Lajmet

​Rama iu drejtohet me letër kryetarëve të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës

“Kjo çështje ka të bëjë me drejtësinë dhe të drejtat e njeriut, vlera bazë në themel të çdo sistemi demokratik…”

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka njoftuar se iu është drejtuar kryetarëve të shteteve e qeverive të të gjitha vendeve anëtare të Këshillit të Evropës me një letër.

Rama ka theksuar se letra është vijimësi e përpjekjes së nisur ndërkombëtarisht që nga fjalimi para Asamblesë Parlamentare, për heqjen e njollës së turpit të trafikimit të organeve njerëzore mbi kombin tonë dhe mbi vetë Këshillin e Evropës.

Letra e plotë:

I/E dashur …

Shpresoj që kjo letër t’ju gjejë mirë. Po ju shkruaj për të kërkuar vëmendjen tuaj për një çështje thelbësore, jo vetëm për vendin dhe popullin që përfaqësoj, por për të gjithë ne. Kjo çështje ka të bëjë me drejtësinë dhe të drejtat e njeriut, vlera bazë në themel të çdo sistemi demokratik – ato vlera të cilat i nderojmë në punën tonë të përditshme e që kërcënohen gjithmonë e më shumë në situatën politike aktuale.

Ashtu siç mund të jeni në dijeni, në vitin 2008, një ish-prokurore e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për Ish-Jugosllavinë (GjNPIJ), Carla Del Ponte, botoi librin e saj me kujtime, “Zonja Prokurore”. Aty, ajo pretendonte se pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kosovës kishin kryer krime të tmerrshme, përfshi, mbi të gjitha, trafikim të shfrenuar të organeve njerëzore.

Akuzat e saj u mohuan me forcë në Shqipëri, Kosovë dhe tjetërkund në rajon, për arsyen e thjeshtë se hetimet e kryera përgjatë disa viteve nga kryeprokurorja e GjNPIJ-së, përfshi Shqipërinë, kishin qenë tërësisht jobindëse. Kjo duhej të kishte mjaftuar që çështja të mbyllej aty ku kishte nisur: në faqet e një trillimi joletrar. Përkundrazi, ajo u çua më tej nga të tjerë, konkretisht nga anëtarët e partisë “Rusia e Bashkuar” e Putinit në Këshillin e Evropës, të cilët e instrumentalizuan atë për të ushqyer më tej narrativën ruse mbi Kosovën. Më pas, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës iu paraqit një raport (sërish, në mungesë provash). Nisur nga raporti dhe serioziteti i akuzave, në janar 2011, Asambleja miratoi rezolutën 1782, titulluar “Hetimi i akuzave për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikimin e organeve njerëzore në Kosovë”.

Njëmbëdhjetë vjet më vonë, të gjitha përpjekjet për hetime të bëra qysh atëherë, kombëtarisht, në rajon a ndërkombëtarisht, për të provuar pretendimet për trafikimin e organeve njerëzore, ia kanë dalë të vërtetojnë atë që dihej: nuk ka absolutisht asnjë provë, qoftë në Shqipëri a gjetkë në rajon, për nxjerrje dhe trafikim organesh, e cila do të mund t’i ngarkohej qoftë edhe një pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për më tepër, aktakuzat e paraqitura nga Dhomat e Specializuara në Hagë nuk përmbajnë as edhe një fjalë të vetme lidhur me nxjerrjen dhe trafikimin e pretenduar të organeve njerëzore.

Sado e çuditshme të duket kjo, nuk ka fakte, nuk ka autorë, nuk ka viktima të trafikimit të organeve njerëzore. Raporti dhe rezoluta që pasoi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës u mbështetën më tepër në spekulime sesa në fakte, në thashetheme që qarkullonin në vend të provave. Ato tanimë janë kthyer në një njollosje të pamerituar të atyre që janë akuzuar pa të drejtë dhe në një turp për politikën ndërkombëtare.

Më 13 tetor 2022, i paraqita këto argumente përpara Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për t’i bërë thirrje për hartimin e një raporti vijues. Çështja ka një rëndësi sipërore, jo vetëm për të mbrojtur të drejtat e individëve të akuzuar padrejtësisht për krime që nuk i kanë kryer kurrë. Ajo nuk ka thjesht të bëjë me mbrojtjen e procesit të rregullt ligjor përmes procedurave të gjykatës, një proces i rregullt që duhet të jetë i drejtë e i pa të meta. Por ka të bëjë me qytetarët e vendit tim, Shqipërisë, që vazhdojnë të jenë shënjestër e stereotipeve të rrezikshme e të pabaza si ky dhe viktima të armiqësisë e të ksenofobisë që akuza të tilla ushqejnë. Ka të bëjë gjithashtu me të vërtetën dhe drejtësinë, pa të cilat minohet vetë integriteti e besueshmëria e politikës ndërkombëtare dhe e institucioneve të saj.

Për dijeninë tuaj, po ju bashkëlidh një kopje të fjalës sime të mbajtur përpara Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si dhe një kopje të rezolutës së miratuar për këtë çështje nga Kuvendi i Shqipërisë.

Shpresoj në mbështetjen tuaj personale dhe atë të anëtarëve të delegacionit të vendit tuaj në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për miratimin e kërkesës sonë, për nisjen e procedurës që do të çojë në një raport vijues, si korrigjim i ndershëm dhe i domosdoshëm i një gabimi tragjik, pasojat e të cilit vazhdojnë të na përndjekin.

Më lejoni t’ju falënderoj paraprakisht nga zemra për ndihmën.

Live

Kriza në MAGA: Pas humbjes në zgjedhje, republikanët fajësojnë Trumpin

Published

on

By

Humbja e rëndë e Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit ka hapur një valë pakënaqësie dhe pyetjesh të shumta brenda lëvizjes “Make America Great Again” (MAGA), ku shumë mbështetës kanë filluar ta shohin presidentin Donald Trump më shumë si barrë se sa si aset politik.

Fitorja bindëse e demokratëve, të cilët siguruan shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, erdhi si rrjedhojë e pakënaqësisë së votuesve me rritjen e çmimeve të karburantit, luftën në Iran dhe pretendimet për korrupsion në Washington.

Në vend të ndryshimit të kursit politik, Trump ka reaguar duke emëruar Stephen Miller, arkitektin e politikave të ashpra kundër emigracionit, në postin e shefit të stafit në Shtëpinë e Bardhë në vend të Susie Wiles. Ndërkohë, vetë Trump i hodhi poshtë përgjegjësitë duke deklaruar se po të kishte qenë ai vetë në fletëvotim, republikanët do të kishin fituar.

Debati ka përfshirë edhe pretendimet e mëparshme për manipulim zgjedhjesh, të cilat pothuajse janë shuar tërësisht mes figurave kryesore të së djathtës. Në vend të tyre, vëmendja është zhvendosur te premtimet e mbajtura, kostoja e lartë e jetesës, përfshirja në luftën me Iranin si dhe mospublikimi i plotë i dosjeve hetimore për Jeffrey Epstein.

Ndërsa figura si Steve Bannon bëjnë thirrje për një rikthim te politikat më radikale populiste dhe nacionale, aktivistë të tjerë dhe liderë fetarë shprehen se lëvizja duhet të shkëputet nga ndikimi i një njeriu të vetëm për të mbijetuar në të ardhmen./Reuters/

 

Continue Reading

Aktualitet

Nagavci njofton shqyrtimin e katër marrëveshjeve ndërkombëtare dhe diskutimet me PDK-në për Ligjin për Specialen

Published

on

By

Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet të enjten duke filluar nga ora 10:00, ka bërë të ditur shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

Përveç pikave të rregullta të rendit të ditës, në këtë seancë pritet të shqyrtohen edhe katër marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e drejtësisë.

Nagavci ka folur gjithashtu për kthimin e Ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend nga ana e Presidentes, duke konfirmuar se janë në bisedime me Partinë Demokratike të Kosovës si iniciuese e këtij projektligji për të gjetur një rrugëdalje institucionalisht të matur.

Ajo për këtë çështje theksoi se synohet shmangia e çfarëdo përplasjeje të re mes presidencës dhe parlamentit, ndërsa vuri në dukje kufizimet ligjore që ekzistojnë sa i përket amandamentimit:

“Ne jemi dëshmitarë se presidentja e ka kthyer projektligjin. Në lidhje me letrën e presidentes, ka praktika edhe për këtë çështje. Ne jemi duke diskutuar me PDK-në, si partia iniciuese, dhe e kemi bërë të qartë se nuk është mirë të krijojmë një situatë të re mes presidentes dhe Kuvendit. Sa u përket çështjeve përmbajtjesore, besoj se do të arrijmë një pajtueshmëri. Ne e kemi të qartë se tashmë ka një aktgjykim të Kushtetueses dhe ka edhe dy raste të tjera që e bëjnë të qartë se ligji nuk mund të amandamentohet”. /E.A/

Continue Reading

lajme

Komisioni për Punë të Jashtme pret në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë

Published

on

By

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës ka pritur sot në një takim zyrtar ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Kosovë, László Dux.

Takimi mes anëtarëve të komisionit parlamentar dhe diplomatit hungarez po zhvillohet prapa dyerve të mbyllura për mediat.

Deri më tani nuk janë bërë me dije detaje zyrtare lidhur me temat konkrete të cilat janë përfshirë në agjendën e këtij takimi. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova e përmbyll Kampionatin Ballkanik të Karatesë me 10 medalje

Published

on

By

Përfaqësuesja e Kosovës në karate ka arritur një rezultat të shkëlqyer në Kampionatin Ballkanik të zhvilluar në Stamboll të Turqisë, duke grumbulluar gjithsej 10 medalje, prej të cilave një e artë, tri të argjendta dhe gjashtë të bronzta.

Dita e fundit e garave solli tri medalje të bronzta në konkurrencën ekipore. Ekipi i djemve për kadetë, ekipi i vajzave për kadete si dhe ekipi i djemve për juniorë arritën të ngjiten në podiumin e fituesve duke siguruar medalje të bronzta për Kosovën.

Në garat individuale, suksesin më të madh e shënoi Emira Maqedonci, e cila u kurorëzua kampione e Ballkanit duke fituar medaljen e artë. Me medalje të argjendta u nderuan Suela Arifi, Qëndresa Ibrahimi dhe Prijam Gashi, ndërsa medaljet e bronzta në konkurrencën individuale i rrëmbyen Alea Kelmendi, Krenar Ismajli dhe Amar Daku.

Rezultati i arritur në Stamboll rikonfirmon ngritjen e karatesë kosovare në arenën rajonale, me federatën, trajnerët dhe sportistët që morën urime të shumta për përfaqësimin dinjitoz të flamurit të Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara