Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka njoftuar se nga sot, 27 korrik, është hapur aplikimi për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e arsimit fillor të ulët dhe të mesëm të ulët, përkatësisht për klasat 1 deri në 9.
Sipas njoftimit të ministrisë, aplikimi do të realizohet përmes platformës eKosova dhe do të jetë i hapur deri më 9 gusht 2026.
“Nga sot, më 27 korrik, hapet aplikimi për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e arsimit fillor të ulët dhe të mesëm të ulët (klasat 1–9). Aplikimi do të realizohet përmes platformës eKosova dhe do të jetë i hapur për një periudhë prej dy javësh: 27 korrik – 9 gusht 2026”, thuhet në njoftimin e MASH-it.
Ministria ka bërë të ditur se mjetet financiare do të transferohen drejtpërdrejt në xhirollogarinë bankare të prindit ose kujdestarit që aplikon.
“Mjetet financiare do të transferohen drejtpërdrejt në xhirollogarinë bankare të prindit/aplikuesit. Para se të aplikoni, ju lutemi sigurohuni që xhirollogaria juaj bankare është aktive dhe e saktë, si dhe të dhënat tuaja në eKosova janë të përditësuara”, thekson ministria.
Sipas MASH-it, aplikimi u mundësohet edhe shtetasve të huaj me leje qëndrimi të përkohshme ose të përhershme në Kosovë, fëmijët e të cilëve vijojnë mësimin në institucionet arsimore të vendit.
“Për shtetasit e huaj që ende nuk posedojnë leje qëndrimi, por kanë fëmijë të regjistruar në shkolla të Republikës së Kosovës, MASH do t’ia dorëzojë ASHI-së listën e këtyre rasteve me qëllim të krijimit të qasjes në eKosova për aplikim. Dokumentet për këtë kategori do të dorëzohen me email në adresën [email protected]”, thuhet në njoftim.
Ministria rikujton gjithashtu se, në përputhje me Udhëzimin Administrativ nr. 13/2016, nxënësit dhe prindërit janë përgjegjës për ruajtjen e teksteve shkollore, të cilat duhet të dorëzohen në fund të vitit mësimor në gjendje të rregullt.
“Në rast se tekstet dëmtohen me dashje, nga pakujdesia ose humbin, prindi është i obliguar t’i zëvendësojë ose t’i kompensojë ato”, theksohet më tej.
MASH ka bërë të ditur se të gjitha aplikimet do të verifikohen nga shkollat përkatëse përmes koordinatorëve të autorizuar, ndërsa për paqartësi qytetarët mund të kontaktojnë ministrinë përmes adresës elektronike [email protected] ose në numrin e telefonit +383 (0) 38 200 65 049./A.K/