Lajmet

​Vetëm tre regjistrues shqiptarë në Medvegjë, Kamberi: Nuk po dërgohen në vendbanime shqiptare

Regjistrimi i popullsisë për shqiptarët në Serbi po bëhet pas dy dekadave.

Published

on

Në Medvegjë janë vetëm tre regjistrues me etni shqiptare të cilët po marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë. As këta tre shqiptarë nuk po dërgohen në vendbanimet shqiptare, por në dyert e tyre po trokasin regjistrues serbë. Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi deklaron se kjo është në kundërshtim me marrëveshjen që është bërë në ndërmjetësim me OSBE-në. Ai njofton se kanë dorëzuar ankesën në Entin Statistikor të Serbisë dhe se po presin që gjatë ditës të zgjidhet kjo çështje.

Një gjë të tillë e thonë edhe dy nga regjistruesit shqiptarë. Këta të fundit nuk kanë dashur të identifikohen, por janë emra të njohur për redaksinë. Ata kanë bërë të ditur se prej ditës kur ka nisur regjistrimi, ata janë dërguar në fshatra të cilët janë të banuar nga serbët.

Deputeti Shaip Kamberi shpreh dyshimin se kjo po bëhet me qëllim që të pamundësohen shqiptarët që të regjistrohen.

“Tre (regjistrues) janë për Medvegjë që kanë kaluar testet që janë kryer. Por problemi tashmë qëndron në faktin se edhe këta tre nuk janë duke i dërguar në vendbanime shqiptare, por dërgohen në vendbanime serbe. Ndërkohë që regjistruesit serbë dërgohen në vendbanime shqiptare, që është në kundërshtim me marrëveshjen që kemi pasur me Ministrinë për Dialog dhe për Drejta të Njeriut me ndërmjetësimin e OSBE-së. Ne kemi bërë alarmimin me OSBE-në dhe me ambasadat perëndimore gjatë ditës së djeshme, po presim që sot të ketë një trajtim dhe respektivisht kthim për respektimin e marrëveshjes. Sepse përndryshe ne do të duhet të shqyrtojmë vendimin dhe qëndrimin tonë për regjistrimin e popullsisë në këtë komunë. Sepse dyshojmë që gjithë kjo po bëhet me qëllim që të pamundësohen shqiptarët që të regjistrohen”, njofton Kamberi.

Regjistrimi i popullsisë për shqiptarët në Serbi po bëhet pas dy dekadave.

“Të gjithë ata që janë pasivizuar, qëndrimi është që të regjistrohen si banorë, sepse atyre nuk mund t’ju merret shtetësia sipas ligjit. Prandaj, si shtetas të Serbisë ata kanë të drejtë të regjistrohen. Ndërkohë, sa i përket adresave të reja si individ duhet të paraqes kërkesë për t’i dhënë adresë të re në vendin ku ai lajmërohet. Është një procedurë krejtësisht tjetër ajo, e cila duhet sigurisht që të niset menjëherë pas përfundimit të procesit të regjistrimit të popullsisë”, shton Kamberi.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë që u organizua në vitin 2011, për shkak se nuk u respektuan kërkesat e tyre.


“Ne nuk kemi marrë pjesë në regjistrimin e vitit 2011, për faktin se Enti Statistikor Republikan nuk ka respektuar kërkesat tona për regjistrim të diasporës, regjistrim të banorëve të zhvendosur dhe për faktin se nuk kemi pasur mjaftueshëm regjistrues shqiptarë. Sikurse në dokumentacione nuk kanë qenë në gjuhën shqipe. Kësaj here me ndërmjetësimin e OSBE-së, të gjitha këto janë arritur dhe procesi ka filluar, ashtu siç ishte planifikuar me 1 tetor”, vijon ai.

Deputeti shqiptar Shaip Kamberi pret që nga ky regjistrim që do të përfundojë gjatë këtij muaji, shqiptarëve t’u kthehen të drejtat.

“E para ka të bëjë me nivelin e integrimit që ne kërkojmë nga organet shtetërore, nga statistikat që do të tregojnë se sa është numri i shqiptarëve në këtë rajon. Kërkesa jonë do të duhet të jetë në nivel të atillë që të ri inkuadrohemi dhe të participojmë në punën e organeve shtetërore të cilat funksionojnë në komunat tona. Ka funksion dhe rol edhe në financimin e projekteve kapitale që vijnë nga qyteti dhe vijnë nga shteti për komunat tona dhe financimin e rregullt mujor që i bëhet komunave nga niveli shtetëror. Po ashtu edhe financimin që i bëhet Këshillit Nacional. Numrin e mjekëve që do të ketë ‘Shtëpia e Shëndetit’, numrin e ambulanteve që duhet të ekzistojnë në vendbanimet e caktuara, pavarësisht nga numri i popullsisë. Dhe ajo që është e rëndësishme për Preshevën është se nga numri i banorëve që do të dalë se ka kjo komunë do të varet legjitimiteti për kthimin e Gjykatës Themelorë në Preshevë, e cila në vitin 2013 është shuar”, deklaron ai.

Për këtë flet edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar për Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi i cili thotë se ky proces është përgjigje ndaj diskriminimit e pasivizimit të adresave. Ai shton se janë ofruar kushtet optimale për regjistrim të popullsisë, proces ky që financohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet e monitorohet nga EUROSTAT.

“Fletëregjistrimet janë në gjuhën shqipe të cilat i ka asistuar Këshilli Kombëtar Shqiptar. Instruktorët për regjistruesit janë edhe nga komuniteti shqiptar. Regjistrues janë edhe nga komuniteti shqiptar e madje edhe në disa vendbanime të përziera është lejuar edhe mundësia për asistent gjuhësor… Në këtë proces të regjistrimit të popullsisë nuk nevojitet asgjë tjetër përveç emrit, mbiemrit dhe një numri personal, me ç’rast regjistruesi e ka për detyrë tri herë të shkojë në shtëpinë e tij dhe në rast se nuk e gjen në shtëpinë e tij do të duhej të lënë një kontakt-numër dhe regjistrimin mund ta kumtojë një familjar për gjithë anëtarët e tjerë të familjes”, shprehet ai.

Në Preshevë e Bujanoc, shumica e regjistruesve janë shqiptarë, por jo edhe në Medvegjë.

“Ne kemi diku 86 regjistrues në Bujanoc, 73 regjistrues në Preshevë dhe kemi 24 regjistrues në Medvegjë, tre nga të cilët janë shqiptarë”, shton Mustafi.

Në regjistrimin e fundit të popullsisë të vitit 2002, ku morën pjesë shqiptarët janë evidentuar 56 mijë banorë.

“56 mijë banorë shqiptarë kanë qenë në Luginën e Preshevës, sipas regjistrimit të vitit 2002, rezident. Dhe rreth 30 mijë kanë qenë, jo rezident që do të thotë se pjesa që jetojnë në diasporë. Ne synojmë që të ruajmë së paku këtë minim dhe të arrijmë të kemi 56 mijë, 57 mijë, rreth 60 mijë banorë rezident në Luginën e Preshevës. Ndërkohë që është shumë e qartë se diaspora jonë është rritur në ndërkohë. Sepse, kemi njerëz që janë larguar dhe migrimi ka bërë të vetën. Procesi i largimit të dhunshëm të banorëve shqiptarë nga Malësia e Bujanocit, Karadaku i Preshevës dhe fshatrave e Medvegjës që është përfunduar në vitet ’99-2000 edhe që po tentohet përmes pasivizimit të adresave të legalizohet me spastrim etnik të kryer, ka qenë një ndër arsyet që ne nuk kemi pranuar të marrim pjesë në regjistrimin e vitit 2011”, ka përfunduar deputeti Kamberi.

Në procesin e regjistrimit të popullsisë në Serbi që ka nisur ditën e shtunë, bëhet edhe regjistrimi i pronave. Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe liderët e partive shqiptare në Kosovës kanë ftuar shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, si përgjigje ndaj diskriminimit të shqiptarëve dhe pasivizimit të adresave. 

Lajmet

Presidenti i FIFA-s, dekorohet nga Osmani

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, në ceremoninë solemne të dekorimit të Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, ka vlerësuar rolin e futbollit në historinë e vendit, duke e cilësuar atë si simbol të lirisë dhe qëndrueshmërisë së popullit të Kosovës edhe në periudhat më të vështira të okupimit.

Osmani tha se futbolli ishte streha e fëmijëve kosovarë në kohën e luftës dhe shprehja më e pastër e ëndrrës për liri.

Dhe një grup fëmijësh që ndiqnin jo vetëm një ëndërr, por edhe ndjenjën e lirisë. Në vitet më të errëta të okupimit, kur një luftë gjenocidale po zhvillohej kundër popullit tonë të pafajshëm, fëmijët e Kosovës gjetën lirinë në lojën e futbollit. Ata shikonin drejt idhujve të tyre për forcë dhe frymëzim. Dhe ata e mbanin topin duke u rrokullisur nëpër fusha të improvizuara, nëpër oborre me pluhur dhe rrugë të shkatërruara. Edhe në kampet e refugjatëve, larg nga shtëpia, futbolli u bë streha e tyre, veprimi i vetëm që nuk u hesht kurrë. Kur lufta përfundoi dhe liria u bë më në fund realitet, futbolli sërish u bë zemra që rrihte e popullit tonë. Dhe në ato vite të hershme të rindërtimit, një emër, një emër u bë përfaqësuesi i shpirtit të futbollit tonë dhe i shpirtit të vendit tonë Fadil Vokrri”, tha Osmani.

Duke kujtuar figurën e legjendës së futbollit, Fadil Vokrri, presidentja tha se ai ishte shumë më tepër se një lojtar, ishte simbol i qëndrueshmërisë dhe krenarisë kombëtare.

Ai ishte më shumë se një lojtar dhe më shumë se një udhëheqës. Ai ishte mishërimi i gjallë i qëndrueshmërisë dhe krenarisë së Kosovës. Ai mbante shpresat e vendit tonë shumë përpara se Kosova të kishte një vend në ndonjë tryezë ndërkombëtare. Dhe ai e përdori futbollin për t’i treguar botës se Kosova besonte dhe se Kosova ishte gati të qëndronte krah për krah me të tjerët. Vokrri frymëzoi një brez që refuzoi të dorëzohej. Ai dëshmoi se talenti, disiplina dhe besimi në vendin tënd mund të lëvizin male, edhe kur ato duken të palëvizshme. Trashëgimia e tij jeton në çdo lojtar të ri që ëndërron të veshë fanellën e Kosovës, në çdo fitore që bashkon popullin tonë dhe në çdo stadium ku tani luhet me krenari himni ynë. Ai jeton në çdo futbollist që shihni sot në këtë sallë, lojtarë që mbajnë të njëjtën krenari teksa shënojnë sukseset e tyre për vendin e tyre dhe për ekipet e tyre në mbarë botën”, theksoi ajo.

Presidentja Osmani përmendi edhe momentin historik kur Kosova u pranua në UEFA dhe më pas në FIFA, duke e cilësuar këtë si një akt drejtësie dhe njohjeje ndërkombëtare për sakrificat e popullit të Kosovës.

Dhe pastaj erdhi dita kur ajo ëndërr gjeti shtëpinë e saj të merituar, kur Kosova fillimisht u bë anëtare e UEFA-s dhe më pas anëtare e FIFA-s, duke iu bashkuar familjes së madhe të kombeve që flasin gjuhën universale të futbollit. Ky pranim shënoi një nga momentet më krenare në historinë tonë kombëtare — një moment kur më në fund mund të ndanim talentin tonë me botën. Mbi të gjitha, ishte një moment drejtësie — drejtësi dhe njohje për sakrificat, qëndrueshmërinë dhe ëndrrat e popullit tonë”, u shpreh ajo.

Ajo falënderoi Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në periudhën e pranimit në organizatat ndërkombëtare të futbollit.

“I dashur President Infantino, ne do ta kujtojmë gjithmonë që ju qëndruat pranë nesh gjatë këtyre momenteve historike dhe gjatë kësaj kohe vendimtare përmes anëtarësimit në UEFA si dhe në FIFA. Ju besuat në ne, besuat në potencialin e Kosovës dhe në fuqinë bashkuese të sportit, në një kohë kur të besoje kërkonte ende guxim. Ju e kuptuat se futbolli, në thelb, është për njerëzimin, për t’i dhënë çdo fëmije, pavarësisht nga vjen, mundësinë për të përkitur, për të përkitur”, tha Osmani.

Presidentja shtoi se nën udhëheqjen e Infantinos, FIFA është shndërruar në një familje të vërtetë kombesh që lidh popujt përmes sportit.

“Nëpërmjet udhëheqjes suaj, FIFA është bërë një familje e vërtetë kombesh, një familje ku secili ka vendin e vet. Ju keni punuar pa u lodhur për t’u siguruar që futbolli të ndërtojë ura mes njerëzve, kudo që ata mund të jenë. Dhe për Kosovën, kjo ka pasur një kuptim të jashtëzakonshëm. Ju ndihmuat lojtarët tanë të valëvitnin flamurin e një vendi të lirë e të pavarur, që sot garon me krenari dhe dinjitet në skenën ndërkombëtare”, u shpreh presidentja.

Duke përmbyllur fjalën e saj, Osmani tha se suksesi i Kosovës në futboll është ndërtuar mbi sakrificë dhe miqësi, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur vendin në këtë rrugëtim.

“Dhe sot, teksa shohim ekipin tonë kombëtar ulur këtu, si simbol i sa larg kemi arritur, na kujtohet se ky sukses nuk u ndërtua brenda natës. Ai u ndërtua përmes sakrificës, por edhe përmes miqësisë dhe mbështetjes. Dhe pikërisht kjo miqësi është ajo që na bashkon sot”, tha Osmani./D.B/EO

Continue Reading

Lajmet

Kurti takon komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Özkan Ulutash – flasin për sitauën e sigurisë

Published

on

By

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim mirëseardhës Komandantin e ri të KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Major Özkan Ulutash.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, gjatë këtij takimi është diskutuar për zhvillimet aktuale, me theks mbi situatën e sigurisë dhe për rëndësinë e bashkëveprimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë të vendit dhe të misionit të NATO-s në Kosovë.

Duke i uruar mirëseardhje përsëri në Kosovë dhe duke i dëshiruar suksese në mandatin e dytë si komandant i KFOR-it, kryeministri Kurti theksoi gatishmërinë dhe angazhimin e tij dhe të Qeverisë për bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në të gjithë territorin e vendit”, thuhet në komunikatë.

Komandanti i rikthyer në detyrë si udhëheqës i KFOR-it, Özkan Ulutas gjatë ceremonisë, katër ditë më parë tha se është i gatshëm për të përmbushur misionin e KFOR-it për paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohen dy persona të dyshuar për disa raste të vjedhjeve në Prishtinë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për vjedhje në Prishtinë. Bëhet fjalë për 56 vjeçarin me inicialet B.J dhe M.C, 51 vjeç – të dy shtetas të Kosovës.

Arrestimi, sipas Policisë, ka ardhur pas një pune hetimore dhe operacionale të Sektorit të Hetimeve të Kryeqytetit.

Pas arrestimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ata janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh, përderisa hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale lidhur me së paku 15 raste të vjedhjeve, ku dyshohet se personat e arrestuar janë të përfshirë./D.B/KP

Continue Reading

Lajmet

Kurti: Sapo të fillojë punën Kuvendi, do ta zgjedhim qeverinë e re

Published

on

By

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka komentuar raportin e fundit të Bankës Botërore për ngadalësim të rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

Sipas këtij raporti, parashihet rënie e rritjes ekonomike nga 3.6 për qind në vitin 2024, në 3 për qind në vitin këtë vit për shtetet e Ballkanit Përëndimor. Por, rënien më të madhe është parashikuar ta ketë Kosovë.

Kurti gjatë vizitës në Termocentralin “Kosova B”, ka komentuar këtë raport, ku tha se “Kosova në çerekun e dytë të këtij viti ka pasur rritje ekonomike prej 4.58 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV)”.

“Ne po bëjmë gjithçka që dimë dhe mundemi që t’i ndihmojmë edhe sektorit privat, përveçse edhe ndërmarrjeve publike që t’i ndihmojmë edhe qytetarëve me mbështetje financiare në mënyrë që të rritet kërkesa agregate, po mbështesim eksportin e Kosovës dhe gjithashtu siç e shihni këtu edhe gjenerimin e energjisë elektrike me ç’rast investimi është në rritje të kapacitetit por gjithashtu edhe në siguri e qëndrueshmëri. Lajmi i mirë është që Kosova në çerekun e dytë sivjet ka pasur rritje ekonomike prej 4.58 për qind të Bruto Produktit Vendor dhe mos harroni që shpesh herë për aq shumë indekse edhe të demokracisë edhe të ekonomisë, Kosova është në krye të Ballkanit Perëndimor. Dhe unë besoj që kjo do të vazhdojë edhe më tej”, deklaroi Kurti.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se “shifrat tregojnë se nuk ka vend për brengosje”, teksa shtoi se në katër vitet e fundit mesatarja e rritjes ekonomike ka qenë 6 për qind./D.B/KP

Kurti: Shifrat tregojnë se nuk ka vend për brengosje
(Video)
“Në katër vitet e fundit, mesatarja e rritjes ekonomike ka qenë 6 për qind, pa rënë asnjëherë nën 4 për qind. Në çerekun e dytë sivjet është 4.58 për qind. Do të thotë edhe më tutje nuk biem nën 4 për qind, ta shohim tash si do të jetë raporti për çerekun e tretë sivjet. Por deri tash është mirë. Raportet ndërkombëtare neve na përgatisin edhe më shumë por natyrisht që tash për tash shifrat tregojnë se nuk ka vend për brengosje”,
 shtoi kryeministri në detyrë.

Sipas Bankës Botërore, vonesat në formimin e një qeverie të re mund të ndikojnë negativisht në investime dhe të ngadalësojnë progresin në reformat strukturore.

Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaroi për KosovaPress se porsa Kuvendi i Kosovës të konstituohet, do të zgjedhin qeverinë e re.

Derisa është pyetur për mundësitë e formimit të një qeverie të përkohshme, ide e propozuar nga partnerja e saj e koalicionit, kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, Kurti u shpreh i bindur për formimin e qeverisë së re.

Kosova s’ka themeluar institucionet e reja edhe mbi tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë në zgjedhje, mirëpo së bashku me partnerët dhe nëntë deputetë të komuniteteve jo shumicë kanë dëshmuar në disa tentime për zgjedhjen e kryeparlamentarit se i kanë vetëm 57 deputetë. Një gjë të tillë për KosovaPress e ka thënë ditë më parë edhe vetë deputetja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Mirëpo, Kurti tha se ai po vazhdon punën si kryeministër në detyrë, edhe pse ka përfunduar mandatin e plotë katërvjeçar.

Ai shtoi se qeveria Kurti I ishte “më pak se ç’është dashur”, duke aluduar në rrëzimin e tij nga ekzekutivi në vitin 2020, derisa tha se qeveria Kurti II po vazhdon “më shumë se ç’është dashur”.

Ai theksoi se qeveria Kurti III do të jetë, siç tha, “taman”.

Ne jemi qeveria në detyrë, porsa të fillojë punën Kuvendi, e zgjedhim qeverinë e re. Unë jam në muajin e shtatë të vitit të pestë të mandatit të plotë katërvjeçar, pra është më shumë se ç’është dashur. Herën e parë ishte më pak se ç’është dashur, e herën e tretë do të jetë taman”, tha ai.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë në pritje të publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me seancën konstituive.

Kushtetuesja më 30 shtator ka dalë me një njoftim ku ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, që ka nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar, pasi që nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.

Vendimi i Kushtetueses është pas ankesës së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët e Kuvendit të konstituojnë legjislaturën e nëntë brenda afatit 12-ditor prej publikimit të aktgjykimit të plotë, por pa specifikuar pasojat juridike në rast se nuk kompletohen trupat e legjislativit./D.B/KP

Continue Reading

Të kërkuara