Lajmet

​Çfarë të bëni për t’i shmangur referencat e këqija?

Në mënyrë që ta kuptoni çfarë mund të thonë referencat për ju, mund ta kërkoni ndihmën e të tjerëve.

Published

on

Çdo punëdhënës përpara se ta punësojë dikë ka një kureshtje çfarë performance ka pasur në punët e kaluara. Një mënyrë që ata ta bëjnë këtë është të kontaktojnë me punëdhënësit e kaluar. Sigurisht ju mund ta keni krijuar një listë të referencave, por rekruterët mund të thërrasin individë të cilët nuk janë të listuar tek referencat tuaja.

Pavarësisht që mund të keni paraqitje të mirë gjatë intervistës, referencat e këqija e kanë fuqinë për ta minuar mundësinë për ofertë të punës. Por, patjetër që mund të bëni diçka për ta forcuar listën tuaj të referencave.

Si t’iu shmangeni referencave të këqija?

Kontaktoni punëdhënësin e kaluar

Edhe pse mund të ketë kaluar kohë që prej kur jeni ndarë nga një kompani, punëdhënësi mund të jetë ende i hapur për t’i rindërtuar raportet e mira me ju. Nëse i qaseni me sjellje të mirë dhe mirëkuptim një punëdhënësi kjo do ta bëjë të vetën. E keni gjithë mundësinë për të shprehur mirëkuptim në lidhje me çështje të ndryshme, në mënyrë që të tregoni se e keni mirëkuptuar edhe anën e saj.

Në bisedën me punëdhënësin e kaluar është mirë që ta përdorni shpesh fjalën “unë”, në mënyrë që ta mbani përqendrimin tek ju. Ky kontakt ju ndihmon ta keni mundësinë për të kërkuar falje nëse është nevoja. Dëgjimi aktiv është nga mënyrat më të mira për të punuar drejt një zgjidhjeje.

Kërkoni mendim nga punëdhënësi potencial

Nëse rekruteri juaj i ka kontaktuar referencat, mund ta pyesni atë rreth bisedës që kanë bërë. Nëse arrini t’i dini pikat kyçe të bisedës ju ndihmon edhe të gjindeni. Shembull, nëse e merrni vesh që njëra nga referencat ka thënë që jeni vonuar vazhdimisht në punë, ju mund t’ia bëni me dije punëdhënësit potencial që jeni të vetëdijshëm për këtë, dhe keni bërë gjithçka që t’i përmirësoni aftësitë e menaxhimit të kohës. Me këtë nismë mund t’i përmendni edhe disa cilësi të tjera që me të vërtetë i posedoni.

Kërkoni ndihmë

Në mënyrë që ta kuptoni çfarë mund të thonë referencat për ju, mund ta kërkoni ndihmën e të tjerëve. Ndonjë shok apo ish koleg mund ta thërrasë punëdhënësin e kaluar dhe t’i kërkojë referencë për ju, pastaj ata t’ju njoftojnë se çfarë punëdhënësi ka thënë. Kjo jua jep një ide nëse duhet të mbroheni apo të krenoheni të punëdhënësi potencial.

Kontrolloni referencat tjera

Një mënyrë e shkëlqyeshme për t’i shmangur referencat e këqija, sidomos për ata që kanë përvojë të madhe të punës është t’i kontaktoni të gjitha vendet e punës ku keni punuar në të kaluarën. Pyesni ata se çfarë qëndrimi do ta kenë nëse ju thërret punëdhënësi i ardhshëm! Duke qenë në njohuri, mund t’i zëvendësoni ata që flasin keq me ata të cilët do t’i thonë fjalët më të mira për ju.

Mos harroni:Në referenca mund të përfshini edhe njerëz të tjerë që nuk janë domosdoshmërisht punëdhënësit tuaj. Ata mund të jenë kolegët, klientët, mentorët, profesorët e fakultetit ose njerëzit me të cilët keni punuar në organizata për punë vullnetare. Duke pasur kaq shumë njerëz, mund t’i shmangni njerëzit që e kanë mundësinë edhe t’ju prishin punë. Gjithmonë bëni hapin e sigurt!

Ndryshoni

Referencat e këqija për ju, nuk mund të jenë plotësisht të këqija, madje mund të jenë mjaft të dobishme nëse i shihni me sy tjetër. Në të gjitha ato fusha ku jeni kritikuar, mund të punoni me veten për t’u përmirësuar. /Akademi Pune

Continue Reading

Lajmet

United Hospital – standard i ri në shërbimet spitalore, me teknologji të avancuar dhe kujdes mjekësor 24/7

Published

on

Prishtinë – Në zhvillimin e shërbimeve moderne shëndetësore në Kosovë dhe rajon, United Hospital synon të pozicionohet si një qendër e integruar e kujdesit spitalor, ku ekspertiza mjekësore ndërthuret me teknologjinë bashkëkohore dhe diagnostikimin e avancuar. Si spital i përgjithshëm privat, institucioni ofron një gamë të gjerë shërbimesh mjekësore, me synim që pacientët të kenë qasje në trajtim dhe diagnostikim të specializuar në një mjedis të vetëm.

Drejtuesi dhe menaxheri i United Hospital, Edmond Hajrizi, i njohur për formimin e tij akademik dhe përvojën e ndërtuar në institucione universitare ndërkombëtare, thekson se filozofia e spitalit mbështetet në një standard të lartë profesional, përgjegjësi institucionale dhe kujdes të vazhdueshëm ndaj pacientit.

Sipas tij, United Hospital synon të ruajë pozicionin e tij lider përmes një game të gjerë profilesh të avancuara shëndetësore, të cilat, sipas tij, nuk ofrohen në të njëjtën përmasë nga spitalet e tjera.

“Jemi të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm ndaj çdo klienti dhe pacienti. Për mua dhe për të gjithë stafin e spitalit, jeta dhe shërbimet shëndetësore janë prioriteti kryesor. Synimi ynë është të vazhdojmë të investojmë në kuadro profesionale, teknologji dhe shërbime cilësore, duke i bërë ato njëkohësisht sa më të përballueshme për qytetarët, në mënyrë që çdo pacient të ketë mundësinë të marrë trajtimin e duhur shëndetësor”, shprehet Hajrizi.

Një prej risive të prezantuara nga United Hospital është Rezonanca Magnetike e asistuar nga Inteligjenca Artificiale, teknologji që synon të mbështesë procesin diagnostik dhe të rrisë efikasitetin e ekzaminimeve radiologjike. Integrimi i teknologjive të reja në mjekësi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt diagnostikimit më të standardizuar dhe marrjes së vendimeve klinike mbi bazën e të dhënave të detajuara.

Një tjetër element i rëndësishëm i modelit të shërbimit të United Hospital është disponueshmëria 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, për disa prej shërbimeve kryesore. Laboratori, Emergjenca, Radiologjia dhe Mjekimi Intensiv (ICU) janë të organizuara për të ofruar mbështetje të vazhdueshme për pacientët, veçanërisht në situatat kur ndërhyrja e shpejtë dhe koordinimi ndërmjet ekipeve mjekësore janë të domosdoshme.

Në kuadër të shërbimeve të specializuara, United Hospital përfshin kardiologjinë dhe kardiokirurgjinë, kirurgjinë e përgjithshme, ortopedinë, si dhe fusha të tjera të kujdesit specialistik. Kjo qasje multidisiplinare synon të krijojë një zinxhir të integruar të diagnostikimit, trajtimit dhe kujdesit pasues.

Me investimet në infrastrukturë, pajisje moderne dhe kapacitete profesionale, United Hospital synon të kontribuojë në ngritjen e standardeve të shërbimeve private shëndetësore në Kosovë, duke vendosur në qendër të veprimtarisë sigurinë, dinjitetin dhe nevojat individuale të pacientit./rajonipress/

📞 038 60 70 70 / 046 60 70 70
📍 M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë, Kosovë

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj katër personave për keqpërdorim të detyrës zyrtare në Ministrinë e Infrastrukturës

Published

on

Prokuroria Speciale, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve B.R., B.H., R.Q. dhe N.L, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës 02.08.2017 deri më 26.11.2020, në Prishtinë, në cilësinë e personave zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, të pandehurit i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, në lidhje me inicimin, prokurimin, menaxhimin, autorizimin, certifikimin dhe pagesën e kontratës publike “Mirëmbajtja e Urave në Rrugët Nacionale dhe Rajonale të Kosovës për vitet 2017–2019”.

“Të pandehurit akuzohen se kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, të Rregullores dhe Udhëzimit Operativ për Prokurim Publik, si dhe me Rregullën Financiare për Shpenzimet e Parasë Publike, pasi, ndonëse aktiviteti i prokurimit ishte iniciuar me vlerë të parashikuar prej 500,000 eurosh, janë realizuar pagesa totale në shumën prej 5,377,058.07 eurosh”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas aktakuzës, thuhet se janë nënshkruar dhe certifikuar raporte të punimeve me sasi shumëfish më të larta se ato të parapara në dosjen e tenderit, pa aneks-kontratë, pa procedurë të re prokurimi dhe pa verifikim të rregullt nga komisioni i pranimit të punëve.

Prokuroria i ka propozuar Gjykatës që të pandehurve t’u shqiptohet edhe dënimi plotësues: ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik./A.K/

 

Continue Reading

Lajmet

Shpërthim në portin e Roterdamit, një i vdekur dhe disa të plagosur

Published

on

Një shpërthim ka ndodhur në portin e Roterdamit në Holandë, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve.

Policia njoftoi se shpërthimi ndodhi rreth orës 11:30 në rrugën Moezelweg, ndërsa zona është rrethuar. Shkaku i shpërthimit ende nuk dihet dhe autoritetet kanë nisur hetimet.

Në të njëjtën zonë, kompania Gunvor Energy, e cila menaxhon rezervuarë për ruajtjen e derivateve të naftës, raportoi një incident tjetër gjatë punimeve të mirëmbajtjes, ku disa persona mbetën të plagosur.

Mediat lokale raportuan edhe për ndërprerje të energjisë elektrike në port. Autoritetet po hetojnë nëse ka ndonjë lidhje mes ndërprerjeve dhe shpërthimit.

Porti i Roterdamit është porti më i madh në Evropë dhe përfshin rafineri nafte dhe një numër objektesh petrokimike./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Rama: Ukraina e ka gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Beograd, ku ky i fundit tha se Ukraina nuk do ta ndryshojë qëndrimin sa i përket pavarësisë së Kosovës.

Rama ka thënë se Ukraina dhe Zelensky “e kanë gabim për Kosovën”, por ka theksuar se kjo nuk e ndryshon mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën dhe të drejtën e saj për të qenë e lirë.

Në një postim, Rama ka kritikuar ata që, pas deklaratës së Zelenskyt, kanë kërkuar që Shqipëria dhe Kosova të ndryshojnë qëndrimin ndaj Ukrainës.

“Miku im i dashur, Volodymyr Zelensky, qëndroi në Beograd dhe tha se Ukraina nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Brenda një ore, nacionalistët më të zëshëm popullistë në Tiranë dhe Prishtinë nisën të bëjnë llogaritë gjeopolitike: ndoshta duhet ta ndëshkojmë Ukrainën, të mos e mbështesim më të lirën dhe të mos vajtojmë për viktimat e bombardimeve. Më të pamaturit prej tyre na sulmuan pse nuk hoqëm dorë nga Ukraina. Madje, disa brohoritën për Rusinë!”, ka shkruar Rama./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara