Kulturë

​Kosova do ta ketë bibliotekën presidenciale “Dr.Ibrahim Rugova”

Published

on

Të gjithë librat e shkruar nga ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, po edhe librat që janë shkruar për të, artikuj e fotografi, do të mblidhen në bibliotekën presidenciale që do të mbajë emrin e tij.

Themelimi i kësaj biblioteke është iniciativë e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila sot ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me ministrin për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, e para e shtetit, Vjosa Osmani, tha se kjo ide është e bazuar në modelin amerikan të ndërtimit të bibliotekave presidenciale.

Qëllimi i kësaj biblioteke presidenciale, e që do të mbajë emrin “Dr.Ibrahim Rugova”, tha se ka për qëllim që ta mbajë kujtesën tonë historike dhe shtetërore dhe në veçanti përpjekjet e gjata të popullit të Kosovës për të ndërtuar shtetin e vet të pavarur dhe sovran.

“Është i bazuar në modelin amerikan të ndërtimit të bibliotekave presidenciale, kemi filluar me ndërtimin e bibliotekës presidenciale e cila do ta mbajë emrin e presidentit historik “Dr.Ibrahim Rugova” dhe e cila ka për qëllim që ta mbajë kujtesën tonë historike dhe shtetërore dhe në veçanti përpjekjet e gjata të popullit të Kosovës për të ndërtuar shtetin e vet të pavarur dhe sovran. Siç e përmenda kjo bazohet në modelin amerikan dhe rrjedhimisht kemi marrë përkrahje nga departamenti i shtetit amerikan, i cili do të dërgojë një ndër ekspertët më të njohur të saj për të ndihmuar që të kompletohet kjo bibliotekë duke u bazuar në këtë model”, tha ajo.

Presidentja Osmani deklaroi se Biblioteka Kombëtare, Muzeu, po edhe Arkiva Shtetërore, do të ndihmojnë që të punojnë së bashku për të zhvilluar fondet për bibliotekën. Ajo tha se Biblioteka Kombëtare do ta ofrojë të gjithë bibliografinë që e kanë të Ibrahim Rugovës, siç janë librat, artikujt e tij, por edhe të gjithë librat e artikujt që janë shkruar për të.

Lajm të rëndësishëm, Osmani e ka quajtur që familja e presidentit Rugova ka vendosur që të gjithë arkivin privat të presidentit t’ia vë në dispozicion kësaj biblioteke.

Sa i përket lokacionit se ku do të vendoset biblioteka presidenciale “Dr.Ibrahim Rugova”, Osmani tha se fillimisht do të vendoset në ndërtesën e Presidencës, e që më pas tha se së bashku me MKRS-në dhe ministritë e tjera të linjës, do të gjejnë një lokacion të përshtatshëm.

“Ekspertja që do të vijë nga Departamenti i Shtetit do të jetë në dispozicion të institucioneve tona në mënyrë që të mësojmë nga praktikat e atjeshme. Për momentin i gjithë fokusi është në mbledhjen e fondeve bibliotekare, arkivore, pra gjithçka që qoftë institucionet tjera edhe në këtë rast edhe familja Rugova dhe i falënderoj që kanë shprehur gatishmërinë, t’i mbledhim të gjitha ato materiale që tregojnë siç thash e tregojnë rrugën tonë të gjatë drejtë shtetit të pavarur sovran të Kosovës dhe memorien institucionale të këtyre përpjekjeve. Pra, në momentin që kemi fonde të mjaftueshme, besoj shumë shpejt do ta gjejmë edhe lokacionin e përshtatshëm për një bibliotekë të tillë, e cila do të jetë një vend ku edhe brezat e ardhshëm do të mund të mësojnë shumë për përpjekjet e gjata të gjithë qytetarëve të Kosovës të prirë në atë kohë deri më 2006 nga presidenti historik Ibrahim Rugova për shtetndërtim, paqe ndërtim po edhe procese të tjera jo të lehta në të cilat kemi kaluar”, tha ajo.

Ajo ka ftuar edhe të gjitha institucionet bibliotekare, arkivore dhe muzeore që të ofrojnë materiale siç janë librat, artikujt, revistat, fotografitë apo eksponantet e presidentit Rugova, sepse në këtë mënyrë Osmani u shpreh se do të ruhet kujtesa jonë dhe mbi të gjitha do të ruhen në kujtesën tonë historike përpjekjet e një populli të tërë për liri dhe pavarësi, e mbi të gjitha për shtetndërtim.

Në anën tjetër, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, tha se një bibliotekë e tillë përveç që nderon figurën e presidentit historik Ibrahim Rugova, nderon edhe Republikën e Kosovës.

“Për t’ia shtuar Kosovës një institucion të ri të dijes, të shkencës dhe studimit. Besoj që duke e krijuar këtë institucion dhe duke e pagëzuar me emrin e presidentit historik Ibrahim Rugova, ne përveç që nderojmë figurën e tij nderojmë edhe kombin edhe Republikën e Kosovës. Si ministri e Kulturës bashkë me institucionet që janë pjesë e ministrisë, me Bibliotekën Kombëtare, Muzeun Kombëtar të Kosovës, Arkivin Shtetëror dhe të gjitha pjesët përbërëse do të jemi në dispozicion dhe do ta marrim me shumë seriozitet këtë detyrë kaq të rëndësishme dhe fisnike në të njëjtën kohë. Prandaj, përveç se kënaqësi ne ndjejmë edhe obligim që t’i përgjigjemi kësaj nisme dhe të bëhemi pjesë e bibliotekës presidenciale Ibrahim Rugova”, tha ai.

Osmani, u është përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve sa i përket besueshmërisë së qytetarëve në institucionin e Presidentit të Kosovës.

“Në këtë rast nuk është zyre partizanësh, e para. E dyta, më lejoni t’iu informoj që kurrë më herët nuk ka pasur bibliotekë presidenciale, prandaj është e çuditshme t’iu dëgjoj të thoni që janë shtuar bibliotekat kur në fakt është hera e parë që po themelohet. Një bibliotekë presidenciale gjë që mund të konfirmohet shumë lehtë dhe e treta, nuk është e vërtetë që po ulet besueshmëria në Zyrën e presidentit, sipas hulumtimit të fundit të financuar nga qeveria amerikane, ne këtë rast besoj ju si gazetarë do të duhej ta hulumtonit, tani Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës e ka nivelin më të lartë të besueshmërisë që e ka pasur që nga momenti i parë kur kanë filluar të bëhen hulumtime opinionesh. E vërteta është që po rritet besueshmëria e jo që po ulet, dhe e vërteta tjetër është që nuk ka pasur kurrë më herët bibliotekë presidenciale, është hera e parë që po ndërtohet nga institucionet tona”, tha Osmani.

Lajmet

“WALL NOT I”, projekt artistik në Muzeun e Burgut të Prishtinës

Published

on

Një ligjëratë performative dhe videoinstalacion i frymëzuar nga vepra e shkrimtarit Samuel Beckett do të prezantohet më 16 tetor në Muzeun e Burgut të Prishtinës – Burgu i Idealit.

Projekti “WALL NOT I”, i realizuar nga autori dhe përkthyesi Idlir Azizaj dhe artisti Mentor Berisha, nis në orën 19:00 dhe ndërthur ligjëratën, imazhin dhe videoinstalacionin për të eksploruar raportin mes trupit, hapësirës, kujtesës dhe rrëfimit.

Përmes dialogut mes veprës së Beckettit dhe historisë së Burgut të Idealit, projekti trajton temat e mbylljes, mungesës së lirisë dhe rezistencës njerëzore.

Aktiviteti do të mbahet më 16 tetor 2026, duke filluar nga ora 19:00, në Muzeun e Burgut të Prishtinës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ekspozita “Venetiku: Gjurmëve të një fondi fotografik” hapet në Muzeun “Marubi”

Published

on

Historia e studios fotografike Venetiku në Korçë dhe gjurmët e saj në trashëgiminë fotografike shqiptare do të prezantohen përmes ekspozitës “Venetiku: Gjurmëve të një fondi fotografik”, e cila hapet të premten, më 16 tetor, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër.

E kuruar nga Mikaela Minga, ekspozita sjell historinë e studios, njerëzve që e krijuan dhe e trashëguan atë, si dhe lidhjen e tyre me qytetin dhe zhvillimet historike e shoqërore të kohës.

Përmes kërkimeve arkivore dhe dokumenteve historike, ekspozita synon të rindërtojë historinë e fondit fotografik dhe të familjes Venetiku, duke u përqendruar veçanërisht te Krisanthi Venetiku, përfaqësuesja e fundit e studios.

Përveç vlerave fotografike dhe dokumentare, ekspozita trajton lidhjen mes fotografisë, kujtesës dhe historisë, duke përfshirë dokumente që dëshmojnë përndjekjen politike të pjesëtarëve të familjes Venetiku gjatë regjimit komunist.

Materialet arkivore tregojnë se si rrethanat historike ndikuan në jetën e fotografëve dhe në fatin e trashëgimisë që lanë pas.

Ekspozita organizohet në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Hapja do të bëhet më 16 tetor, në orën 18:00, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Dua” dhe “Shame and Money” në listën e ngushtë për Çmimet Evropiane të Filmit 2027

Published

on

Dy filma kosovarë, “Dua”, me regji të Blerta Bashollit, dhe “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, janë përzgjedhur në listën e ngushtë për Çmimet Evropiane të Filmit 2027, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm për kinematografinë e Kosovës.

Ndër vite, disa produksione vendore kanë qenë pjesë e përzgjedhjeve të kësaj gare, në kategori dhe faza të ndryshme.

Në kategorinë e filmave të gjatë artistikë, “Babai”, me regji të Visar Morinës, dhe “Tri dritare dhe një varje”, me regji të Isa Qosjes, u përzgjodhën në vitin 2015. Në vitin 2021, në këtë rrugëtim u përfshi edhe filmi “Zgjoi”, i regjisores Blerta Basholli.

Edhe filmat e shkurtër kosovarë kanë shënuar pjesëmarrje të rëndësishme. “Në mes” dhe “Rrugës”, të Samir Karahodës, u përzgjodhën për garën evropiane përkatësisht në vitet 2020 dhe 2024, ndërsa “I Believe the Portrait Saved Me”, me regji të Alban Mujës, ishte pjesë e përzgjedhjes për vitin 2026.

Një tjetër sukses ishte filmi “Home”, me regji të Daniel Mulloy, i cili në vitin 2016 u përfshi mes 15 filmave të nominuar për çmimin e filmit të shkurtër evropian. Në vitin 2021, “Pa vend”, me regji të Samir Karahodës, arriti në fazën finale si njëri prej pesë filmave të nominuar.

Ndërkaq, filmi “Kthimi”, me regji të Blerta Zeqirit, u përzgjodh nga Festivali i Sarajevës për garën evropiane të filmit të shkurtër në vitin 2012, por më pas u tërhoq nga gara.

Përzgjedhja e “Dua” dhe “Shame and Money” për edicionin e vitit 2027 i jep kinematografisë kosovare një tjetër mundësi për të prezantuar historitë e saj para publikut evropian dhe për të vazhduar rrugëtimin në skenën ndërkombëtare./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“I Believe the Portrait Saved Me”, vlerësim për filmin e Alban Mujës në DOKUBAKU 2026

Published

on

Filmi dokumentar “I Believe the Portrait Saved Me” (Mua besoj se portreti më shpëtoi), me regji të artistit kosovar Alban Muja, është nderuar me përmendje të veçantë nga çmimi iHuman Award në edicionin e dhjetë jubilar të festivalit DOKUBAKU 2026, në kategorinë DOKUSHORT për dokumentarin më të mirë të shkurtër ndërkombëtar.

Juria vlerësoi mënyrën se si rrëfimi i filmit kalon nga hutimi fillestar drejt një përjetimi të thellë emocional, duke zbuluar gradualisht kuptimet e një klase të pazakontë. Filmi trajton fuqinë e artit dhe mënyrën se si portretizimi e krijimi artistik shndërrohen në instinkt mbijetese përballë barbarisë së luftës.

Sipas vlerësimit të jurisë, fotografia e filmit shmang romantizimin e luftës dhe, përmes kompozimit të kujdesshëm të kuadrove dhe trajtimit të ngjyrave, përcjell peshën e saj dramatike. Juria veçoi edhe aftësinë e regjisorit për të përmbledhur një përmbajtje kaq të thellë dhe një ndikim të fuqishëm vizual në vetëm dhjetë minuta, duke e vlerësuar filmin me përmendje të veçantë.

Ky vlerësim përbën një tjetër prezantim të krijimtarisë së Alban Mujës në skenën ndërkombëtare të filmit dokumentar./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara