Lajmet

​Punëtorët e Lotarisë protestuan para Qeverisë së Kosovës

Published

on

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës kanë protestuar sot para Qeverisë së Kosovës, për shkak të mos marrjes së pagave për afro një vit. Këta punëtorë thonë se janë lënë në harresë nga Qeveria e Kosovës dhe se janë në gjendje të vështirë financiare.

Ata janë pritur në takim nga ministri në detyrë i Financave, Agim Krasniqi, e nga i cili kanë marrë premtim se do të shqyrtohen të gjitha mundësitë për të arritur një zgjidhje për ata. Punëtorët i kanë dhënë afat qeverisë deri në fund të kësaj jave që të bëjë zgjidhje për pagat, e më pastaj nuk e përjashtojnë mundësinë që sërish të protestojnë.

Shpresa Gosalci, përfaqësuese e Sindikatës së Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës, tha se punëtorët gjenden në gjendje të keqe ekonomike dhe se qeverisë me ligj i takon që t’i kryejë obligimet që i ka ndaj punëtorëve të saj. Ajo thotë se punëtorët kanë mbetur pa punë qysh kur ka hyrë në fuqi ligji për ndalimin e lojërave të fatit, ani pse, sipas saj, bastoret kanë vazhduar punën edhe ilegalisht.

“Arsyeja pse punëtorët e Lotarisë së Kosovës janë duke protestuar para Qeverisë është kërkesa e tyre për përmbushjen e pagave, të cilat që gati u bë 1 vit që nuk i kanë marrë, sidomos në këtë kohë të rëndë pandemie gjendja e tyre ekonomike është rënduar tej mase, shumica e punëtorëve të Lotarisë janë femra, janë gra, kemi nëna vetushqyese të cilat mbajnë familjen. Qeveria e Kosovës është pronare, njëkohësisht aksionare e Lotarisë së Kosovës, si dhe me ligj i takon që t’i kryejë obligimet që i ka ndaj punëtorëve të saj”, tha ajo.

Ajo tha se në vazhdimësi i janë drejtuar institucioneve për të realizuar të drejtën e tyre për paga, por që tha se e gjitha që kanë marrë janë premtimet se do të gjendet një zgjidhje.

Pas takimit me ministrin në detyrë të Financave, ajo tha se do t’i japin afat deri në fund të kësaj jave që të realizohet kërkesa e tyre.

“U takuam me ministrin e Financave dhe si rezultat i këtij takimi doli se Ministria e Financave, ministri do të shqyrtojë të gjitha mundësitë që të shoh në arritjen e një zgjidhje për punëtorët e Lotarisë së Kosovës. Se çka do të jetë përfundimi mbetet ta shohim. Afati kohor do të jetë deri në fund të kësaj jave, pastaj do të shohim. Ne do të mbajmë një takim të radhës me punëtorët e Lotarisë së Kosovës, të shohim edhe cila do të jetë kërkesa apo vendimi i tyre se si të vazhdojmë më tutje”, u shpreh ajo.

Punëtorët shprehen të zhgënjyer që aksionari, në këtë rast Qeveria e Kosovës, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që ata të mund të marrin pagat e tyre.

Bashkim Sherifi, punëtor i Lotarisë së Kosovës në Ferizaj, tha se janë në gjendje të rëndë financiare pasi që kanë obligime edhe ndaj bankave. Ai thotë se si punëtorë të Lotarisë janë lënë pas dore nga qeveria e vendit dhe se nuk po merren parasysh kërkesat e tyre.

“Po mbijetojmë dhe është më e keqja që fajtor më së paku jemi ne për këta çka kemi mbetur pa punë, fajtor dihet, fajtor është qeveria që e kanë bërë në mënyrë arbitrare e kanë mbyllur një biznes që ka funksionuar me vite të tëra. Vështirë është boll, kemi pasur obligime dhe kemi obligime prapë ndaj bankave. Tërësisht na ka lënë pas dore, nuk janë interesuar për ne se me numër jemi pak punëtorë 60 punëtorë jemi edhe për atë. Premtime kanë dhënë, gjithmonë i kanë dhënë premtime sindikatës që do të shihemi do të bëjmë diçka për juve, mirëpo kanë mbetur vetëm premtime. Thjeshtë kemi pritur deri në këtë ditë, tash varet nga sindikata, varet nga menaxhmenti a do të vazhdojnë me protesta apo jo, ne jemi për protesta me i vazhdua rregullisht”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës në prill të vitit 2019 ka miratuar ligjin për ndalimin e lojërave të fatit, e që nga ajo kohë Lotaria e Kosovës ka ndërprerë veprimtarinë e saj.

Lajmet

Përrenjas: Arrestohet 69-vjeçari, dyshohet se i vuri flakën bashkëshortes

Published

on

By

Policia në Shqipëri ka arrestuar një 69-vjeçar në fshatin Karakavec të Përrenjasit, nën dyshimin se ka lyer me lëndë djegëse dhe i ka vënë flakën bashkëshortes së tij pas një konflikti në familje.

Sipas njoftimit zyrtar të autoriteteve, i dyshuari Gani Danga ka lyer me benzinë gruan e tij 67-vjeçare. Viktima është transportuar fillimisht në spitalin rajonal të Elbasanit për ndihmën e parë mjekësore dhe më pas është dërguar në repartin e djegieve në Tiranë. Burimet spitalore kanë bërë të ditur se ajo aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga të dhënat e para të hetimit rezulton se dhuna në këtë familje kishte qenë e përsëritur, teksa viktima ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje përgjatë tre muajve të fundit.

Policia ka kryer arrestimin e të dyshuarit menjëherë pas ngjarjes, ndërsa materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore. /Euronews/ /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Obsesioni ndaj Jungkook: Gruaja i ra ziles 133 herë, përfundon në gjykatë

Published

on

Një grua nga Brazili është dënuar me një vit burgim me kusht për dy vjet, pasi përndoqi vazhdimisht yllin e grupit BTS, Jungkook, pavarësisht paralajmërimeve të autoriteteve për të qëndruar larg shtëpisë së tij në Seul.

Sipas vendimit të Gjykatës së Qarkut në Seul, gruaja, identiteti i së cilës nuk është bërë publik, kishte filluar ta përndiqte këngëtarin në dhjetor të vitit të kaluar. Ajo kishte lënë letra dhe fotografi pranë banesës së tij, duke pretenduar se vepronte “nga dashuria” për artistin 28-vjeçar.

Gjykata bëri të ditur se gruaja kishte vizituar shtëpinë e Jungkook gjithsej 22 herë. Në një prej rasteve, ajo kishte rënë ziles së shtëpisë 133 herë, veprim që u cilësua nga gjykatësi si një nivel ekstrem obsesioni.

Ajo u arrestua më 13 dhjetor pasi kishte ndjekur një punonjës të shpërndarjes së ushqimit për të hyrë në pronë përmes një porte anësore. Edhe pse ishte liruar me paralajmërim që të mos i afrohej më banesës, ajo vazhdoi vizitat, duke detyruar policinë të lëshonte një urdhër emergjent që ia ndalonte afrimin brenda 100 metrave nga prona.

Përveç dënimit me kusht, gruaja pritet të dëbohet nga Koreja e Jugut, nëse nuk arrin të apelojë me sukses vendimin.

Ndërkohë, ky nuk është rasti i parë i tillë. Në qershor të vitit të kaluar, një grua kineze në të 30-at u arrestua në Seul teksa tentonte të hynte në shtëpinë e Jungkook vetëm disa orë pasi ai kishte përfunduar shërbimin ushtarak. /BBC/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci: Shtëpia muze e Ymer Elshanit ruan kujtesën historike dhe letrare

Published

on

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka vizituar shtëpinë muze të shkrimtarit Ymer Elshani në Korroticë të Poshtme, duke e cilësuar atë si një vend që ruan kujtesën, historinë dhe fjalën e shkruar.

Në vizitë ajo ishte e shoqëruar nga zëvendësministrja Nora Arapi-Krasniqi, drejtoresha e departamentit të trashëgimisë kulturore në MKT, Merita Augustini Ndrecaj, si dhe ekspertë të fushës së trashëgimisë kulturore.

Në shtëpinë muze, delegacioni u prit nga Teuta Elshani, vajza e shkrimtarit, e cila ndau rrëfime mbi jetën dhe veprën e tij, si dhe mbi historinë e familjes.

Sipas Ministrisë së Kulturës, shtëpia muze e Ymer Elshanit përfaqëson jo vetëm trashëgiminë letrare të një prej emrave më të rëndësishëm të letërsisë shqipe për fëmijë, por edhe kujtesën e 46 civilëve të vrarë në Masakrën e Poklekut, një ngjarje e rëndësishme historike.

Ky objekt kulturor vlerësohet si dëshmi e rëndësishme e kujtesës kolektive, ku historia, kultura dhe trashëgimia ndërthuren për brezat e tashëm dhe ata që do të vijnë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti: Pas certifikimit të rezultateve nisin komunikimet me partitë politike për formimin e institucioneve

Published

on

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme do të nisin komunikimet me partitë politike me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve të reja.

Deklaratën Kurti e bëri të martën, pasi mori pjesë në edicionin e 8-të të Festivalit Multikulturor dhe Ekspozitës Mobile “KRAH” në Prishtinë.

I pyetur nga gazetarët për hapat e ardhshëm pas procesit zgjedhor, ai u shpreh shkurt se kontaktet politike do të fillojnë sapo të përfundojë certifikimi i rezultateve.

“Porsa të certifikohen rezultatet, fillojmë komunikimet menjëherë”, tha Kurti.

Kjo deklaratë vjen në një periudhë kur pritet përmbyllja e procedurave zgjedhore dhe certifikimi zyrtar i rezultateve, që do t’i hapte rrugë konsultimeve për konstituimin e institucioneve dhe formimin e qeverisë së re.

Sipas të dhënave aktuale, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë me 53 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës ka 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 18, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7 ulëse. /Kosovapress/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara