Aktualitet

​Merr detyrën shefi i ri i EULEX-it

Sipas njoftimit të EULEX-it, Barbano “pranoi se Misioni operon në një kontekst ende të vështirë, në mes të tensioneve të rritura”.

Published

on

Giovanni Pietro Barbano e ka marrë detyrën si shef i ri i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Ai është gjeneralmajor i karabinierëve italianë me më shumë se 40 vjet përvojë në ligj dhe rend, në aktivitete policore dhe operacione paqeje.

Sipas njoftimit të EULEX-it, Barbano “pranoi se Misioni operon në një kontekst ende të vështirë, në mes të tensioneve të rritura”.

“Misioni është një mjet i shkëlqyer për përgjigjen më të gjerë të BE-së ndaj sfidave të sigurisë, pasi EULEX-i është reaguesi i dytë i sigurisë i Kosovës. Brenda kufijve të mandatit të tij, Misioni do të vazhdojë të mbështesë stabilitetin në Kosovë, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve të saj”, ka thënë ai.

Ai pason diplomatin suedez, ambasadorin Lars-Gunnar Wigemark, i cili përfundoi mandatin e tij si Shef i Misionit më 25 qershor.

“Me një ndjenjë të madhe përgjegjësie i marr sot detyrat e mia si Shef i EULEX-it, një partner strategjik i Kosovës në sundimin e ligjit dhe sigurisë. Duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për mandatin jetik të Misionit, unë do të punoj me integritet dhe profesionalizëm për të përmbushur moton e Misionit ‘Partneritet për Drejtësi’, për të ndikuar pozitivisht në terren dhe për të avancuar qëllimet tona të përbashkëta për sundimin e ligjit në Kosovë”, ka thënë Barbano.

Ai gjithashtu ka thënë se EULEX do të vazhdojë të monitorojë nga afër rastet e përzgjedhura në nivelin policor, prokurorial, gjyqësor dhe korrektues për të vlerësuar se si këto raste trajtohen nga autoritetet e Kosovës.

Sipas tij, ndër të tjera, monitorimi do të fokusohet në respektimin e të drejtave të njeriut, garancitë e gjykimit të drejtë, si dhe trajtimin e barabartë për të gjithë, duke përfshirë pjesëtarët e komuniteteve joshumicë në Kosovë.

Lajmet

Procesi në Hagë: Grupi strategjik mblidhet të shtunën, procedurat e apelit mbahen në konfidencialitet

Published

on

By

Gjashtë vjet pas dërgimit në Hagë të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), institucionet shtetërore dhe subjektet politike në Kosovë kanë intensifikuar veprimet për mbështetjen e procesit të apelit, pas vendimit me të cilin ata u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Të shtunën pritet të mbajë takimin e radhës grupi strategjik për hartimin dhe zbatimin e strategjisë shtetërore lidhur me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara. Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se punimet e këtij grupi do të zhvillohen në mënyrë të plotë konfidenciale me synim koordinimin e saktë institucional.

Konjufca konfirmoi se grupi është konstituuar gjatë javës së kaluar, ku janë përcaktuar rregullat e punës dhe është formalizuar edhe trupa punuese.

Paralelisht me këtë proces, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar një angazhim të përbashkët politik dhe institucional në mbrojtje të procesit të apelit.

Nga ana tjetër, platforma “Liria ka Emër” u është drejtuar zyrtarisht institucioneve të Bashkimit Evropian me gjashtë kërkesa specifike, përmes të cilave kërkohet shqyrtimi i menjëhershëm i shqetësimeve lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve për një gjykim të drejtë e të paanshëm në Gjykatën Speciale. /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

Shtëpia e Bardhë mohon zërat për largimin e Hegseth dhe Rubio pas humbjes së republikanëve në zgjedhje

Published

on

By

Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë zyrtarisht spekulimet se Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, mund të largohen nga detyrat e tyre në kuadër të një riorganizimi të administratës Trump pas zgjedhjeve të fundit.

Njoftimet në mediat amerikane kishin sugjeruar thirrje për zëvendësimin e Hegseth, veçanërisht për shkak të menaxhimit të luftës me Iranin, e cila po cilësohet si shkaktarja kryesore e humbjeve të thella të Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit. Si pasojë e këtyre zgjedhjeve, Demokratët kanë marrë kontrollin e plotë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit amerikan.

Një kongresmen republikan në largim ka kërcënuar se do të spastrojë rrugën për një votim shkarkimi (impeachment) ndaj Hegseth që javën e ardhshme. Megjithatë, Sekretari i Mbrojtjes ka publikuar një video-deklaratë ku mbron punën e tij dhe dënon këto përpjekje.

“Ata më sulmojnë mua dhe na sulmojnë ne sepse jemi efektivë. Kjo nuk do të funksionojë. Ne nuk do të terhiqemi”, deklaroi Hegseth.

Edhe pse si presidenti Donald Trump ashtu edhe zëvendëspresidenti JD Vance kanë fajësuar luftën në Iran për rezultatin zgjedhor, Trump konfirmoi se ka ndërmend ta mbajë Hegseth në detyrë, duke vlerësuar punën e tij gjatë muajve të kaluar.

Nga ana tjetër, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka përgënjeshtruar raportimet se po planifikon dorëheqjen për t’u përgatitur për një garë të mundshme presidenciale në vitin 2028.

“Të punoj për Trumpin deri në fund të mandatit ka qenë gjithmonë plani im. E dua punën që po bëj. Po ashtu gjithmonë qesh kur thonë se ai do të largohet nga puna. Unë pyes: ‘Cilën punë?'”, tha Rubio për The New York Times.

Të dyja institucionet, Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit, i kanë cilësuar si “lajme të rreme” zërat për largimin e mundshëm të Rubios./BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

Mot me diell dhe vranësira: Temperaturat sot deri në 13°C

Published

on

By

Dita e sotme parashikohet të vijë me mot me diell dhe vranësira gjatë orëve të mëngjesit, ndërsa në orët në vijim vranësirat do të tërhiqen gradualisht.

Sipas njoftimit nga MeteoKosova, era do të fryjë nga drejtimi i veriut dhe veriperëndimit me një shpejtësi prej 5 deri në 19 km/h.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3 dhe 6 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale të ditës pritet të arrijën nga 10 deri në 13 gradë Celsius. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

KESCO apelon për kursim të energjisë elektrike, paralajmëron rritje të konsumit

Published

on

By

Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) u ka bërë thirrje konsumatorëve që të shfrytëzojnë me kujdes energjinë elektrike gjatë muajve të dimrit, pas rritjes së ndjeshme të konsumit.

Sipas të dhënave të publikuara nga KESCO, gjatë periudhës 1 shtator – 31 tetor, konsumi i energjisë elektrike është rritur për 4.1 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ndërkohë, ditët e para të nëntorit kanë shënuar një rritje edhe më të madhe, me afro 25 për qind më shumë konsum krahasuar me muajin paraprak.

KESCO thekson se kursimi i energjisë nuk nënkupton heqjen dorë nga ngrohja apo rehatia në shtëpi, por shmangien e shpenzimeve të panevojshme dhe përdorimin më racional të pajisjeve elektrike.

“Mbajtja e temperaturave të arsyeshme në ambientet e banimit, ngrohja e hapësirave që përdorim, shfrytëzimi efikas i pajisjeve elektrike dhe fikja e tyre kur nuk nevojiten janë veprime të thjeshta që mund të sjellin ndryshim”, thuhet në komunikatën e KESCO-s.

Sipas kompanisë, përdorimi i kujdesshëm i energjisë ndihmon në uljen e shpenzimeve familjare, zvogëlimin e ngarkesës në rrjet gjatë periudhave të konsumit të lartë dhe shfrytëzimin më efikas të burimeve energjetike.

Në fund, KESCO u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që gjatë këtij dimri të tregojnë kujdes në përdorimin e energjisë elektrike, duke shmangur shpenzimet e panevojshme.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara