Lajmet

​Policia ultimatum Qeverisë: Të dalin shtesat në pagën e majit ose protesta të përditshme

Kërkohet nga ekzekutivi realizimi i shtesave të rrezikshmërisë për të gjithë zyrtarët policorë, pa përjashtim.

Published

on

Sindikatës së Policisë së Kosovës i ka humbur durimi. Ajo po e paralajmëron Qeverinë e Kosovës për protesta të përditshme deri në realizimin e kërkesave të tyre për ekzekutimin e shtesave të rrezikshmërisë.

Sindikata e Policisë po kërkon vazhdimisht nga ekzekutivi realizimin e shtesave të rrezikshmërisë për të gjithë zyrtarët policorë, pa përjashtim.

Kërkesat e tyre duket të kenë hasur në vesh të shurdhër, pasi që nga muaji shkurt zyrtarët policorë nuk i morën shtesat për rrezikshmëri që u takojnë me Ligjin e pagave që aktualisht është në Kushtetuese.

Përkitazi me këtë, sindikata sërish me ultimatum, paralajmëron protesta nëse edhe në muajin muaj qeveria nuk e realizon premtimin për ekzekutimin e pagesës së rrezikshmërisë për të gjithë zyrtarët policorë.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri deklaron se është mundësia e fundit që qeveria të reagojë në lidhje me shtesën e rrezikshmërisë si e drejtë elementare dhe e merituar. Nëse nuk realizohen edhe këtë muaj këto shtesa, Zeqiri thekson se protestat nuk do të jenë njëditore, por të përditshme, deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Nga mosplotësimi i kushteve për Policinë e Kosovës, Zeqiri thotë se numër i madh i pjesëtarëve kanë filluar të japin dorëheqje, me ç’rast thotë se ky fenomen duhet të jetë alarm për Qeverinë e Kosovës.

“Në rast se edhe këtë muaj nuk do të ndodhë ekzekutimi i shtesave për rrezikshmëri dhe shtesave të tjera për pjesën e stafit civil, atëherë si sindikatë do të veprojmë sipas kërkesave të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, çfarëdo që kërkojnë ata e që ne do ta vlerësojmë se është rrugë ligjore do të veprojmë, qoftë edhe protestë nëse kërkojnë do të bëjmë… Nëse vërtetë nuk marrim përgjigje prej tyre dhe nëse vërtetë vazhdohet kështu me këto kushte në Policinë e Kosovës, mund të themi se është lutja fundit (për Qeverinë që të veprojë)… Dhe në rast se detyrohemi të organizojmë protestë, nuk do të jetë njëditore, por do të vazhdojë deri në realizimin e të gjitha kërkesave që i kemi adresuar si sindikatë. Andaj, kërkoj nga qeveria që të mos na detyrojë që të veprojmë me veprime sindikale, qoftë edhe me protestë, përndryshe veprimet sindikale nuk do të ndalen… Nëse detyrohemi të organizojmë protestë, protesta do të vazhdojë çdo ditë deri në realizimin e kërkesave”, thotë Zeqiri.

Ai shprehet se nuk është dëshirë e sindikatës dhe e policisë që të ndërmarrë veprime sindikale, porse janë te detyruar nëse edhe këtë herë qeveria nuk vepron. Zeqiri thotë se dukuri shqetësuese është dorëheqja vullnetare e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, nga kushtet jo të mira për të ushtruar detyrën.

“Është shqetësuese dukuria tjetër që nga shprehjet e pakënaqësive rreth këtyre kushteve që po na mungojnë në Policinë e Kosovës. Në mënyrë individuale pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë filluar të japin dorëheqje vullnetare nga policia, e që për neve kjo është shumë e dhimbshme, sepse po humbim pjesëtar profesionist që kanë kryer punë vite të tëra në Policinë e Kosovës dhe gjithë atë profesionalizëm e kanë arritur me shpenzime të buxhetit të shtetit të Kosovës, e sot të detyrohen për shkak të kushteve të japin dorëheqje. Ne si institucion i sigurisë do të dëmtohemi shumë. Andaj, ky duhet të jetë një alarm për Qeverinë e Kosovës që ta ruajnë institucionin e sigurisë së Kosovës. Kjo bëhet që t’i plotësojmë kushtet dhe të përmirësojmë mirëqenien në Policinë e Kosovës, ndryshe neve po shkatërrohemi gradualisht”, thotë Zeqiri.

Zeqiri konsideron se mosekzekutimi i shtesave të rrezikshmërisë për tre muaj, ka krijuar një mosbesim të madh tek pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

“Jo vetëm ne si sindikatë, por zhgënjimi është shumë i madh te të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Kjo ka ndodhur me fillimin e implementimit me Ligjin e ri te pagave, që nga muaji shkurt, shtesa e rrezikshmërisë në Policinë e Kosovës nuk është ekzekutuar. Në secilin muaj, edhe në këtë kanë premtuar me disa komunikata mediatike, ministria se kjo do të bëhet në muajt në vijim, pa e përcaktuar se në cilin muaj do të bëhet ekzekutimi i shtesave të rrezikshmërisë. Dhe kjo zvarritje, apo kalimi i tre muajve pa ekzekutimin e shtesës së rrezikshmërisë ka krijuar një mosbesim të madh tek pjesëtarët e Policisë së Kosovës, se do të bëhet apo jo”, thekson Zeqiri.

Mes tjerash, Zeqiri rendit edhe kërkesat tjera të tyre drejtuar qeverisë, e njëra ndër to është sigurimi shëndetësor. Ai thekson se deri më tani janë 22 zyrtarë policorë që kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

“Që nga themelimi i Policisë së Kosovës deri më tani kemi 22 zyrtarë policorë që kanë humbur jetën në kryerjen e detyrës zyrtare, kemi qindra të tjerë të lënduar e që kanë mbetur me aftësi të përhershme të kufizuar me invaliditet. Po ashtu kemi me qindra të tjerë që kanë fituar sëmundje, këto janë mjaftueshëm statistika për të vlerësuar se duhet paguar ose jo shtesat e rrezikshmërisë. Dhe kjo mospagesa e shtesave të rrezikshmërisë krahasuar me pagat, që paga bazë ka pas një rritje me ligjin e ri, do të thotë kemi jo një rritje të pagës të një numër i madh, kemi të disa zbritje te pagës. Ne vazhdimisht jemi deklaruar dhe kemi bërë kërkesa drejtuar qeverisë edhe për sigurimin shëndetësor të cilin nuk e kemi, nuk kemi ligj të pensionimit, nuk na paguhet shujta, mungesë e infrastrukturës dhe e mjeteve logjistike, duke filluar nga uniforma e të tjerat dhe të gjitha këto janë grumbulluar dhe tanimë policia ka arritur në atë nivelin e demotivimit për punë, sepse po ndihet e diskriminuar dhe e nënçmuar me këtë që po ndodhë”, thotë mes tjerash Zeqiri.

Kreu i kësaj sindikate, Zeqiri thotë po ashtu se ka kohë që nuk kanë marrë përgjigje nga Qeveria për kërkesat e Policisë së Kosovës. I njëjti ka shprehur gatishmëri të takohet me zyrtarë të Qeverisë apo me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, që të diskutojnë për plotësimin e kërkesave të tyre.

Në fund të muajit mars, Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë dalë me një komunikatë të përbashkët.

Dy ministritë kanë thënë se të gjithë zyrtarët publikë diferencën do ta marrin në mënyrë retroaktive për të gjithë muajt që nga hyrja në fuqi e Ligjit për paga në sektorin publik. 

Lajmet

Një person vdes në fabrikën e tij afër Drenasit

Published

on

Një person ka vdekur dje, pas lëndimeve që ka pësuar në vendin e tij të punës në një kompani private, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Sipas saj, viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se viktima është pa shenja jete.

Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore kanë dalë edhe inspektorët e punës. Me vendim të prokurorit është iniciuar rasti dhe trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

Ndërkohë, mediat, duke u thirrur në burime familjare, kanë njoftuar se viktima është Raif Aliu (47) nga Likoci i Skenderajt, që humbi jetën të martën në ambientet e kompanisë “Prima-Fix”, në Korroticë të Epërme të Drenasit.

Continue Reading

Lajmet

Katër raste të dhunës në familja brenda një dite

Published

on

Vazhdojnë edhe më tej statistikat e larta të rasteve të dhunës në familje. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë njoftuar katër raste të tilla.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti i parë ka ndodhur në Ferizaj.

Aty, është arrestuar një i dyshuar, pasi që, pas një mosmarrëveshje në familje, e ka sulmuar fizikisht nënën e tij, duke i shkaktuar lëndime të dukshme trupore.  Palët janë intervistuar  dhe  me   vendim të prokurorit i dyshuari  është dërguar në mbajtje.

Rasti tjetër ka ndodhur në Prishtinë. Viktima, një i mitur, ka pësuar dhunë nga babai i tij dhe për këtë ka pranuar tretman mjekësor. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Ndërsa, në Fushë Kosovë, është raportuar se, pas një mosmarrëveshje në familje, viktima femër është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

Viktima e rastit ka pranuar tretman mjekësor dhe me kërkesën e saj është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit  me vendim të prokurorit,  është dërguar në mbajtje.

Rasti i katërt ka ndodhur në Lipjan. Aty, një i dyshuar ka sulmuar babanë e tij.

I dyshuari, është shoqëruar në stacionin policor dhe për shkak të gjendjes së tij mendore, në konsultim me prokurorin, është dërguar në QKUK për tretman mjekësor në repartin e psikiatrisë.

Continue Reading

Lajmet

Mbi 2500 tiketa në trafik – shifra të larta të dënimeve nga policia

Published

on

Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës ka shqiptuar 2501 tiketa në trafik. Një shifër kjo e lartë për një 24-orësh.

Në raportin e saj ditor, policia ka dhënë edhe statistikat e tjera, për zhvillimet në 24 orët e fundit.

Sipas raportit, kanë ndodhur 26 aksidente trafiku  me të lënduar dhe 29 aksidente me dëme materiale.

Janë arrestuar 20 persona, në mbajtje janë dërguar shtatë, dy persona janë në ndalim policor, derisa në vuajtje të dënimit janë dërguar tre persona.

Continue Reading

Lajmet

Prof. Xhevahire Millaku: Konferenca shkencore e UBT-së, mundësi për avancimin e medias dhe komunikimit

Published

on

Profesoresha Xhevahire Millaku nga Fakulteti i Medias dhe Komunikimit në UBT, e përfshirë drejtpërdrejt në përgatitjen e Konferencës së 15-të Ndërkombëtare të UBT-së, ka folur në një lidhje telefonike për Radio Campus 100.7 FM, lidhur me përgatitjet, temat kryesore dhe rëndësinë e kësaj konference shkencore.

Po flasim për konferencën ndërkombëtare të UBT-së, e cila tashmë është traditë dhe mbahet çdo vit. Po flasim konkretisht për Fakultetin e Medias dhe Komunikimit, i cili, përmes kësaj konference, arrin të sjellë punime të shumta shkencore nga studiues të ndryshëm, duke përfshirë profesorë, por edhe studentë, të cilëve u kushtohet një hapësirë e veçantë. Si po zhvillohen përgatitjet për konferencën e radhës shkencore të Fakultetit të Medias dhe Komunikimit?

“Po, atëherë, konferenca shkencore e UBT-së është njëra nga konferencat ndërkombëtare që tashmë ka krijuar një traditë të saj. Këtë vit kemi konferencën e 15-të me radhë, e cila zhvillohet në kampuset e UBT-së, në fakultete të ndryshme. Sikurse edhe në vitet e tjera, edhe kësaj radhe Fakulteti i Medias dhe Komunikimit organizon konferencën shkencore me temën që përfshin gazetarinë, median, inteligjencën artificiale, gjuhën, komunikimin, artin dhe kulturën, e kështu me radhë.”

Ju i keni nisur përgatitjet muaj më herët për konferencën. Cilat janë temat specifike ku jeni orientuar? E përmendët inteligjencën artificiale, por cila do të ishte ndoshta tema me interesimin më të madh nga studiuesit?

“Është e vërtetë që përgatitjet për konferencën kanë filluar nga fillimi i vitit 2026. Temat në të cilat janë orientuar janë kryesisht nga fushat e medias dhe komunikimit. Pjesëmarrësit mund t’i prezantojnë kërkimet e tyre fizikisht në Prishtinë ose online, duke u mundësuar studiuesve nga e gjithë bota të bëhen pjesë e konferencës sonë. Në këtë aspekt, pra, është shumë e rëndësishme që të trajtohen tema si gazetaria, media, inteligjenca artificiale, gjuha, komunikimi dhe arti. Përgjithësisht, këto janë temat që e përfaqësojnë apo e mbulojnë këtë konferencë ndërkombëtare, e cila do të zhvillohet në UBT.”

E kemi parë edhe nga vitet e kaluara që në këtë konferencë angazhohen me punime të ndryshme profesorët dhe asistentët e Medias dhe Komunikimit, gjithashtu edhe studentë të ndryshëm, të gjithë ata që kanë vullnet dhe dëshirojnë të publikojnë punime e të hulumtojnë në fusha të ndryshme të medias. Sa rëndësi u kushton hulumtimeve shkencore ky fakultet?

“Ashtu është. Profesorët, në bashkëpunim me asistentët dhe gjithë stafin e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit, janë të angazhuar rreth hulumtimeve shkencore në fushën e gjuhës dhe medias gjatë gjithë vitit. Ndërsa konferenca që zhvillohet çdo vit në UBT, përveç studiuesve jashtë Kosovës që e begatojnë konferencën tonë, si çdo vit, ka pjesëmarrës edhe stafin e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit, të cilët, me punimet dhe rezultatet e tyre hulumtuese, sjellin të rejat në fushën e gjuhës, komunikimit dhe inteligjencës artificiale në raport me median.”

Po ndalemi pak edhe te përvoja juaj profesionale dhe personale. Të flasim pak edhe për punimet e shumta që i keni në publikime shkencore. Në çfarë hapash po shkojnë hulumtimet e reja në fushën e medias? Ku është interesimi më i madh dhe për çfarë hulumtohet më së shumti?

“Po, është e vërtetë. Angazhimi im në pjesën e mësimdhënies është parësor, pastaj angazhohem edhe në hulumtimet shkencore dhe jam aktive. Vlen të theksohet se në konferencën e fundit isha pjesëmarrëse në konferencën e Bolonjës, në Itali. Sa i përket platformave që janë publike, unë jam prezente edhe në ato, por gjithmonë do ta kemi parasysh faktorin sfidues, që ka të bëjë me vlerat shqiptare dhe vlerat shkencore në Kosovë, të cilat nuk janë në pozicionin e tyre të merituar. Kemi ende hapësirë dhe punë për të bërë për ta avancuar pjesën shkencore, si në nivel vendi, ashtu edhe në nivel institucional, siç është UBT-ja.”

Konferenca e Medias dhe Komunikimit mbledh edhe studiues nga jashtë UBT-së dhe jashtë Kosovës. Ju tashmë keni mbledhur edhe abstrakte për konferencën. Prej nga janë studiuesit e paraqitur dhe a ka një numër të kënaqshëm të atyre që kanë vendosur t’i paraqesin publikimet apo hulumtimet e tyre?

“Po, konferenca e Medias dhe Komunikimit këtë vit ka mbledhur studiues nga universitete të ndryshme. Kemi studiues nga Universiteti i Elbasanit, pastaj kemi studiues të paraqitur nga Universiteti i Shkupit, Universiteti Publik, nga Universiteti i Tetovës, si dhe profesorë të Fakultetit të Medias dhe Komunikimit. Të gjithë dashamirët e fushës së medias dhe komunikimit do të jenë të pranishëm në këtë konferencë që do të mbahet gjatë kësaj jave.”

A flasim pak edhe për interesimet kryesore dhe veprimtarinë shkencore?

“Po, sipas përzgjedhjes së kumtesave për të qenë pjesë e konferencave të Fakultetit të Medias dhe Komunikimit, interesimet e punës hulumtuese shkencore të pjesëmarrësve janë të përqendruara në të gjitha fushat e medias online, të inteligjencës artificiale në aspektin gjuhësor, kulturor dhe të komunikimit në përgjithësi, që e përfshin këtë fushë.”

Krahas mësimdhënies, hulumtimi është edhe një prej fushave kryesore që çmohet në kohën tonë, sidomos në fushën akademike. Sa mendoni se në nivel të Kosovës po zhvillohen hulumtime cilësore shkencore në fushën e komunikimit?

“Sa u përket hulumtimeve në fushën tonë, në fushën e medias, mendoj se kemi ende hapësirë për të kontribuar në zhvillime dhe hulumtime në fushën e medias dhe komunikimit. Një nga kontributet e vlefshme në këtë fushë është konferenca shkencore që do të mbahet gjatë kësaj fundjave, më 23, 24 dhe 25 tetor, në ambientet e UBT-së, në Fakultetin e Medias dhe Komunikimit. Të gjithë janë të ftuar të marrin pjesë, si ata që janë paraqitur, ashtu edhe ata që nuk janë paraqitur, por dëshirojnë të vijnë në konferencën vjetore të UBT-së. Janë të mirëseardhur për të kontribuar në punimet dhe hulumtimet që do të zhvillohen në konferencën e UBT-së, në Fakultetin e Medias dhe Komunikimit.”

A ka ende kohë për të aplikuar apo kur është mbyllur pjesa e aplikimeve për dorëzimin e abstraktit?

“Realisht, afati për dorëzimin e abstraktit ka përfunduar tashmë. Mirëpo, të gjithë të interesuarit janë të ftuar, edhe pse ndoshta nuk janë pjesëmarrës direktë në konferencë. Ka shumë prej tyre që kanë shprehur interesim dhe vullnet për të qenë pjesë e konferencës sonë. Janë të mirëseardhur për të kontribuar në çfarëdo forme në konferencën e UBT-së, që mbahet në kuadër të Fakultetit të Medias dhe Komunikimit, më 24, ditën e shtunë, në ambientet e UBT-së.”

Profesoresh, një mesazh, një thirrje për të gjithë të rinjtë që dëshirojnë të jenë pjesë e akademisë, sidomos pjesë e hulumtimeve të ndryshme shkencore në kuadër të Medias dhe Komunikimit?

“Mesazhi im do të ishte hulumtimi në mënyrë korrekte, hulumtimi dhe studimi i shkencës në fushën e medias dhe komunikimit. Kemi mjaft për të trajtuar, si në aspektin gjuhësor, ashtu edhe në atë teknologjik. E dimë dhe jemi dëshmitarë se ku po shkon media në Kosovë. Realisht, të gjitha kumtesat, fjalimet apo ndërtimet shkencore mund të jenë të dobishme në fushën e medias dhe komunikimit. Besoj se kemi mjaftueshëm gazetarë dhe studiues nga fusha profesionale e medias që do të jenë pjesë e kësaj konference vjetore që organizohet në UBT”, thekson profesoresha Xhevahire Millaku.

 

 

Continue Reading

Të kërkuara