Lajmet

​Kuvendi rekomandohet të mos e miratojë vendimin e Avokatit të Popullit për zgjedhjen e 5 zëvendësve

Published

on

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Peticioni e Persona të Pagjetur ka rekomanduar Kuvendin që mos të miratojë rekomandimet e Avokatit të Popullit lidhur me zgjedhjen e pesë zëvendësve të tij.

Deputetët në seancë plenare do të kenë para vetes për votim emrat e kandidatëve për zëvendës të Avokatit të Popullit, proces ky i cili nga komisioni është konsideruar jo i rregullt.

Deputetët e komisionit nuk e kanë përkrahur raportin dhe të njëjtit i kanë bashkangjitur një sqarim përmes së cilit tregojnë të gjeturat për çka vlerësojnë se procesi nuk është zhvilluar siç duhet.

“Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Peticione e Persona të Pagjetur ka shqyrtuar raportin me rekomandime për zgjedhjen e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit, dhe rekomandohet Kuvendi që mos të miratohet propozim-vendimi i Avokatit të Popullit për zgjedhjen e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit”, ka thënë kryetarja e komisionit, Duda Balje.

Duke theksuar se nuk ka ndonjë problem me emrat të cilët po dërgohen për votim në seancë të Kuvendit, deputetët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut kanë deklaruar se kandidatëve për zëvendës të Avokatit të Popullit u ka humbur afati për t’u ankuar në gjykatë, meqë të njëjtëve u është thënë të dërgojnë ankesat e tyre në këtë komisioni.

Por komisioni, ashtu siç e ka sqaruar Zyra Ligjore, ka të drejtë të shqyrtojë ankesat por jo edhe të marrë ndonjë vendim për ato.

Në mbledhjen e sotme të komisionit, deputetët kanë diskutuar disa orë para se të dalin me rekomandim. Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci e ka konsideruar shqetësues faktin që në institucionin e Avokatit të Popullit të ketë lëshime të tilla.

“Ekziston ligji që ua njeh të drejtën secilit qytetar për ankesë, që kjo ndërlidhet me gjykatë, problemi tjetër është këtu, për faktin që janë drejtuar ankesat të ne si komision ua ka thyer një të drejtë këtyre që janë ankuar, është e drejtë e tyre që ua garanton ligji për ankesë, është kot tash, ka kaluar afati dhe ai nuk e ka mundësinë për t’u ankuar. Për mua është shqetësuese që një institucion i besueshëm si institucioni i Avokatit të Popullit të ketë lëshime të tilla”, ka thënë Bogujevci.

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha ka thënë se deputetëve në seancë duhet t‘u dërgohet sqarimi nga komisioni rreth paqartësive të hasura gjatë procesit.

“Nuk mund të pretendojmë se çdo gjë është në rregull dhe të dërgojmë një arsyetim se krejt procesi ka qenë në rregull dhe “lule drite”, e tash ne po i dërgojmë emrat. Ne po e dërgojmë komplet dokumentin, nuk ka nevojë ndoshta për krejt dosjet detaje, por për procesin duhet dërguar një sqarim e ata në seancë të vendosin a duan të procedojnë tutje”, tha Hoxha.

Hoxha ka pasur kritika edhe për mos-dëgjimin e ankesave të kandidatëve nga ana e komisionit, për çka tha se është e drejtë e tyre që të dëgjohen në Kuvend, pavarësisht që komisioni nuk mund të marrë ndonjë vendim rreth tyre.

Ndërsa kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje tha se komisioni duhet të dalë sot me rekomandim.

“Ne e kemi institucionin e Avokatit të Popullit, i cili është praktikisht jo funksional, pak edhe me fajin tonë, sepse jemi duke bërë punë për të cilat nuk jemi kompetentë, pse ne nuk kemi marrë vendim ditën e parë që nuk jemi kompetentë. Krejt çka ne jemi duke folur sot ka vetëm dy rrugë ose e kthejmë procesin në zero, ne mund të votojmë ose jo. Ne praktikisht vendosim sot a e kthejmë procesin në zero. Ne kemi folur tri javë për këtë dhe tash dilet pa rekomandim”, tha Balje.

Kuvendi i Kosovës voton pesë persona të cilët zgjedhën zëvendës të Avokatit të Popullit me mandat trevjeçar dhe mundësi rizgjedhjeje.

Vendi

EOQ Congress 2026 në UBT: Inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital në fokus të cilësisë 5.0

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ Congress 2026), në UBT u mbajt sesioni “Inteligjenca Artificiale, Transformimi Digjital dhe Cilësia 5.0”, i moderuar nga Prof. Dr. Blerton Abazi.

Ekspertë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të akademisë e industrisë diskutuan mbi ndikimin e inteligjencës artificiale, sistemeve inteligjente dhe transformimit digjital në zhvillimin e modeleve të reja të menaxhimit të cilësisë, duke trajtuar gjithashtu rëndësinë e qëndrueshmërisë, inovacionit dhe besueshmërisë së të dhënave.

Gjatë sesionit, u prezantuan këto tema:

Prof. Dr. Galia Marinova, Universiteti Teknik i Sofjes – “Transformimi digjital, sistemet inteligjente dhe Cilësia 5.0”.
Prof. Henriqueta Sampaio da Novoa dhe Fatima Carneiro – “Integrimi i strategjisë ESG me përsosmërinë operacionale: Një kornizë e integruar për menaxhimin e cilësisë të qëndrueshëm, rezistent dhe të fuqizuar nga inteligjenca artificiale”.
Mina Gavrilova, menaxhere e lartë e cilësisë në Huvepharma, dhe David Isaacson, nënkryetar i marketingut të produkteve në Octave – “Avancimi i menaxhimit të cilësisë në organizatë: Si ka nxitur Huvepharma cilësinë dhe inovacionin për ndikim më të madh në biznes”.

Prof. Dr. Bertan Karahoda, UBT – “Cilësia në shkallë globale: Inteligjenca artificiale, aftësitë dhe e ardhmja e të nxënit global”.
Prof. Dr. Blerton Abazi, UBT – “Sigurimi i cilësisë së inteligjencës artificiale, cilësia e të dhënave dhe sistemet inteligjente të besueshme”.

Përmes këtyre kontributeve, sesioni vuri në pah rëndësinë e ndërthurjes së inteligjencës artificiale me standardet e cilësisë, zhvillimin e aftësive dhe inovacionin organizativ.

Diskutimet theksuan se transformimi digjital dhe qasja e Cilësisë 5.0 krijojnë mundësi të reja për ndërtimin e sistemeve më efikase, të qëndrueshme dhe të besueshme në arsim, industri dhe sektorë të tjerë të ekonomisë.

Continue Reading

Vendi

EOQ Congress 2026 në UBT: Ekspertët diskutojnë cilësinë, inteligjencën artificiale dhe menaxhimin e rrezikut

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ Congress 2026), në kampusin inovativ të UBT-së, ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë trajtuan çështje kyçe që lidhen me akreditimin, certifikimin, vlerësimin e konformitetit, menaxhimin e rrezikut dhe vazhdimësinë e biznesit, me theks të veçantë në rolin e inteligjencës artificiale në transformimin e sistemeve të menaxhimit të cilësisë.

Sesioni “Akreditimi, Certifikimi, Validimi dhe Vlerësimi i Konformitetit – Rreziku, Rezilienca dhe Vazhdimësia e Biznesit”, i moderuar nga Prof. Dr. Fisnik Laha, mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, akademisë dhe sektorit privat. Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e standardeve ndërkombëtare, besueshmërisë së matjeve, inovacionit, qeverisjes së inteligjencës artificiale dhe ndërtimit të organizatave rezistente ndaj sfidave të së ardhmes.

Gjatë sesionit, ekspertët prezantuan temat e tyre përmes këtyre kontributeve:

Irfan Lipovica, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Akreditimit të Kosovës (DAK) – “Akreditimi si infrastrukturë e besimit: Nga kompetenca te njohja ndërkombëtare”.


Blerim Halabaku, menaxher i cilësisë në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës – “Roli i menaxherit të cilësisë në sigurimin e saktësisë, besueshmërisë dhe gjurmueshmërisë së rezultateve të matjeve”.

Prof. Maroš Finka, Universiteti Comenius në Bratislavë – “Modeli i katërfishtë i bashkëpunimit në ekosistemet e inovacionit: Rasti i Grupimit të Inovacionit për Transformim të Mençur në Sllovaki”.

Carlos Da Silva, ekspert kryesor në sistemet e integruara të menaxhimit, rrezikut dhe qeverisjes së inteligjencës artificiale – “Menaxhimi i integruar i biznesit dhe besimi në epokën e inteligjencës artificiale”.

Constantin Brescan, koordinator për sigurimin e cilësisë dhe auditimet e zinxhirit të furnizimit në Fusion for Energy – “Auditimet e cilësisë në zinxhirin e furnizimit – Fusion for Energy”.

Dr. Ömer Özkan, fitues i EQL 2025 – “Nga pajtueshmëria te besimi: E ardhmja e menaxhimit të cilësisë në epokën e inteligjencës artificiale”.

Luc Marivoet, menaxher i QHSE-së dhe partner në Pauwels Consulting – “Auditori i fuqizuar nga teknologjia: Si e forcon inteligjenca artificiale besimin, reziliencën dhe cilësinë përmes auditimit me në qendër njeriun”.

Merita Gjyshinca Peja, drejtoreshë financiare në Raiffeisen Bank Kosovo – “Rezilienca dhe vazhdimësia e biznesit në sisteme komplekse dhe të digjitalizuara”.

Genond Mesareja, kryetar i Bordit të Këshillit të Investitorëve Evropianë (EIC) – “Ndërtimi i organizatave rezistente: Udhëheqja, menaxhimi i rrezikut dhe vazhdimësia e biznesit në kohë ndryshimesh”.

Prof. Dr. Fisnik Laha, drejtues i laboratorëve të akredituar – “Matjet, besueshmëria dhe cilësia në sistemet shëndetësore dhe laboratorike”.

Përmes këtyre tematikave, sesioni theksoi rëndësinë e integrimit të standardeve të cilësisë me inovacionin teknologjik, menaxhimin e rrezikut dhe udhëheqjen efektive. Diskutimet nënvizuan gjithashtu rolin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, akademisë dhe sektorit privat në forcimin e besimit, rritjen e qëndrueshmërisë organizative dhe përgatitjen për sfidat e transformimit digjital.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Inovacioni në mjekësi: UBT sjell ekspertët botërorë në sesionin kyç të Kongresit të 67-të të EOQ-së

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), një vëmendje e jashtëzakonshme iu kushtua sesionit mbi shëndetin dhe performancën, i cili shërbeu si një platformë kyçe për të adresuar sfidat globale, rritjen e rezistencës së sistemeve shëndetësore dhe ngritjen e standardeve të cilësisë përmes inovacionit.

Ky sesion i rëndësishëm, i mbështetur dhe promovuar fuqishëm nga UBT, u moderua nga Prof. Dr. Milaim Berisha, duke mbledhur ekspertë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë për të sjellë qasje të avancuara në fushën e mjekësisë dhe mirëqenies njerëzore.

Punimet e këtij sesioni u hapën nga Dr. Ardita Baraku, Drejtore Nacionale e Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës, e cila theksoi rëndësinë e shëndetit publik, parandalimit efikas dhe nevojës parësore për ndërtimin e sistemeve shëndetësore rezistente ndaj sfidave të kohës.

Diskutimet vazhduan me kontributin e Prof. Dr. Norbert Bacht nga Universiteti i Vjenës, i cili u ndal tek aplikimi i teknologjive moderne, duke shpjeguar rolin kyç të inteligjencës artificiale në arritjen e një parandalimi sa më të saktë dhe funksional në mjekësi.

Në fokus të sesionit u sollën gjithashtu dimensionet e specializuara të performancës fizike dhe menaxhimit global. Prof. Dr. Milaim Berisha prezantoi standardet ndërkombëtare për mjekësinë sportive, duke vënë në pah ekselencën e kërkuar për shëndetin dhe performancën e atletëve.

Ky vizion u plotësua nga fjalimi kryesor i Ms. Fatema Z. Sumar nga Qendra e Harvardit për Zhvillim Ndërkombëtar, e cila e lidhi drejtpërdrejt forcimin e institucioneve të cilësisë me zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e qëndrueshëm shoqëror.


Pjesa e dytë e sesionit solli praktika të avancuara nga Azia, ku Assoc. Prof. Dr. Ryoko Shimono nga Universiteti Waseda prezantoi indikatorët gjithëpërfshirës të vlerësimit TQM në kujdesin shëndetësor, duke vizualizuar lidhjen mes qëllimeve dhe aktiviteteve të menaxhimit të cilësisë.

Ndërsa Dr. Shogo Kato nga Universiteti i Tokios shpalosi zhvillimin e një sistemi algoritmik për të ndihmuar në rehabilitimin e pacientëve pas goditjeve në tru në spitalet e rikuperimit, duke dëshmuar ndikimin e drejtpërdrejtë të inovacionit teknik në shërimin dhe përmirësimin e jetës së pacientëve.

Continue Reading

Lajmet

Inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital në fokus të Kongresit të 67-të të EOQ-së në UBT

Published

on

By

Inteligjenca artificiale, transformimi digjital, zhvillimi i qyteteve të qëndrueshme dhe cilësia e shoqërisë ishin në fokus të diskutimeve të ekspertëve ndërkombëtarë gjatë sesionit të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (European Organization for Quality – EOQ), që po mbahet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së. Sesioni u udhëhoq nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi.

Sesioni beri bashkë përfaqësues të industrisë, ekspertë të cilësisë dhe figura me përvojë në qeverisjen lokale, të cilët ndanë perspektivat e tyre mbi ndikimin e teknologjisë, inovacionit dhe qëndrueshmërisë në zhvillimin e standardeve të cilësisë dhe në transformimin e shoqërisë.

Dr. Daniel Prell nga Siemens Healthineers, në prezantimin me temë “AI, Digital Transformation and Quality in Highly Regulated Industries”, trajtoi rëndësinë e inteligjencës artificiale dhe transformimit digjital në industritë me kërkesa të larta rregullatore. Diskutimi vuri në pah rolin e cilësisë, sigurisë dhe besueshmërisë në integrimin e teknologjive të reja, veçanërisht në sektorët ku saktësia dhe përmbushja e standardeve janë thelbësore.

Ndërkaq, Ricardo Rio, përfaqësues i GeSI dhe ish-kryetar i Bashkisë së Bragës, prezantoi temën “Quality, Digitalization and Sustainable Cities: From Local Leadership to Global Impact”, duke trajtuar ndërlidhjen ndërmjet cilësisë, digjitalizimit dhe zhvillimit të qyteteve të qëndrueshme. Ai solli në vëmendje rëndësinë e lidershipit lokal dhe të zgjidhjeve digjitale në përmirësimin e qeverisjes dhe krijimin e ndikimit pozitiv në nivel global.

Një perspektivë afatgjatë mbi zhvillimin e cilësisë u prezantua nga akademiku Juhani Anttila, përfaqësues i International Academy for Quality (IAQ) dhe Venture Knowledgist në Quality Integration. Përmes prezantimit “A Long-Term Research Program on the Quality of Society”, ai trajtoi cilësinë si një koncept që shtrihet përtej proceseve organizative dhe institucionale, duke e lidhur atë me zhvillimin afatgjatë të shoqërisë dhe me nevojën për qasje sistematike në kërkim, vendimmarrje dhe përmirësim të vazhdueshëm.

Në vazhdim të sesionit, biseda plenare “What Will Quality Mean in 2030?” vuri në qendër të debatit të ardhmen e konceptit të cilësisë dhe mënyrën se si inteligjenca artificiale, inovacioni, qëndrueshmëria dhe besimi do të ndikojnë në standardet dhe praktikat e saj gjatë viteve të ardhshme.

Diskutimet theksuan se cilësia në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar kërkon integrimin e teknologjisë me përgjegjësinë, sigurinë, transparencën dhe orientimin drejt nevojave të shoqërisë. Shkëmbimi i përvojave ndërkombëtare krijoi një hapësirë të rëndësishme për reflektim mbi sfidat aktuale dhe mundësitë që ofron transformimi digjital për industrinë, institucionet dhe komunitetet.

Continue Reading

Të kërkuara