Lajmet

​Çfarë është aluloza në ushqimet që konsumojmë?

Published

on

Aluloza është një sheqer i thjeshtë që gjendet natyrshëm në sasi të vogla në ushqime të caktuara si gruri, fiqtë, rrushi, sheqer kafe, shurupi i panjës.

Ky ëmbëlsues ka dalë në treg në vitin 2015 dhe ka arritur një popullaritet të madh, pasi ka 90 për qind më pak kalori sesa sheqeri i rregullt.

Dietologia Joan Salge Blake, një profesoreshë e të ushqyerit klinik në Universitetin e Bostonit, thotë se përveç se përmban një sasi shumë të vogël kalorish, efekti i alulozës në sheqerin në gjak është minimal, kështu që mund të jetë e dobishme për personat me diabet.

Në prill 2019, Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) lëshoi udhëzime që aluloza do të vazhdonte të llogaritej në kaloritë totale në ushqim, por agjencia do t’u lejonte prodhuesve të “ushtronin diskrecionin për të lejuar përdorimin e një numri të kalorive të rishikuar, më të ulët”.

Kjo do të thotë që prodhuesit tani u lejohet të përdorin 0.4 kalori për gram alulozë kur përcaktojnë numrin e kalorive që rrjedhin nga aluloza. Para kësaj, aludimi llogaritej si katër kalori për gram ëmbëlsues, që është i njëjti numër i kalorive që ka sheqeri i zakonshëm.

“Për shkak se trupat tanë reagojnë ndryshe ndaj alulozës sesa sheqeri i rregullt, FDA ka vendosur ta përjashtojë atë nga deklarata e sheqerit”, shpjegon Sara Marjoram, një dietologe e regjistruar nga Atlanta.

“Shkenca kohët e fundit ka zbuluar mënyra për të prodhuar alulozë në një shkallë më të gjerë përmes procesit të përpunimit të misrit. Shija e saj është e ngjashme me sheqerin dhe mund të përdoret në produkte të pjekura, të ngrira ose të lëngshme për të arritur ëmbëlsinë e tyre,” shton ajo.

Ekzistojnë lloje të ndryshme të sheqernave, të cilat përfshijnë monosakaride, disakaride dhe oligosakaride. Dietologia Stephanie Ambrose thotë se monosakaridet janë sheqernat e thjeshtë, që përfshijnë glukozë, fruktozë dhe galaktozë.

“Sheqeri i zakonshëm përbëhet nga glukoza dhe fruktoza. Kur kombinohen dy monosakaride, formohet një disakarid. Aluloza, si një sheqer i thjeshtë, është një alternativë e shkëlqyeshme për individët që po përpiqen të humbin peshë dhe të ushqehen më shëndetshëm”, tha Ambrose.

Aluloza është në listën e ushqimeve të FDA-së që zakonisht njihen si të sigurta, një etiketë e njohur me shkurtesën GRAS. Kjo do të thotë që përbërësi është i sigurt në kushtet e përdorimit të synuar, por, thonë ekspertët, kjo nuk do të thotë që nuk duhet të keni kujdes kur e konsumoni.

“Kaloritë shtohen shpejt nëse përdorni sheqer të rregullt, që do të thotë se mund të zvogëloni ndjeshëm marrjen e kalorive duke zëvendësuar sheqerin e rregullt me alulozë. Nuk shkakton prishjen e dhëmbëve, i cili është një problem që ndodh me përdorimin e lartë të sheqerit te fëmijët dhe të rriturit”, tha Ambrose.

Lajmet

Dy të rinj të armatosur me kallashnikov dhe pistoletë hyjnë në një lokal në Shkodër

Published

on

Një konflikt i nisur pas dhunimit të një të mituri ka përshkallëzuar situatën në një lokal në fshatin Gomsiqe e Re të Shkodrës, ku dy të rinj janë shfaqur të armatosur me kallashnikov dhe pistoletë.

Ngjarja ka ndodhur më 6 shtator. Në pamjet e publikuara nga avokati Arben Llangozi, shihet një automjet që ndalon pranë lokalit, ndërsa prej tij zbresin dy persona dhe hyjnë në ambientet e lokalit.

Njëri prej tyre mban një kallashnikov, ndërsa tjetri është i armatosur me pistoletë. Në pamje, personi me kallashnikov shihet duke biseduar me një person brenda lokalit, ndërsa i riu me pistoletë afrohet te një klient jashtë dhe e dhunon.

Pas përplasjes, klienti tenton të largohet, por në një moment i riu me pistoletë ia drejton armën. Fatmirësisht, arma nuk është përdorur.

Pamjet kanë nxitur reagime lidhur me përshkallëzimin e konfliktit dhe përdorimin e armëve në ambientet publike./A.K/

Continue Reading

Lajmet

UBT ofron 20% bursë për profesionistët në Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi përmes ENGAGED SCHOLARSHIP

Published

on

By

Profesionistët që janë aktualisht të angazhuar në tregun e punës dhe dëshirojnë të avancojnë më tej në karrierën e tyre kanë mundësi të ndjekin studimet Master në UBT me 20% bursë, përmes iniciativës së re ENGAGED SCHOLARSHIP.

Iniciativa është krijuar për të lidhur më drejtpërdrejt përvojën e profesionistëve në tregun e punës me avancimin akademik, duke u mundësuar atyre të zhvillojnë njohuri dhe kompetenca të reja në fusha që lidhen me angazhimin e tyre profesional.

Një nga programet e përfshira në këtë iniciativë është Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi (MBE), i cili u dedikohet, ndër të tjera, profesionistëve që punojnë në institucione bankare, kompani private, institucione publike, si dhe profesionistëve të fushës së kontabilitetit.

Një program i orientuar drejt tregut dhe zhvillimit profesional

Programi Master në Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi është i konceptuar për të ofruar njohuri të avancuara në dimensionet kryesore të menaxhmentit, biznesit dhe ekonomisë, duke kombinuar një mjedis akademik me ekspertizë ndërkombëtare. Misioni i programit është të përgatisë të diplomuar që janë të gatshëm të marrin ose të avancojnë në role udhëheqëse në biznes, profesionet e tyre, industri, shërbime publike dhe shoqëri.

Në hartimin e programit janë marrë parasysh nevojat dhe zhvillimet e tregut të punës në nivel vendor, rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe kërkesat për zhvillim ekonomik dhe mundësitë e reja profesionale.

Kjo e bën programin veçanërisht të përshtatshëm për profesionistët që tashmë kanë përvojë pune dhe kërkojnë ta thellojnë atë përmes një formimi akademik të avancuar, duke e lidhur dijen e fituar në universitet me sfidat dhe nevojat reale të vendit të punës.

Studime që mund të kombinohen me punën

Një prej elementeve kryesore të ENGAGED SCHOLARSHIP është përshtatja e studimeve me nevojat e profesionistëve që janë në marrëdhënie pune. Ligjëratat zhvillohen kryesisht në orët e pasdites, duke krijuar mundësi që puna dhe studimet Master të zhvillohen paralelisht.

Në këtë mënyrë, profesionistët nuk kanë nevojë të zgjedhin mes zhvillimit akademik dhe angazhimit të tyre profesional, por mund t’i ndërtojnë të dyja paralelisht, duke e shndërruar përvojën e punës në një bazë për zhvillim të mëtejshëm akademik dhe karrierë.

Përmes 20% bursës për studimet Master në Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, UBT synon t’u ofrojë profesionistëve një mundësi konkrete për të avancuar njohuritë, për të zhvilluar kompetenca të reja dhe për ta lidhur më fuqishëm formimin akademik me përvojën profesionale.

Aplikimi për ENGAGED SCHOLARSHIP është i hapur, vendet janë të limituara.

Continue Reading

Lajmet

Abdixhiku takohet me të ngarkuarën me punë të Ambasadës së SHBA-së, diskutojnë për ngërçin politik

Published

on

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është takuar të enjten me të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipatti.

Sipas LDK-së, në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike, me theks të veçantë në situatën në Kuvend dhe procesin e konstituimit të institucioneve.

Abdixhiku e njoftoi Prattipattin për qëndrimet e LDK-së lidhur me situatën politike, duke ritheksuar përkushtimin e partisë për funksionalitetin e institucioneve dhe stabilitetin institucional.

Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e tejkalimit të ngërçit politik dhe krijimit të kushteve për funksionimin e qëndrueshëm dhe demokratik të institucioneve të vendit.

Abdixhiku shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe thellimit të partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Takimi vjen një ditë pasi Kuvendi sërish dështoi të konstituojë legjislaturën e re, këtë herë për shkak të mungesës së dakordimit për emrat e nënkryetarëve.

Ndërkohë, Abdixhiku dhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, janë dakorduar për emrin e Bekim Sejdiut si kandidat për president, por marrëveshja nuk garanton kuorumin e nevojshëm prej 80 deputetësh, pasi gjashtë deputetë të LDK-së kanë dalë kundër./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Rasti i pronës 1.5 milionë euro – pesë zyrtarët i shpëtojnë paraburgimit

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë të pandehurve, të arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në rastin e tjetërsimit të një prone në Fushë Kosovë, në vlerë prej 1.5 milionë eurosh.

Bëhet fjalë për G.Z., A.G., L.M., D.G. dhe E.A., ndaj të cilëve gjykata ka caktuar masa alternative të sigurisë.

Sipas aktvendimit, gjyqtari i procedurës paraprake e ka vlerësuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim.

Pesë të pandehurve u është caktuar masa e “ndalimit për t’iu ofruar vendit apo personit të caktuar”, në kohëzgjatje prej një muaji, nga 8 shtatori deri më 8 tetor 2026.

Ata janë obliguar që të mos i afrohen në distancë prej 200 metrash Komunës së Fushë Kosovës. Në rast se e shkelin këtë masë, ajo mund të zëvendësohet me paraburgim.

Gjykata ka caktuar gjithashtu masën e paraqitjes në stacionin policor ndaj të pesë të pandehurve, po për periudhën nga 8 shtatori deri më 8 tetor.

“Me rastin e vendosjes, Gjykata konstatoi se me masat e lartcekura tani për tani do të arrihet që procedura penale të zhvillohet e pa penguar”, thuhet në aktvendim.

Rasti lidhet me arrestimin e pesë zyrtarëve në Fushë Kosovë, të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe tjetërsim të një prone me vlerë rreth 1.5 milionë euro.

Pesë të pandehurit fillimisht ishin ndaluar për 48 orë pas arrestimit, ndërsa tani do të mbrohen në procedurë të rregullt, nën masat e caktuara nga gjykata.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara