Lajmet

​Rritet numri i viktimave të dhunës në familje që kërkojnë strehim, kërkohet financimi i tyre nga shteti

Published

on

Gjatë muajit prill është rritur numri i viktimave të dhunës në familje që kërkojnë strehim. E rritja e këtij numri, bënë që të rriten edhe nevojat financiare të strehimoreve, për çka Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve po kërkon ndihmë nga shteti.

Është Konventa e Stambollit që obligon shtetin që të financojë këto të fundit. Kështu u tha pas takimit që ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe zëvendësministrja, Nita Shala patën me drejtueset e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, të cilën e vizituan në vazhdën e vizitave me rastin e përvjetorit të aprovimit të Konventës së Stambollit.

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, e cila mori pjesë në vizitat për nder të kësaj dite, tha se ndanë shqetësimin e përbashkët për fenomenin e dhunës në familje, si dhe nevojën për të siguruar mbrojtje sa më të mirë për viktimat e dhunës në familje.

Ajo tha se në takimin e sotëm në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, morën një lajm të mirë, e që është shtimi i rasteve kur familjet biologjike mbrojnë viktimat e dhunës.

“Ndamë shqetësimin e përbashkët për fenomenin e dhunës në familje, si dhe nevojën për të siguruar mbrojtje sa më të mirë për viktimat e dhunës në familje. Morëm edhe një lajm të mirë që gjithmonë e më shumë familjet biologjike po shprehin vullnetin që të ndihmojnë viktimat e dhunës në familje dhe praktikisht synojmë që edhe më tutje të bashkëpunojmë, të bashkërendojmë aktivitetet, në mënyrë që t’i japim një përgjigje sa më efektive këtij fenomeni”, tha ajo.

Drejtoresha e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, Zana Hamiti – Asllani tha se numri i viktimave që kërkojnë strehim në këtë qendër është rritur dukshëm në muajin prill. Asllani bëri të ditur se kjo nuk është vizita e parë që ministrja Albulena Haxhiu i bëri kësaj qendre.

Sipas saj, që nga vizita e parë e Haxhiut e deri më tash kanë ndryshuar shumë gjëra, duke u ofruar viktimave kushte që siç tha ajo, janë të nivelit evropian.

“Ministrja na ka vizituar edhe herëve tjera për t’u interesuar për kushtet që ne iu ofrojmë viktimave në strehimore. Po më duket që edhe ajo është ndarë e kënaqur se pas shumë vizitave të mëhershme është një ndryshim i madh, është rinovuar objekti, dhe kushtet për viktimat janë në nivel evropian. Numri i rasteve të strehuara është në rritje, muajin e fundit, por po shpresojmë që me fushata sensibilizuese t’i informojmë viktimat që ato e kanë një vend të sigurt të drejtohen, mos të durojnë dhunën, të vijnë në strehimore dhe procedurat e mëtutjeshme”, tha ajo.

Krahas rritjes së numrit të viktimave që kërkojnë strehim, ajo tha se nevojitet edhe financim, për çka u shpreh optimiste se do t’i ndihmojë Ministria e Drejtësisë, pasi pas saj, është Konventa e Stambollit që obligon shtetin për të financuar strehimoren.

“Me ratifikimin e Konventës së Stambollit, tash që është pjesë e Kushtetutës së Kosovës, po besojmë që do t’i zbatojnë ato ligje, të përputhen me Konventën e Stambolli dhe të kemi të paktën një financim të qëndrueshëm meqë strehimorja, jo veç e Prishtinës, por në gjithë Kosovën, përballen me mungesë financiare. Konventa e Stambollit e obligon shtetin që ta financojë strehimoren edhe pse është OJQ. Po shpresojmë në këtë drejtim dhe shpresoj që do të kemi përkrahje të vazhdueshme nga ministrja”, tha ajo.

Lidhur me këtë, zëvendësministrja Nita Shala tha se në prioritet e Ministrisë së Drejtësisë është edhe krijimi i një linje të veçantë buxhetore, për çka theksoi se po punojnë intensivisht që të gjejnë një mekanizëm për ta bërë sa më shpejt të implementueshëm.

Vendi

27-vjet nga masakra e Dubravës

Published

on

By

Masakra në Burgun e Dubravës konsiderohet një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ndërmjet 19 dhe 24 majit 1999, forcat serbe vranë 116 të burgosur shqiptarë dhe plagosën 185 të tjerë brenda burgut të Dubravës, ndërsa veprimtari dhe intelektuali Ukshin Hoti u zhduk me dhunë.

Në 27-vjetorin e kësaj masakre, u bënë homazhe në nderim të të vrarëve, të plagosurve dhe të mbijetuarve. Të pranishëm ishin përfaqësues institucionalë, ish-të burgosur politikë dhe familjarë të viktimave.

Në ceremoninë përkujtimore mori pjesë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili tha se emrat e viktimave të Dubravës janë “aktakuzë e përhershme kundër atyre që urdhëruan, organizuan dhe ekzekutuan këtë krim”.

Tutje, Kurti u shpreh se Dubrava mbetet një akt dëshmie për ekzekutimet masive e gjenocidale të shqiptarëve.

“Dubrava mbetet dëshmi për ekzekutimet masive e gjenocidale të shqiptarëve, por edhe për shpirtin liridashës të të burgosurve politikë, që nuk thyhej para torturave në burgjet serbe”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se Republika e Kosovës ka obligim që të ruajë kujtesën për krimet e luftës dhe të kërkojë drejtësi për viktimat.

Continue Reading

Lajmet

REL: KE mirëpret diskutimin për afrimin e Ballkanit dhe Ukrainës me BE-në

Published

on

By

Komisioni Evropian konfirmoi se ka pranuar letrën e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, përmes së cilës ai propozon që Ukrainës t’i jepet statusi i anëtares së asociuar, ndërsa vendeve të Ballkanit Perëndimor statusi i vëzhguesit.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, tha se institucioni që ai përfaqëson e mirëpret faktin që ky diskutim po zhvillohet mes vendeve anëtare dhe inkurajon vazhdimin e debatit në nivel të udhëheqësve të BE-së.

“Kjo tregon se ekziston një përkushtim i fuqishëm i vendeve anëtare që zgjerimi të bëhet realitet sa më shpejt. Është gjithnjë e më e qartë se zgjerimi është investim gjeostrategjik në prosperitetin, paqen dhe sigurinë tonë. Anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian është po ashtu i lidhur në mënyrë thelbësore me sigurinë e bllokut tonë”, tha Mercier në një konferencë për media.

Ai shtoi se është po aq e rëndësishme arritja e synimit për ta kompletuar BE-në me të gjitha vendet kandidate, të cilat prej shumë vjetësh po punojnë drejt anëtarësimit.

“Të gjitha zgjidhjet inovative duhet të udhëhiqen nga një proces i bazuar në merita. Duke parë përpara, duhet të sigurohemi që qasja jonë ndaj zgjerimit të jetë e përshtatshme për qëllimin që synon”, tha zëdhënësi Mercier.

Prandaj, sipas tij, Komisioni Evropian do të vazhdojë të bashkëpunojë në mënyrë aktive me vendet anëtare dhe me vendet kandidate, për të gjetur zgjidhjet më të mira që do ta bënin Bashkimin Evropian më të fortë dhe më të sigurt.

Në letrën e bërë publike më 21 maj, kancelari gjerman, Friedrich Merz, propozon për Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë qasje të privilegjuar në tregun e përbashkët evropian dhe lidhje më të afërta me institucionet evropiane në procesin e përditshëm të vendimmarrjes.

Tregu i Përbashkët Evropian është hapësirë, e përbërë kryesisht nga 27 vende anëtare të BE-së, që mundëson lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve, pa rregullore kufitare ose tarifa doganore.

Merz, po ashtu, propozon dhënien e statusit të vëzhguesit për vendet e Ballkanit Perëndimor në të gjitha institucionet relevante të Bashkimit Evropian, si dhe mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta të Komisionit Evropian ose Parlamentit Evropian me përfaqësues të rajonit, për çështje që lidhen drejtpërdrejt me të.

“Integrimi gradual mund të realizohet përmes ndërtimit të blloqeve që do të shërbenin si bazë për zbatimin e plotë të fushave përkatëse të politikave, dhe më pas do të shoqërohej me mbështetje më të madhe në zbatimin e ligjeve të BE-së. Përveç kësaj, mund ta avancojmë edhe integrimin institucional mbi bazën e progresit real. E gjithë kjo mund t’i afrojë ndjeshëm vendet kandidate me ne dhe të nxisë një ambicie të re për reforma të mëtejshme drejt anëtarësimit të plotë”, thuhet në letrën e kancelarit gjerman.

“Të qëndrojmë fort të përkushtuar ndaj premtimit se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia mund t’i bashkohen Bashkimit Evropian, siç është përcaktuar në Kriteret e Kopenhagës dhe në Agjendën e Selanikut të vitit 2003. Qëllimi ynë nuk ka ndryshuar: kompletimi i Bashkimit Evropian përmes përfshirjes së të gjitha vendeve kandidate”, theksohet në letër.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Bosnje dhe Hercgovina dhe Maqedonia e Veriut janë kandidate për anëtarësim, ndërsa Kosova jo.

Në anën tjetër, për Ukrainën, ai propozon afrim të konsiderueshëm me Bashkimin Evropian dhe me institucionet e tij kryesore, “pa ndikuar në negociatat e vazhdueshme për anëtarësim, por duke e nxitur dhe mbështetur këtë proces”.

Kreu i Qeverisë gjermane beson se këto propozime nuk kërkojnë ndryshime në kuadrin institucional dhe ligjor të Bashkimit Evropian, por vetëm një “marrëveshje të fortë politike”. /REL/

Continue Reading

Vendi

Mbi 2.09 milionë votues për zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë, 22 mijë për herë të parë

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën votuese për zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë, ku të drejtë vote kanë 2,092,174 qytetarë. Ky numër është 15,884 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Sipas KQZ-së, rreth 1.96 milionë qytetarë do të votojnë brenda vendit, ndërsa mbi 132 mijë janë regjistruar për votim nga diaspora në forma të ndryshme, përfshirë postën dhe përfaqësitë diplomatike.

Në këto zgjedhje pritet të votojnë për herë të parë 22,685 qytetarë. Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 949 qendra votimi brenda Kosovës, ndërsa votimi jashtë vendit do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike më 6 qershor 2026.

Continue Reading

Lajmet

Profesorët e UBT-së, Vesel Rrustemaj dhe Jeta Kiseri-Kubati publikojnë punim shkencor në revistë ndërkombëtare të stomatologjisë

Published

on

By

Një punim i ri shkencor me autorë nga UBT është publikuar në një revistë prestigjioze braziliane të fushës së stomatologjisë, e indeksuar në Web of Science (ESCI) dhe Scopus, si dhe e klasifikuar në Q2 sipas SCImago në fushën e ortodoncisë, duke përfaqësuar një arritje të rëndësishme akademike dhe shkencore për institucionin.

Autorë të këtij punimi janë Prof. Dr. Vesel Rrustemaj, si autor i parë dhe korrespondent, dhe Prof. Dr. Jeta Kiseri-Kubati, si bashkëautore, të dy profesorë në programin e Stomatologjisë në UBT dhe ekspertë në fushën e ortodoncisë.

Punimi shkencor trajton një temë me rëndësi të veçantë shëndetësore dhe epidemiologjike: lidhjen ndërmjet karakteristikave okluzale, zakoneve orale dhe kariesit dentar tek fëmijët e moshës 3–6 vjeç në Prishtinë, Kosovë. Studimi fokusohet në një problematikë të shpeshtë tek moshat e reja, duke ofruar të dhëna të vlefshme për gjendjen e shëndetit oral në këtë grupmoshë.

Hulumtimi është realizuar si studim epidemiologjik dhe ka sjellë rezultate të rëndësishme mbi faktorët që ndikojnë në shfaqjen e kariesit dentar dhe zhvillimin okluzal te fëmijët, duke kontribuar në literaturën shkencore ndërkombëtare në fushën e stomatologjisë dhe ortodoncisë.

Publikimi në një revistë të këtij niveli shkencor përbën një arritje të rëndësishme jo vetëm për autorët, por edhe për UBT-në, duke dëshmuar angazhimin e vazhdueshëm të institucionit në kërkimin shkencor, ndërkombëtarizimin dhe kontributin në zhvillimin e dijes në fushën e shkencave shëndetësore.

Ky studim pritet të shërbejë si referencë e vlefshme për studiuesit dhe profesionistët e stomatologjisë, si dhe për përmirësimin e praktikave klinike në trajtimin dhe parandalimin e problemeve dentare tek fëmijët.

Studimi i plotë

Continue Reading

Të kërkuara