skuadrën e tij për paraqitjen e mirë duke thënë:

“Pashë një ekip që konkurronte jashtëzakonisht mirë, por kishte detaje që mund të jenë pro ose kundër dhe që kushtëzojnë gjithçka, por askujt nuk i intereson. Është një realitet”.

Për diferencën në cilësi mes pjesës së parë dhe të dytë, argjentinasi komentoi, pa harruar të përmendë edhe arbitrimin:

“Real Madrid filloi të luante. Është një ekip që luan mirë dhe ndërton aksione të rrezikshme. U mbrojtëm shumë mirë deri në golin e Rodrygos. Së pari, megjithatë, ka një lëvizje vendimtare, e cila është e Ceballos, një faull që mund të kishte rezultuar në kartonin e dytë të verdhë për lojtarin e Real Madridit. Kalon pa u vënë re dhe askujt nuk i intereson. Ai (Dani Ceballos) arriti të na lërë njëmbëdhjetë kundër dhjetë, me 0-1 dhe, e përsëris, askujt nuk i intereson. Këto janë detaje kyçe. Pas kësaj, Savic u përjashtua në kohën shtesë, por ne ende donim të barazojmë rezultatin. Ne dhamë gjithçka dhe kjo na bën të qetë. Më mbush me krenari që luftuam kaq mirë. Natyrisht, ne donim të fitonim dhe tani kemi vetëm ligën”, theksoi tutje Simeone.

Për arbitrin, Simeone tha: “Unë do t’ju them [duke iu drejtuar gazetarit] atë që i thashë arbitrit. E pyeta nëse kishte ndonjë problem personal me Morata-n, sepse ai nuk akordonte faullet. Është e vërtetë që ndonjëherë Morata e tepron në disa raste, por nuk ka akorduar asnjë.

Përsa i përket vazhdimit të sezonit, argjentinasi u tregua i prerë: “Kam vetëm një gjë në mendje dhe ajo është të punoj me entuziazëm, duke dhënë maksimumin që nga dita kur erdha deri në momentin e largimit. Do të përpiqem të bëj më të mirën deri sa të vijë ajo ditë”.

Koha për t’i thënë lamtumirë Atléticos, megjithatë, nuk u zbulua nga Simeone: “Në një moment do të vijë”, shtoi Simeone.

Sport

Real Madridi mbyll merkaton me mbi 200 milionë euro investime

Published

on

By

Afati kalimtar veror është mbyllur në pesë ligat kryesore evropiane, ndërsa Real Madridi nuk ishte protagonist në orët e fundit të merkatos. Klubi madrilen i kishte përfunduar lëvizjet e tij shumë më herët, duke bërë pjesën më të madhe të punës që në muajt e parë të verës.

Tashmë është koha për bilancet e para dhe për të analizuar se si kanë dalë skuadrat kryesore pas një vere me shumë lëvizje. Në fokus është Real Madridi, i cili këtë verë ishte mjaft aktiv në merkato.

Pas zgjedhjeve presidenciale, të fituara sërish nga Florentino Pérez, një prej zhvillimeve më të bujshme ishte rikthimi i José Mourinhos në klub. Më pas, drejtuesit madrilenë konkretizuan edhe disa përforcime të tjera, kryesisht mes fundit të qershorit dhe fillimit të korrikut.

Rreth 225 milionë euro të investuara

Në total, Real Madridi ka shpenzuar rreth 225 milionë euro gjatë këtij afati kalimtar.

Pjesën më të madhe të këtij investimi e përbën transferimi i Yan Diomandes, për të cilin klubi pagoi 125 milionë euro fikse. Ai u bë blerja më e shtrenjtë e Real Madridit gjatë kësaj vere dhe një prej transferimeve më të bujshme të merkatos.

Në Madrid u transferuan gjithashtu Marc Cucurella, Carlos Espi dhe Denzel Dumfries, për të cilët klubi pagoi shuma të konsiderueshme. Ndërkohë, Ibrahima Konaté dhe Bernardo Silva iu bashkuan skuadrës si lojtarë të lirë.

Në anën tjetër, Real Madridi arkëtoi mbi 55 milionë euro nga shitjet e futbollistëve. Ndër largimet më të rëndësishme ishin Gonzalo García dhe César Palacios, të cilët u transferuan te Fulham.

Megjithatë, aktiviteti i “Los Blancos” në merkato u ul ndjeshëm me kalimin e javëve. Klubi arriti të përforcojë pothuajse të gjitha repartet e skuadrës, ndërsa pozita e portierit nuk u konsiderua si një repart që kishte nevojë për ndërhyrje.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm ishte rinovimi i kontratës me Vinícius Júniors, duke siguruar të ardhmen e një prej futbollistëve kryesorë të skuadrës.

Mesfusha, pika e vetme e diskutimit

Pavarësisht investimeve të mëdha, një prej mangësive të këtij afati kalimtar mund të konsiderohet mosafrimi i një tjetër mesfushori qendror.

Real Madridi kishte synuar ta përforconte këtë repart, por Rodri zgjodhi transferimin te Barcelona, duke bërë që madrilenët të mos realizonin një tjetër goditje të madhe në mesfushë.

Tani përgjegjësia kalon te José Mourinho. Trajneri portugez do të duhet të nxjerrë maksimumin nga një skuadër e rindërtuar dhe me investime të konsiderueshme, me synimin për ta rikthyer Real Madridin në majën e futbollit evropian.

Pas një vere me mbi 200 milionë euro të investuara, pritshmëritë në Madrid janë të mëdha dhe rezultatet në fushë do të jenë matësi i vërtetë i suksesit të kësaj merkatoje.

D.L

Continue Reading

Sport

Kianoush Rostami fiton edhe medaljen e dytë të argjendtë për Kosovën

Published

on

By

Peshëngritësi Kianoush Rostami ka fituar edhe një medalje tjetër për Kosovën në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

Rostami ka triumfuar me medalje të argjendtë në stilin e shtytjes, në kategorinë deri në 95 kilogramë. Kjo është medalja e dytë e argjendtë për të në këtë garë, pasi më herët siguroi të njëjtin sukses edhe në stilin e shkëputjes.

Në stilin e shtytjes, peshëngritësi që garon për Kosovën e nisi garën me 196 kilogramë. Në tentimin e dytë, ai ngriti me sukses 203 kilogramë, ndërsa dështoi në provën e tretë me 211 kilogramë.

Medalja e artë i takoi egjiptianit Karim Abokahla, i cili arriti të ngrejë 204 kilogramë.

Rostami, i cili është nga Irani, por përfaqëson Kosovën në arenën ndërkombëtare, largohet kështu nga gara me dy medalje të argjendta, duke kontribuar në rritjen e bilancit të Kosovës në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

D.L

Continue Reading

Sport

Kosova fiton medaljen e tetë në “Taranto 2026”, Rostami merr të argjendtën

Published

on

By

Kosova ka fituar edhe medaljen e tetë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”. Peshëngritësi Kianoush Rostami ka siguruar medaljen e argjendtë në stilin e shkëputjes, në kategorinë deri në 95 kilogramë.

Rostami pati vetëm një provë të suksesshme në garë. Në tentimin e dytë, peshëngritësi ngriti 166 kilogramë, rezultat që i mjaftoi për të fituar medaljen e argjendtë.

Medalja e artë i takoi algjerianit Faris Touairi, i cili ngriti 169 kilogramë.

Rostami, i cili është me prejardhje nga Irani, por garon nën flamurin e Kosovës, ka një karrierë të jashtëzakonshme në peshëngritje dhe tashmë i ka sjellë Kosovës një tjetër medalje në “Taranto 2026”.

Megjithatë, gara e tij nuk ka përfunduar. Rostami do të ketë mundësi të luftojë për një tjetër medalje edhe në stilin e shtytjes.

Me medaljen e Rostamit, Kosova shkon në tetë medalje të fituara në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

D.L

Continue Reading

Sport

Fortesa Orana fiton dy lufta, por mbetet pa medalje në “Taranto 2026”

Published

on

By

Fortesa Orana ka shënuar dy fitore në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, por ka mbetur pa medalje pas një eliminimi në gjysmëfinale.

Karateistja kosovare garoi të mërkurën në kategorinë mbi 68 kilogramë. Ajo e nisi garën me fitore 4:3 ndaj algjerianes Chaima Oudira, ndërsa në luftën e dytë triumfoi 4:2 ndaj sllovenes Zala Maria Zibret, duke siguruar kualifikimin në gjysmëfinale.

Në gjysmëfinale, Orana u përball me portugezen Ana Rita Ferreira De Oliveira. Lufta ishte e fortë, por portugezja arriti të krijojë epërsi 3:0.

Më pas ndodhi një situatë që ndryshoi rrjedhën e përballjes. Pas një aksioni, Orana u ankua se ishte lënduar në sy nga kundërshtarja. Reagimi i saj u vlerësua si i tepruar nga gjyqtarët, të cilët e diskualifikuan nga gara.

Me këtë vendim, Orana humbi edhe të drejtën për të luftuar në garën për medaljen e bronztë, duke e mbyllur kështu pa medalje pjesëmarrjen në “Taranto 2026”.

Orana ishte karateistja e fundit kosovare që garoi në këto Lojëra Mesdhetare. Të mërkurën në tatami dolën edhe Benjamin Shabani dhe Jakup Ajdari.

Shabani garoi në kategorinë mbi 84 kilogramë dhe pësoi humbje 5:0 në luftën e parë nga egjiptiani Tarek Mahmoud. Ai kishte mundësinë për të vazhduar përmes repesazhit, por për shkak të një lëndimi të pësuar në luftën e parë, nuk ishte në gjendje të paraqitej.

Në kategorinë deri në 84 kilogramë, Jakup Ajdari u mposht në luftën e parë dhe më pas edhe në repesazh.

Kosova e mbyll kështu garimin në karate në “Taranto 2026” me një medalje të artë, të fituar të martën nga Islam Selmani. Në total, Kosova garoi me nëntë karateistë, ndërsa Orana ishte ajo që iu afrua më së shumti një medaljeje pas triumfit në dy luftat e para dhe kualifikimit në gjysmëfinale.

Ndërkohë, paraqitje të mira patën edhe dy karateistë kosovarë që garojnë për Shqipërinë.

Blodin Pakashtica shënoi dy fitore në kategorinë mbi 84 kilogramë dhe u kualifikua në gjysmëfinale. Megjithatë, ai pësoi humbje në gjysmëfinale dhe në luftën për medaljen e bronztë, duke e përfunduar garën në vendin e pestë.

Edhe Melos Gashi arriti deri në gjysmëfinale në kategorinë deri në 84 kilogramë, pas dy fitoreve. Ai humbi në gjysmëfinale dhe më pas edhe në luftën për bronz, duke u renditur po ashtu i pesti.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara