Lajmet

​Hill: ShBA mbështet përpjekjet e BE-së për të arritur zgjidhje në dialogun Kosovë-Serbi

“Problemi ka vazhduar për një kohë shumë të gjatë dhe është koha për përparim”, u tha Hill gazetarëve.

Published

on

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka deklaruar se SHBA-ja mbështet Bashkimin Evropian në përpjekjet për të arritur një zgjidhje në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. “Problemi ka vazhduar për një kohë shumë të gjatë dhe është koha për përparim”, u tha Hill gazetarëve në Forumin Rajonal për Evropën dhe Euroazinë – EducationUSA në Beograd, transmeton Beta.

Ambasadori amerikan nuk ka dashur të komentojë planin e pretenduar për kornizën e re të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila është hartuar pas angazhimit të të dërguarve nga Gjermania dhe Franca.

“Nuk më takon mua të komentoj propozimet, përveçse të them se ShBA-ja mbështet BE-në, e cila po përpiqet shumë të gjejë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë dhe kjo nuk është e lehtë”, tha Hill.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 10 shtator se diplomatët evropianë kanë propozuar “kornizë të re” për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Përfaqësuesi special i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, në reagimin e tij, tha se është i befasuar nga njoftimet e tilla.

Në fillim të shtatorit, Hill, u ka thënë gazetarëve në Beograd se është inkurajues përparimi i arritur mes Kosovës dhe Serbisë në 10 ditët e fundit. Nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, më 27 gusht, Serbia dhe Kosova arritën marrëveshje për dokumentet për hyrje/dalje.

Sipas saj, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për të hequr dokumentet shtesë, kur qytetarët të hyjnë në territorin e njëra-tjetrës.

Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për lëvizje të lirë prej vitit 2011. Serbia e ka zbatuar atë menjëherë dhe për 11 vjet u ka lëshuar qytetarëve të Kosovës këtë lloj dokumenti.

Kur Qeveria e Kosovës ka vendosur ta zbatojë këtë pikë të marrëveshjes më 1 gusht, serbët në veri të Kosovës kanë rritur tensionet përmes vendosjes së barrikadave. Qeveria e Kosovës ka shtyrë më pas zbatimin e vendimit për 1 shtator, mirëpo ndërkohë palët janë marrë vesh për moslëshimin e tyre.

“Shpresoj se marrëveshjet do të vazhdojnë, siç ishte rasti me dokumentet personale. Dhe Kosova dhe Serbia të kanë një të ardhme shumë më të mirë”, tha Hill në atë kohë.

“Raporti është i shkruar në 50 faqe dhe liston aktivitetet në kuadër të përgatitjes dhe realizimit të negociatave”, përfshirë: Asociacionin e komunave me shumicë serbe, policinë, gjyqësorin, energjinë, odat ekonomike, transportin e mallrave të rrezikshme, si dhe të zhdukurit, që gjenden në kapitullin e fundit.

Seanca ka zgjatur dy ditë dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë prezantimeve të tij u ka përsëritur deputetëve se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, më 15 shtator zhvilloi takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimi.

Ai tha se qëllim i vizitës së tij në Prishtinë është “çuarja përpara” e këtij procesi. Lajçak tha se në takim u bisedua për “vazhdimin e dialogut” dhe për takimin e ardhshëm të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit në Bruksel më 18 gusht./REL/

Lajmet

Osmani: Epopeja e UÇK-së, kushtrimi që zgjoi ndërgjegjen e botës dhe drejtoi historinë tonë

Published

on

By

Në një seancë solemne të Kuvendit të Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani Sadriu ka nderuar sakrificën e familjes Jashari, duke e cilësuar marsin si muajin që ndryshoi përgjithmonë fatin e popullit të Kosovës. Sipas saj, ngjarjet e vitit 1998 në Prekaz ishin pika ku liria triumfoi mbi frikën.

“Marsi, që në mitologjinë e lashtë simbolizonte luftën dhe guximin, ishte muaji i përballjeve të cilat vendosën drejtimin e historisë sonë,” u shpreh Presidentja, duke shtuar se pikërisht më 5, 6 dhe 7 mars, në zemër të Prekazit, historia mori një rrugë të re.

Gjatë fjalimit të saj, Osmani vuri theksin te figura e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, i cili bashkë me familjen e tij u bënë simbol i pathyeshmërisë. Ajo theksoi se zgjedhja e tyre ishte e qartë: “Ata zgjodhën sakrificën përpara përkuljes, lirinë para frikës e mbi të gjitha, ata zgjodhën nderin para jetës.”

Sipas Presidentes, tri ditët e Epopesë nuk ishin thjesht një betejë, por një akt ringjalljeje kombëtare që bëri jehonë në mbarë globin.

“Krisa e armëve nuk ishte vetëm zhurmë baruti, por thirrje për liri. Ky ishte kushtrimi që zgjoi Drenicën, Kosovën e mbarë kombin, e po ashtu zgjoi ndërgjegjen e gjithë botës,” deklaroi ajo.

Në mbyllje, Osmani kujtoi se liria që gëzojmë sot i ka rrënjët te 58 martirët e kësaj familjeje, të cilët u shndërruan në dritë për popullin. Ajo porositi se kullat e Jasharëve do të mbeten përjetësisht “flamuri i lirisë sonë”, para të cilit institucionet dhe qytetarët do të përkulen gjithmonë me nderim.

Continue Reading

Lajmet

Kurti në mbledhjen solemne: Epopeja e UÇK-së, kthesa që bashkoi popullin drejt lirisë

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje solemne në nderim të 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti, gjatë fjalës së tij para kabinetit qeveritar, e ka cilësuar këtë ngjarje si pikën më tronditëse dhe vendimtare të historisë sonë bashkëkohore, e cila ndryshoi përgjithmonë vetëdijen kombëtare.

Duke reflektuar mbi rezistencën e pamohueshme në Prekaz, Kurti vuri në dukje se historia evropiane nuk njeh një rast të ngjashëm. “Në analet e historisë së Evropës nuk mund të gjendet një rast i vetëm kur për tre ditë e tre net rresht i bën rezistencë një familje liridashëse autoktone, një shteti policor e okupator”, deklaroi ai, duke kujtuar përballjen e pabarabartë të familjes Jashari me makinerinë e rëndë ushtarake serbe.

Sipas kryeministrit, forca e kësaj ngjarjeje qëndron te vendimi kolektiv i familjes për të sakrifikuar gjithçka. Ai theksoi se liria e sotme nuk është rastësi, por fryt i një qëndrese të vetëdijshme. “Ata qëndruan tok së bashku nga bindja se liria kërkon sakrificë, e cila nis nga vetja”, u shpreh Kurti, duke shtuar se kullat e Jasharëve u shndërruan në simbol të unitetit shqiptar.

Në mbyllje të fjalës së tij, kreu i ekzekutivit bëri thirrje që kjo trashëgimi të mos mbetet vetëm në kujtesë, por të shërbejë si udhërrëfyes për të ardhmen e shtetit.

“Liria që gëzojmë sot është ndërtuar mbi qëndresën e atyre që nuk u tërhoqën dhe nuk njohin dorëzim”, tha ai, duke premtuar se Qeveria do të punojë që ky thesar kombëtar të dokumentohet dhe t’u përcillet brezave të rinj si frymëzim për forcimin e sovranitetit të Republikës.

 

Continue Reading

Lajmet

Si njoftuan mediat në shqip për zhvillimet në Prekaz më 5 mars 1998

Published

on

By

Lufta në Prekaz zuri vendin dominant në lajmet e datës 5 mars 1998. E kuptueshme. Përballë propagandës së Serbisë, gazetarët shqiptarë kryen me shumë sukses punën e tyre, duke njoftuar opinionin e brendshëm dhe të jashtëm për çfarë po ndodhte në Kosovë.

Lajmi i parë, me shenjën URGJENT, u dha që në orët e para të mëngjesit.

Qendra për Informim e Kosovës solli këtë ditë të gjitha lajmet për zhvillimet në Prekaz e në krejt Drenicën, duke përdorur kryesisht burimet e saj nga terreni.

 

Edicioni i parë (ora 7:30)

URGJENT! GJENDJE DRAMATIKE NË LLAUSHË E NË PREKAZ

 Forcat serbe ua kanë mësyrë fshatrave

Forca të mëdha serbe po bëhen gati për të sulmuar fshatrat Prekaz dhe Llaushë të Skënderajt.
Një dëshmitar i besueshëm në Llaushë i tha QIK-ut se forcat serbe, në formacione ofanzive këmbësorie po i afrohen fshatit të tij nga tri anë të malit. Depërtimi ka filluar në orën pesë të mëngjesit.
Burimet e LDK-së njoftojnë për një gjendje të njëjtë edhe në fshatin Prekaz i Ulët.
Ndërkohë nga Mitrovica e Gllogoci njoftohet se forca të mëdha serbe po shkojnë në drejtim të Skënderajt.
Një burim i LDK-së në Gllogoc i tha QIK-ut në orën 6,30 min se drejt Skënderajt ishin nisur disa autoblinda me picgauerë dhe xhipa.
Në orën 7 po ky burim tha se në Gllogoc kishin arritur tre autobus me policë dhe disa kamionë.
Në orën 7, 20 një burim nga Skënderaj tha se forca të mëdha serbe me tanke e me autobus po arrijnë vazhdimisht për rreth fshatit Llaushë.
Një burim nga Prekazi tha në orën 7:25 se në moment po dëgjoheshin krisma armësh.
Burimet e LDK-së në Skënderaj thonë se pas masakrave të forcave serbe në Likoshan e Qirez, fshatarët e LLaushës e të Prekazit do të vetorganizohen në mbrojtje të familjeve dhe të shtëpive të veta.
Dega e LDK-së në Skënderaj dhe qytetarët e Drenicës u drejtojnë apel dramatik faktorëve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë urgjentisht për të evituar një masakër të re të forcave serbe. /Ora: 7:30/

Edicioni i dytë u botua në orën 8:30.

Lajmet ishin: URGJENT! Në Prekaz shtihet me topa, në Llaushë u plagos me armë zjarri Miftar Rrecaj; Në Shipol të Mitrovicës nuk lejohet qarkullimi i njerëzve; Efekte katastrofale të luftës speciale.

Edicioni i tretë erdhi në orën 9:15: URGJENT! Nga Fabrika e Municionit në Skënderaj po shtihet me topa mbi Prekaz;

Në edicionin e katërt (ora 10:00) njoftohej se “Prekazi vazhdon të gjuhet me topa”. Njoftohej edhe për vendosjen e snajperistëve serbë rreth Presidencës dhe QIK-ut

Edicioni i pestë (ora 10:30) njoftonte për “Sulm masiv serb në një zonë të gjerë të Drenicës”.

Në edicionin e gjashtë (ora 11:50) njoftohej për një konferencë për shtyp, mbajtur nga këshilltari për informim i Kryetarit Rugova, Xhemajl Mustafa.

Lajmet e tjera të këtij edicioni ishin: Popullsia e Drenicës lëviz drejt Vushtrrisë; Kontakte të vështirësuara me fshatrat e Skënderajn; Radio Beogradi njoftoi për plagosjen e dy policëve afër Skënderajt.

Në edicionin e shtatë (ora 13:00) njoftohej se, pas gjuajtjeve nga larg, forcat serbe po u afrohen këmbë fshatrave të sulmuara.

Në edicionin e tetë ishin këta tituj: Dr. Rugova do të bisedojë me z. Robin Kuk; Përfaqësuesit e LDK-së takohen me z. Robin Kuk; Anëtarët e Kryesisë së LDK- së u nisën për në Vushtrri, Mitrovicë e Skënderaj; Situata në Drenicë e pandryshuar; Të larguarit nga vatrat e tyre po lëvizin në drejtim të Mitrovicës dhe të Gllogocit; Nga Spitali i Mitrovicës janë larguar të sëmurët shqiptarë; Gjendje e rëndë në Klinë; Në Prishtinë gjendje e tensionit; KMDLNJ: Lëvizje të forcave serbe në Junik; Të larguarit nga vatrat e veta arritën në Magurë të Lipjanit; Në Mitrovicë arriti Nikollas Hill; Këshilli për Organizimin e Protestave (KOP) shndërrohet në organ të përhershëm; Ollbrajt e Kinkel do të diskutojnë për Kosovën; Kinkel: Kosovën duhet ta bëjmë temë kryesore ndërkombëtare; Toni Bler foli për Kosovën; “Tajms”: NATO është shumë e shqetësuar për Kosovën; “Izvestia” shkruan se Millosheviqit duhet t’i lihen duart e lira në Kosovë; Apel i shtatë organizatave studentore nga Beogradi dhe Novi Sadi; AFP: Kronologji e ngjarjeve në Kosovë; Forca të mëdha policore po parakalojnë rrugëve të Podujevës; Në Bruksel 11 të rinj shqiptarë në ditën e tretë të grevës së urisë; Punëtorët e Institutit të Historisë apelojnë për pengimin e masakrës shtetërore serbe mbi shqiptarët në Kosovë; Shoqata e Intelektualëve të Drenicës apelon për për ndërprerjen e flakës në Drenicë; Akademia e Kosovës dënon ashpër masakrën policore në Drenicë; Policia dhe ushtria serbe kanë rrethuar disa fshatra të Vushtrrisë; Situatë e rëndë edhe në Pejë; “Human Rights Ëatch” kërkon hetime për masakrën e Drenicës; Rojteri njofton për të shtëna mbi policinë serbe dje në Prishtinë; Ndërpriten të gjitha aktivitetet sportive në Kosovë; Trajkoviqi dhe peshkopi Artemije paralajmëruan një vizitë në Tiranë?

Në edicionin e nëntë (ora: 16:00) botoheshin lajmet: Apel i kryetarit Rugova dërguar Klintonit, Blerit, Shirakut dhe Kolit të bëjnë trysni mbi regjimin e Beogradit; Kryetari Rugova bisedoi me telefon me ministrin britanik Kuk; Dr. R. Gjergji e B. Musmurati po qëndrojnë në Vushtrri; Në Prishtinë pasdite u mbyllën dyqanet; Podujevë: Policia u tërhoq nga qyteti i boshatisur nga njerëzit që në mesditë; Reagim i PSHDK-së për ngjarjet e sotme në Drenicë; Agjencia Rojter raportoi për sulmin e sotëm serb në Drenicë; “Kosovë, ne jemi me ty” është motoja e protestës që mbahet sot në Tetovë; PPD, PDSH, PRUP, PAD, RV dhe LGSH nesër në sheshin qendror të Shkupit organizojnë protestë;  Kiro Gligorov: Milosheviqi pret që të përzihet Shqipëria;  Qeveria shqiptare kërkon mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB‑së për situatën në Kosovë; Të veprojmë si një komb i vetëm në mbrojtje të interesave kombëtare; Ministri i jashtëm shqiptar kërkon zgjidhjen e problemit të Kosovës në rrugë paqësore;

Edicion i dhjetë (Ora 17,30) kishte këto lajmePërfaqësuesit e LDK-së u takuan me Ministrin Robin Kuk; Vazhdon sulmi në Prekaz, Vojnikë e Açarevë; Kumtesë e KI të LDK-së: Serbia po zhvillon luftë speciale propaganduese; Delegacioni i FG të LDK-së u prit në Zyrën amerikane në Prishtinë; Korrespondenti i “Rilindjes” arriti paradite deri në Prekaz të Poshtëm; Apel i PEN-Qendrës Shqiptare PEN-it Ndërkombëtar; Apel i Institutit të Historisë; Apel i Shoqatës së Intelektualëve të Drenicës; Apel i Kryqit të Kuq të Kosovës; Policia pengoi protestën e grave para Zyrës Amerikane në Prishtinë; Disa familje janë vendosur në Miradi të Epërme; Subjektet politike në Mitrovicë kërkojnë ndërhyrje për të shpëtuar popullin e Drenicës; Parlamenti shqiptar sonte mban një mbledhje të jashtëzakonshme; “Human Rights Ëatch” kërkon hetime për masakrën e Drenicës.

edicionin e njëmbëdhjetë (Ora 19,30) botohen lajmet: Shtrëngohet rrethimi i fshatit Llaushë; Qeveria e Malit të Zi kërkon dialog serbo- shqiptar me ndërmjetës ndërkombëtar; Në Tetovë u mbajt miting përkrahjeje për shqiptarët në Kosovë; Protestë në Preshevë kundër terrorit serb në Kosovë; KMDLNJ apelon për ndihmë te organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut; Suedia orvatet ta ngrisë çështjen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit;

Ndërsa, edicioni i dymbëdhjetë kishte këto lajme: Në Skënderaj e rrethinë kanë pushuar të shtënat; Dr. Rexhep Gjergji: Lagja Jasharaj digjet flakë nga artileria serbe; Policia serbe pranon se i vrau sot së paku 20 shqiptarë; R. Gjergji e B. Musmurati qëndruan në Vushtrri; Komunikatë e Këshilltarit për Arsim të Kryetarit të Republikës së Kosovës, Dr.Zejnullah Rrahmani; Komesariati i Lartë i OKB-së për Refugjatë akuzon Beogradin se po i armatos refugjatët serbë në Kosovë.

Continue Reading

Lajmet

Nesër në UBT mbahet mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së profesorit Naim Krasniqi

Published

on

By

UBT organizon nesër mbledhje komemorative për të nderuar jetën dhe veprën e profesorit të ndjerë Naim Krasniqi, i cili u nda nga jeta duke lënë pas një trashëgimi të çmuar akademike dhe njerëzore.

Mbledhja komemorative do të mbahet në UBT, në ambientet e Parku Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së, duke filluar nga ora 11:00.

Në këtë ceremoni përkujtimore do të marrin pjesë Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, stafi akademik dhe administrativ, përfaqësues të institucioneve lokale, si dhe familja Krasniqi, miq dhe bashkëpunëtorë të profesor Naim Krasniqit.

Kjo mbledhje do të jetë një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për kontributin e tij të vyer në procesin mësimor dhe në zhvillimin akademik të shumë gjeneratave të studentëve. Profesori Naim Krasniqi u dallua për profesionalizëm, përkushtim dhe korrektësi, duke qenë gjithmonë pranë studentëve dhe kolegëve me urtësi, dije dhe integritet.

Continue Reading

Të kërkuara