Lajmet

​Pesë ushqimet që duhet t’i hani në mëngjes për të humbur peshë

Published

on

Anashkalimi i mëngjesit nuk është një ide e mirë pasi do t’ju mungojnë lëndët ushqyese dhe e gjithë kjo mund të ndikojë në nivelin tuaj të sheqerit në gjak.

Mëngjesi i pasur me lëndë ushqyese ka një efekt pozitiv në përqendrimin, kolesterolin dhe ulë rrezikun nga diabeti. Përveç kësaj, zgjedhja e duhur e ushqimeve të mëngjesit mund t’ju ndihmojë të humbni peshë. Këto pesë ushqime që duhet të hani për mëngjes nëse doni të humbni peshë.

Vezë

Vezët janë të pasura me proteina, vitamina dhe minerale, dhe mund të zvogëlojnë oreksin i cili mund t’ju ndihmojë në mënyrë të konsiderueshme për të humbur peshë. Vezët janë një ushqim ideal për të gjithë njerëzit që duan të humbin peshë. Përveçse të shijshme, ju mund të ruani vezë në mënyra të ndryshme, dhe gjithashtu mund të shtoni disa perime në to.

Drithërat

Drithërat janë një zgjedhje e shëndetshme dhe e shijshme, ato përmbajnë pak kalori, por ato janë jashtëzakonisht të pasura me fibra dhe proteina që ndihmojnë në kontrollin e peshës. Pikërisht për shkak të përmbajtjes së ulët të kalorive, drithërat do të zvogëlojnë dëshirën për ushqim, do të ngadalësojnë tretjen dhe do t’ju bëjnë të ndiheni të ngopur më gjatë.

Kos dhe fruta greke

Ky është një kombinim ideal për humbje peshe. Kosi grek përmban dukshëm më shumë proteina sesa kosi i zakonshëm, por edhe dy herë më shumë karbohidrate. Ju mund të shtoni luleshtrydhe, boronicë ose disa manaferra të tjerë në kos për një ndjenjë shtesë të ëmbëlsisë. Për ta bërë kosin grek edhe më të shijshëm, mund të shtoni edhe copa banane.

Smoothie

Smoothie përmban një numër ushqyesish që ndihmojnë në humbjen e peshës. Përveç frutave dhe perimeve, ju gjithashtu mund të shtoni fara chia në smoothie, të cilat janë jashtëzakonisht të pasura me proteina.

Avokado

Avokado është një nga super ushqimet që është ideale për t’u konsumuar për mëngjes. Ju gjithashtu mund të shtoni domate, qepë, piper dhe kripë. Ky kombinim ju mban të ngopur për një kohë të gjatë dhe zvogëlon dëshirën për ushqime shtesë midis vakteve. Përveç kësaj, këto yndyra të shëndetshme ulin kolesterolin, si dhe rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës.

Lajmet

Skema me naftën Kosovë-Shqipëri: Bastisen dhjetëra biznese, 9 të arrestuar

Published

on

By

Dhjetëra biznese të shitjes dhe disa importues të naftës janë vënë në shënjestër të një operacioni të gjerë bastisjesh, i cili ka filluar sot në mëngjes në disa zona të ndryshme të Kosovës.

Aksioni i koordinuar nga Prokuroria e Kosovës është duke u zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Hetimeve në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Doganën dhe njësi të ndryshme të Policisë së Kosovës.

Sipas burimeve të para të Ekonomia online nga prokuroria, deri më tani janë vënë në pranga nëntë persona të dyshuar si pjesë e këtij rrjeti.

Gjatë kontrolleve të ushtruara nëpër lokacione të ndryshme, hetuesit kanë arritur të sekuestrojnë një shumë të konsiderueshme të parave të gatshme, armë, kompjuterë, dokumente të ndryshme dhe fatura që dyshohet se janë fiktive, të cilat lidhen drejtpërdrejt me këtë veprimtari të paligjshme.

Dyshimet fillestare të organeve të rendit zbulojnë një skemë të mirëorganizuar të mashtrimit dhe shmangies tatimore. Nafta importohej fillimisht nga kompanitë kosovare dhe kalonte transit përmes territorit të Shqipërisë.

Duke shfrytëzuar dallimet e taksës së akcizës dhe tatimeve mbi karburantet mes dy vendeve, një pjesë e naftës dyshohet se shkarkohej ilegalisht në Shqipëri për t’u shitur më pas në tregun e zi.

Përmes kësaj metode, të dyshuarit i kanë shmangur detyrimet fiskale, duke i shkaktuar një dëm të madh buxhetit të shtetit, ndërsa operacioni i bastisjeve po vazhdon ende në terren.

/Ekonomia online/ /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Gjykata shqipton dëbim, ndalim hyrjeje në Kosovë dhe gjoba për të ndaluarit në Gazimestan

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar masën e dëbimit dhe ndalimin e hyrjes në Kosovë për tre vjet, si dhe gjoba për personat e ndaluar në Gazimestan gjatë shënimit të Vidovdanit, më 28 qershor, të cilët akuzoheshin për “shkaktim të trazirave dhe cenim të rendit dhe qetësisë publike”.

Masa e dëbimit dhe ndalimi i hyrjes në Kosovë vlejnë për shtetasit e huaj që nuk posedojnë dokumente të Kosovës.

Policia e Kosovës kishte ndaluar 37 persona, por para gjykatës u proceduan 36 prej tyre. Ata janë kryesisht nga Serbia dhe vendet e rajonit dhe të ndaluarve u ishin konfiskuar dokumentet personale deri në shpalljen e aktgjykimit.

Gjyqtarja e çështjes, Naime Krasniqi, tha se dokumentet nuk do t’u kthehen të 36 personave derisa ta paguajnë gjobën prej 700 eurosh.

Ajo e arsyetoi vendimin e gjykatës për t’i shpallur fajtorë me faktin se të akuzuarit kishin brohoritur “Kosova është Serbi” dhe duke ngritur tre gishtat lart, gjë që, sipas Krasniqit, konsiderohet mesazh nacionalist.

Ajo theksoi se Policia e Kosovës, para fillimit të shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, afër Prishtinës, i kishte paralajmëruar të pranishmit se ishte e ndaluar shfaqja e çdo simboli që nxit “urrejtje ndëretnike, fetare ose politike”.

Serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit mblidhen tradicionalisht çdo 28 qershor në Gazimestan për të shënuar Vidovdanin, që është edhe festë fetare, në përkujtim të betejës kundër Perandorisë Osmane më 1389.

Ndërkohë, në opinion janë shfaqur pretendime se personat e ndaluar gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan janë keqtrajtuar “psikologjikisht dhe fizikisht” nga zyrtarët policorë të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime, ndërsa nga Inspektorati Policor i Kosovës kanë bërë të ditur se do t’i hetojnë këto pretendime, ato sipas detyrës zyrtare, megjithëse thanë se nuk kanë pranuar asnjë ankesë lidhur me ngjarjet në Gazimestan.

Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe ka dënuar ndalimet gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, duke e vlerësuar këtë si një “akt të turpshëm dhe të padenjë represioni”.

Gazimestani në Kosovë njihet gjithashtu për fjalimin që udhëheqësi i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, mbajti atje në vitin 1989.

Ky fjalim shpesh përmendet si hyrje në konfliktet e armatosura që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë./REL/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dekania e Fakultetit të Shkencave Politike në UBT, Hajdi Xhixha, publikon punim shkencor në revistën e indeksuar në Web of Science

Published

on

By

Dekania e Fakultetit të Shkencave Politike në UBT, Hajdi Xhixha, ka publikuar punimin shkencor me titull “The Use of Force Against Civil Aircraft Intrusions: Legal Challenges and Christian Ethical Perspectives in Grey Zone Conflicts”, në revistën Kosciol i Prawo, e indeksuar në Web of Science, në bashkautorësi me studiuesin Redion Luli.

Punimi trajton sfidat juridike, të sigurisë dhe aspektet etike që lidhen me përdorimin e forcës ndaj avionëve civilë në rastet e ndërhyrjeve dhe kërcënimeve në kuadër të konflikteve hibride, terrorizmit global dhe aktiviteteve ilegale.

Në këtë studim, autorët analizojnë rritjen e kërcënimeve nga keqpërdorimi i aviacionit civil, duke shqyrtuar njëkohësisht dilemat morale dhe fetare që lidhen me mbrojtjen e sigurisë kombëtare përballë rrezikimit të jetës së civilëve të pafajshëm.

Punimi ofron një qasje ndërdisiplinore mbi konfliktet e “grey zone”, duke kombinuar perspektivën juridike ndërkombëtare me dimensionin etik dhe humanitar, çka e bën këtë studim një kontribut të rëndësishëm në debatet bashkëkohore mbi sigurinë dhe të drejtën ndërkombëtare.

Continue Reading

Lajmet

Dy vjet pa Ismail Kadarenë, gjeniu i letërsisë shqipe dhe botërore

Published

on

Sot, më 1 korrik 2026, shënohen dy vjet nga ndarja nga jeta e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore shqipe dhe botërore.

Kadare, i lindur më 28 janar 1936 në Gjirokastër, u konsiderua gjerësisht si prozatori më i shquar shqiptar, me një krijimtari të gjerë që përfshin romane, tregime, poezi, drama dhe ese. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës, duke e bërë atë një nga ambasadorët më të njohur të letërsisë shqipe në arenën ndërkombëtare.

Gjatë karrierës së tij letrare, Kadare trajtoi tema universale si totalitarizmi, liria, historia dhe identiteti kombëtar, shpesh përmes një gjuhe simbolike dhe alegorike. Ndër veprat e tij më të njohura përmenden “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, “Kështjella”, “Prilli i thyer” dhe “Pallati i ëndrrave”, të cilat kanë lënë gjurmë të thella në letërsinë evropiane.

I formuar në Universitetin e Tiranës dhe në Institutin “Maksim Gorki” në Moskë, Kadare u kthye në një zë të veçantë letrar që sfidoi kufizimet e kohës dhe solli një vizion kritik ndaj sistemeve totalitare. Pas viteve ’90, ai jetoi mes Francës dhe Shqipërisë, duke vijuar të botojë dhe të mbetet një nga autorët më të lexuar shqiptarë në botë.

Kadare u nderua me çmime të shumta prestigjioze ndërkombëtare, mes tyre “Man Booker International Prize” (2005), “Princesa de Asturias” për Artet (2009) dhe Çmimin “Jerusalem” (2015). Në vitin 1996 u bë anëtar i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë, një nga institucionet më të larta akademike evropiane.

Dy vjet pas ndarjes së tij nga jeta, vepra e Ismail Kadaresë vazhdon të lexohet, studiohet dhe të mbetet një nga trashëgimitë më të rëndësishme të kulturës shqiptare dhe evropiane të shekullit XX dhe XXI./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara