Lajmet

​Bashkëpunimi me Iowa, Mehaj: Kosova ofron mundësi për investime edhe në industrinë e mbrojtjes

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri ka thënë se binjakëzimi i Pejës me qytetin Johnston, është bërë tash e nëntë vjet.

Published

on

Në konferencën me temë “Bashkëpunimi ndërkomunal mes Republikës së Kosovës dhe Iowa-s”, zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi ka inkurajuar komunat e vendit tonë që të bashkërendojnë prioritetet me qytetet e Iowa-s edhe në fushën e ekonomisë për një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik.

Derisa ministri Mbrojtjes, Armend Muja në këtë konferencë ka thënë se Kosova ofron mundësi të shumta për investime edhe në industrinë e mbrojtjes.

Zëvendëskryeministrja, Rexhepi theksoi se përveç përkrahjes profesionale nga Iowa për ushtrinë e dhe Policinë e Kosovës, vendi ynë ka nevojë për mbështetje edhe në aspektin ekonomik.

Komunat tona duhet të punojnë më shumë në qëndrimin ekonomik dhe kemi çka t’iu tregojmë edhe juve, kështu që bashkëpunimi në aspektin ekonomik të jetë I bashkërenditur me ju së bashku. Ajo çka është me rëndësi për ne dhe për ju nga Amerika, se populli amerikan është numër një për ne këtu në Kosovë, është popull mik I yni, dëshirojë që kjo miqësi të jetë në bashkëpunim më të mirë ndërmjet Qytetarëve të Iowa-s, Amerikës dhe qytetarëve të Kosovës. Përveç përkrahjes profesionale që i jepni ushtrisë tonë, policisë tonë për zhvillimin e detyrave të tyre, keni shumë çka të na tregoni dhe ne mësojnë nga aspekti ekonomik nga ju. Kryetarët e komunave tona duhet të bashkëpunojnë me ju dhe në këtë drejtim e keni përkrahjen e Qeverisë së Kosovës”, theksoi ajo.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se pozita gjeografike të Kosovës edhe në raport me NATO-n ofron mundësi për investime, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes, sepse siç theksoi ai duhet të ndërtohet edhe ky sektor.

Urat që I keni ndërtuar ju, jo vetëm në Forcat e Armatosura të Kosovës, por edhe në komunitete, dhe tani edhe me kryetarë të komunave, kjo po e fuqizon edhe më shumë partneritetin për siguri dhe ekonomi. Duke marrë parasysh pozitën gjeografike të Kosovës edhe në raport me NATO-n, ofron mundësi për investime, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes, sepse duhet ta ndërtojmë edhe këtë. Pra, rritja e investimeve të huaja direkte, ka të bëjë jo vetëm me sigurinë, por edhe në zhvillimin e ekonomisë”, theksoi Mehaj.

Ndërsa, major-gjenerali në pension i ushtrisë amerikane, Tim Orr theksoi se ndërtimi i raporteve dhe marrëdhënieve mes Kosovës dhe Iowa-s ka nis vite më parë dhe kjo është një diplomaci qytetare.

Tema e sotme “Ndërtimi i raporteve dhe marrëdhënieve”, për këtë kemi qenë të suksesshëm për shumë vite, por kjo ka të bëjë për hapin tjetër ku duhet të lëvizim, dhe këtë ne e quajmë diplomaci qytetare”, theksoi ai.

Ndërsa, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka folur për trendët e rritjes ekonomike në qeverinë Kurti dhe premtoi më shumë siguri për investime të huaja, të cilat do të kenë ndikim në rritjen e punësimit në Kosovë.

Për të siguruar qëndrueshmërinë e investimeve, kemi filluar me rishikimin e Ligjit për investime strategjike, për Investimet e Huaja Direkte, për Zonat ekonomike, për turizëm. Kosova ka qenë vendi me performancë më të lartë në indeksin e krimit të organizuar në Botë, ndërsa tani për 17 vende jemi rritur në aspektin e luftimit krimit të organizuar”, theksoi ajo

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri ka thënë se binjakëzimi i Pejës me qytetin Johnston, është bërë tash e nëntë vjet dhe është një shembull pozitiv i bashkëpunimit. Ai shpreson se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tej dhe do të jetë një shembull i mirë i bashkëpunimit.

Lajmet

AKB kërkon transparencë për pagën minimale 500 euro

Published

on

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur mbështetje parimore për rritjen e pagës minimale në 500 euro, por ka kërkuar nga Qeveria transparencë lidhur me analizat ekonomike dhe sociale që kanë paraprirë këtë vendim.

AKB, përmes një reagimi, ka thënë se rritja e pagave dhe përmirësimi i mirëqenies së punëtorëve janë në interes të ekonomisë, por ka ngritur shqetësime për mënyrën se si është vendosur dhe zbatuar paga minimale prej 500 eurosh.

“AKB e mbështet parimisht rritjen e pagave dhe përmirësimin e mirëqenies së punëtorëve në Kosovë. Megjithatë, AKB shpreh shqetësim serioz për mënyrën se si është vendosur dhe zbatuar paga minimale prej 500 euro, pa një dialog të plotë institucional me partnerët socialë dhe pa transparencë të mjaftueshme lidhur me analizat ekonomike, sociale dhe ligjore”, thuhet në reagim.

Sipas AKB-së, Qeveria duhet të publikojë analizat mbi të cilat është përcaktuar niveli i pagës minimale, përfshirë ndikimin në punësim, bizneset e vogla, konkurrueshmërinë dhe informalitetin.

“Ku është analiza e kostos së jetesës mbi bazën e së cilës është përcaktuar niveli prej 500 euro? Ku është analiza e ndikimit në punësim dhe papunësi? Ku është analiza e ndikimit te mikro, bizneset e vogla dhe ndërmarrjet e mesme?”, pyet AKB-ja.

Organizata e bizneseve ka paralajmëruar se rritja e kostos së punës, nëse nuk shoqërohet me masa të tjera ekonomike, mund të ndikojë në punësimin formal dhe qëndrueshmërinë e bizneseve.

Sipas saj, ndër pasojat e mundshme janë “zvogëlimi i vendeve të punës, mosdeklarimi i plotë i pagave, rritja e punësimit informal, zgjerimi i ekonomisë gri, mbyllja e mikro-bizneseve, rritja e çmimeve” dhe dobësimi i konkurrueshmërisë.

Në këtë kuadër, AKB i ka propozuar Qeverisë krijimin e një “Pakete 500+ për Punësim Formal”, e cila do të përfshinte lehtësime tatimore, ulje të kostos së punës për bizneset e vogla, subvencione për punësimin e të rinjve dhe kategorive të rrezikuara, si dhe mbështetje për bizneset që formalizojnë punëtorët.

AKB ka kërkuar gjithashtu masa për luftimin e ekonomisë informale, mbështetje për digjitalizimin dhe rritjen e produktivitetit, si dhe krijimin e një mekanizmi të përhershëm të dialogut social ndërmjet Qeverisë, punëdhënësve dhe punëtorëve.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se Kosova ka nevojë për paga më të larta, por edhe për biznese më të qëndrueshme.

“Paga 500 euro është e mirë për punëtorin. Por paga 500 euro pa biznes të qëndrueshëm, pa produktivitet më të lartë, pa lehtësime fiskale dhe pa dialog social mund të shndërrohet në problem për vetë punëtorin”, ka deklaruar Shahini.

Ai ka theksuar se AKB-ja nuk e kundërshton rritjen e pagave, por mënyrën e vendimmarrjes.

“Ne nuk e kundërshtojmë rritjen e pagave. Ne kundërshtojmë mënyrën kur një vendim kaq i rëndësishëm për ekonominë merret pa transparencë të plotë mbi analizat, pa dialog të mjaftueshëm me partnerët socialë dhe pa një paketë ekonomike që e mbron punësimin”, ka thënë Shahini.

Sipas tij, Qeveria duhet të publikojë analizat dhe procedurat, si dhe të ulet në dialog me përfaqësuesit e bizneseve dhe punëtorëve për të gjetur masa që do ta bëjnë të qëndrueshme pagën minimale prej 500 eurosh./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Haradinaj: Rezultati zgjedhor kërkon bashkëvendimmarrje mes pozitës dhe opozitës

Published

on

Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se rezultati i zgjedhjeve parlamentare nuk i ka dhënë asnjë partie të drejtën për të qeverisur e vetme, duke theksuar se krijimi i institucioneve duhet të bazohet në bashkëvendimmarrje mes pozitës dhe opozitës, raporton Ekonomia Online.

Duke komentuar mosarritjen e një marrëveshjeje në takimet e fundit, Haradinaj tha se verdikti i qytetarëve kërkon ndarje të përgjegjësive në procesin e vendimmarrjes.

“Qytetari ka votuar, populli ka votuar, sot jemi deputetë të zgjedhur. Ky rezultat kërkon bashkëvendimmarrje ose vendimmarrje të përbashkët. Nuk i ka dhënë një shumicë të duhur partisë fituese dhe, kuptohet, për të arritur në krijimin e institucioneve kërkohet vendimmarrje e përbashkët”, tha ai.

Sipas Haradinajt, deri më tani nuk është ofruar një model i bashkëvendimmarrjes, por vetëm një ftesë që opozita të bëhet pjesë e qeverisë.

“Ajo që kemi parë deri tani është një pozicion i tillë që nuk ofron bashkëvendimmarrje ose vendimmarrje të përbashkët, por i është ofruar opozitës për përfitimin e pushtetit, pra me i dhënë përfitime ose pjesëmarrje në pushtet. Kjo nuk e reflekton rezultatin. Dallimi mes numrit të deputetëve, të shqiptarëve po flas, të pozitës dhe opozitës nuk është aq i madh sa që vetëm fituesi i zgjedhjeve të mbajë vendimmarrjet”, tha ai.

Ai shtoi se rezultati zgjedhor duhet të lexohet si nevojë për ndarje të përgjegjësive institucionale.

“Për me e thjeshtuar edhe më shumë, nga dy postet e para, në këtë rast kryeministri që është posti kryesor sepse udhëheq qeverinë, ekzekutivin, dhe presidenti, njëri nga të dy postet në bazë të rezultatit zgjedhor i takon opozitës. Ai që ka fituar zgjedhjet, nëse ka logjikë demokratike, e lexon kështu rezultatin e zgjedhjeve”, tha ai.

Haradinaj akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po synon të mbajë të gjithë pushtetin vendimmarrës.

“Nëse ka logjikë regjimi, e që në fakt kjo logjikë po ndodh me Kurtin, ai nuk dëshiron vendimmarrje të përbashkët ose ndarje të vendimmarrjes. Kurti po i kërkon të gjitha situatat ose pozitat ose institucionet vendimmarrëse për vete dhe në njëfarë mënyre po synon me e poshtruar opozitën duke i ofruar vetëm përfitime të pushtetit, pra vetëm pjesëmarrje në qeverisje. Kjo nuk është ashtu siç ka vendosur qytetari. Është logjikë e regjimit. E këtë udhëheqësit e regjimeve totalitare të frikësohen nga bashkëvendimmarrja ose nga ndarja e vendimmarrjes”, tha ai.

Ai theksoi se opozita mund të kontribuojë në krijimin e institucioneve vetëm nëse është pjesë e vendimmarrjes.

“Unë mendoj që opozita mundet me ndihmuar në krijimin e institucioneve, por kuptohet duhet të ketë bashkëvendimmarrje, jo vetëm marrje pjesë në ekzekutiv që nënkupton pra vetëm përfitime për pushtet”, tha ai.

I pyetur për referencat ndaj kryetarit të Aleancës, Ardian Gjini, Haradinaj e vlerësoi punën e tij në krye të partisë dhe të Komunës së Gjakovës.

“Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka ushtruar shumë funksione. Është kryetar shumë i suksesshëm i Komunës së Gjakovës edhe shihen zhvillimet në Gjakovë, po u tregua edhe kryetar i suksesshëm i partisë që udhëheq. Ka dëshmuar me rezultate, pra menjëherë kemi ngritje që është një situatë e re”, tha ai.

Sipas Haradinajt, thelbi i çështjes mbetet mënyra se si interpretohet rezultati zgjedhor.

“Bëhet fjalë: a pranon, a e lexon rezultatin udhëheqësi i regjimit si bashkëvendimmarrje apo jo? Nëse nuk e pranon se rezultati është bashkëvendimmarrje, nuk ia ka dhënë qytetari i Kosovës votën për vendimmarrje si i vetëm, për të udhëhequr me të gjitha institucionet e vendit, për të pasur një kontroll absolut. Ia ka zbritur votën, është e vërtetë që përqindje ka, po ia ka zbritur qindra mijëra vota. Nëse ai nuk e lexon kështu, i bie që është e kotë edhe mbajtja e takimeve”, tha ai.

Haradinaj përsëriti se Aleanca nuk synon të hyjë në qeveri vetëm për poste.

“Nuk mendoj që opozita e ndihmon Kosovën duke u bërë pjesë e qeverisjes Kurti vetëm për përfitime të pushtetit. Opozita kishte mundur me e ndihmuar Kosovën duke u bërë pjesë e vendimmarrjes. Aleanca nuk synon pra në asnjë variant vetëm përfitimet e pushtetit, por nëse kemi realisht me e ndihmuar Kosovën në krijimin e institucioneve në ndarjen e vendimeve ose në bashkëvendimmarrje, atëherë po”, tha ai.

I pyetur nëse njëri nga postet kryesore duhet t’i takojë opozitës, Haradinaj sqaroi se nuk e kishte fjalën domosdoshmërisht për postin e presidentit.

“Jo, nuk është presidenti. Njëra. Njëra. Pra në marrëveshje me partinë fituese, mundet partia fituese me të drejtë me kërkuar kryeministrin, por mundet edhe në çfarëdo rruge dikush nga opozita me u bërë kryetar qeverie, sepse ndërtimi i institucioneve nënkupton edhe zgjedhjen e presidentit, dhe është bashkëvendimmarrja”, tha ai.

Ndërsa lidhur me mundësinë e votimit të presidentit të ardhshëm, Haradinaj tha se kjo varet nga një marrëveshje politike për ndarjen e vendimmarrjes.

“E shihni që tani votat për presidentin janë marrëveshje politike e dy të tretave. Duhet të sqarohet pra a është një situatë e ndarjes së vendimeve, pra nëse bëhet fjalë vetëm për pjesëmarrjen në pushtet kuptohet që nuk kemi pse me u kyçur në diskutime”, shtoi Haradinaj./Ekonomia Online/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nga kujtimet e luftës te skena e “Oscarit”

Published

on

Filmi më i ri i regjisores kosovare Blerta Basholli, “Dua”, është vepra e dytë e saj që i është dorëzuar Akademisë së Filmit për t’u marrë në konsideratë për çmimet “Oscar 2027”. Në një intervistë të fundit për agjencinë e lajmeve “Associated Press”, Basholli ka treguar se të qenit shqiptare në Kosovë gjatë asaj periudhe e bënte të ndihej e vogël, dhe sikur i përkiste një shtrese më të ulët shoqërore

Filmi i dytë artistik i regjisores nga Kosova, bazohet në përvojat e saj personale gjatë rritjes në Kosovë në fund të viteve ’90 dhe rrëfen historinë e një vajze adoleshente me të njëjtin emër, e cila jeton nën hijen e luftës dhe tensioneve etnike, ndërsa përballet me sfidat e moshës së adoleshencës.

Në një intervistë të fundit për agjencinë e lajmeve “Associated Press”, Basholli ka treguar se të qenit shqiptare në Kosovë gjatë asaj periudhe e bënte të ndihej e vogël, dhe sikur i përkiste një shtrese më të ulët shoqërore.

“Gjithmonë jam ndier e vogël duke qenë shqiptare në Kosovë gjatë kohës së okupimit, edhe pse ne ishim shumicë. Gjithmonë ndiheshim më pak të rëndësishëm, sepse shpesh na kërkohej të flisnim serbisht ose nuk kishim shkolla, ose edhe kur i kishim, nuk kishim kabinete të mira, sepse nxënësit serbë kishin marrë pjesët e shkollës ku ndodheshin kabinetet e fizikës dhe biologjisë. Gjithmonë të krijohej ndjenja se vije nga një shtresë më e ulët. Në njëfarë mënyre mendoja: ‘Nuk do të mund të bëj asgjë, nuk do të mund të shkoj askund, nuk do të mund të udhëtoj’, sepse ne nuk mund të udhëtonim lirshëm atëkohë”, ka thënë ajo. Ka shpjeguar se edhe kur dikush shkonte në një koncert, të gjithë mblidheshin rreth tij për ta pyetur si kishte qenë. Ka rrëfyer se vetë nuk kishte qenë kurrë në një koncert para luftës.

“Për mua ishte shumë e rëndësishme të tregoja atë që kemi kaluar, mënyrën se si njerëzit përpiqen të jetojnë edhe në rrethana të tilla dhe si përpiqen ta ndryshojnë realitetin e tyre. Doja t’ia tregoja dhe t’ia rrëfeja këtë botës. Por gjithashtu sepse mendoj se kjo histori lidhet me shumë adoleshentë sot që ende jetojnë në zona konflikti, fatkeqësisht”, ka deklaruar regjisorja për dramën e saj.

Filmi zhvillohet në periudhën e luftës së Kosovës, e cila zgjati nga viti 1998 deri në vitin 1999, kur presidenti i atëhershëm serb Slobodan Milosheviq ia hoqi Kosovës statusin e vetëqeverisjes. Gjatë kësaj periudhe, shqiptarët e Kosovës u përballën me shtypje të gjerë, ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi kundër kontrollit jugosllav dhe serb.

Filmi i parë i Bashollit – “Hive” (i lansuar në vitin 2021) – ishte kandidatura e Kosovës për çmimet “Oscar” dhe arriti të futet në listën e ngushtë të Akademisë në vitin 2022. Tani, regjisorja shpreson që historia të përsëritet edhe me filmin “Dua”.

“Është shumë e rëndësishme, sigurisht, kur realizon filmin e parë. ‘Hive’ ishte kandidati i Kosovës për ‘Oscar’ dhe arriti në listën e ngushtë të Akademisë. Ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm dhe një kënaqësi e madhe. Kur nisa realizimin e filmit të dytë, fillimisht mendova se nuk do të kishte shumë presion dhe se do të punoja si për çdo film tjetër. Por mendoj se ishte një presion shumë i madh, veçanërisht sepse filmi bazohej në jetën time. Kur krijon diçka kaq personale, disa gjëra bëhen më të lehta, por në të njëjtën kohë shumë të vështira, sepse nuk e di nëse je vetëm ti që je kaq e lidhur emocionalisht me të apo nëse publiku do të arrijë të lidhet dhe ta përjetojë historinë. Fakti që ‘Dua’ është sërish kandidatura e Kosovës për ‘Oscars’ është një nder dhe një kënaqësi e madhe. Tani duhet të punojmë fort dhe të zhvillojmë fushatën promovuese”, është shprehur Basholli.

Sipas regjisores, filma të tillë janë gjithashtu një burim frymëzimi për njerëzit dhe kineastët që jetojnë në Kosovë.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që historitë tona të tregohen. Kemi shumë histori për të rrëfyer dhe ato kanë rëndësi. Për një vend kaq të vogël dhe për kinematografinë e tij është shumë e rëndësishme të realizohen filma dhe vepra artistike. Tani që po flasim për filmin, është e rëndësishme që këto histori të udhëtojnë, që njerëzit t’i shohin, të informohen dhe, shpresojmë, edhe t’i shijojnë filmat tanë. Por në të njëjtën kohë, kjo është shumë e rëndësishme edhe për kineastët në Kosovë, sepse ndonjëherë ekziston ndjenja se, për shkak se je nga një vend i vogël, nuk mund të bësh shumë. Unë besoj se mundesh, nëse punon fort, e do atë që bën dhe e bën me pasion. Sigurisht, nuk kemi buxhete të mëdha, por kemi histori të mëdha dhe zemra të mëdha. Prandaj besoj se është e mundur. Këta filma, jo vetëm ‘Dua’ dhe ‘Hive’, por edhe shumë filma të tjerë, po frymëzojnë njerëzit dhe kineastët që jetojnë këtu”.

“Dua” e nisi furishëm rrugëtimin me premierë botërore në edicionin e 79-të të Festivalit të Filmit në Cannes, në majin e sivjetmë. Historia e sinqertë, e përshkruar me sytë dhe ndjesinë e një adoleshenteje të fundviteve të shekullit të kaluar, do të arrinte të merrte vëmendje tek mori çmimin “SACD”. Është çmimi për skenar që ndahet nga seksioni paralel i Festivalit të Cannes, “Semaine de la Critique” (Java e Kritikës)./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një shtetas i Serbisë në Leposaviq, sulmoi një burrë në gjendje të dehur

Published

on

By

Një shtetas i Serbisë është arrestuar në Leposaviq pasi, nën ndikimin e alkoolit, ka sulmuar një burrë kosovar.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës.

Nga ky sulm nuk raportohet për të lënduar.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

Continue Reading

Të kërkuara