Lajmet

​Paralajmërimi i SBAShK-ut për grevë, Pupovci thotë se ata duhet të tregohen të duruar

Pupovci tha se adresa e SBAShK-ut për të komunikuar me qeverinë është përmes Ministrisë së Arsimit.

Published

on

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, ka deklaruar se SBAShK-u duhet të tregohet i duruar sa i përket paralajmërimit të tyre se do të futen në grevë nëse nuk miratohet ligji për paga. Ai tha se sipas informacioneve që kanë ky ligj deri në fund të vitit do të ketë disa rezultate.

Pupovci tha se adresa e SBAShK-ut për të komunikuar me qeverinë është përmes Ministrisë së Arsimit, e që në funksion të kësaj, ai shtoi se kanë takime të rregullta me SBAShK-un.

“Adresa e SBAShK-ut për komunikim me qeverinë është Ministria e Arsimit, ajo është shumë e qartë edhe nga natyra e punës që bënë SBAShK-u edhe nga kontrata kolektive, pra ne kemi takime të rregullta me SBAShK-un. Ata kanë shprehur pakënaqësi rreth ligjit të pagave sa po mund të kuptojë që është diçka që vlen për të gjithë sektorin publik dhe nuk ka të bëjë vetëm me arsimin. Sipas informacioneve që kam është duke u punuar në këtë ligj dhe besoj që deri në fund të këtij viti do të ketë edhe disa rezultate fillestare dhe disa afate brenda të cilave do të mund të aprovohet ligji. Të gjithë e dimë fatin e ligjit të kaluar, i cili është aprovuar në Kuvend, por pastaj është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese dhe nuk do të duhej që edhe ligji tjetër të jetë i tillë që të shfuqizohet nga Gjykata. Prandaj, në këtë aspekt besoj që edhe SBAShK-u duhet ta tregojë durimin e duhur”, tha ai.

Pupovci tha se mbajtja e grevës është e rregulluar me anë të ligjit në Kosovë, por që tha se nuk dëshiron ta paragjykojë se do të vije deri te një skenar i tillë. Ai tha se Kosova duhet ta ketë një ligj të pagave, por që u shpreh se kjo çështje po merr kohë të përfundojë edhe për shkak të mospajtimeve nga ana e sindikatave të ndryshme.

“Nuk dua ta paragjykojë se do të ndodh skenari i grevës, natyrisht edhe ne edhe SBAShK-u besoj se do të bëjmë çmos që të mos vije deri tek një situatë e tillë. Pra, sa po kuptoj prej kësaj nëse bëhet fjalë për ligjin për pagat nëse bash vjen puna deri tek greva nuk do të jetë vetëm SBAShK-u që do të bëjë grevë, por do të mund të ndodhë që edhe sindikatat e tjera mund t’i kenë kërkesat e tyre. Prandaj, edhe ekziston dialogu social, ne duhet të ulemi bashkë me sindikatat edhe ta shohim cilat janë mundësitë buxhetore të shtetit dhe cilat janë kërkesat e tyre dhe aty të gjendet një harmoni. Do të thotë askush nuk po i ik realitetit që Kosova duhet ta ketë një ligj të pagave, mirëpo kjo çështje po merr kohë pikërisht për shkak që nuk po arrihen pajtime. Juve ju kujtohet që vitin e kaluar kur ka qenë ligji i pagave vet SBASHK-u ka kundërshtuar mjaftë shumë koeficientet të cilët janë përcaktuar për kategori të mësimdhënësve”, tha ai.

Në konferencën e rregullt për media të MAShTI, zëvendësministri bëri të ditur se procesi mësimor në të gjitha shkollat është duke u zhvilluar në skenarin e rikthimit.

Pupovci u shpreh se mësimi ditën e hënë do të mbahet online në ato shkolla që do të përdoren si qendra të votimi për balotazhin e të dielës.

“Në ato shkolla ku do të bëhet votimi, pra që janë qendra votimi të hënën me datën 15 nëntor mësimi mbahet me skenarin C, do të thotë mësimi mbahet nga distanca për shkak që nevojitet që të sigurohet dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve gjë të cilën do ta bëjnë autoritetet komunale”, tha ai.

Zëvendësministri Dukagjin Pupovci, ka konfirmuar se studentët do të paguajnë paraqitjen e provimit për herën e dytë, e kjo sipas tij ka ndodhur për qëllim që studentët të mos paraqesin provimet vetëm për ta provuar fatin.

“Kjo është shumë zyrtare sepse në udhëzimin administrativ të fundit për pagesat e studentëve është vendosur kjo normë, do të thotë që të gjitha provimet me rastin e paraqitjes së parë janë pa pagesë për të gjitha nivelet, bachelor, master dhe doktoratë. Mirëpo, në rastin kur përsëritet provimi atëherë aplikohen në këtë rast disa tarifa të vogla sa e di unë për bachelor është 1 euro, për master mund të jetë 1.50 euro nuk më kujtohet dhe për doktoratë mund të jetë pak më shtrenjtë por nuk është më shumë se 3 ose 4 euro. Qëllimi i kësaj është që studentët të mos paraqesin provime veç sa për ta sprovuar fatin”, tha ai.

Sa i përket deklarimit të Qendrës NARIC se janë mbi 20 mijë diploma të pavlefshme të lëshuara nga kolegjet private, Pupovci tha se nuk kanë informacione që është ky numër i diplomave të pavlefshme.

“Të gjitha ato diploma që janë lëshuar nga institucionet e akredituara dhe licencuara janë diploma të vlefshme aty nuk kemi çka të flasim. Tani paraqitet problemi kur kërkohet që studenti të shkojë jashtë vendit, atëherë parashihet një procedurë që MASHTI dhe ajo e Punëve të Jashtme duhet ta verifikojnë diplomën dhe shpesh herë këto diploma nuk mund të verifikohen për shkak të lëshimeve që janë bërë gjatë procesit. Për shembull nuk janë dorëzuar me kohë librat amëz ose nuk janë dorëzuar fare dhe kjo ka ndodhur si në institucionet private ashtu edhe në publike. Në raste të tilla qendra NARIC nuk mund ta verifikojë diplomën sepse nuk e di nëse studenti ka qenë e regjistruar në mënyrë legjitime, kjo nuk do të thotë që diploma është e pavlefshme, kjo do të thotë se dokumentacioni i studentit nuk është në rregull. Për ta zgjidhur këtë problem ne jemi në proces të formimit të një komisioni i cili do t’i shqyrtojë kërkesat individuale të studentëve në mënyrë që të adresohet ky problem”, tha ai.

Në fushën e arsimit të lartë, Pupovci tha se dje kanë dalë rezultatet për bursat STEM që u dedikohen grave dhe vajzave, për çka tha se janë 812 vajza dhe gra që kanë përfituar nga 1000 euro bursë.

Po ashtu, ai bëri të ditur se më 5 nëntor ka përfunduar konkursi për ndarjen e bursave për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, ku do të përfitojnë 500 nxënës të shkollave të mesme.

Lajmet

PDK kërkon procedimin me urgjencë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të sjellë sa më parë në Kuvend plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në një konferencë për media, Tahiri bëri të ditur se amendamentet ligjore tashmë janë draftuar dhe proceduar nga grupi i tij parlamentar, ndërsa kërkoi nga ekzekutivi që të mos e zvarrisë këtë proces.

“Miratimi i deklaratës në mbështetje të UÇK-së ishte vetëm hapi i parë që shprehu vullnetin politik të deputetëve. Por kjo nuk mjafton. Institucionet duhet të kalojnë te veprimet konkrete dhe të sigurojnë mbështetje të plotë për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë”, deklaroi Tahiri.

Ai u bëri thirrje të gjitha subjekteve politike për unitet dhe pjekuri karshi kësaj çështjeje, duke theksuar se lufta çlirimtare dhe trashëgimia e UÇK-së u përket të gjithë qytetarëve. Tahiri gjithashtu vuri në dukje reagimet e diasporës shqiptare në Evropë e Amerikë, të cilët përmes protestave po shprehin pakënaqësinë ndaj zhvillimeve të fundit procesuale në Hagë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 29 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

 

29 shtator 1993

 

Klaus Kinkel: Gjermania angazhohet për vendosjen e trupave të NATO-s në Kosovë

 

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Klaus Kinkel, këto ditë i deklaroi gazetës “Frankfurter Algemaine” se delegacioni gjerman në Sesionin e 48-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, do të angazhohet për zgjerimin e NATO-s me anëtarë të rinj nga Evropa Lindore, si dhe për vendosjen e forcave të NATO-s në Kosovë me qëllim të evitimit të luftës.

Sipas Kinkelit, pas përfundimit të marrëveshjes së Gjenevës për aspektet e ndarjes së Bosnjës, si hap i madh për vendosjen e paqes në rajon, një konferencë e ngjashme duhet të organizohet për Kosovën dhe për Maqedoninë. Për realizimin e këtij plani, siç shkruan “Frankfurter Allgemaine”, Kinkeli ka arritur të përfitojë mbështetjen e evroperëndimorëve, por edhe jo plotësisht atë të amerikanëve.

 

 

29 shtator 1994

 

Prani e madhe kërcënuese e forcave serbe në Podujevë

 

Në qendër të Podujevës dhe në rrethinë e saj, sidomos në zonën kufitare Kosovë – Serbi, policia dhe ushtria serbe bashkë me një numër civilësh po demonstrojnë sot forcën e tyre.

Në orën 11:00, forcat e policisë filluan ushtrimin e pushtimit të godinës së administratës komunale, e cila gjendet në qendër të Podujevës.

Njoftohet se disa aksione të milicisë serbe po zhvillohen edhe në ndërtesat e banimit, gjoja me qëllim të kapjes së terroristëve.

Ndërsa nga drithniku i Podujevës, ngrehina dominante në qytet, që gjendet nja pesëqind metra larg qendrës në lindje të Podujevës dhe ku janë vendosur që nga dita e pardjeshme rreth 150 ushtarakë serbë, sot po shtihet me murtaja shkollore.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Podujevë njoftoi se gjatë ditës së djeshme u bënë stërvitje ushtarake në fshatrat Përpellac, deri në orën 22:00 dhe në Dumnicë, deri në orën 19:00.

Në Dumnicë forcat ushtarake serbe janë vendosur në lokalin e vjetër të shkollës fillore.

Gjatë ditës së djeshme mbi Podujevë dhe rrethinë ka pasur edhe fluturime të aeroplanëve dhe helikopterëve ushtarakë.

Dje pas dite në nga Prishtina në drejtim të Podujevës shkuan shumë tankse.

Disa dëshmitarë thanë se edhe sot në mëngjes nga Prishtina në drejtim të Podujevës shkuan mjete të motorizuara të ushtrisë serbe.

Podujeva me rrethinë ka qenë vitin e fundit në shënjestër të represionit serb. Me pretekst të kërkimit të armëve janë bastisur mbi 1.000 familje, ndërsa numri i shqiptarëve të keqtrajtuar e të rrahur është edhe më i madh. Një numër i madh shqiptarësh janë arrestuar e dënuar, kurse disa prej tyre janë vrarë gjatë aksioneve të policisë serbe.

Javëve të fundit është shtuar represioni kundër udhëheqësve lokalë shqiptarë,  sidomos kundër funksionarëve të LDK-së dhe gazetarëve.

Dega e LDK-së vlerëson se gjendja në komunën e Podujevës është tensionuar edhe më shumë sot nga prania e jashtëzakonisht e madhe e forcave serbe.

Prania e forcave serbe është shtuar edhe në komunën e Prishtinës.

Sot rreth orës 11 filluan të shtënat me armë në afërsi të lagjes “Dragodani”, në pjesën perëndimore të Prishtinës. Banorët e shqetësuar të kësaj lagjeje thonë se po shtihet me armë të llojllojshme. Prania dhe lëvizjet e mëdha të ushtrisë përfshijnë sot territorin prej kazermës ushtarake në rrugën Prishtinë – Mitrovicë e deri te varrezat e qytetit të Prishtinës.

Si në Podujevë, ashtu edhe në Prishtinë zyrtarët e mediumet serbe nuk kanë paralajmëruar dhe nuk kanë dhënë kurrëfarë njoftimi për shkakun e kësaj pranie të shtuar të forcave serbe dhe të daljes së ushtrisë nga kazermat ushtarake.

 

 

29 shtator 1995

 

Ndërhyrje e policisë në lokalet e lidhjes së arsimtarëve shqiptarë “Naim Frashëri” në Prishtinë

 

Dy inspektorë të sigurimit serb ndërhynë sot në lokalet e lidhjes së arsimtarëve shqiptarë “Naim Frashëri” në Prishtinë.

Ata hynë në zyrë në orën dhjetë dhe qëndruan deri në 12:15.

Ata kërkuan kryetarin e LASH-it Rexhep Osmanin dhe Zijadin Gashin, anëtar i Kryesisë së LASH-it dhe kryetar i Këshillit të Arsimit të komunës së Prishtinës.

Inspektorët bastisën të gjitha zyrat e LASH-it dhe morën materiale të ndryshme. Inspektorët nuk lanë dëshmi për materialin që e morën.

Inspektorët legjitimuan punëtorët në zyrë dhe ata që shkuan në zyrë me punë të ndryshme.

Një grup arsimtarësh nga shkolla fillore “Rilindja” të fshatit Çifllak i komunës së Rahovecit ishin në Prishtinë, respektivisht në LASH “Naim Frashëri” për t’u konsultuar me zotin Rexhep Osmani për disa çështje të punës në shkollë, mirëpo në lokalin e LASH-it ata gjetën punëtorët e sigurimit serb.

Arsimtarët thanë se u morëm në pyetje për shkaqet e ardhjes së tyre në LASH.

Arsimtarëve Halit Sahitajt, Tahir Thaçit, Sokol Bajraktarit dhe Hasan Thaçit iu morën letërnjoftimet.

Arsimtarët u pyetën për një orë e gjysmë se për çfarë shkaku kishin ardhur në Prishtinë, kend e kërkonin, kur mbahet mbledhja, në cilën shkollë punojnë, cili është drejtor i shkollës, nga përse shkolla quhet “Rilindja”, çka u duhet Rexhep Osmani, tjerë.

Arsimtarët nga fhati Çiflak i thanë QIK-ut se ishin parë edhe arsimtarë të tjerë nga shkolla fillore “Rilindja” e Keçekollës, zotërit Hamiti, Idrizi, pas disa minutave erdhën edhe disa tjerë nga Gjakova, Lipjani dhe Dragashi.

Sjelljet e organit të sigurimit serbë nuk ishin të natyrës brutale, përveç të disa provokacioneve të vogla.

 

 

29 shtator 1997

 

Njoftim i DPA për gjendjen në Kosovë

 

Agjencia DPA njofton se udhëheqësi politik i shqiptarëve të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova është shprehur kundër demonstratave të caktuara të studentëve.

Në njoftim thuhet:

“Neve nuk na nevojiten demonstratat nëpër qytete, që të vijë deri te keqësimi i gjendjes në Kosovë”, tha dr. Rugova të premten në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë, siç njofton agjencia e lajmeve e Beogradit “Beta”.

Unioni i Studentëve shqiptarë ishte kërcënuar më parë në organizimin e demonstratave më 1 tetor dhe marrjen me dhunë të objekteve shkollore dhe universitare.

“Ne do të ndërmarrim të gjitha masat, që të mos ndërpritet iniciativa ndërkombëtare për zgjidhjen e problemit të Kosovës”, tha dr. Rugova.

Ai theksoi se bota e jashtme po bën presion mbi Beogradin, në mënyrë që të realizohet Marrëveshja për normalizimin e arsimit në gjuhën shqipe në Kosovë.

Rugova shprehu shpresën, se së shpejti do të vijë deri te një dialog në midis serbëve dhe shqiptarëve lidhur me këtë çështje. Përfaqësues të ambasadave të jashtme në Beograd, vërtetuan faktin në Beograd se po qëndrojnë në lidhje të vazhdueshme me Beogradin dhe Prishtinën, në mënyrë që të pengohen konfliktet e mundshme.

Nxënësit dhe studentët shqiptarë protestojnë në mënyrë paqësore që prej ditësh në Prishtinë, kundër sistemit arsimor serb. Në shëtitjet e çdo mbrëmshme në rrugën kryesore, të enjten kanë marrë pjesë disa mijëra njerëz.

Me këtë protestë, ata duan të arrijnë kthimin në objektet shkollore dhe normalizimin e arsimit. Marrëveshjen e patën nënshkruar në shtatorin e vitit të kaluar, kryetari i atëhershëm serb, Millosheviq dhe Rugova.

Policia serbe deri më tash i lejoi protestat. Gazeta qeveritare “Politika” (Beograd), lajmëroi të premten “masa të caktuara” kundër “këtyre protestave”. Kështu, policia serbe, zonën për këmbësorë, e cila ekziston që prej vitesh, nga e enjtja e ka hapur përsëri për trafik, kështu që protestuesit mund t’i shfrytëzojnë vetëm trotuaret.

Më 1989, Beogradi ia ka hequr krahinës së banuar me 90 për qind shqiptarë autonominë dhe që atëherë qeverisë me ligje të veçanta dhe prani të madhe të policisë.

Nxënësit shqiptarë e bojkotojnë që prej gjashtë vitesh arsimin serb dhe kanë ndërtuar një sistem paralel shkollor të panjohur nga Beogradi. Ky mësim zhvillohet në banesa private, përderisa shkollat vijohen vetëm prej fëmijëve serbë, njoftonte DPA.

 

29 shtator 1998

 

Granatohen fshatrat e Shtimes dhe Jezerci i Ferizajt

 

Prishtinë, 29 shtator (QIK) – Forcat serbe kanë vazhduar edhe sot granatimin e fshatrave të Shtimes dhe Jezercit të Ferizajt.

KI i Degës së LDK-së në Shtime njofton se forcat serbe po përdorin artilerinë e rëndë në përpjekje për të depërtuar në Grykën e Devetakut, ndërkohë që po granatohen edhe fshatrat Topillë, Llanishtë, Petrovë e Mollopolc të Shtimes, si dhe fshati Jezerc i Ferizajt, që ndodhet afër këtyre fshatrave. Thuhet se sulmi i sotëm është i intensitetit më të madh deri tash. Në drejtim të këtyre fshatrave granatime ka pasur edhe gjatë natës.

Nga fshatrat e sulmuara sot po del tym e flakë. Tym del sidomos nga Petrova, një nga fshatrat më të ndërtuara të kësaj komune, gjysma e të cilit u dogj në fund të gushtit, ndërsa shtëpitë e mbetura po digjen tash.

Njoftohet se rreth 700 banorë, kryesisht gra, fëmijë e pleq, kanë mbetur nën rrethimin e forcave serbe dhe nën qiellin e hapur.

Për shkak të ripërtëritjes së sulmeve serbe, mësimi u ndërpre në shkollën fillore në Reçak dhe në shkollën e mesme në Shtime, ndërkohë që në shkollën fillore “Emin Duraku” në Shtime mësimi u mbajt edhe sot, ndonëse në afërsi të shkollës janë vendosur forca serbe.

 

 

Tre të vrarë gjatë sulmit serb në Plloçicë të Malishevës

 

Gjatë sulmit të forcave serbe në fshatin Plloçicë të Malishevës janë djegur të gjitha shtëpitë dhe janë vrarë së paku tre shqiptarë.

KI i Degës së LDK-së në Malishevë njofton se janë vrarë Dervish Cen Maloku (60), Sejdi Bali Gashi (60) dhe Deli Bali Gashi. Dyshohet se ka edhe të tjerë të vrarë.

Bëhet me dije se popullata e larguar nga ky fshat është strehuar në malet e Gollubovcit, ndërsa disa banorë që forcat serbe i zunë në fshat, kryesisht pleq, por edhe disa të rinj, u ngarkuan në kaminë të forcave serbe dhe deri tash nuk ka informa cione ku janë dërguar.

 

 

Gllogoc: Në Krojkovë u gjetën trupat e 7 shqiptarëve të vrarë e të masakruar

 

Sot në Krojkovë të Gllogocit, u gjetën trupat e 7 shqiptarëve të vrarë e të masakruar nga forcat paramilitare serbe, ndërsa në të njëjtin fshat janë plagosur edhe 4 shqiptarë të tjerë.

Xhemë Binaku, aktivist i NKMDLNJ-së në Gllogoc njofton se në këtë fshat janë vrarë e masakruar, Fitim Sadri Elshani (22), Vehbi Ejup Hoxha (48), Faik Aziz Braiqi (16), Fahredin Sejdë Braiqi, Sabit Metë Buzllaku (62), Fejzë Brahim Braiqi (45) dhe Afrim Ramadan Braiqi (30).

Në fshatin Krojkovë, dyshohet se nga forcat serbe është vrarë edhe Metë Elshani.

I njëjti burim bën të ditur se në këtë fshat janë plagosur, Naser Imer Shala, Lindita Ramadan Podrimçaku, Besnik Aziz Braiqi dhe Abedin Fejzë Braiqi. Ky i fundit është arrestuar nga forcat serbe dhe ende po mbahet në arrest.

Ndërkaq në fshatin Shtrubullovë, bëhet e ditur se forcat serbe kanë zënë rob 28 civilë shqiptarë, për fatin e të cilëve ende nuk dihet asgjë.

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Identifikohen mbetjet mortore të dy personave të zhdukur nga lufta

Published

on

By

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se javën e kaluar ka pranuar dy raporte të reja të ADN-së, përmes të cilave janë identifikuar mbetjet mortore të dy personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Përmes një sqarimi zyrtar, Komisioni bëri të ditur se këto identifikime nuk lidhen me gërmimet apo zhvarrosjet e fundit në lokacionet si Kalludër, Jabukë apo me zhvillimet e fundit në Zubin Potok.

Sipas njoftimit, bëhet fjalë për mbetje mortore të zhvarrosura më parë, ndërsa identifikimi erdhi si rezultat i rishqyrtimit të hollësishëm të mbetjeve që ndodheshin në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), si dhe mbledhjes së mostrave biologjike plotësuese nga familjarët.

Raportet e ADN-së tashmë i janë përcjellë Institutit të Mjekësisë Ligjore për konfirmim zyrtar. Komisioni bëri të ditur se gjatë kësaj jave do të njoftohen familjet e viktimave për rezultatet dhe hapat e mëtejshëm proceduralë, duke rikonfirmuar përkushtimin për zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person i dyshuar për dhunim në Prishtinë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë në Prishtinë, i cili dyshohet për veprën penale “Dhunim”, lidhur me një incident të ndodhur në fillim të këtij muaji.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti kishte ndodhur më 5 shtator, rreth orës 19:30. Pas veprimeve hetimore, i dyshuari është lokalizuar dhe prangosur nga organet e rendit më 28 shtator.

Me vendim të prokurorit të kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje për procedim të mëtejshëm ligjor.

Continue Reading

Të kërkuara