Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka deklaruar se Policia e Kosovës ka bazë ligjore për të përdorur kamerat e sigurisë publike në shqiptimin e gjobave për kundërvajtje në trafik, ku sipas tyre, kjo praktikë nuk bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pasi është e paraparë në Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor
AIP sqaroi se neni 75 i Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale zbaton rregulla të përgjithshme për përdorimin e kamerave për qëllime të sigurisë publike, por lejon përjashtime në rastet kur ekziston një ligj specifik që autorizon përdorimin e tyre për funksione të tjera.
“Ligji specifik në këtë rast është Ligji Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, i cili në nenin 254 parasheh përdorimin e pajisjeve elektronike për identifikimin e kundërvajtjeve dhe shqiptimin e gjobave elektronike. Kjo dispozitë përcakton se, në rastet kur kundërvajtja konstatohet me pajisje elektronike, gjoba i dërgohet në adresë pronarit të mjetit, ndërsa parashikon edhe detyrimin e pronarit për të dhënë të dhënat e personit që e ka drejtuar automjetin në momentin e shkeljes. Në këtë kuptim, kamerat e trafikut përbëjnë pajisje elektronike, sepse përmes incizimeve të tyre identifikohet automjeti, koha dhe vendi i shkeljes, gjë që mundëson shqiptimin e gjobës në mënyrë të automatizuar dhe të dokumentuar”, thuhet në përgjigjen e AIP për Metro.
Tutje bëhet e ditur se neni 242 i Ligjit për Trafikun Rrugor parashikon se shpejtësia e lëvizjes së automjeteve mund të konstatohet përmes video-incizimeve, të cilat vlejnë si provë ligjore.
“Neni 242 i Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor parashikon se shpejtësia e lëvizjes së mjetit mund të konstatohet edhe me video incizime, me pajisje mobile ose statike, ndërsa vetë incizimi me të dhëna për shpejtësinë e konstatuar shërben si provë ligjore. Kjo dispozitë e forcon më tej kuptimin se video incizimet, pra kamerat, janë mjete të ligjshme që përdoren për evidentimin e kundërvajtjeve në trafik. Gjithashtu neni 254, paragrafi 1 i Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor përcakton se në rastet kur identifikimi i kundërvajtjes është bërë me pajisje elektronike, pala njoftohet përmes kontakteve të dhëna ndërsa gjoba i dërgohet në adresë pronarit të mjetit”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Ndërkaq, sipas AIP , Policia e Kosovës ka bazë ligjore për të përdorur kamerat e vendosura me qëllim të shqiptimit të gjobave kundërvajtëse dhe nuk bie në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, ka theksuar Agjencia për Informim dhe Privatësi.
“Duke u mbështetur në këto dispozita, vlerësojmë se përdorimi i kamerave nga Policia e Kosovës për shqiptimin e gjobave elektronike është i bazuar në Ligjin Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor dhe përbën përjashtim të lejuar me ligj nga rregullat e nenit 75 të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Përpunimi i të dhënave personale në këtë rast zhvillohet për ushtrimin e një detyrimi ligjor që buron nga Ligji për Rregullat e Trafikut Rrugor, si dhe për ushtrimin e autoritetit zyrtar të përcaktuar në nenin 5 paragrafi 1.5 të LMDhP-së”, thuhet në përgjigje.
Ndëra gjatë javës së kaluar Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET kishte ngritur dyshime për kundërligjshmëri dhe cenim të privatësisë në përdorimin e kamerave të sigurisë publike për gjoba në trafik, duke theksuar se ato janë të destinuara për siguri publike dhe hetim penal, jo për ndëshkime administrative./S.K/AIP/PK/