Kryeministri i Lituanisë i ka deklaruar BBC-së se vendi i tij ka hartuar plane evakuimi përballë kërcënimeve nga Rusia, por shtoi se “nuk do të dorëzohen” nëse sulmohen.
Kryeministri Mindaugas Sinkevičius tha për emisionin Newsnight se lituanezët ndihen “vazhdimisht të kërcënuar” nga Rusia, pjesërisht për shkak të hyrjes së dronëve në hapësirën e tyre ajrore.
Ai deklaroi se nëse vendi i tij sulmohet, “ne do të kundërpërgjigjemi… do të hyjmë në luftë”. Megjithatë, ai tha se ekzistojnë plane për “skenarë nga më të ndryshmit” dhe mori si shembull largimin e qytetarëve të moshuar nga qytetet “në mënyrë të qetë” dhe pa shkaktuar bllokime në trafik.
Lituania, anëtare e NATO-s, ndan kufi tokësor me enklavën ruse të Kaliningradit.
“Po mendojmë për skenarë të ndryshëm, jo të gjithë po diskutohen publikisht,” tha Sinkevičius për BBC-në. “Përballemi me kërcënime konkrete, ndoshta jo çdo ditë, por po i përjetojmë ato dhe kjo është një realitet i vërtetë për ne.”
Sinkevičius shtoi gjithashtu se Mbretërisë së Bashkuar i nevojitet një “ndryshim mendësie” sa i përket qasjes ndaj mbrojtjes, duke vënë në me dukje se Lituania është “më afër kufirit dhe më afër kërcënimit”.
Incidentet e shpeshta me dronë
Deklarata vjen vetëm një javë pasi pilotët e avionëve luftarakë të NATO-s rrëzuan një dron që hyri në hapësirën ajrore të Lituanisë. Megjithëse origjina e dronit nuk është konfirmuar zyrtarisht, Ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Robertas Kaunas, tha për emisionin Newshour se ai erdhi nga drejtimi i Bjellorusisë, fqinjit të Lituanisë dhe aleatit kyç të Rusisë.
Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Wes Streeting, u shpreh: “Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të forcave lituaneze dhe italiane, NATO edhe një herë dëshmoi gatishmërinë tonë për të mbrojtur hapësirën tonë ajrore. Ne qëndrojmë të bashkuar, 24 orë në ditë, në mbrojtje të çdo pëllëmbe të territorit të NATO-s.”
Moska nuk e ka komentuar këtë incident.
Shkeljet e hapësirës ajrore nga dronët ushtarakë janë bërë gjithnjë e më të shpeshta në mbarë Evropën që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia. Në maj, banorët e kryeqytetit të Lituanisë, Vilnius, u detyruan të strehoheshin pasi u aktivizua një alarm për dronë, gjë që pezulloi përkohësisht fluturimet dhe qarkullimin hekurudhor.
Po ashtu, gjatë këtij viti, avionët luftarakë të NATO-s janë ngritur me urgjencë disa herë për të rrëzuar dronë ukrainas të devijuar që kanë kaluar në vendet e tjera baltike, Estoni dhe Letoni.