Lajmet

​Procesi i verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale mos të afatizohet

Aprovimi i statusit të viktimës së dhunës seksuale u jep të drejtë viktimave që të marrin pagesë mujore prej 230 euro në muaj.

Published

on

Procesi i verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale, aktualisht është në vakum ligjor. Nga shkurti i këtij viti, asnjë viktimë nuk ka pasur mundësi të aplikojë pranë komisionit qeveritar dhe të gëzojë pensionin. Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dhe organizatat tjera të licencuara, kanë përsëritur kërkesën që të mos kufizohet afati për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale. Ndërkohë, është në proces plotësim-ndryshimi i ligjit, i cili mundëson zgjatjen e afatit vetëm për dy vjet.

Sfidat dhe shqetësimet e burrave dhe grave të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë, janë përmendur edhe në tryezën “E drejta për njohje: Ndikimi i mungesës ligjore dhe afatizimit të aplikimit në procesin e njohjes për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”.

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti tha se nuk duhet të kufizohet afati për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale.

“Krimet e luftës nuk parashkruhen, as e drejta në krimet e luftës nuk duhet të afatizohet. Aq më shumë kur kemi të bëjmë me një grup kaq të ndjeshëm, siç janë viktimat e dhunës seksuale të luftës. Këto gra dhe burra kanë presione, janë të stigmatizuara, të paragjykuar në familje, në shoqëri ende. Edhe pse ka një progres edhe sot kur po flasim janë rreth 1500 gra dhe burra që përfitojnë dhe e kanë ndjerë dorën e shtetit që i përkrah në formë të pensionit. Fatkeqësisht janë edhe shumë gra dhe burra që ende kanë probleme me familjen, ende nuk e kanë diskutuar këtë çështje me familjen. Shumë nga ato presin fatkeqësisht që t’iu vdes burri, që t’iu vdes vjehrra, që t’iu martohet fëmijët, janë rrethana psikologjike në familje që ato duhet të marrin vendimin. Ky afatizim qysh në këtë periudhë kohore e ka krijuar një lloj vakumi ligjor”, theksoi Rushiti.

Në komisionin i cili ka mbaruar punën në shkurt, Rushiti shtoi se nuk është pranuar asnjë histori e re e viktimave të dhunës seksuale.

E zhgënjyer me këtë proces u shpreh drejtoresha e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, Kadire Tahiraj, e cila tha se tash e 24 vjet po përballen me sfida.

“Jemi të shqetësuar dhe të zhgënjyer me këtë afat të kufizimit për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale. Pasi që kemi pritur shumë vjet dhe sot pas 24 vjet po duhet ende që të ballafaqohemi për të kërkuar të drejtën e këtyre grave. Ne sot si shoqëri, si institucione do të duhej të merreshim me punë, me rehabilitimin e të mbijetuarve të luftës, por edhe me përfitimin e benefitive siç janë të parapara me ligj, jo sot pas 24 vitesh ende duke kërkuar të zgjatet afati për aplikimin. Ka pasur shumë shqetësime, zhgënjime tek komisioni, është pritur me vite të tëra për njohjen e statusit. Kemi kaluar edhe fazën e pandemisë gjatë pesë vitesh sa ka qenë afati. Gjatë këtij afati ka pasur raste që asnjëra nuk ka mundur të aplikojë”, shtoi Tahiraj, duke përmendur edhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen viktimat kur paraqiten në komision.

Edhe drejtoresha e “Medica Kosova”, Veprore Shehu tha se ky afat nuk mjafton që gratë të sfidojnë mentalitetin e familjes e shoqërisë dhe të gëzojnë të drejtat e tyre.

“Me ketë proces që kemi filluar të njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale, ne jo vetëm që kemi hapur rrugë që të flasin gratë dhe që një nevojë për njohje të tillë institucionale dhe për të përfituar përmes një pensioni mujor, ka ndikuar që gratë ta marrin këtë hap. Konsideroj se shumë gra edhe tash kanë ngel akoma në dilemën e qasjes në këtë proces. Pavarësisht qe jemi në një vakum, tash kanë kaluar gjashtë muaj jemi në pritje të amendamentimit të ligjit, për ta vazhduar procesin, kemi pritur vite të tëra që të fillojmë me këtë proces, të fuqizojmë gratë dhe nuk duhet të presim më tepër që ky proces të fillojë”, theksoi Shehu në këtë tryezë.

Të vështirë e ka konsideruar për viktimat, Mirlinda Sada nga Medica Gjakova, vakumin ligjor të krijuar pas përfundimit të mandatit. Sipas saj, krimet e luftës janë shkelje e të drejtave të njeriut dhe të njëjtat nuk parashkruhen.

“Kjo është duke shkaktuar një ri-traumatizim tek të mbijetuarit, mirëpo ne shpresojmë dhe ju bëjmë thirrje institucioneve, parlamentit, qeverisë që sa më shpejt që të fillojmë zbatimin ose vazhdimin e punës për aplikim. Duke ditur që dy vite kalojnë shumë shpejt dhe nga 25 maji qysh ne e kemi informatës do të fillojë implementimi, sot jemi me datën 19 qershor dhe ende nuk ka filluar dhe dy vjet të plota nuk kanë mbetur. Ne si organizata kërkojmë që ligji të fillojë sa më parë me zbatimin dhe të mos jetë i kufizuar”, deklaroi Sada.

E në lidhje me këtë, kryetarja e Komisionit për te Drejtat e Njeriut, Duda Balje deklaroi se kufizimi dhe mënyra e funksionimit të komisionit janë probleme të mëdha.

“Kemi dy probleme të mëdha, problemi i parë është kufizimi kohor, problemi i dytë mënyra e funksionimit të komisionit. Në dy vjet e fundit, katër herë kemi pasur në takim komisionin. Kemi shkuar në Drenas, kemi pasur viktima edhe brenda komisionit edhe unë për 15 vite ka qenë takimi më i rëndë në karrierën time. Me krejt energjinë kemi provuar të ndihmojmë, por prapë se prapë kemi pasur probleme… Kërkimi i shenjave trupore pas sa kohë, mënyra si e kanë trajtuar femrën është problem. Ka qenë ofenduese çfarë kanë përjetuar”, deklaroi Balje.

Aprovimi i statusit të viktimës së dhunës seksuale u jep të drejtë viktimave që të marrin pagesë mujore prej 230 euro në muaj. Statusi i viktimës së dhunës seksuale është njohur me ligj në vitin 2024. Ndërkaq, Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale ka filluar punën zyrtarisht në shkurt të vitit 2018.

Lajmet

Rama nga Londra: Kosova s’duhet të merret me Serbinë, por të përmbushë detyrimet ndaj BE-së

Published

on

By

Në Londër po zhvillohet një tryezë me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian”, ku ndër folësit kryesorë është edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

I pyetur për pozicionin e Kosovës në rajon dhe për ecurinë e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, Rama u shpreh se Prishtina duhet të fokusohet tek përmbushja e detyrimeve që burojnë nga dialogu me Serbinë dhe jo tek vetë raportet dypalëshe.

Që të jetë e suksesshme Kosova duhet të harrojë Serbinë, fjalë për fjalë dhe duhet të realizojë të gjitha pikat që kanë të bëjnë me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, pavarësisht nga Serbia, pra ata t’ia lënë topin në fushë Serbisë dhe të ecin para drejt Europës duke lënë Europën të merret me Serbinë dhe mos ta lënë çështjen e Serbisë të shndërrohet në çështje fajësimi midis të dyjave. Megjithatë, është mendimi im ky, unë respektoj atë që vendosin udhëheqësit e zgjedhur të Kosovës për vendin e tyre”, tha ai./EO

Continue Reading

Lajmet

Supremja: Pranohet ankesa e kandidatit të pavarur për kryetar të Kllokotit, rrëzohet vendimi i PZAP-së

Published

on

By

Kolegji i Gjykatës Supreme e ka pranuar si të bazuar ankesën e kandidatit të pavarur për kryetar të Komunës së Kllokotit, Arber Emini, dhe ka prishur vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të datës 15.10.2025.

Sipas Supremes, çështja është kthyer në rivendosje në PZAP.

Bazuar në shkresat e lëndës, Arber Emini me datë 13.10.2025, është ankuar në PZAP, me pretendimin se “me datë 12.10.2025 në Zgjedhjet Lokale në Kllokot, Serbia ka ndërhyrë në sistemin zgjedhor në Komunën e Kllokotit, duke fabrikuar dëshmi mjekësore serbe të strukturave paralele për t’u shfrytëzuar votuesit me asistencë të përdorin këtë vërtetim mjekësor”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se PZAP, gabimisht ka vendosur kur e ka hedhur poshtë ankesën e ankuesit, për faktin se nga pretendimet që dalin nga ankesa, i njëjti është ankuar për procesin dhe parregullsitë gjatë ditës së votimit dhe jo kundër rezultateve preliminare të tabuluara nga KQZ, ashtu siç ka pretenduar PZAP në vendimin e saj.

Andaj, në rivendosje, PZAP, udhëzohet që t’i evitojë shkeljet e theksuara në Aktvendimin e Gjykatës Supreme, AA.nr.93/2025, dhe të vendos në mënyrë meritore lidhur me ankesën e kandidatit të pavarur për kryetar të Komunës së Kllokotit, Arber Emini”, thuhet në njoftim.

Zgjedhjet e rregullta komunale janë mbajtur më 12 tetor./KP

Continue Reading

Lajmet

Rrahje dhe gjuajtje me armë zjarri në qendër të Podujevës, policia jep detaje

Published

on

By

Pak qaste më parë ka ndodhur një rrahje dhe gjuajtje me armë zjarri në Podujevë.

Lajmin e ka konfirmuar Flora Ahmeti zëdhënëse e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës.

Sipas Ahmetit lidhur me këtë rast policia ka shoqëruar në stacion policor katër persona, prej tyre 1 dëshmitar dhe tre persona të dyshuar të cilët ishin të përfshirë në rast.

Ajo tha se sot rreth orës 14:30 është pranuar informata për një rrahje dhe shkrepje të armës në Podujevë.

Me të marrë informatën policia, ka dalë në vendin e ngjarjes nga ku jemi njoftuar se si pasojë e rrahjes nga një mjet i fortë (shkop) është lënduar një person i cili është dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Lidhur me këtë rast policia ka shoqëruar në stacion policor katër persona, prej tyre 1 dëshmitar dhe tre persona të dyshuar të cilët ishin të përfshirë në rast”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses Ahmeti.

Ajo ka shuar se aktualisht policia po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen./KP

Continue Reading

Lajmet

​Vdes në moshën 29-vjeçare kampioni amerikan i shahut

Published

on

Kampioni amerikan i shahut dhe komentatori online Daniel Naroditsky ka ndërruar jetë në moshën 29-vjeçare.

Sipas BBC, familja e tij e përshkroi vdekjen si të papritur, pa dhënë shkakun.

Naroditsky ishte një lojtar i talentuar, edukator dhe komentator, i njohur për kanalin e tij në YouTube me afro 500,000 abonentë dhe stream-et në Twitch me 340,000 ndjekës.

Ai luajti një rol kyç në popullarizimin e përmbajtjes së shahut online.

Ai filloi shahun në moshën 6 vjeç, fitoi Kampionatin Botëror të të Rinjve nën 12 vjeç në 2007, dhe në 2013 u bë Grandmaster i SHBA-së. Naroditsky u diplomua në Stanford dhe punoi si trajner shahu në Charlotte, Karolina e Veriut.

Shumë kolegë dhe fansa e përshkruan si një inspirim, historian të shahut dhe dikë që e bënte lojën argëtuese dhe të thjeshtë për të gjithë./S.K/KP/

Continue Reading

Të kërkuara