Aktualitet

​PSD nis fushatën përmes së cilës prezanton programin “BAZË” të saj

Programi përbëhet nga 5 shtylla kryesore.

Published

on

Partia Socialdemokrate nga sot ka nisur fushatën 1 mujore ku nëpër sheshe të ndryshme të Kosovës do të prezantoj programin e ri të quajtur “Bazë“, i cili përbëhet nga 5 shtylla kryesore.

Shtyllat të cilat u prezantuan edhe sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë ishin zhvillimi i hershëm i fëmijëve, shëndetësi publike, pagë bazë për secilin qytetar, fondi i sigurimit social si dhe tatimi progresiv dhe taksat e mirëqenies.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj u shpreh se ky subjekt politik po rritet çdo ditë e më shumë.

“Jemi subjekti që ka simpati shumë të madhe jashtëzakonisht të madhe e cila për çdo ditë po shndërrohet në strukturim dhe anëtarësim. Mund të them po ashtu me përgjegjësinë e madhe që jemi subjekti që ka më së shumti anëtarësime brenda ditës apo brenda javës. Prej krejt subjekteve të mëdha jemi shumë larg me ta, ama trendi është tjetër kah, trendi është që neve për çdo ditë na rritet anëtarësia”, u shpreh Molliqaj.

Ai para mediave propozoi edhe disa modele të tatimit duke shtuar taksat për ata që trashëgojnë pasuri, rritje të tatimit për korporata në 23% por edhe futjes në funksion të tatimit për dividendë.

“Prandaj, ne kemi vendosur që të propozojmë një model tjetër të taksimit në njërën anë duke i shtuar taksat, dy taksa të cilat ne besojmë që janë të rëndësishme e para ka të bëjë me trashëgiminë. Ne besojmë që shteti me kalimin e kohë është dashur me zhduk hendekun mes atyre që trashëgojnë shumë dhe atyre që nuk trashëgojnë fare, në këtë kuptim e kemi vendosur taksën e trashëgimisë e cila secili që ka trashëgimi prej paraardhësve do të duhet të paguaj tatim në një shkallë progresive….Kjo bënë një rritje të kohezionit social dhe një zhdukje të hendekut të pabarazive. E dyta që është shumë e rëndësishme është taksa në dividendë. Kosova është i vetmi vend në Ballkan, Evropë që nuk ka taksë në dividendë. Dividenda është shuma e parave që tërhiqet nga tregu dhe ekonomia. Taksa në dividendë do të jetë 33%. Pra do të duhej që nëse 100 milionë euro do të ishin dividendë të bankave në Kosovë do të duhej mesatarisht përafërsisht 33 milionë euro të ishin në shtetin e Kosovës me u shpërnda. Po ashtu mendojmë se duhet të rriten taksat në të ardhurat e korporatave. Nuk ka kuptim si një punëtorë, si një biznes i vogël, si një biznes i mesëm me pagu si një korporatë. Deri më tani ka qenë 10% ne do ta propozojmë të jetë 23%. Nuk po flasim me ua shtrëngua lakun bizneseve por po flasim me nda fitimin”, tha ai.

Kreu i PSD-së u shpreh se në programin e tyre “Bazë“ parashihet edhe rritja e tatimit në të ardhura për të gjithë ata që kanë pagë mbi 750 euro, si dhe Fondin e Sigurimit Social që rregullon pagesa për pushime të lehonisë, pensione por edhe familje që jetojnë nga skema sociale.

Molliqaj u shpreh se në këtë kohë krizash nuk është ndërhyrja e duhur ndihma me nga 100 euro në vit për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale.

“Jemi vazhdimisht në kriza një pjesë e qytetarëve janë nën minimumin jetik dhe besojmë që ishte dashur me pas parasysh që kjo është ndërhyrja e duhur, nuk besojmë që është ndërhyrja e duhur që pensionistëve t’ua japësh nga 100 euro në vit, nuk është ndërhyrje e duhur që familjeve me asistencë sociale 1 herë në vit t’ ua japësh 100 euro, ndërhyrja e duhur është që tu vendosësh bazën nën të cilët nuk bien në çfarëdo rrethane dhe ajo bazë duhet të jetë bazë e cila minimalisht e krijon mundësinë për jetesë“, theksoi ai.

Kurse, Donjeta Demolli anëtare e kryesisë në PSD tha se programi i kësaj partie synon që për secilin qytetar pa asnjë kusht të ofrohet paga universale bazë prej 60 eurosh.

Ndërsa, theksoi se për shkak të përqindjes së ulët të fëmijëve në çerdhe, propozojnë që të ndërtohen 700 çerdhe në Kosovë për të siguruar zhvillim të hershëm të fëmijëve.

Aktualitet

Rusia sulmon Ukrainën me raketa balistike dhe dronë: Të paktën 14 të vrarë në Kjiv

Published

on

By

Rusia ka sulmuar Ukrainën me raketa balistike dhe dronë, duke lënë të paktën 14 persona të vrarë dhe të paktën 22 të plagosur, në një nga sulmet më mortore në të gjithë Kyivin këtë vit.

Gjatë sulmit, i cili nisi pas mesnatës të së mërkurës, kreu i administratës ushtarake të Ky, Timur Tkachenko, deklaroi se “armiku po sulmon sërish në mënyrë masive rajonin e Kyivit”.

Sirenat e alarmit për sulm ajror mbetën të aktivizuara për më shumë se një orë, ndërsa valë raketash balistike goditën qytetin dhe rrethinat e tij. Administrata ushtarake e Kyivit bëri të ditur se bombardimet dëmtuan ndërtesa banimi dhe magazina.

Tkachenko njoftoi se nëntë persona u vranë në rrethin e Boryspilit, katër në rrethin e Buchas dhe një në rrethin e Fastivit.

Ukraina u ka bërë thirrje aleatëve për më shumë sisteme mbrojtëse raketore Patriot të prodhuara në SHBA, për t’u mbrojtur nga sulmet balistike ruse.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë deklaroi se ka goditur qendra logjistike dhe furnizimi në Kyiv dhe në rajonin përreth.

“Këto qendra ishin të përfshira në ruajtjen dhe dërgimin e armëve të ndryshme e furnizimeve ushtarake, si dhe në prodhimin dhe shpërndarjen e mjeteve ajrore pa pilot”, thuhet në deklaratën e saj.

Po ashtu, ministria ruse pretendoi se ka goditur edhe tri anije cargo “që po transportonin armë dhe pajisje ushtarake” afër portit të Detit të Zi në Odesa.

Kryetari i Bashkisë së Kyivit, Vitali Klitschko, tha se ka frikë se njerëzit mund të kenë mbetur të bllokuar nën gërmadha pas goditjeve në qendër të qytetit.

Aktiv në rrjetin Telegram, ai bëri të ditur se katër nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë.

“Armiku po godet sërish me vetëdije civilët dhe infrastrukturën civile”, deklaroi administrata ushtarake e Kyivit.

Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj Kyivit javët e fundit, ndërkohë që edhe Ukraina ka shtuar sulmet e saj ndaj infrastrukturës civile ruse, përfshirë impiantet energjetike.

Gjithashtu, ajo ka goditur vazhdimisht magazina, përfshirë ato të gjigantit rus të tregtisë elektronike Wildberries. Pesë persona u vranë dhe 10 u plagosën në rajonin e Moskës të martën në mëngjes, gjatë sulmeve më të fundit ndaj depove.

Një ditë më parë, zyrtarët rusë tha se shtatë persona u vranë dhe 58 u plagosën pasi një dron goditi një plazh të populluar në rajonin jugor të Krasnodarit.

Ndërkohë, Ukraina shprehu revoltë për një video ku shihet një burrë i ndjekur nga një dron në Kherson, duke e quajtur atë një “gjueti” dhe “safari” të qëllimshëm ndaj civilëve.

Të dyja palët kanë mohuar se synojnë me vetëdije popullsinë civile. /BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

Sot mot me diell dhe i nxehtë, temperaturat deri në 38 gradë Celsius

Published

on

By

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe shumë i nxehtë.

Sipas njoftimit të IHMK-së, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12 dhe 18 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale të ditës parashikohet të arrijnë nga 32 deri në 38 gradë Celsius.

Për shkak të temperaturave të larta, IHMK-ja apelon për kujdes të shtuar gjatë orëve të mesditës, duke rekomanduar shmangien e ekspozimit të gjatë në diell. Kujdes i veçantë u sugjerohet personave me sëmundje kronike, fëmijëve dhe të moshuarve, ndërsa këshillohet edhe konsumimi i mjaftueshëm i lëngjeve. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Bisedimet Kurti-Abdixhiku përfundojnë pa marrëveshje për institucionet

Published

on

By

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë diskutuar për rreth tri orë të martën mbrëma në përpjekje për të arritur marrëveshje për formimin e institucioneve, por takimi ka rezultuar pa marrëveshje.

Kurti, që është edhe kryeministër në detyrë, ka thënë se ka vullnet e zell për të punuar bashkë këto dy parti, por sipas tij, kërkohet një marrëveshje që e respekton rezultatin zgjedhor.

“Sa i përket takimit me LDK-në, lajm do të ishte po të kishim marrëveshje, marrëveshje politike nuk kemi. Diskutuam për qasje të ndryshme, mundësitë. Kemi nevojë për marrëveshje politike që e respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë por e shndërron rezultatin dhe në kontribut për stabilitet institucional. Askush nuk i do zgjedhjet e reja, por nëse nuk do të kemi marrëveshje, nëse nuk do të kemi hapa përpara përkundër mosdëshirës për zgjedhje të reja fatkeqësisht do të mund të shkaktohen”, ka thënë Kurti.

Kurti ka theksuar se VV-ja është e interesuar për bashkëpunim me LDK-në, ndërkohë që për çështjen e presidentit ka deklaruar se duhet të jetë emër jopolitik.

“Jemi të interesuar e të gatshëm të bashkëpunojmë me LDK-në sepse vendi ynë ka nevojë për progres të përshpejtuar. Por pozita e presidentit, qëndrimi ynë është që nuk do të duhej të ishte pjesë e pushtetit politik, por e përfaqësimit të Republikës. Të shohim çfarë sjell komunikimi i ardhshëm. Emri konkret duhej të ishte konsensual, gjithëpërfshirës”, ka thënë Kurti.

Po ashtu ai ka thënë se me gjithë refuzimin, ai është i gatshëm t’i presë në takim kryetarët e dy partive të tjera deri tash në opozitë, Partisë Demokratike dhe të Aleancës.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si të mbarë takimin e zhvilluar të martën dhe sipas tij, bisedimet do të vazhdojnë në ditët në vijim.

Ai ka thënë se duhet marrëveshje gjithëpërfshirëse për të tri postet: Kuvend, Qeveri e Presidencë. Po ashtu ka thënë se LDK-ja nuk e do postin e kryetarit të Kuvendit.

“Nëse deri më 6 gusht s’kemi marrëveshje, i kemi thënë të vazhdojë konsituimi. LDK-ja s’ka apetit për kryetar të Kuvendit, sepse është figurë ceremoniale e cila duhet të përfaqësojë propozimin e partisë së parë. Për çështje të tjera, kemi afat kohor shtesë. Sa më herë të bëjmë zgjidhje, aq më mirë”, ka thënë ai. “Qëndrojmë brenda parimeve tashmë të bëra publike. Na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që të ruhet balanca institucionale dhe të ketë balancë demokratike brenda institucioneve”.

Seanca konstituive e Kuvendit është caktuar për 6 gusht. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Nga UBT në skenën botërore të robotikës: Kosova drejt Koresë së Jugut

Published

on

By

Në mesin e ekipeve më të mira të robotikës nga e gjithë bota, Kosova do të përfaqësohet edhe këtë vit nga UBT në FIRST Global Challenge 2026, garën prestigjioze ndërkombëtare që bashkon të rinjtë më të talentuar në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.

Këtë vit, gara zhvillohet në Incheon, Kore e Jugut, nga 7 deri më 10 tetor me temën “Igniting Innovation”, e cila sfidon ekipet pjesëmarrëse të zhvillojnë zgjidhje inovative për adresimin e një prej sfidave më të mëdha mjedisore të kohës – zjarret e egra dhe ndikimin e tyre në natyrë, biodiversitet dhe komunitete.

Përfaqësimi i Kosovës edhe këtë vit i është besuar ekipit të UBT, i cili do të garojë me gjashtë nxënës të talentuar: Klea Hajrizi, Amar Rama, Melos Grainca, Jon Thaçi, Marta Çerkini dhe Ylli Osmani. Ekipi udhëhiqet nga mentorët Elita Hajrizi dhe Leona Hajrizi, në bashkëpunim me ekipin e Mekatronikës në UBT: Arxhend Jetullahu, Redon Rexhepi dhe Ylli Rexhaj, të cilët po punojnë intensivisht në përgatitjen teknike, strategjike dhe praktike për këtë garë me përmasa globale.

Përfaqësimi i këtij viti vjen pas një suksesi të jashtëzakonshëm për Kosovën në edicionin e kaluar të FIRST Global Challenge, të mbajtur në Panama, ku mentorja e ekipit, Elita Hajrizi, u vlerësua me çmimin “Best Mentor”, duke u shpallur mentorja më e mirë e garës në nivel botëror. Ky vlerësim përforcon traditën e suksesit të UBT-së dhe rrit pritshmëritë për paraqitjen e ekipit kosovar në Korenë e Jugut.

FIRST Global Challenge përfaqëson shumë më tepër se një garë robotike. Ajo është një platformë globale ku të rinjtë nga e mbarë bota bashkëpunojnë, ndajnë ide dhe dëshmojnë se inovacioni dhe teknologjia mund të shërbejnë si ura bashkëpunimi për zgjidhjen e sfidave globale.

Me përgatitjen profesionale, kreativitetin dhe përkushtimin që i karakterizon, ekipi i UBT synon ta prezantojë Kosovën me dinjitet në skenën ndërkombëtare, duke promovuar potencialin e të rinjve kosovarë në fushën e robotikës, inovacionit dhe teknologjisë.

UBT vazhdon të jetë lider në zhvillimin e talenteve të reja në STEM, duke krijuar mundësi që nxënësit dhe studentët e Kosovës të jenë pjesë e garave dhe iniciativave më prestigjioze ndërkombëtare. dhe iniciativave më prestigjioze ndërkombëtare.

 

 

 

Continue Reading

Të kërkuara