Mbrëmja evropiane në “San Siro” solli një nga surprizat më të mëdha të viteve të fundit në UEFA Champions League. Kampionët e Norvegjisë, Bodo/Glimt, mposhtën Interin me rezultat 2-1 në Milano, duke vulosur kualifikimin me shifrat e përgjithshme 5-2 dhe duke siguruar një vend në fazën e 1/8-tave.
Skuadra italiane e nisi ndeshjen me pritshmëri të larta, por mysafirët treguan qetësi dhe organizim të admirueshëm. Në minutën e 58-të, Jens Petter Hauge përfitoi nga një gabim në mbrojtjen zikaltër dhe kaloi norvegjezët në epërsi. Vetëm 14 minuta më pas, Hauge u shndërrua në asistues, duke shërbyer për Hakon Evjen, i cili dyfishoi avantazhin dhe heshti tribunat italiane.
Interi reagoi në minutën e 76-të me golin e Alessandro Bastonit, por kjo mjaftoi vetëm për të zbutur humbjen, jo për të shmangur eliminimin.
Me këtë sukses, Bodo/Glimt hyn në histori si skuadra e parë norvegjeze që fiton dy ndeshje në fazën eliminatore të Champions League. Jo vetëm kaq, ata u bënë edhe ekipi i parë jashtë pesë ligave më të forta evropiane që regjistron katër fitore radhazi ndaj skuadrave nga këto kampionate, një arritje që nuk ishte parë që nga epoka e artë e Ajaxit në sezonin 1971/72, i udhëhequr nga legjenda Johan Cruyff.
Seria mbresëlënëse e norvegjezëve kishte nisur më herët me fitore ndaj gjigantëve evropianë si Manchester City dhe Atlético Madrid, përpara se të konfirmohej kulmi me dy triumfe ndaj Interit.
Tashmë, sytë janë drejt shortit të radhës, ku Bodo/Glimt mund të përballet me Sporting CP ose sërish me Manchester Cityn. Mbetet për t’u parë nëse aventura e tyre do të vazhdojë si një përrallë moderne e futbollit evropian, apo nëse surpriza do të ndalet këtu.
Në Ligën e Kampionëve mbrëmë janë zhvilluar edhe tri ndeshje. Në raundin tjetër ka kalur Atletiko Mardid, pasi mundi Bryzhin e Beligjikës me rezultat të përgjithshëm 7:4 (3:3 ndeshja e parë, 4:1 dje). Leverkuzeni eliminoi Olympiakosin me rezultat të përgjithshëm 2:0, që ishte rezultat i ndeshje së parë. Dje dy skuadrat luajtën barazim. Tutje kaloi edhe Njukastëll. Dje mundi Karabahun me rezultat 3:2, derisa në ndeshjen e parë kishte fituar 6:1.