Lajmet

​Zelensky thotë se Ukraina është e gatshme të pranojë statusin neutral

Zelensky theksoi edhe një herë dëshirën e tij për të arritur një marrëveshje konkrete paqeje.

Published

on

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky thotë se Ukraina është e gatshme të pranojë një status neutral si pjesë e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.

“Garancitë e sigurisë dhe statusi neutral, jo-bërthamor i shtetit tonë. Ne jemi të gatshëm ta pranojmë këtë. Kjo është pika më e rëndësishme. Kjo ishte pika e parë parimore për Federatën Ruse, siç më kujtohet. Dhe me sa mbaj mend, ata filluan luftën për këtë”, tha Zelensky në një intervistë me gazetarët e pavarur rusë, shkruan CNN.

Ai tha edhe se “Çdo marrëveshje duhet t’i vihet popullit ukrainas në një referendum”.

Zelensky theksoi edhe një herë dëshirën e tij për të arritur një marrëveshje konkrete paqeje.

“Pra, kjo klauzolë është një klauzolë garancie sigurie për Ukrainën. Dhe duke qenë se ata thonë se është edhe për ta [garancitë e sigurisë], është e kuptueshme për mua dhe po diskutohet. Është e thelluar, por unë jam i interesuar të sigurohem që të jetë jo vetëm një copë letër tjetër”, shtoi Zelensky.

“Pra, ne jemi të interesuar që ajo dokument të kthehet në një traktat serioz për t’u nënshkruar”, deklaroi ai.

Zelensky tha gjithashtu se çështjet e Donbasit dhe Krimesë duhet të diskutohen dhe të zgjidhen në bisedimet e paqes.

Komentet e Zelensky vijnë pasi presidenca turke tha se raundi tjetër i bisedimeve midis delegatëve rusë dhe ukrainas do të mbahet në qytetin turk të Stambollit të martën.

Më herët, Zelensky u tha gazetarëve rusë se do të refuzonte të ulej me negociatorët rusë nëse ata kërkojnë të diskutojnë vetëm “denazifikimin” e Ukrainës. Ai tha se Ukraina nuk do të diskutojë fare termat “denazifikim” dhe “çmilitarizim” gjatë bisedimeve me Rusinë.

Lajmet

Rumania rrezikon të humbasë 770 milionë euro nga fondet e BE-së

Published

on

Rumania rrezikon të humbasë rreth 770 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian, pasi nuk arriti të përmbushë një afat kyç për reformat e planit të rimëkëmbjes pas pandemisë.

Afati i 31 gushtit lidhej me miratimin e një ligji të ri për pagat në sektorin publik, por partitë kryesore politike nuk arritën marrëveshje për këtë çështje.

Sipas burimeve të BE-së, mosrespektimi i afatit mund të çojë në zbritjen e rreth 770 milionë eurove nga 8.44 miliardë eurot që Rumania i ka ende në dispozicion nga fondet evropiane.

Shuma e rrezikuar përbën rreth 40 për qind të planit të përgjithshëm të rimëkëmbjes së Rumanisë, i cili kap vlerën prej 21.41 miliardë eurosh.

Megjithatë, shuma përfundimtare e fondeve që mund të humben do të përcaktohet nga Komisioni Evropian, gjatë vlerësimit të kërkesës së fundit për pagesë, e cila duhet të dorëzohet deri në fund të shtatorit.

Presidenti rumun Nicuşor Dan ka deklaruar se legjislacioni është pothuajse i përfunduar teknikisht dhe se mund të miratohet deri në fund të vitit.

Ai e ka cilësuar reformën si një proces të ndërlikuar, me pasoja të rëndësishme sociale dhe ekonomike, që është zhvilluar nën presion të madh kohor./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Pezullohet vendimi për ndërprerjen e grumbullimit të qumështit nga 1 shtatori

Published

on

Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës ka njoftuar se është pezulluar vendimi për ndërprerjen e grumbullimit të qumështit, i cili ishte paralajmëruar të hynte në fuqi më 1 shtator.

Sipas shoqatës, vendimi është pezulluar pas një takimi mes përfaqësuesve të institucioneve përkatëse dhe përpunuesve të qumështit.

“Rrjedhimisht, grumbullimi i qumështit do të vazhdojë deri në një vendim apo njoftim tjetër”, thuhet në njoftim.

Më herët, përfaqësues të Shoqatës së Industrisë së Qumështit të Kosovës kishin dorëzuar në Ministrinë e Bujqësisë kërkesat e tyre, duke kërkuar takim me ministrin në detyrë, Armend Muja, si dhe rikthimin e menjëhershëm të prodhimit të produkteve të qumështit.

Qumështoret kanë kërkuar gjithashtu nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë një komunikatë zyrtare për sigurinë e produkteve të industrisë vendore, si dhe anulimin e vendimit të 15 majit 2026, me numër 1414.

Një tjetër kërkesë e tyre është që Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të ndërmarrë masa ndaj çmimeve që industria i konsideron dumping në tregun e produkteve të qumështit.

Kryetari i Shoqatës së Industrisë së Qumështit, Gani Durmishaj, ka thënë se këto kërkesa janë dorëzuar edhe zyrtarisht me shkrim.

Pas pezullimit të vendimit, grumbullimi i qumështit nga fermerët do të vazhdojë, ndërsa ata do të njoftohen me kohë për çdo zhvillim të mëtejshëm./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Hoti nuk e përkrah Bekim Sejdiun për president: “Nuk është çështje individësh, por parimesh”

Published

on

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se nuk do ta përkrahë kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se qëndrimi i tij nuk lidhet me arsye personale, por me parime politike dhe institucionale.

Sipas tij, presidenti duhet të jetë figurë unifikuese dhe të ndërtojë konsensus përtej interesave partiake, ndërsa ka vlerësuar se kandidatura e Sejdiut nuk i përmbush këto kritere.

Hoti ka thënë gjithashtu se kjo kandidaturë nuk pasqyron interesat politike dhe parimore të LDK-së dhe elektoratit të saj. Sipas tij, partia nuk duhet të mbështesë një kandidat vetëm për hir të një marrëveshjeje politike, nëse ai nuk përfaqëson parimet dhe pritjet e votuesve.

“Nuk është çështje individësh, por çështje e parimeve, identitetit politik dhe përgjegjësisë që kemi ndaj votuesve tanë”, ka shkruar Hoti.

Bekim Sejdiu kishte qenë gjyqtar raportues në rastin kur Gjykata Kushtetuese, në vitin 2020, e rrëzoi Qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kryeqyteti nis procedurat për themelimin e ndërmarrjes së re të “Pastrimit”

Published

on

Komuna e Prishtinës ka marrë vendim të nisë procedurat për themelimin e ndërmarrjes së re të pastrimit, me kapacitete të dedikuara vetëm për Prishtinën, raporton Ekonomia Online.

Vendimi u prezantua sot nga Kryetari Përparim Rama, në një konferencë për media së bashku me nënkryetarët Besianë Musmurati dhe Florian Dushi, të cilët paraqitën dokumentet, kronologjinë dhe hapat institucionalë të ndërmarrë për realizimin e projektit.

Kryetari Rama theksoi se marrëveshja ka mbetur e bllokuar për shkak të mosnënshkrimit nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, ndërsa pasojat po i bartin Prishtina dhe qytetarët e saj.

“Qeveria e ka bllokuar Komunën dhe, si rrjedhojë, po i ndëshkon qytetarët. Prishtina nuk mund të presë pafundësisht një nënshkrim nga Hekuran Murati. Nëse Qeveria ka zgjedhur ta bllokojë financimin, ne kemi zgjedhur ta krijojmë zgjidhjen. Do ta themelojmë ndërmarrjen e re të pastrimit të Kryeqytetit”, deklaroi Rama.

Nënkryetarja Besianë Musmurati prezantoi dëshmitë që tregojnë se projekti me KfË-në kishte kaluar të gjitha fazat e nevojshme të negocimit dhe miratimit. Faza e parë prej 24.1 milionë eurosh parashihte rreth 100 kamionë të rinj, 10 mijë kontejnerë për ndarjen e mbeturinave dhe platforma për vendosjen e tyre. Faza e dytë prej 50 milionë eurosh përfshinte kapacitete shtesë dhe qendra për kompostim dhe riciklim.

Më 26 shtator 2024, KfË-ja ia kishte dërguar Ministrisë së Financave draftet e marrëveshjeve për grantin prej 4.1 milionë eurosh dhe kredinë e butë prej 20 milionë eurosh. Megjithatë, marrëveshja nuk u nënshkrua. Pa përgjigje mbeti edhe letra e përbashkët e Kryeqytetit dhe KfË-së, e dërguar më 15 maj 2026.

“Për shkak të këtij bllokimi, Prishtina sot nuk i ka 100 kamionët shtesë, 10 mijë kontejnerët dhe sistemin afatgjatë të riciklimit të paraparë me standarde gjermane. Përgjegjësia për mosrealizimin e projektit është e Ministrit Hekuran Murati”, deklaroi Musmurati.

Nënkryetari Florian Dushi bëri të ditur se Ligji për Kryeqytetin ia mundëson Prishtinës themelimin e ndërmarrjes së re pa pëlqimin e Qeverisë. Aktualisht po përgatiten plani i biznesit dhe analiza financiare, pas së cilave propozimi do t’i paraqitet Kuvendit të Kryeqytetit.

Kryetari Rama siguroi punëtorët aktualë të Kompanisë Rajonale “Pastrimi” se askush nuk do të mbetet pa punë.

Ata do të sistemohen, do të jenë pjesë e zgjidhjes dhe do të përfshihen në sistemin e ri që po ndërton Kryeqyteti.

Sipas tij, Prishtina nuk do të mbetet peng i bllokimeve. Kryeqyteti do të ndërtojë kapacitetet e veta dhe një sistem funksional, efikas e të qëndrueshëm, me vetëm një përgjegjësi: pastrimin e Prishtinës./EO/

 

Continue Reading

Të kërkuara