Lajmet

​Hoti: Serbia po bën lojë me çështjen e të zhdukurve

Ai vlerëson se nuk duhet të përsëritet ajo çfarë ka ndodhur në Rudnicë dhe Kizhevak të Serbisë.

Published

on

Kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë për çështjen e personave të zhdukur, Andin Hoti deklaroi se Bashkimi Evropian duhet të garantojë që çështja e personave të pagjetur të marrë epilog para një marrëveshjeje finale mes dy vendeve. Ai për KosovaPress deklaron se Serbia po bën lojë me këtë çështje duke mos ofruar informacione të sakta për mbi 1600 persona të zhdukur.

Para fillimit të gërmimeve në lokacionet ku supozohet se ka varreza masive në Serbi, Hoti thotë se duhet të sigurohen imazhet satelitore. Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit vlerëson se nuk duhet të përsëritet ajo çfarë ka ndodhur në Rudnicë dhe Kizhevak të Serbisë.


“Fatkeqësisht 2700 gërmime janë bërë deri më sot dhe janë 1600 persona të zhdukur. Çfarë do të thotë kjo është se sfidë të madhe kemi mungesën e informacionit të saktë. Mungesën e informacionit të duhur se ku mund të janë këta persona të zhdukur. Nuk flas vetëm për varreza masive apo individuale, por edhe për informacione të personave të tjerë që jo medoemos i kanë vrarë në luftë, i kanë marrë të gjallë. Ne kemi dëshmi të shumta që shumë persona janë marrë të gjallë prej Kosovës dhe nuk dihet më fati i tyre çfarë ka ndodhur deri më sot”, deklaroi Hoti.

Andin Hoti, i cili kërkon informacion edhe për babin e tij Ukshinin, thotë se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve, pa u ballafaquar Serbia me të kaluarën. Sipas tij, adresa e vetme për këto krime është Beogradi, meqë shumë prej udhëheqësve gjatë kohës së luftës janë në pozitë edhe tani.

“Mungesa e informacionit të saktë, vjen si pasojë e lojës së Serbisë që edhe pas 22 vitesh të trajtohet çështja e personave të zhdukur me forcë në formë politike. Ata ende luajnë politikë me këtë çështje, ende nuk servojnë informacione të sakta për krimet që i kanë bërë, por mundohen që përmes disa dokumenteve false, ndonjëherë të manipuluara, të na japin informacione që rezultojnë natyrisht me jo gjetje. Serbia ende sot nuk e shprehet e gatshme të bashkëpunojë me ne dhe të ballafaqohet me të kaluarën”, shton ai.

Hoti thekson se gjatë vitit të kaluar ka pasur mbi 100 takime me ndërkombëtarët për të adresuar çështjen e personave të zhdukur. Në të gjitha ato takime, ai zotohet se ka kërkuar zbardhjen e fatit të personave të pagjetur dhe hapjen e të gjitha dokumentacioneve të luftës që posedon Serbia.

“Neve na duhet një presion më i madh dhe një bashkëpunim më i madh i faktorit ndërkombëtar. Sepse ne nuk kemi mundësi dhe trysni për presionin ndaj Serbisë. Ne këtë gjë e dimë. Është faktori ndërkombëtar, Bashkimi Evropian, ShBA-të, Britania e Madhe që janë mike të Kosovës që ato duhet të kthejnë fokusin më shumë dhe të rrisin presionin më shumë me kushtëzim ndaj Serbisë, në mënyrë që kjo çështje të ketë epilog”, deklaron më tej.

Në marrëveshjen e veçantë për personat e zhdukur, ai shton se Kosova nuk mund të jetë palë.

“Përveç kërkesës për dokumentacionet dhe arkivave të tyre, ne kemi kërkesën edhe ndaj Brukselit dhe Bashkimit Evropian që të jenë garantues. Ne e kemi provuar, janë 22 vjet, janë 16 vjet takime bilaterale me Serbinë dhe ne kemi provuar që ende janë 1600 persona të zhdukur dhe po e shohim rezultatin. Prandaj ne kërkojmë dhe është e nevojshme shumë që Brukseli të jetë garantues i takimeve tona me Serbinë. Brukseli duhet të garantojë për neve që çështja e personave të zhdukur para marrëveshjes përfundimtare duhet të marrë një epilog”, thekson ai.

Më tej, çështja e 300 mbetjeve mortore të paidentifikuara që ndodhën në morgun e Prishtinës, thotë se duhet të marrë fund këtë vit.

Kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për të zhdukurit, Andin Hoti shprehet se pritet të fillojnë gërmimet në Shtavall të Serbisë dhe që kanë informacione edhe për shumë varreza të tjera masive.

Gjatë vitit të kaluar, familjarëve u janë dorëzuar për varrim, eshtrat e vetëm 25 personave. Në Kizhevak të Serbisë janë identifikuar mbetjet mortore të nëntë personave, shtatë të reja dhe dy ribashkim. 

Lajmet

B2 dhe A3 të KEK-ut pritet të rikthehen në operim gjatë mbrëmjes

Published

on

By

Dy njësitë e Korporatës Energjetike të Kosovës B2 dhe A3, priten të kthehen në operim gjatë mbrëmjes.

Kështu deklaroi ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ajo këtë e bëri të ditur, pas një takimi që ka zhvilluar me menaxhmentin e KEK-ut mbrëmë, ndërsa që në operim janë tri njësi (B1, A4 dhe A5) të Korporatës Energjetike të Kosovës ndërsa ekipet teknike janë të angazhuara me tri ndërrime, 24 orë pandalur, për t’i rikthyer sa më shpejt në operim edhe njësitë B2 dhe A3.

Nga KEK-u presim që gjatë kësaj periudhe të ftohtë kur kërkesa është e lartë, të punojë me 5 blloqe. Ndonëse kjo është sfiduese, TC “Kosova A” ka operuar me të tri njësitë njëkohësisht për 22 ditë që nga 19 dhjetori deri më sot, për çfarë i jemi falënderues secilit punëtor e menaxher, që janë shtylla e sistemit tonë elektroenergjetik. Për krahasim, për 25 vjetët e kaluar KEK-u ka punuar me 5 njësi vetëm 55 ditë në total. Nga menaxhmenti dhe nga çdo punonjës i KEK-ut pres angazhim dhe përgjegjësi maksimale për t’i sjellë të gjitha njësitë në operim dhe për t’i mbajtur në operim gjatë këtyre muajve të ftohtë”, ka shkruar ajo.

Kurse, të hënën ka publikuar një video ku shihen punëtorët e KEK-ut duke punuar dhe ka bërë thirrje për kursim të energjisë.

Continue Reading

Lajmet

Gazetaria hulumtuese si mision jetësor: Libri i Musa Sabedinit, kurorë e një përvoje mbi 35-vjeçare

Published

on

By

Gjilan – Në një kohë kur e vërteta vihet vazhdimisht në provë, kur gazetaria përballet me presione politike, ekonomike dhe teknologjike, dhe kur interesi publik shpesh mbetet në hije, gazetaria hulumtuese mbetet një nga format më të larta të guximit profesional dhe përgjegjësisë shoqërore. Pikërisht në këtë kontekst, libri “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale” i profesorit, gazetarit dhe studiuesit të medias Musa Sabedini vjen si një akt profesional, intelektual dhe moral, që dëshmon se gazetaria e vërtetë nuk është vetëm profesion, por mision jetësor në shërbim të së vërtetës dhe demokracisë.

Duke qenë për dekada të tëra pjesë aktive e gazetarisë hulumtuese dhe autor i një sërë hulumtimesh që kanë shënuar debat publik në Kosovën e pasluftës, profesori, gazetari dhe studiuesi i medias Musa Sabedini ka theksuar se libri i tij më i ri, me titull “Gazetaria Hulumtuese: Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”, përfaqëson përmbylljen dhe kurorëzimin e një përvoje profesionale mbi 35-vjeçare në gazetari, me fokus të veçantë në gazetarinë hulumtuese.

Autori ka vlerësuar se finalizimi i këtij projekti jetësor nuk ka qenë një proces i lehtë, por as i pamundur, duke nënvizuar se përkushtimi afatgjatë ndaj profesionit dhe misionit të gazetarisë hulumtuese ka qenë shtysa kryesore për realizimin e tij.

Si autor i katër librave universitarë në fushën e medias, profesori Sabedini ka theksuar se kjo vepër është ndër të parat në hapësirën shqiptare që trajton në mënyrë të thelluar, sistematike dhe me pedantëri shkencore e praktike rolin, misionin dhe dimensionet e gazetarisë hulumtuese, duke ndërlidhur përvojën e drejtpërdrejtë nga terreni me reflektimin akademik.

“Libri nuk është vetëm një manual, por një udhëtim përmes përvojave reale, sfidave, rreziqeve dhe dilemave etike me të cilat përballet çdo gazetar në kërkim të së vërtetës. Përvoja ime profesionale, çmimet e fituara, kërcënimet me vdekje të evidentuara në mbi 35 raste për temat hulumtuese që kam trajtuar, si dhe presionet e përjetuara për vite me radhë, janë bërë bazë e fortë për përmbajtjen e këtij libri. Ai përfshin analiza konkrete, përkufizime teorike, udhëzime metodologjike dhe shembuj praktikë që ndihmojnë studentët dhe profesionistët të kuptojnë më thellë thelbin e gazetarisë hulumtuese. Libri është ndërtuar mbi një arkiv të pasur prej dekadash pune, i pasuruar me përvojën time akademike si ligjërues në Kolegjin UBT, ku për vite kam pasur fatin të ndaj dije dhe përvojë me studentët e gazetarisë. Ky rrugëtim është forcuar më tej përmes pjesëmarrjes në 14 konferenca ndërkombëtare dhe përmes punës kërkimore që më ka mundësuar të bashkoj praktikën me reflektimin shkencor”.

101 pyetje dhe 101 udhëzime, boshti etik dhe praktik i librit

Një nga veçantitë kryesore të librit, sipas autorit, janë 101 pyetjet dhe 101 udhëzimet, të ndërtuara si një udhërrëfyes etik, ligjor, psikologjik dhe profesional për gazetarët hulumtues, veçanërisht për studentët dhe gazetarët e rinj.

Këto pyetje nuk pasqyrojnë vetëm dilemat profesionale, por edhe përgjegjësinë morale që shoqëron çdo proces hulumtues. Ato janë personale, origjinale dhe burimore, të ndërtuara mbi përvojën e autorit, e cila përfshin edhe mbi 35 kërcënime me vdekje të evidentuara gjatë trajtimit të temave hulumtuese.

Në parathënien e librit, profesori Sabedini ka vënë theksin te një nga veçantitë kryesore të veprës: 101 pyetjet dhe 101 udhëzimet për gazetarinë hulumtuese, të cilat synojnë të shërbejnë si bazë orientuese për gazetarët e rinj, por edhe si instrument reflektimi për profesionistët me përvojë.

“Këto pyetje nuk pasqyrojnë vetëm dilemën profesionale të një gazetari hulumtues, por edhe dimensionet etike, ligjore, psikologjike dhe logjistike të procesit hulumtues. Ato synojnë të shërbejnë si një ‘udhërrëfyes etik dhe praktik’ për çdo gazetar hulumtues, veçanërisht për studentët e gazetarisë në të gjitha nivelet e studimit. Këto pyetje dhe këshilla janë personale, origjinale dhe burimore. Ato burojnë nga koncepti im profesional dhe nga rruga e gjatë, me shumë sfida dhe sakrifica, që kam kaluar si gazetar hulumtues në Kosovë dhe më gjerë”.

Një nga veprat e para shkencore – praktike në gazetarinë hulumtuese shqiptare

Si autor i katër librave universitarë në fushën e medias, Sabedini vlerëson se ky botim është ndër të parët që trajton me pedantëri shkencore dhe përvojë praktike misionin, rolin dhe dimensionet e gazetarisë hulumtuese, duke ndërlidhur punën në terren me reflektimin akademik.

Libri nuk konceptohet thjesht si manual profesional, por si një udhëtim i dokumentuar përmes përvojave reale, rreziqeve, dilemave etike dhe sfidave me të cilat përballet çdo gazetar në kërkim të së vërtetës. Ai mbështetet në një arkiv të pasur dekadash pune, në përvojën e autorit si ligjërues në Kolegjin UBT dhe në pjesëmarrjen e tij në 14 konferenca ndërkombëtare, ku ka bashkuar praktikën me kërkimin shkencor.

Sipas autorit, libri tejkalon kornizën e një botimi profesional dhe shndërrohet në një rrëfim të thellë mbi përvojën, pasionin dhe përkushtimin ndaj gazetarisë si mision jetësor.

“Libri ka ardhur si rezultat i njohjes së thellë dhe përjetimit shpirtëror të botës digjitale dhe online, që sjell rreziqe sa delikate e sfiduese, aq edhe të shpejta dhe dobiprurëse për botën bashkëkohore. Është një ftesë për të gjithë ata që besojnë se e vërteta meriton të zbulohet, pavarësisht pengesave dhe rreziqeve që ajo sjell”.

Gazetaria hulumtuese si shtyllë e demokracisë

Sipas Sabedinit, gazetaria hulumtuese është më shumë se profesion, ajo është një mision që bart rrezik real dhe përgjegjësi shoqërore. Ajo mbetet zëri i atyre që nuk kanë zë, mbrojtëse e interesit publik dhe një nga shtyllat më të shenjta të demokracisë moderne, sepse zbardh afera, ndriçon padrejtësi dhe nxit llogaridhënie institucionale.

Në një realitet ku informacioni manipulohet dhe presionet politike e ekonomike mbi mediat janë në rritje, autori vlerëson se gazetaria hulumtuese duhet të mbrohet dhe të avancohet si e mirë publike, me mbështetje institucionale, shoqërore dhe qytetare.

Në këtë kontekst, profesori Sabedini ka theksuar se çdo hulumtim bart në vete një mision, dhe çdo mision nënkupton rrezik real, duke e konsideruar gazetarinë hulumtuese si një profesion që ushqehet nga e vërteta dhe drejtësia dhe që mbetet në shërbim të shoqërisë dhe interesit publik.

“Ky përkufizim i thjeshtë mjafton për të kuptuar thelbin e gazetarisë hulumtuese, një profesion që jeton gjatë, sepse rrënjët e saj ushqehen nga e vërteta dhe drejtësia. Gazetaria hulumtuese është dhe do të mbetet në shërbim të shoqërisë, zëri i atyre që nuk kanë zë, mbrojtësja e guximshme e së vërtetës dhe e çdo njeriu që përballet me padrejtësi, pavarësisht nëse ajo vjen nga individë, grupe kriminale apo struktura të kriminalizuara institucionale”.

Një vepër për brezat e rinj

Me 718 faqe dhe i botuar nga Kolegji UBT, libri u dedikohet mbi të gjitha studentëve dhe gazetarëve të rinj, të cilët dëshirojnë të merren me këtë zhanër sfidues, të rrezikshëm, por thelbësor për shoqërinë.

“Mos e pyesni kurrë veten se çfarë sakrifice kërkon gazetaria hulumtuese; brengosuni për atë që mund t’i ofroni publikut,” thekson Sabedini, duke e përmbyllur librin si një thirrje për guxim, integritet dhe besnikëri ndaj së vërtetës./rajonipress/

Continue Reading

Lajmet

Rikthehen reduktimet e rrymës

Published

on

By

Të martën, një pjesë e vendit u përball sërish me reduktime të rrymës. Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike – KESCO ka njoftuar se, reduktimet u rikthyen për shkak të kushteve të vështira dimërore.

Kjo ka ardhur si pasojë e temperaturave të ulëta dhe rritjes së konsiderueshme të konsumit të energjisë elektrike, për shkak të përdorimit të shtuar për ngrohje”, thuhet në njoftimin e KESCO.

Aty, po ashtu thuhet se, sistemi elektroenergjetik i Kosovës po operon aktualisht në kushte të vështira, ndërsa prodhimi vendor i energjisë është i kufizuar, duke detyruar një rritje të nevojës për import. “Megjithatë, mundësitë për sigurimin e energjisë nga importi janë të kufizuara për shkak të kushteve teknike të sistemit elektroenergjetik në të cilin operon Kosova, duke e bërë të vështirë mbulimin e plotë të kërkesës në çdo moment.”

KESCO ka theksuar se po shfrytëzon të gjitha mundësitë për sigurimin e energjisë, përfshirë kontratat afatgjata dhe blerjet në tregjet afatshkurtra, por në periudha të tilla, mbulimi i plotë i kërkesës është i pamundur. Për këtë arsye, kompania ka apeluar tek konsumatorët për të kursyer energjinë elektrike, duke ndërmarrë masa konkrete për reduktimin e përdorimit të saj, veçanërisht gjatë orëve të pikut.

Reduktimet e energjisë janë të domosdoshme për të ruajtur stabilitetin e sistemit elektroenergjetik dhe për të siguruar furnizim të vazhdueshëm me energji për të gjithë qytetarët. Kjo është një periudhë sfiduese, por ne mbetemi të angazhuar për të përmbushur obligimet tona ndaj konsumatorëve”, thuhet në njoftim.

Për të lehtësuar situatën, KESCO ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve dhe institucioneve për të kursyer energjinë dhe për të kontribuar në ruajtjen e stabilitetit të sistemit. Kompania po punon gjithashtu në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet relevante për të minimizuar ndikimin e mundshëm të reduktimeve në jetën e përditshme të qytetarëve.

Mes tjerash, KESCO ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, derisa ka apeluar për kujdes të shtuar në përdorimin e energjisë elektrike.

Continue Reading

Lajmet

Vrasja e Auron Thaqit, nesër vazhdon seanca ndaj dy të akuzuarve

Published

on

By

Nesër në Gjykatën Themelore të Prizrenit do të vazhdojë seanca në rastin e vrasjes së Auron Thaqit.

Seanca do të mbahet me fillim nga ora 13:00.

Në këtë rast akuzohen dy persona, Enes Ay dhe Hajrullah Brcani.

I riu Auron Thaqi, vdiq më 7 korrik 2024, pasi ishte plagosur rëndë me thikë.

Ai ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Continue Reading

Të kërkuara