Aktualitet

​Ministri Aliu raporton në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike

Mbledhja ku pritet të jetë ministri Aliu do të fillojë në ora 10:00.

Published

on

Sot do të mblidhet Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Në këtë komision do të jetë i ftuar edhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë (MMPHI), Liburn Aliu, ku edhe do të shqyrtohet raporti i auditmit të performancës “Mbledhja, trajtimi dhe asgjësimi i mbeturinave komerciale”.

Mbledhja ku pritet të jetë ministri Aliu do të fillojë në ora 10:00.

Aktualitet

OBSH shpall emergjencë ndërkombëtare për shkak të shpërthimit të Ebolës në Kongo

Published

on

By

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shpallur shpërthimin e virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos si një emergjencë të shëndetit publik me rëndësi ndërkombëtare, sic raporton BBC.

Agjencia njoftoi se shpërthimi në provincën lindore Ituri të Kongos – ku janë raportuar rreth 246 raste të dyshuara dhe 80 vdekje – ende nuk i plotëson kriteret për t’u cilësuar si një emergjencë pandemike. Megjithatë, OBSH paralajmëroi se ky mund të jetë një shpërthim shumë më i madh se ai që po detektohet dhe raportohet aktualisht, duke paraqitur një rrezik të madh të përhapjes në nivel lokal dhe rajonal.

Sipas agjencisë shëndetësore, ky shpërthim po shkaktohet nga lloji i virusit Bundibugyo, për të cilin aktualisht nuk ka barna apo vaksina të aprovuara.

Simptomat e hershme të sëmundjes përfshijnë: ethe dhe temperaturë; dhimbje të muskujve dhe kokës; lodhje dhe dhimbje fyti

Këto simptoma më pas pasohen nga vjellja, diarreja, skuqja në lëkurë (ekzantema) dhe gjakderdhja.

Deri më tani, OBSH ka konfirmuar përmes laboratorit tetë raste, ndërsa rastet e tjera të dyshuara dhe vdekjet janë shtrirë në tri zona shëndetësore, përfshirë Bunian (kryeqytetin e provincës Ituri) dhe qytetet e minierave të arit, Mongwalu dhe Rwampara. Një rast është konfirmuar edhe në kryeqytetin Kinshasa, te një pacient që besohet se ishte kthyer nga Ituri.

Virusi tashmë është përhapur jashtë kufijve të Kongos, me dy raste të konfirmuara në Ugandën fqinje. Zyrtarët ugandas njoftuan se një 59-vjeçar, i cili vdiq të enjten, kishte rezultuar pozitiv. Qeveria e Ugandës sqaroi se bëhej fjalë për një shtetas kongolas, trupi i të cilit tashmë është kthyer në Kongo.

Ndërkohë, agjencia e lajmeve AFP raportoi se një laborator ka konfirmuar një rast me Ebola edhe në qytetin lindor Goma, i cili aktualisht kontrollohet nga rebelët e grupit M23.

Sipas rrjetit CBS, të paktën gjashtë amerikanë dyshohet se janë ekspozuar ndaj Ebolës në Kongo; njëri prej tyre ka shfaqur simptoma, por asnjë nuk është konfirmuar ende si i infektuar. Qeveria amerikane po tenton t’i evakuojë ata nga vendi, ndoshta drejt një baze ushtarake në Gjermani.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC) planifikon të dërgojë më shumë staf në Kongo dhe Ugandë, ndërsa Ambasada e SHBA-së në Kongo u bëri thirrje qytetarëve të saj që të shmangin udhëtimet në provincën Ituri.

OBSH theksoi se situata e pasigurt e sigurisë dhe kriza humanitare në Kongo, e kombinuar me lëvizshmërinë e lartë të popullatës, praninë e virusit në zona urbane dhe numrin e madh të institucioneve shëndetësore joformale, po rrit rrezikun e përhapjes.

Shtetet që kufizohen me Kongon konsiderohen në rrezik të lartë për shkak të tregtisë dhe udhëtimeve. Ruanda ka njoftuar se ka shtrënguar kontrollet përgjatë kufirit si masë parandaluese, duke ngritur në gatishmëri sistemet e mbikëqyrjes dhe ekipet shëndetësore për një reagim të shpejtë në rast nevoje.

 

Continue Reading

Lajmet

Një i vdekur dhe katër të lënduar në një vetaksident në Klinë

Published

on

By

Një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e një vetaksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Dollc të Klinës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti ka ndodhur rreth orës 04:55 të mëngjesit, me ç’rast në vendngjarje kanë dalë menjëherë njësitet kompetente të Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor (NJRKRR).

“Si pasojё e kёtij vetaksidenti njё person ka pёsuar me fatalitet, vdekjen e sё cilit e ka konstatuar ekipi mjekёsor nё vendin e ngjarjёs, ndёrsa katёr tё tjerё janё dёrguar nё Spitalin Rajonal nё Pejё pёr tretman mjekёsor. Të njëjtit, sipas mjekёve, janё jashtë rrezikut pёr jetё”, thuhet në njoftimin e policisë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve që çuan deri te ky vetaksident.

 

Continue Reading

Lajmet

Plagoset me armë zjarri një zyrtar policor në Tiranë

Published

on

By

Një zyrtar policor ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri mesnatën e mbrëmshme në zonën e Shkozës në Tiranë. Viktima është identifikuar se  është Anxhelo Kumaraku, rreth 30 vjeç, i cili në momentin e ngjarjes ndodhej jashtë detyrës zyrtare, raporton Euronews Albania.

Sipas njoftimit të Policisë së Shqipërisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:10, në rrethana ende të paqarta. 30-vjeçari është transportuar menjëherë në spital dhe sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas marrjes së lajmit, autoritetet policore kanë ngritur pika të shumta kontrolli dhe po kryejnë kërkime intensive në tërë zonën për kapjen e autorit apo autorëve të përfshirë në këtë sulm.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), të cilët nën drejtimin e Prokurorisë po punojnë për ndriçimin e plotë të rrethanave, identifikimin e personave përgjegjës dhe dokumentimin ligjor të rastit. /Euronews Albania/

Continue Reading

Lajmet

Mbi 109 mijë votues nga diaspora pranohen për votim

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përmbyllur periudhën e regjistrimit për votuesit jashtë vendit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit. Sipas të dhënave të para, interesimi i mërgatës është jashtëzakonisht i lartë, ku deri më tani janë aprovuar mbi 109 mijë kërkesa, ndërsa mijëra të tjera po shqyrtohen ende.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për Ekonomia Online se procesi i regjistrimit ka zgjatur nga 6 deri më 17 maj 2026, periudhë gjatë së cilës janë pranuar me mijëra aplikime përmes platformës elektronike.

“Sipas të dhënave preliminare, nga fillimi i këtij procesi më 6 maj dhe deri në përfundim të tij më 17 maj 2026, përmes platformës elektronike janë pranuar 142,803 kërkesa për regjistrim, prej të cilave deri më tani janë aprovuar 109,696, ndërsa 7,325 të tjera janë refuzuar dhe 25,702 janë në pritje për shqyrtim”, deklaroi Elezi.

Sipas të dhënave zyrtare, pjesa dërrmuese e bashkatdhetarëve kanë përzgjedhur votimin përmes postës, duke shfrytëzuar kutitë postare që KQZ-ja ka hapur nëpër botë.

“Nga 109,696 aplikime të aprovuara, 81,901 shtetas janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës, 2,855 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 24,940 janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, sqaroi Elezi.

Për t’ua lehtësuar këtë proces qytetarëve, KQZ-ja ka funksionalizuar kuti postare në 23 shtete të ndryshme të botës, përfshirë edhe brenda Kosovës, ndërsa adresat e sakta të tyre pritet të publikohen gjatë kësaj jave.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme përcakton që mërgata voton më herët sesa qytetarët brenda territorit të Kosovës. Elezi tregoi se votimi me postë është planifikuar të fillojë më 25 maj dhe të zgjasë deri më 6 qershor, që është edhe data kur do të organizohet votimi fizik nëpër përfaqësitë diplomatike.

Edhe pse fillimisht ishte vendosur që votimi fizik të organizohej në 48 përfaqësi diplomatike (33 ambasada dhe 15 konsullata) me gjithsej 70 vendvotime, KQZ-ja pritet ta rishikojë këtë listë. Arsyeja ndërlidhet me numrin e vogël të votuesve të regjistruar në disa lokacione.

“Sipas Rregullores Zgjedhore për Regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, nëse numri i votuesve të regjistruar për votim në një përfaqësi diplomatike është nën 50, votimi fizik në atë përfaqësi diplomatike nuk organizohet. Votuesit e regjistruar do të kalojnë automatikisht në statusin e votuesve përmes postës dhe për këtë do të njoftohen nga KQZ”, ka përfunduar Elezi në prononcimin e tij. /Ekonomia Online/

 

Continue Reading

Të kërkuara