Lajmet

​ShBA njofton paketën e re të armëve prej 600 milionë dollarësh për Ukrainën

Që nga fillimi i luftës, Uashingtoni ka ofruar për qeverinë e Kievit një ndihmë prej rreth 15.1 miliardë dollar.

Published

on

Administrata e Biden njoftoi një paketë të re armësh prej 600 milionë dollarësh për të ndihmuar ushtrinë ukrainase në luftën kundër Rusisë, ndërsa ShBA-ja po ofron më shumë armë për të nxitur kundërsulmimin e Kievit në lindje të vendit, sipas gazetës së përditshme britanike, “The Guardian”.

Paketa do të përfshijë të njëjtat lloje municionesh dhe pajisjesh që kanë ndihmuar forcat ukrainase të mposhtin forcat ruse në lindje dhe jug të vendit.

“Me guxim dhe vendosmëri, populli i Ukrainës po mbron atdheun e tij dhe po lufton për të ardhmen e tij”, tha në një deklaratë sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken.

“Pajisjet që ne po ofrojmë janë të kalibruara me kujdes për të bërë dallimin më të madh në fushën e betejës dhe për të forcuar Ukrainën në tryezën e negociatave kur të jetë koha e duhur”, shtoi ai.

Vendimi për të ofruar ndihmën e re, pas një ndihme prej gati 2.9 miliardë dollarësh dhe mbështetjeje financimi të shpallur javën e kaluar dhe mbi 3 miliardë dollarë të shpallur në fund të gushtit, tregon synimin e ShBA-së për të siguruar që Ukraina të mund të përballojë kundërsulmin e saj i nisur në fillim të këtij muaji. Në harkun kohor të pak ditëve, trupat ukrainase kanë rimarrë pothuajse të gjithë rajonin e Kharkivit.

Joe Biden autorizoi ndihmën e fundit duke përdorur Autoritetin e tij Presidencial të tërheqjes, i cili i lejon presidentit të autorizojë transferimin e armëve të tepërta nga stoqet amerikane. Shtëpia e Bardhë tha se ishte hera e 21-të që departamenti i mbrojtjes i SHBA-së tërheq armët dhe pajisjet e tjera nga raftet për t’i dorëzuar ato në Ukrainë.

Që nga fillimi i luftës, Uashingtoni ka ofruar për qeverinë e Kievit një ndihmë prej rreth 15.1 miliardë dollar. Kjo përfshinte 2.2 miliardë dollarë financime afatgjatë ushtarak për Ukrainën dhe një paketë armësh prej 675 milionë dollarësh të shpallur nga sekretari i mbrojtjes, Lloyd Austin.

Paketa më e re e ndihmës pritet të financojë trajnimin ushtarak, si dhe municione, duke përfshirë më shumë municione të Sistemeve të Raketave të Artilerisë së Lëvizshmërisë së Lartë (HIMARS) për obusët./atsh/

Lajmet

Justina Shiroka-Pula merr zyrtarisht detyrën e presidentes

Published

on

Justina Shiroka-Pula ka marrë zyrtarisht detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës.

Në ceremoninë e inaugurimit, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ia ka dorëzuar Kushtetutën presidentes së re.

Justina Shiroka-Pula mori 81 vota në Kuvend, në votimin që u zhvillua në mesnatën mes të martës dhe të mërkurës, në fund të afatit kushtetues që e caktoi 6 tetorin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit. Detyrën e siguroi pas dakordimit të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja shqetësohet për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara

Published

on

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë për miratimin nga Kuvendi i Kosovës të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në një përgjigje për KOHËN, një zëdhënës i BE-së ka thënë se ndryshimet e miratuara janë në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.

“Partneriteti ynë nënkupton jo vetëm interesa të përbashkëta, por edhe përgjegjësi të përbashkëta”, thuhet në përgjigje.

BE-ja ka theksuar se vazhdimisht ka mbështetur punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si institucion të pavarur gjyqësor, të themeluar përmes vendimeve të Kuvendit në vitet 2014–2015 dhe të përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës.

Sipas BE-së, mandati dhe pavarësia e Dhomave të Specializuara duhet të respektohen plotësisht, ndërsa drejtësia duhet të vazhdojë të bazohet në parimin e përgjegjësisë penale individuale.

BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që t’u përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare dhe të garantojë pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara, si dhe llogaridhënien dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Projektligji u miratua në Kuvend të martën, pak para përfundimit të afatit për zgjedhjen e Presidentit, pas një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Miratimi i tij u shoqërua me protesta në Kosovë, ndërsa kundërshtimi ndaj Dhomave të Specializuara është rritur pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Schuebel uron presidenten e re, mbështetja e BE-së do të mbetet e palëkundur

Published

on

By

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Schuebel ka shprehur shpresën për rikthimin e stabilitetit politik dhe institucional në vend, duke theksuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me presidenten e re, institucionet e Kosovës dhe spektrin politik.

“Me shpresën për ripërtëritjen e stabilitetit politik dhe institucional, pres me kënaqësi të punoj me Presidenten Shiroka-Pula, institucionet e Kosovës dhe spektrin e gjerë politik për ta afruar vendin më pranë Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Schuebel.

Ai ka theksuar gjithashtu se mbështetja e Bashkimit Evropian për Kosovën do të vazhdojë të jetë e palëkundur.

Justina Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e Kosovës në raundin e parë të votimit, duke marrë 81 vota në seancën e Kuvendit që kishte nisur më 6 tetor. Votimi përfundoi pak pas mesnate, ndërsa numërimi i votave përfundoi rreth 15 minuta më vonë.

Me zgjedhjen e Shiroka-Pulës, Kosova tashmë ka presidenten e re, ndërsa mesazhi i BE-së vjen me theks të veçantë te stabiliteti institucional dhe vazhdimi i rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Evropian.

D.L

Continue Reading

Lajmet

15 milionë euro për subvencionimin e faturave të energjisë për familjet në nevojë

Published

on

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka bërë të ditur se janë ndarë 15 milionë euro për mbështetjen e familjeve për faturat e energjisë elektrike, përmes Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2026–2027.

Hoti ka njoftuar se programi është miratuar në mbledhjen e pestë të Qeverisë dhe synon subvencionimin e faturave për familjet që plotësojnë kriteret për përfitim.

Ai ka thënë se në ditët në vijim do të nënshkruajë vendimin që përcakton kushtet dhe kriteret për përfituesit, pas së cilës pritet të hapet thirrja për aplikim.

Sipas Hotit, programi lidhet edhe me obligimet e Kosovës në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për identifikimin dhe mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm.

“15 milionë euro mbështetje. Drejtpërdrejt në faturat e familjeve”, ka shkruar Hoti./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara