Në deklarimin e fundit të pasurisë për vitin 2026, ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pasqyruar gjendjen e saj financiare në përfundim të mandatit.
Gjatë vitit 2025, krahas pagës vjetore prej 33 mijë e 248 eurosh, Osmani ka përfituar edhe 10 mijë e 305 euro nga mëditjet për udhëtimet zyrtare jashtë vendit, një shumë kjo pak më e ulët se ajo e vitit paraprak.
Në llogarinë e saj personale, ish-presidentja ka shënuar një rritje të lehtë të kursimeve, duke arritur në 3 mijë e 115 euro.
Sa i përket borxheve, ajo ka deklaruar 20 mijë e 500 euro hua për pagesën e banimit në Melburn, si dhe 9 mijë euro obligime të mbetura ndaj kompanive për punime shtesë në shtëpi.
Pasuria e paluajtshme e familjes mbetet e konsiderueshme, me fokus të veçantë në Australi. Në emër të bashkëshortit, Prindon Sadriu, figurojnë dy shtëpi në Australi me vlerë 510 mijë euro dhe 170 mijë euro, si dhe një banesë prej 60 mijë eurosh.
Në Kosovë, çifti zotëron bashkërisht një objekt banimi prej 208 mijë eurosh, ndërsa Osmani ka në pronësi personale një arë me vlerë 35 mijë euro.
Prindon Sadriu ka deklaruar një pagë vjetore prej 11 mijë e 350 eurosh nga Thesari i Kosovës, si dhe 11 mijë dollarë të hyra nga qiraja e pronave në Australi. Vlen të theksohet se në këtë deklarim nuk figuron më shuma prej 19 mijë eurosh nga vendimet gjyqësore që ishte raportuar vitin e kaluar. Kursimet e tij mbeten modeste: rreth 692 dollarë në Australi dhe vetëm 50 euro në Kosovë.
Një tjetër ndryshim që bie në sy në regjistrin e vitit 2026 është mungesa e veturës së tipit Mercedes-Benz. Ky mjet, i cili vitin e kaluar vlente 10 mijë euro, nuk është përfshirë fare në listën e pasurisë së luajtshme të familjes për këtë vit.

