Lajmet

​Nis puna për aeroportin e Vlorës, Rama: Vepër historike për gjithë shqiptarët

Ky do të jetë edhe aeroporti më i madh në vend.

Published

on

Në qytetin bregdetar të Vlorës nisën sot punimet për ndërtimin e aeroportit, që do të jetë edhe më i madhi në vend.

Në ceremoninë e fillimit të punimeve ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, zv/kryeministri dhe njëkohësisht ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, sipërmarrësi Behgjet Pacolli, ku kompania e tij Mabetex është pjesë e konsorciumit për ndërtimin e të Vlorës, drejtues të pushtetit vendor, etj.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama duke e konsideruar aeroportin e Vlorës si porta e tretë që po hapet nga qielli theksoi se “mbi gjurmën e aerodromit të vjetër sot fillojmë një histori të re”.

Duke uruar festën e flamurit të gjithë shqiptarëve, Rama tha se “Vlora ka historinë e saj përsa i përket transportit ajror, ndërsa këtu ku ne ndodhemi është ndërtuar edhe aerodromi qysh në vitin 1920, i cili përdorej për arsye ushtarake. Mbi këtë gjurmë të aerodromit të vjetër ne sot fillojmë një histori të re së bashku me një mik të mirë, një njeri ndër më të shquarit të sipërmarrjes tonë kombëtare, një personalitet, i cili me veprat e tij e ka çuar emrin në shumë vende të botës dhe çmohet prej shumë popujve e prej shumë njerëzve për veprat që ka bërë”.

“Njeri të cilin kam nderin ta konsideroj dhe mikun tim, Bacën Behgjet që e falënderoj shumë për përfshirjen në këtë aventurë të përbashkët sepse për hir të vërtetës në të gjitha punët që kemi bërë kjo për të ardhur këtu në këtë ditë ka qenë më e vështira dhe për dreq qëlloi të ishte një punë që duhej bërë në Vlorë dhe mua mu desh të përballoj të gjithë padurimin e vlonjatëve, që dihet që janë kampionët e padurimit në të gjithë universin shqiptar”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “nuk ishte e thënë që ky proces të shkonte fjollë siç do ta kishim kemi dëshiruar u nis dhe u pengua disa herë për arsye objektive, të cilat nuk kishin asnjë lidhje me ne sepse veprat e mëdha publike i kanë këto të papritura. Në mes na u fut edhe pandemia, e cila se më shumë se çdo sektor goditi sektorin e aviacionit dhe u bë thuajse e pamundur se do të gjendeshin forca e njerëz që do të ishin të interesuara të investonin në një aeroport të ri në kohën që aviacioni lëngonte në kthetrat e armikut të padukshëm”.

Ne, vijoi Rama, nuk reshtëm së bëri përpjekjet deri sa gjërat erdhën aty ku duhet dhe u bë e mundur të gjendet forca e duhur për ta çuar përpara këtë projekt të madh, që është forca e Pacollit, e konsorciumit që ai ka krijuar.

“Ky aeroport është një vepër historike jo për Vlorën, por për Shqipërinë edhe për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët”, tha Rama.

“Gjithë ajo vonesë, gjithë ai stres për të cilin vlonjatët kontribuuan me gjithë ato përqeshjet e tyre karakteristike dhe romuzet e tyre tradicionale u kthye në një mirësi sepse sot jemi këtu jo vetëm me konsorciumin e krijuar nga Pacolli, por edhe me një aleancë fantastike për të ardhmen e aeroportit, që është aleanca me aeroportin e Mynihut, një nga fuqitë më të mëdha të transportit ajror jo vetëm në Europë, por edhe në botë. Përfaqësuesit e të cilit janë këtu sot me ne, kanë nisur ta shoqërojnë procesin për përgatitjen e projektit të zbatimit që në hapat e parë dhe të gatshëm për të marrë operimin e aeroportit të Vlorës në momentin që konsorciumi ndërtues do të arrijë ta përfundojë dhe ta bëjë gati për fluturimet”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “është fantastike që aeroporti i Mynihut vjen në Vlorë si një forcë operacionale, e cila garanton jo vetëm një menaxhim të nivelit më të lartë, por garanton dhe sinergjinë me struktura të tjera, me aeroporte të tjera”.

“Aeroportet janë si klane familjare në një farë mënyre. Nuk mjafton që të ndërtosh një infrastrukturë të bukur, apo të kesh një pistë, e cila këtu do të jetë 3.2 km dhe do të vërë në funksion kapacitetin dhe për fluturime të drejtpërdrejta transoqeanike, por duhet të kesh aleanca dhe sinergji me aeroporte të tjera, për të menaxhuar një numër shumë më të madh pasagjerësh dhe për të krijuar një sistem ku strukturat aeroportuale mbështesin dhe plotësojnë njëra-tjetrën. Ky aeroport bëhet porta e tretë ndër 4 porta qielli që duam të hapim për Shqipërinë, pas atij të Tiranës dhe të Kukësit, para se të nisë puna dhe për aeroportin e katërt, që është aeroporti sezonal të Sarandës që do të funksionojë drejtpërdrejt dhe vetëm në mbështetje të sezonit turistik të pikut”, nënvizoi Rama duke shtuar se është një aeroport shumë i domosdoshëm.

Kreu i qeverisë tha se “po të kemi parasysh që sot logjika e industrisë së turizmit është që për të pasur jo vetëm sasi, por edhe cilësi në prurjet e turistëve dhe për të synuar jo vetëm masë turistësh, por edhe atë nivel të shpenzimeve nga ana e turistëve në territor, që do të thotë për të sjellë kategorinë A të turistëve, që janë ata që shpenzojnë më shumë kur vijnë me pushime, është e domosdoshme që pika e mbërritjes në vend pushim mos të jetë më shumë se 45 minuta ose maksimumi një orë nga pika e zbritjes në vend. Kjo është arsyeja pse ne na duhen 4 aeroporte në këtë fazë, mbase në një fazë të mëvonshme mund të na duhen më shumë se kaq”.

Rama tha se “të gjithë ata që pyesin pse na duhen kaq shumë aeroporte, duhet të informohen mbi faktin se numri i aeroporteve lidhet me kapacitetin e aksesueshmërisë që një vend iu jep atyre që vijnë, kur ky vend e ka turizmin prioritetin e tij kryesor për zhvillimin ekonomik”.

Nga ana tjetër, vijoi Rama, duhet të informohen për faktin që aeroportet nuk janë as parkingje makinash, as stacione ku vijnë njerëz që thjesht kryejnë nevojat e tyre për transport.

“Aeroportet janë motor të jashtëzakonshëm zhvillimi ekonomik, social dhe progresit tërësor të vendeve.Ata që kanë atë inercinë e avazit, popullsi s’ka bukë, ç’na duhen aeroportet, duhet tua përsëris edhe këtu çështja e bukës është çështje që shqiptarët nuk e kanë pasur asnjëherë problem qysh nga koha e Skënderbeut. Por aeroportet janë “fabrika buke” sepse rrisin të ardhurat e vendit, sjellin konsumatorë në vend dhe sa më shumë njerëz vijnë në një vend nëpërmjet aeroporteve, aq më vendi vendi ka mundësi të rrisë shërbimet. Sa më shumë të rrisë shërbimet, aq më shumë rrit prodhimet. Turistët që vijnë janë konsumatorë dhe me aeroportet ne rrisim cilësinë të turistëve në aspektin e sasisë së parave që ata shpenzojnë në vend”, nënvizoi Rama.

Më tej Rama tha se “nuk duhet të shqetësohemi kur ndërtohen aeroporte, porte sepse të gjitha këto janë motorë të ekonomisë. Rrisin fuqinë motorike të ekonomisë sonë. Me fillimin e kësaj pune si dhe fillimin e punës për Sarandë, vendosim një sistem të ri motorësh në ekonominë shqiptare”, deklaroi Rama.

lajme

Reagimi i Prokurorisë: Si u trajtuan rastet dhe paralajmërimet e Arlinda Zekajt para se të vritej

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar edhe njëherë lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke njoftuar për siç thuhet në komunikatë, veprimet që ka ndërmarrë kryeprokurorja e kësaj Prokurorie dhe prokurorët e shtetit pas pranimit të kërkesës së viktimës dhe gjatë trajtimit të rasteve të raportuara më parë.

Në komunikatë thuhet se dy ditë para vrasjes së saj, më 23 tetor, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare. Ndërkaq më 16 tetor, disa ditë para ngritjes së aktakuzës,  Gjykata kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit ishte urdhëruar që ish-bashkëshorti i tani të ndjerës ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.

“Sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se në ditën kur viktima kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit. Pas vlerësimit të situatës dhe të rrezikut të mundshëm për sigurinë e saj, thuhet se prokurori i shtetit kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e viktimës.

“Me qëllim të mbrojtjes së saj, prokurori kishte kontaktuar familjarët e viktimës, përkatësisht vëllezërit e saj, të cilët ishin ftuar në stacionin policor dhe ishin njoftuar për rrethanat e rastit.  Pavarësisht insistimit të viktimës për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj”, thuhet në njoftim.

Me kërkesën e shprehur të viktimës, në komunikatë thuhet se prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në praninë e saj dhe të familjarëve, kishin përpiluar një shkresë zyrtare në të cilën ishin paraqitur arsyet përse ishte vlerësuar e nevojshme që ajo të qëndronte te vëllezërit e saj.

Pas bisedimeve, thuhet se viktima kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.

Po atë natë, prokurori i shtetit, së bashku me hetuesit e rastit, kishte bërë vlerësimin profesional të nivelit të rrezikut dhe të masave të nevojshme të sigurisë. Si rezultat, ishte vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar të viktimës në shtëpinë e përbashkët, një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë.

“Për këto rrethana ishte përpiluar procesverbali i datës 22 tetor 2026. Prokurori i rastit kishte kërkuar që përmes së njëjtës shkresë të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes që kishte nxjerrë vendimin për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët nga bashkëshortët”, thuhet në njoftim.

Theksohet se pasi kryeprokurorja pasi kishte pranuar kërkesën nga Zekaj ku ishte ankuar për mënyrën e trajtimit të rasteve të mëparshme, kishte kërkuar që me urgjencë të vlerësohej situata në mënyrë që sipas saj “të verifikoheshin pretendimet për lëshime eventuale dhe të ndërmerreshin veprimet brenda përgjegjësive ligjore të secilit institucion”.

Nata kritike: Kthimi në shtëpi nën shoqërimin e Policisë dhe vrasja 

Prokuroria ka sqaruar se natën kritike, më 25 tetor 2026, në orën 19:48, Policia e Kosovës kishte kontaktuar prokurorin kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje, i cili kishte ndodhur në shtëpinë e tani të ndjerës.

Në stacionin policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj, J.S., dhe viktima. Në lidhje me rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa J.S. ishte ndaluar për 48 orë.

Gjatë trajtimit të rastit, Prokuroria thotë se viktimës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.

Pas kësaj, viktima ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi, rreth orës 21:00. Pak minuta pas kthimit të saj, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar në këtë rast.

Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim të përcjelljes nga afër të situatës dhe ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore në vendin e ngjarjes.

Prokuroria njofton gjithashtu se, më 23 tetor 2026, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.

Prokuroria Themelore në Pejë deklaron se pretendimet e paraqitura nga tani e ndjera Arlinda Zekaj në kërkesën e saj janë trajtuar me seriozitet dhe se Kryeprokurorja ka ndërmarrë veprime për adresimin e tyre te institucionet kompetente, si dhe ka iniciuar rast për hetimin e veprimeve ose mosveprimeve të mundshme të personave zyrtarë.

“Prokuroria shpreh keqardhje të thellë për humbjen tragjike të jetës së Arlinda Zekajt dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj. Në të njëjtën kohë, Prokuroria thekson rëndësinë e një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale të të gjithë personave të përfshirë. Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili ende nuk është arrestuar”, thuhet në njoftim.

 

Continue Reading

Lajmet

Sot seancë e jashtëzakonshme për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme në orën 16:00 lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Lajmin e ka bërë të ditur Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Në një deklarim për media, Nagavci theksoi se të gjithë zyrtarët institucionalë që kanë dështuar të veprojnë apo të ofrojë mbrojtje në këtë rast duhet të hetohen dhe të mbajnë përgjegjësi të plotë.

Arlinda Zekaj u vra të dielën në mbrëmje në fshatin Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuari për kryerjen e kësaj vrasjeje të rëndë është kunati i saj, i cili vazhdon të jetë në arrati.

Continue Reading

Vendi

Policia shpall në kërkim Albert Sylajn, kërkohet ndihma e qytetarëve

Published

on

By

Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale në Pejë, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë, ka lëshuar një kërkesë zyrtare për bashkëpunim me qytetarët me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e një personi të dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

I kërkuari është Albert (Sylejman) Sylaj, i lindur më 12 dhjetor 1984 në Deçan.

Policia u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë çfarëdo informacioni lidhur me vendndodhjen e të dyshuarit, të njoftojnë menjëhirë organet e rendit ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor.

Kontaktet për të lajmëruar Policinë e Kosovës:

  • 192 dhe 0800 19999 (të dy numrat pa pagesë)
  • 039 432 327 (Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë)

Continue Reading

Lajmet

LVV kërkon seancë të jashtëzakonshme dhe komision hetimor parlamentar

Published

on

By

Lëvizja Vetëvendosje ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për të thirrur seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, njoftoi se seanca synohet të mbahet më 26 tetor 2026, ku do të kërkohet themelimi i një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar zinxhirin e përgjegjësisë.

Nagavci theksoi se viktima i kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun ndaj jetës së saj tri ditë para se të vritej.

“Ajo kërkoi ndihmë dhe mbrojtje, por përfundoi e vrarë. Asnjë grua nuk duhet ta humbasë jetën pasi u është drejtuar institucioneve për mbrojtje. Çdo veprim dhe mosveprim duhet të hetohet dhe askush nuk duhet t’i shmanget përgjegjësisë”, ka shkruar Nagavci. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara