Sport

​Flet Majlinda Kelmendi, zbulon problemin e xhudistëve të rinj dhe këshillën e artë të Driton Kukës

Pasi theu të gjitha barrierat, Majlinda Kelmendi tashmë ka nisur misionin e saj të ri.

Published

on

Pasi theu të gjitha barrierat duke u shpallur si xhudistja më e mirë në botë në të gjitha kategoritë në vitin 2014, e pasuar tutje edhe me medaljen e artë në Lojërat Olimpike 2016 dhe shumë trofe të tjera, Majlinda Kelmendi tashmë ka nisur misionin e saj të ri.

Ajo po e ushtron profesionin e trajneres së xhudos dhe është e fokusuar në zbulimin dhe përgatitjen e xhudistëve të rinj për suksese ndërkombëtare, duke pasur gjithmonë mbështetjen e trajnerit më të mirë në botë, Driton Kuka.

Vitin e parë të saj si trajnere, Kelmendi e konsideron si të vështirë, por thotë se e kanë bërë të lumtur sukseset e xhudos të arritura në arenën ndërkombëtare gjatë vitit 2022.

“Në përgjithësi viti 2022 për mua ka qenë një vit me plotë sfida duke marrë parasysh që kam filluar një karrierë të re si trajnere dhe realisht fillimi si në çdo punë tjetër ka qenë i vështirë, mirëpo e kam cekur gjithmonë që jam shumë me fat që e kam Tonin afër dhe kam prej kujt të mësoj. Në përgjithësi ka pasur vështirësi, por ka pasur edhe suksese të mëdha. Jam shumë e lumtur që ekipit iu kanë bashkangjitur edhe emra të rinj. Sivjet Laura është bërë kampione evropiane, është bërë e dyta në Masters, pikë të reja olimpike, kështu që në përgjithësi ka qenë vit i suksesshëm duke marrë parasysh që edhe kemi marrë medalje në Kampionat Botëror, në Kampionatin Evropian edhe Distria është bërë e bronztë, kështu që vit i suksesshëm”, thotë Kelmendi.

Kelmendi thotë se puna me të rinjtë është bërë shumë e vështirë për shkak se rrjetet sociale po e marrin vëmendjen e tyre. E për ta tejkaluar këtë, ajo thotë se ka marrë një këshillë të artë nga Driton Kuka.

“Problemi kryesor kur kam filluar të punojë si trajnere që unë për vete kam qenë punëtore jashtëzakonisht e madhe, edhe kam pritur që edhe garuesit tjerë ta kenë atë, përderisa një ditë ka ardhur Toni ka thënë ‘hej këta nuk janë ti, nuk e kanë kokën tënde, përkushtimin tënd, fokusin, kështu që duhet secilit t’i qasesh ndryshe-ndryshe. Ta gjesh formën si ta bësh secilin veç e veç, ta jep maksimumin në stërvitje’. Kështu që realisht shumë e vështirë, ndoshta edhe fajin e kanë rrjetet sociale, shumë e vështirë me ua sjellë atë fokusin në stërvitje, mirëpo, pavarësisht kësaj, prapë se prapa po arrijmë me e nxjerrë maksimumin prej sportistëve, por realisht jo lehtë”, thotë Kelmendi.

Por, ajo është e bindur se e ardhmja e xhudos në Kosovë është e ndritur.

“Realisht kemi edhe talentë të rinj, kemi djem e vajza të cilët janë shumë të talentuar dhe që po merrem me ata, katër apo pesë orë në ditë dhe progresi tash e një vit që ia kemi filluar me u marrë me ata më seriozisht, është shumë i madh, kështu që nuk po dyshoj aspak që edhe në të ardhmen do të kemi emra të rinj ndoshta për kadetë, juniorë e pse jo edhe seniorë”, tha Kelmendi.

Për vitin 2023, Kelmendi sfidon të gjithë xhudistët. Ajo kërkon medalje në secilën garë që do të marrin pjesë.

“Cikli olimpik të shkojë sa më mirë që është e mundshme. Të marrim medalje pothuajse në secilën garë që të shkojmë sepse niveli i garuesve është i lartë dhe është shumë çudi nëse ndonjëri prej garuesve që janë në ekip të marrë mos të marrin medalje. Të mos ketë lëndime çfarë është shumë me rëndësi, lëndimet janë ndoshta pjesa më e vështirë e një sportisti, të mbajnë larg stërvitjeve, larg garave. Të mos kemi lëndime dhe përgatitjet për Lojërat Olimpike në Paris të shkojnë sa më mirë që është e mundur”, shton ajo.

Në fund, ajo dha një koment për Distria Krasniqin, xhudisten që po thyen rekorde të reja me rezultate kulminante evropiane e botërore. “Ajo është për çdo lëvdatë”, thotë Majlinda Kelmendi.

“Distria të gjithë e dimë që ka kaluar në kategorinë 52 kilogramë edhe për një vit ka arritur të bëhet e para në ranglistën botërore, diçka e jashtëzakonshme. Distria e ka xhudon shumë të mirë, shumë me ndjesi edhe është punëtore, është shumë gjakftohtë, i di qëllimet e saj edhe nuk e ka ndërprerë punën asnjëherë. Pas Lojërave Olimpike, dy javë dhe menjëherë është kthyer në stërvitje edhe e ka ditur cakun e saj, kështu që është për çdo lëvdatë”, thotë ajo.

Në vitin 2013, Majlinda renditej në vendin e parë në renditjen ndërkombëtare nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos për kategorinë 52 kilogramë, ndërsa në Kosovë, një vit më vonë u dekorua me titullin “Medalja Presidenciale e Meritave”.

Sport

Atletico Madridi arrin marrëveshje me Lisandro Martinezin, argjentinasi drejt largimit nga Unitedi

Published

on

By

Atletico Madridi ka arritur një marrëveshje në parim me mbrojtësin e Manchester Unitedit, Lisandro Martinez, për kushtet personale të kontratës, duke hapur rrugën për një transferim të mundshëm gjatë afatit kalimtar të janarit ose në verën e ardhshme.

Sipas mediumit “North Bank Insider”, negociatat mes përfaqësuesve të futbollistit argjentinas dhe klubit madrilen kanë nisur prej kohësh, ndërsa trajneri Diego Simeone thuhet se e dëshiron me ngulm transferimin e tij.

Martinez ka kontratë me Manchester Unitedin deri në verën e vitit 2027, me mundësi vazhdimi edhe për një sezon tjetër. Megjithatë, sipas raportimeve, mbrojtësi nuk ka ndërmend të rinovojë kontratën apo të aktivizojë opsionin e vazhdimit të saj.

Ky qëndrim raportohet se lidhet edhe me pakënaqësitë e tij ndaj drejtuesve të klubit anglez, pas kritikave të bëra në lidhje me humbjen e Manchester Unitedit ndaj Atletico Madridit.

Pavarësisht marrëveshjes së arritur me futbollistin, Atletico Madridi ende nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët me Manchester Unitedin për transferimin e tij.

Klubi spanjoll mund të tentojë ta konkretizojë marrëveshjen që në afatin kalimtar të janarit.

Ndërkohë, Martinez së fundmi u ndëshkua me karton të kuq në përballjen ndaj Chelseat dhe për këtë arsye do të mungojë në ndeshjen e ardhshme të Manchester Unitedit kundër Aston Villas, në kuadër të Premier League.

D.L

Continue Reading

Sport

Zhegrova asiston në fitoren e Juventusit ndaj Napolit, realizohet supergol nga Alajbegoviq

Published

on

By

Juventusi ka shënuar fitore me rezultat 2:0 ndaj Napolit, në derbin e vlefshëm për javën e dhjetë të Serie A, ku protagonist ishte edhe futbollisti kosovar Edon Zhegrova.

Reprezentuesi i Kosovës u inkuadrua në lojë në minutën e 59-të dhe kontribuoi me një asistim në golin e epërsisë për skuadrën torineze.

Zhegrova arriti të lirohej nga presioni i një futbollisti kundërshtar dhe më pas asistoi për Kerim Alajbegoviqin, i cili me një goditje të fuqishme nga distanca, duke shfrytëzuar edhe ndihmën e shtyllës, realizoi për 1:0.

Fitoren e Juventusit e vulosi Jeremie Boga, i cili në minutën e 87-të shënoi golin e dytë për rezultatin përfundimtar 2:0.

Për Zhegrovën ky ishte asistimi i dytë në tetë ndeshje të zhvilluara këtë sezon, ndërsa ka realizuar edhe dy gola.

Napoli luajti me një futbollist më pak nga minuta e 75-të, pasi Luca Marianucci u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja. Në pjesën e dytë, për skuadrën napolitane u aktivizua edhe mbrojtësi kosovar Amir Rrahmani.

Pas kësaj fitoreje, Juventusi ngjitet në vendin e shtatë me 17 pikë, ndërsa Napoli zbret në pozitën e tetë me 14 pikë.

D.L

Continue Reading

Sport

Kimi Antonelli shkruan histori, bëhet kampioni më i ri në historinë e Formula 1

Published

on

By

Piloti italian Kimi Antonelli ka hyrë në histori të Formula 1, duke u bërë kampioni më i ri në historinë e këtij sporti.

20-vjeçari siguroi titullin e kampionit pas përfundimit në vendin e tretë në Çmimin e Madh të Meksikës, dy gara para mbylljes së sezonit.

Me këtë sukses, Antonelli theu rekordin e mëparshëm që mbahej nga gjermani Sebastian Vettel, i cili ishte shpallur kampion në vitin 2010, në moshën 23-vjeçare e 133-ditëshe. Ndërsa italiani e arriti këtë sukses në moshën 20-vjeçare e 68-ditëshe.

Piloti i Mercedesit kryeson renditjen me 365 pikë, ndërsa shoku i tij i skuadrës, George Russell, renditet i dyti me 242 pikë.

Pas këtij suksesi historik, emocionet ishin të mëdha për Antonellin, i cili në një intervistë me ish-kampionin e botës, Nico Rosberg, nuk i fshehu ndjenjat dhe mirënjohjen për njerëzit që e ndihmuan të arrinte këtë sukses.

“Pa Mercedesin dhe pa familjen time, nuk do të isha këtu. Jam pa fjalë. Po përpiqem ende ta përpunoj atë që ndodhi”, u shpreh italiani.

Ai gjithashtu e cilësoi të jashtëzakonshme ndarjen e podiumit me dy kampionë të shumtë të botës, Max Verstappen dhe Lewis Hamilton.

Garën në Meksikë e fitoi Max Verstappeni i Red Bullit, ndërsa në vendin e dytë përfundoi Lewis Hamilton i Ferrarit.

D.L

Continue Reading

Sport

Valencia interesohet për Vedat Muriqin, kosovari në listën e kandidatëve për sulmin

Published

on

By

Një zhvillim i papritur mund të shënojë të ardhmen e Vedat Muriqit, pasi sulmuesi kosovar raportohet se është në mesin e kandidatëve për t’u transferuar te Valencia gjatë afatit kalimtar të janarit.

Sipas mediumit spanjoll “Fichajes”, klubi nga La Liga e ka përfshirë 32-vjeçarin në listën e futbollistëve që po shqyrton për përforcimin e repartit ofensiv.

Valencia synon të afrojë një qendërsulmues gjatë afatit kalimtar dimëror, ndërsa preferenca e klubit është që marrëveshja të realizohet në formë huazimi.

Përveç Muriqit, në listën e kandidatëve të skuadrës spanjolle figurojnë edhe sulmuesi ukrainas Artem Dovbyk dhe braziliani Richarlison.

Megjithatë, realizimi i këtij transferimi nuk pritet të jetë i lehtë, pasi Muriqi ka kontratë me Fenerbahçen deri më 30 qershor 2029. Për këtë arsye, Valencia duhet të gjejë një marrëveshje të përshtatshme financiare për të bindur klubin turk që ta lejojë largimin e tij.

Sulmuesi kosovar po kalon një sezon pozitiv, me tetë gola dhe dy asistime në 16 paraqitje zyrtare me fanellën e Fenerbahçes.

Mbetet të shihet nëse interesimi i Valencias do të konkretizohet me një ofertë zyrtare në afatin kalimtar të janarit.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara