Lajmet

​Bojkotohet mësimi në “Sami Frashëri” në shenjë revolte ndaj drejtoreshës së re

Drejtoresha e kontestuar paralajmëron masa disiplinore.

Published

on

Ndonëse shkuan për të mbajtur mësim si zakonisht, nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” sot u kthyen në shtëpi pasi mësimdhënësit bojkotuan procesin në shenjë revolte ndaj drejtoreshës së re të emëruar në këtë shkollë. Ndërkohë që edhe nxënësit po mbështesin profesorët e tyre.

Profesorët po pretendojnë se Fahrije Ratkoceri është emëruar jashtëligjshëm. Ndërkohë që një profesor dhe zëvendësdrejtori i gjimnazit, Ibush Llapashtica dhe Daut Selimi kishin qenë kundërkandidatë të saj në konkursin e shpallur nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Prishtinë.

Krejt kjo nuk po vlerësohet të jetë ndonjë problem nga drejtoresha e re, e cila deri më tash kishte udhëhequr “Shkollën Model”.

Sipas saj, këtu bëhet fjalë për një pakënaqësi të vetëm katër apo pesë mësimdhënësve, të cilët siç thotë ajo, po ndikojnë edhe te kolegët e tyre. Teksa paralajmëron masa për profesorët që nuk do t’i kthehen procesit mësimor.

“Është një pakënaqësi që po e paraqesin disa mësimdhënës, por jo nxënësit. Sot, më erdhi keq që mësimdhënësit i larguan nxënësit nga klasat e tyre. Edhe, që në orën e parë, nxënësit ishin të gjithë në klasa dhe prisnin mësimdhënësit e tyre. Mësimdhënësit e tyre, disa, jo të gjithë, nuk shkuan në orët e tyre, me arsyen që nuk e duan drejtorin. Do të thotë, duan të qëndrojnë pa drejtor. Në anën tjetër… ky nuk është problem, nuk e quaj problem unë. Zgjidhja është që mësimdhënësit të shkojnë në orë. Nëse nuk shkojnë në orë, zyrtarët komunalë janë këtu, merren masa… dhe zbatojnë kontratën që është në dispozicion e që e kanë nënshkruar vet”, tha ajo.

Ratkoceri thotë për KosovaPress se bojkotimi i mësimit nga ana e mësimdhënësve është padrejtësi karshi nxënësve, ku nga këta të fundit shton se është pritur mjaft mirë.

Ardhja e saj në krye të gjimnazit Sami Frashëri siç thotë ajo, është bërë duke ndjekur të gjitha procedurat e parapara. Teksa shton se profesorët e gjimnazit po paragjykojnë mënyrën e ardhjes së saj në krye të këtij institucioni arsimor.

“Unë jam që 30 vjet në arsim e qe 20 vjet në menaxhim. Mësimdhënësi e ka për detyrë të zbatojë kontratën që e ka nënshkruar për punën e mësimdhënies. Mua po më vjen keq të hyj këndej, sepse unë nuk merrem me politikë, merrem vetëm me arsim. Këtu po më vjen keq që janë duke rënë pre e 4-5 mësimdhënësve të kësaj shkolle. Arsyeja është se një ndër ta ka qenë edhe kundërkandidat që fare nuk kanë ardhur në intervistë, do të thotë unë nuk kam faj. Janë paragjykime ‘jo është e padrejtë’, ‘është zgjedhur padrejtësisht’, janë instancat dhe institucionet që munden me u marr me këtë. Në anën tjetër, ‘jo ne nuk merremi me këtë se ‘nuk ka shtet as ligj’”, tha ajo.

Profesorët në shenjë pakënaqësie karshi emërimit të drejtoreshës së re kanë nënshkruar edhe një peticion kundër saj, pasi besojnë se ka pasur shkelje të procedurave ligjore. Ndërsa pati mosmarrëveshje edhe mes profesorëve, ku një nga mësimdhënëset e ardhura rishtazi në këtë shkollë kërkonte të mos përfshihej në këtë çështje.

Profesori i Gjuhës Frënge në gjimnazin “Sami Frashëri”, Ilmi Reqica thotë për KosovaPress, se krejt këto zhvillime që ndodhën sot ishin spontane. Ndërkohë që thotë se drejtoresha e re, sot kishte pasur një qasje të ashpër ndaj tij.

“Nuk erdhëm për të bojkotuar mësimin, erdhëm për të punuar. Por, kur erdhëm këtu, gjatë një takimi kishin qenë duke biseduar, këshilli i profesorëve, erdh drejtoresha të na përshëndesë dhe menjëherë filloi me shantazhet e saj, unë e përshëndeta dhe fillova me i tregu për çka është kjo farë pune, ajo më tha: ‘shukat ti qaty’. Kam 58 vjet, askush nuk më ka thënë ‘shukat, mbylle gojën’ sepse nuk e kam bërë punën… Në fakt ajo ishte e revoltuar prej dje, sepse unë e prita këtu sepse kam qenë kolegë me të për 5 vjet, i dhashë dorën dhe i thashë: ‘drejtoreshë je e pa dëshirueshme në këtë kolektiv, nuk e di qysh ke guxuar të vish sepse Napoleon Bonaparta ka thënë ‘kush nuk rrezikon nuk pi shampanjë’, ti po më duket ke rrezikuar, sepse nuk je e mirëpritur. Dhe, ajo e mori qysh e mori. Por, kur erdh sot dhe më tha ‘shukat’, e ndezi kolektivin dhe të gjithë thanë ‘nuk dëshirojnë të shkojnë në punë me këtë drejtoreshë’”, tha ai.

Profesori Reqica thotë se mësimit nuk do t’i kthehen as nesër. Ai tregon për KosovaPress se zyrtarët e DKA-së që qëndruan paraditen e sotme në gjimnaz i kanë quajtur “ilegalë” profesorët që po shprehin pakënaqësitë e tyre.

“Më besoni që është spontane ajo që ka ndodhur, nuk e di sa do të vazhdojë kjo gjendje kështu. Unë mendoj që fillimi duhet të fillojë, por në bazë të mendimit të të gjithë këtyre kolegëve, mësimi nuk do të vazhdojë… Është emëruar, janë shkelur procedurat. Procedurat në konkurs, qysh në start janë shkelur… Është mirë këto informacione të merren prej komisioneve komunale që janë mbajtur pa prezencën e përfaqësuesit të shkollës, pa prezencën e përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit, pa prezencën e të tjerëve… Kolegët, të cilët kanë konkurruar këtu, derisa e kanë ditur që kush do të emërohet drejtor, para tre muajve është thënë se drejtoresha do të vijë, prej shkollës fillore, derisa e kemi ditur se para tre muajve do të emërohet pa konkurs, pa asgjë, atëherë janë shkelur procedurat dhe nuk kanë shkuar në intervista ata profesorë… të cilët kanë qenë konkurrentë”, tha Reqica.

Në mbështetje të profesorëve të tyre kanë dalë nxënësit. Kryetarja e rinisë së gjimnazit “Sami Frashëri”, Jora Zeneli, tregon për KosovaPress se ka biseduar me kryetarët e klasave dhe që në bashkëbisedim me nxënësit e tjerë janë dakorduar që të përkrahin profesorët e shkollës në çfarëdo vendimi që marrin.

“Në bashkëbisedim me kryetarët tjerë, secili kemi biseduar me klasat tona dhe jemi marrë vesh që as ne si nxënës nuk lejojmë të ndodhë një parregullsi apo të shkelen ligjet në shkollë. Sepse, pikërisht nëse fillojmë kështu, është dëm për krejt arsimin. Ne veç kemi pësuar shumë për shkak të situatës pandemike dhe veç sa filluam t’i kthehemi normalitetit dhe nuk duam të shkojë huq krejt ky mund. Ne nuk jemi kundër një drejtori ose drejtoreshe të re, por shumica nuk ka rastisur as ta takojë drejtoreshën personalisht, e disa as nuk e dinë se kush është emëruar. Por, ne nuk po duam të vijë dikush në mënyrë të paligjshme në shkollë dhe sillet në atë mënyrë me profesorët tonë e pas disa ditësh edhe me nxënësit”, tha ajo.

Sa i përket takimit që drejtoresha Fahrije Ratkoceri ka treguar për KosovaPress se ka pasur me kryetarët e klasave, kryetarja e rinisë së shkollës thotë se kjo kishte ndodhur para se të ishin në dijeni me atë që po ndodhte.

KosovaPress është përpjekur të marrë një përgjigje nga drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, por kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje.

Rajoni

Vetmia dhe aktiviteti fizik te të rriturit në Kosovë – studim i ri nga ish-studentja dhe dekania e Psikologjisë në UBT

Published

on

Ish-studentja e Psikologjisë në UBT, Kaltrina Rrafshi, së bashku me Prof. Dr. Denis Çelçima, Dekane e Fakultetit të Psikologjisë në UBT, dhe bashkëautore të tjera, kanë publikuar artikullin shkencor me titull: “Analysis of Indicators of Loneliness and Their Relationship with Physical Activity Levels in Kosovo” në revistën prestigjioze KOSALB International Journal of Human Movements Science, e indeksuar ndërkombëtarisht.

Ky studim ka një rëndësi të veçantë pasi trajton fenomenin e vetmisë tek të rriturit në Kosovë, duke analizuar dallimet sipas gjinisë, vendbanimit, statusit martesor dhe stilit të jetesës. Përveç kësaj, studimi hedh dritë mbi lidhjen mes nivelit të aktivitetit fizik dhe përjetimit të vetmisë, duke theksuar ndikimin që aktiviteti fizik mund të ketë në mirëqenien psikologjike dhe sociale të individëve.

Autorët kanë arritur të ndërthurin në mënyrë shkencore perspektivën psikologjike dhe atë të shëndetit publik, duke krijuar një pasqyrë të qartë mbi faktorët që lidhen me ndjenjën e izolimit dhe mënyrat e mundshme të parandalimit të saj. Ky punim përbën një kontribut të rëndësishëm për literaturën shkencore në Kosovë dhe njëkohësisht forcon pozitën e UBT-së si institucion lider në kërkime shkencore me ndikim praktik dhe shoqëror.

Publikimi i këtij artikulli është dëshmi e angazhimit të UBT-së në promovimin e kërkimit shkencor cilësor, duke inkurajuar studentët dhe stafin akademik të kontribuojnë në zhvillimin e dijes dhe zgjidhjen e sfidave që prekin shoqërinë tonë.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në linkun zyrtar të revistës: Publikimi

Continue Reading

Lajmet

Çmimi Nobel për Mjekësi shkon për Brunkow, Ramsdell dhe Sakaguchi

Published

on

By

Çmimi Nobel në Mjekësi për vitin 2025 i është dhënë Mary E. Brunkow, Fred Ramsdell dhe Shimon Sakaguchi për zbulimin e tyre të mekanizmit me anë të të cilit sistemi imunitar i përgjigjet infeksioneve.

Amerikanët Mary E. Brunkow dhe Fred Ramsdell, si dhe japonezi Shimon Sakaguchi, u vlerësuan në veçanti për zbulimin e mekanizmave që rregullojnë tolerancën imunitare periferike, procesin që parandalon dëmtimin e trupit nga sistemi imunitar.

Kështu, ata hapën rrugën për të kuptuar dhe luftuar të ashtuquajturat sëmundje autoimune, në të cilat sistemi imunitar sulmon trupin e vet.

Kontributi i tyre më i madh ishte identifikimi i qelizave T rregullatore, të cilat veprojnë si roje, duke i mbajtur qelizat imune larg, duke i penguar ato të sulmojnë trupin e tyre. “Zbulimet e tyre ishin thelbësore për të kuptuar se si funksionon sistemi imunitar”, tha Presidenti i Komitetit Nonel, Olle Kampe. Zbulimi, shtoi ai, na lejon të kuptojmë “pse jo të gjithë ne zhvillojmë sëmundje të rënda autoimune”.

Java e Çmimit Nobel 2025 fillon sot: emrat e fituesve të Çmimit Nobel në Fizikë priten të martën, më 7 tetor, në orën 11:45 të paradites , dhe fituesit e Çmimit Nobel në Kimi do të shpallen të mërkurën, më 9 tetor, në të njëjtën kohë ./D.B/KP

Continue Reading

Rajoni

Mbi 4000 bimë kanabisi asgjësohen në Shkodër

Published

on

By

Në Qarkun e Shkodrës, Policia e Shtetit, në territoret e gjashtë njësive administrative, gjeti dhe asgjësoi 4291 bimë narkotike të llojit kanabis sativa.

Sipas njoftimit të Policisë, penalisht u proceduan pesë 5 kryetarë fshatrash, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Derisa ende po vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.

Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata” vijon në të gjithë territorin e qarkut Shkodër./D:B/EO

Continue Reading

Lajmet

Kroacia bllokon një tjetër produkt shqiptar: Pasta e fëstëkëve me toksina të rrezikshme

Published

on

By

Kroacia ka bllokuar dhe asgjësuar një ngarkesë me pastë fëstëkësh të ardhur nga Shqipëria, pasi zbuluan një nivel të lartë të një toksine të rrezikshme.

Bazuar në njoftimin zyrtar të RASFF, ngarkesa u ndalua në kufi që më 8 shtator, pasi analizat laboratorike konfirmuan tejkalim të ndjeshëm të normave të lejuara të aflatoksinës, sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

Për pasojë, e gjithë ngarkesa është asgjësuar, ndërsa shtetet e tjera anëtare të BE-së janë njoftuar për të ndërmarrë masa parandaluese, në rast se produkti është shpërndarë edhe në territoret e tyre.

Ky është rasti i dytë brenda pak javësh që një produkt shqiptar ndalohet në kufijtë e BE-së për shkelje të sigurisë ushqimore, duke ngritur shqetësime serioze mbi efektivitetin e kontrollit cilësor dhe sistemeve të certifikimit në Shqipëri./D.B/EO

Continue Reading

Të kërkuara