Lajmet

Qindra artikuj për familjen Jashari përmblidhen në një libër

Bekim Jashari tha se promovimi i këtij libri është shembulli më i mirë i ruajtjes dhe promovimit të historisë.

Published

on

Mesditën e sotme në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare dhe me organizim të këtij institucioni është promovuar “Libri i Kujtesës: Familja Jashari”. Libri përfshin artikuj të gazetave dhe revistave kosovare që nga dhjetori i vitit 1991 deri në mars 1998, gazeta të cilat ruhen në arkivat e Bibliotekës Kombëtare e Kosovës.

Libri shpalos se si janë mbuluar nga gazetat e ndryshme rezistenca e familjes Jashari, çfarë mesazhesh përhapnin apo synonin të përhapnin gazetat, çfarë dëshmish zbulonin nga betejat për liri të familjes Jashari. Në libër janë përfshirë qindra artikuj informativ, analitik e publicistik.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, deklaroi se ky libër paraqet dëshmitë që anëtarët e familjes Jashari sakrifikuan jetën e tyre për lirinë që në e gëzojmë sot. Ai përgëzoi Bibliotekën për botimin e një libri të tillë duke theksuar se së bashku me Ministrinë e Arsimit u nënshkrua një marrëveshje për krijimin enjë rrjeti funksional të bibliotekave por edhe rritjen e kualitetit të këtyre të fundit.

“Ky libër përfshin artikuj të gazetave dhe revistave të Kosovës nga periudha dhjetor 1991 deri në mars 1998 dhe ky botim paraqet një dëshmi materiale për një periudhë shumë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, shkruar nga dora e gazetarëve më të mirë të Kosovës. Familja Jashari me kurajën dhe me guximin e tyre të papërkulshme sakrifikuan jetën e tyre për lirinë tonë, ne jemi përherë krenarë dhe mirënjohës për sakrificën e familjes Jashari. Mirënjohjen për kujtimin dhe veprën madhështore të tyre e përjetësojnë duke mësuar për historinë e tyre të kaluarën e tyre duke mësuar se çfarë i shtyri ata të flijonin gjithçka që kishin nga vetja për lirinë tonë”, ka thënë ai.

Anëtari i familjes Jashari, njëherit kryetari në detyrë i Skenderajt, Bekim Jashari, tha se promovimi i këtij libri është shembulli më i mirë i ruajtjes dhe promovimit të historisë ndërsa shtoi se duhet të ketë më shumë libra që nxjerrin në pah luftën e UÇK-së.

“Promovimi i librit të kujtesës mbi familjen Jashari është shembulli më i mirë i ruajtjes dhe promovimit të historisë sonë, në njërën anë edhe të fuqizimit të dëshmive tona mbi luftën e drejtë dhe dëshmi e gjenocidit që pushteti serb bëri në Kosovë. Për më tepër nevojitet që të kemi më shumë libra, hulumtime e studime që nxjerrin në pah madhështinë e popullit tonë mbi luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me komandantin legjendar Adem Jashari”, ka thënë ai.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, tha se botimi i një libri të tillë bëhet për të kuptuar, kujtuar e nderuar heroizmin e familjes Jashari dhe për të formësuar mendimin e njeriut të Kosovës për sakrificën dhe flijimin për liri.

“Ndërsa ishte nisur si një hulumtim i mirëfilltë për hapjen e një ekspozite për raportimet e periodikut të Kosovës për ngjarjet që lidhen me rezistencën dhe heroizmin e familjes Jashari. Pra kur po ekspozoheshin në plot artikuj të gazetave dhe revistave të Kosovës që pasqyronin ngjarjet për familjen Jashari dhe kryekomandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, që përfshinin periudhën nga fundi i dhjetorit të vitit 1991 deri në mars të vitit 1998, në një ekspozitë në mars të këtij viti u kuptua që duhet punuar përtej kontributit që mund të japë biblioteka në një bibliografi indeksesh të revistave dhe gazetave për këtë ngjarje të paharrueshme historike. Libri përfshin 30 vjet histori të kësaj familje fisnike dhe kur u dëgjua zëri i qëndresës së saj, themi e brezit më të vonë e dhjetorit 1991 kur mbronin me armë dinjitetin e familjes dhe atdheut”, ka shtuar ai.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte regjistruar sulmi i parë ndaj familjes Jashari, më 22 janar 1992 ndodhi sulmi i dytë ku pati të plagosur. Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit.

Lajmet

Edi Rama refuzon dorëheqjen pas protestave studentore

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar prerazi se nuk do të japë dorëheqje përballë protestave studentore që kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera gjatë muajit tetor, ku kërkohet ulja e kostos së jetesës, përmirësimi i arsimit dhe lufta kundër korrupsionit. Në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, Rama i quajti të drejta shqetësimet e studentëve, por dënoi ashpër përdorimin e dhunës gjatë tubimeve.

Kryeministri nërvijëzoi se populli shqiptar i ka dhënë një mandat të qartë dhe se në demokraci pushteti ndërrohet vetëm përmes zgjedhjeve dhe jo përmes koktejve molotov. Ai bëri një ndarje të qartë mes studentëve që kërkojnë një të ardhme më të mirë dhe grupeve të maskuara, midis të cilave pretendoi se ka edhe pjesëtarë të lëvizjes Antifa që kanë sulmuar ndërtesat publike dhe pronën private.

Rama u shpreh i hapur për dialog me studentët dhe pedagogët, ndërsa bëri me dije se buxheti i ardhshëm i vitit 2027 do të përfshijë masa shtesë për arsimin, shërbimet publike dhe familjet. Pavarësisht përplasjeve të vazhdueshme me policinë dhe përdorimit të gazit lotsjellës në rrugë, kreu i qeverisë u zotua se do të vazhdojë punën për integrimin e Shqipërisë në BE dhe nuk do të tërhiqet përpara një pakice që kërkon të vijë në pushtet përmes forcës. /E,A/

Continue Reading

Lajmet

Caktohet seanca për paraburgimin e ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, i dyshuari për vrasjen ende në arrati

Published

on

By

Gjykata Themelore në Pejë shqyrton sot kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj J.S., ish-bashkëshortit të të ndjerës Arlinda Zekaj, nën dyshimin për veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”.

Hetimet tregojnë se i pandehuri e ka shkelur hapur urdhrin mbrojtës të nxjerrë nga gjykata më 16 tetor 2026. Mbrëmjen e 25 tetor—vetëm pak orë para aktit makabër—ai dyshohet se e ka kërcënuar sërish A.Z. me dhunë psikologjike dhe i ka nxjerrë e hedhur rrobat në oborr, duke nxitur denoncimin e fundit të viktimës në polici rreth orës 19:00.

Pak minuta pas rikthimit të saj në shtëpi, Arlinda Zekaj u vra tragjikisht nga goditjet me mjet të fortë. I dyshuari kryesor për këtë krim është kunati i saj, Albert Sylaj, i cili vazhdon të jetë në arrati dhe është shpallur në kërkim të menjëhershëm nga Policia e Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Rrahën një grua, arrestohen bashkëshorti dhe vëllai i viktimës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona pasi të njëjtit dyshohen se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje.

Sipas raportit zyrtar të Policisë, ngjarja ka ndodhur me 26 tetor, rreth orës 19:00, ku dy të dyshuarit – bashkëshorti dhe vëllai i viktimës – kanë sulmuar fizikisht këtë të fundit.

Si pasojë e sulmit, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i është ofruar tretman i nevojshëm mjekësor.

Me vendim të prokurorit të shtetit, dy të dyshuarit janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.

Continue Reading

Lajmet

Policia sekuestron armë dhe municion në shtëpinë e të dyshuarit për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

Policia e Kosovës ka sekuestruar armë, municion dhe mjete të tjera gjatë kontrollit të shtëpisë së një të dyshuari në fshatin Vitomiricë të Pejës, në kuadër të hetimeve për vrasjen e Arlinda Zekajt.

Sipas raportit shtesë të Policisë, gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie, 153 fishekë, disa karikatorë dhe pajisje të armës.

Po ashtu, zyrtarët policorë kanë sekuestruar tri thika, një bajonetë, 115 gëzhoja dhe një sëpatë. Rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”.

Sekuestrimi i këtyre sendeve është pjesë e veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të vrasjes. Megjithatë, nga informacionet e bëra publike nuk është sqaruar nëse sendet e gjetura ndërlidhen drejtpërdrejt me ngjarjen.

Vrasja e Arlinda Zekajt, e ndodhur më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ka nxitur reagime dhe diskutime për mbrojtjen e grave nga dhuna dhe përgjegjësinë institucionale.

Një ditë pas ngjarjes, më 26 tetor, Kuvendi i Kosovës mbajti seancë të jashtëzakonshme për vrasjen e Zekajt, rastet e tjera të vrasjes së grave dhe dhunën në familje. Gjatë diskutimeve, deputetët kërkuan shqyrtimin e veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve përgjegjëse, si dhe u ngrit iniciativa për krijimin e një komisioni hetimor parlamentar për të trajtuar përgjegjësinë institucionale në këtë rast.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara