Lajmet

​Kurti: Këtë vit pritet të merren vendime të rëndësishme në sektorin e energjisë

Published

on

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar sot se Kosova duhet të ketë një strategji të energjisë të koordinuar mirë me të gjithë akterët vendorë dhe ndërkombëtarë dhe që rezulton me rritjen e standardeve të jetesës për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kryeministri Kurti foli për rëndësinë e strategjisë për energjinë me rastin e hapjes së punëtorisë “Tranzicioni i drejtë energjetik në Kosovë”, të organizuar nga Ministria e Ekonomisë, me ç’rast theksoi se me implementimin e strategjisë së energjisë pritet të krijohen vende të reja të punës dhe të krijohen hapësira për investime.

Ai po ashtu tha se Kosova sikurse shumë vende të vogla në zhvillim, sot e gjen veten në mes të një krize klimatike globale të shkaktuar nga mosplanifikimi i qëndrueshëm dhe afatgjatë i burimeve natyrore, për çka theksoi se vihet sërish në pah nevoja për bashkëpunimin e të gjithëve për një kauzë të përbashkët.

“Si shtet e si vend jemi në vitin kur pritet të merren vendime të rëndësishme në sektorin e energjisë, vendime të cilat do ta definojnë këtë sektor jo vetëm për 10 vitet e ardhshme, por edhe më tej se aq. Kosova është në fazën e rishikimit të strategjisë së energjisë, hartimit të planit për energji dhe klimë si dhe rishikimit të legjislacionit në fushën e energjisë. Të gjitha këto nisma do të definojnë synimet tona. Qëllimi ynë është që strategjia e energjisë të jetë mirë e informuar, e zbatueshme dhe me objektiva të sakta dhe të matshme. Kosova nuk duhet të ketë një strategji vetëm qe të përmbushë kriteret legjislative, mirëpo një strategji e koordinuar mirë me të gjithë akterët vendorë dhe ndërkombëtarë, që rezulton në rritjen e standardeve të jetesës për të gjithë qytetarët e Kosovës. Meqë jemi në shërbim të qytetarëve, pritet që kjo strategji me implementim të krijojë vende të shumta pune, hapësirë për investime duke lehtësuar proceset, të aktivizojë shoqërinë përmes pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje si dhe të krijojë mundësi përfitimi për ta”, tha ai.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se një tranzicion i drejtë dhe i mbështetur nga të gjithë aketerët është çelësi për ta bërë një tranzicion të përballueshëm për qeverinë, qytetarët dhe vet ekonominë e Kosovës. Rizvanolli tha se sfidat e sektorit energjetik në Kosovë janë te shumta, teksa numëroi disa nga to.

“Investimet në këtë sektorë jo vetëm që kërkojnë fonde e kohë, por duhet të jenë mirë të planifikuara… Një tranzicion i drejtë dhe i mbështetur nga të gjithë aketerët është çelësi për ta bërë një tranzicion të përballueshëm për qeverinë, qytetarët dhe vet ekonominë e Kosovës. Prandaj, për zhvillimin e një politike të qëndrueshme energjetike në vendin tonë, është qenësore që të identifikojmë skenarët e duhur për një tranzicion energjetik dhe analiza e tyre kritike duke u bazuar në përputhshmërinë, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me energji si dhe qëndrueshmërinë dhe përballueshmërinë financiare”, tha ajo.

Punëtoria “Tranzicioni i drejtë energjetik në Kosovë” për sektorin e energjisë dhe koordinimin e donatorëve në Kosovë ka për qëllim informimin e vendimeve teknike dhe politike që do të merren gjatë procesit të finalizimit të Strategjisë Kombëtare të Energjisë.

Lajmet

IKShPK: Vaksinat kundër gripit sezonal arrijnë më 21 tetor, vonesa shkaktohet nga ndryshimet globale

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar qytetarët se kontingjenti i vaksinave kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të mbërrijë në Kosovë më 21 tetor 2026.

Sipas IKShPK-së, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave për hemisferën veriore ka pësuar vonesa globale për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara. Këto ndryshime ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në afatet e furnizimit si në nivel global ashtu edhe në vendet e rajonit, duke bërë që mbërritja e tyre në Kosovë të shtyhet për 21 ditë nga afati i parashikuar.

Instituti bëri me dije se po përcjell nga afër këtë proces dhe se me të pranuar kontingjentin do të njoftojë publikun për nisjen zyrtare të procesit të imunizimit.

“IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore”.

Me këtë rast, IKShPK u ka shprehur falënderim qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

 

Continue Reading

Lajmet

Rusia kërcënon NATO-n me armë bërthamore për rajonin e Kaliningradit

Published

on

By

Rusia i ka dërguar një paralajmërim të ashpër NATO-s, duke bërë të ditur se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj ushtarak, përfshirë armët bërthamore, nëse aleanca perëndimore ndërmerr hapa për të izoluar apo shkëputur enklavën ruse të Kaliningradit.

Në një dokument konfidencial (“non-paper”) të dërguar NATO-s, të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, Moska akuzon aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur” që rrit rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.

Në dokumentin diplomatik joformal, Moska bën të qartë se përgjigja ushtarake mund të përfshijë goditje të drejtpërdrejta brenda territorit të vendeve anëtare të NATO-s që nga fillimi i çdo përshkallëzimi:

“Rusia do të jetë gati të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, duke përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit.”

Dokumenti nëvizon gjithashtu mundësinë e “sulmeve ruse kundër qendrave të vendimmarrjes në shtetet anëtare të aleancës që nga fillimi i konfliktit.”

Përveç paralajmërimit konfidencial, ambasadat ruse në të paktën tre shtete evropiane kanë lëshuar deklarata publike gjatë tre ditëve të fundit. Ato akuzojnë NATO-n për nxitje të tensioneve përmes stërvitjeve ushtarake dhe skenarëve operativë që përfshijnë Kaliningradin — territorin e militarizuar rus që ndodhet gjeografikisht midis Polonisë dhe Lituanisë.

Nga ana tjetër, diplomatët rusë hodhën poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se Moska përbën kërcënim apo se po përgatit sulm ndaj ndonjë anëtari të NATO-s, si dhe mohuan akuzat për udhëheqjen e një “lufte hibride” përmes sabotimeve në Evropë. Sidoqoftë, pala ruse nënjëzogoi se çdo cenim ndaj Kaliningradit do të përballet me “përgjigjen më të fortë të mundshme”.

 

Continue Reading

Lajmet

15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026

Published

on

By

UBT ka shënuar rezultate të rëndësishme në Scholarly Index Top1000 Scholar 2026, ku 15 profesorë të universitetit janë renditur në vendin e parë në Kosovë në të paktën një temë kërkimore.

Në mesin e tyre janë:

Alban Kuriqi, Hyrije Koraqi, Ridvan Peshkopia, Visar Krelani, Gazmend Temaj, Pajtim Bytyçi, Burhan Reshat Rexhepi, Milaim Berisha, Kujtim Lepaja, Demokrat Nuha, Xhevahire Millaku, Liridon Kryeziu, Alfred Marleku, Nuredin Lutfiu dhe Kristina Perkola.

Këto renditje mbulojnë fusha të ndryshme të kërkimit, përfshirë inxhinierinë, ujërat dhe mjedisin, biznesin, shkencat sociale, shkencat ushqimore, arsimin, gjuhësinë dhe fusha të tjera.

Në nivel ndërkombëtar, profesorët e UBT-së kanë arritur gjithashtu pozita të larta. Prof. Dr. Alban Kuriqi ka shënuar pozitën më të lartë globale në mesin e profesorëve të UBT-së të paraqitur në këto renditje, duke u renditur i 8-ti në botë në temën “Hydrology and Sediment Transport Processes” për periudhën 2021–2025.

Po ashtu, Kristina Perkola është renditur #71 në botë, ndërsa Burhan Reshat Rexhepi #81, në temat e tyre përkatëse.

Këto rezultate tregojnë një prani të fortë të profesorëve të UBT-së si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, dhe përforcojnë dukshmërinë e universitetit në kërkimin shkencor.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT zhvillon sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e AI-së

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së është mbajtur dje një sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e Inteligjencës Artificiale, ku studentë dhe të interesuar të tjerë u njohën nga afër me programin, mundësitë profesionale dhe infrastrukturën moderne që ofron UBT.

Studentët u mirëpritën nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, dhe Drejtori i Infrastrukturës, Murat Retkoceri, ku prezantuan programin dhe mundësitë që ai ofron, ndërsa pjesëmarrësit vizituan ambientet e laboratorëve dhe u njohën nga afër me pajisjet dhe teknologjitë moderne që do të përdoren gjatë ligjëratave, ushtrimeve dhe punës praktike.

Programi i mbështetur nga Regional Challenge Fund, synon zhvillimin e aftësive profesionale në fushën e zhvillimit të aplikacioneve, duke e integruar Inteligjencën Artificiale në procesin e të nxënit dhe praktikës profesionale. Kualifikimi Profesional Zhvillues i Aplikacioneve është e orientuar drejt përgatitjes së profesionistëve për role në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe zhvillohet në katër semestra.

Përmes këtij programi, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi praktike në teknologji, programim dhe Inteligjencë Artificiale, krahas studimeve të tyre, në një mjedis të pajisur me infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore.

Continue Reading

Të kërkuara