Lajmet
Vendimi për mbylljen e kafeneve në Parkun e Qytetit, pronarët kërkojnë takim me Ahmetin
Published
4 years agoon
By
Betim GashiPronarët e lokaleve në Parkun e Qytetit në kryeqytet, të cilëve iu ka shkuar vendimi për të mbyllur bizneset e tyre, kanë tentuar sot të takojnë kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, por pa sukses. Të njëjtit po kërkojnë që të gjejnë një zgjidhje pasi thonë se Komuna nuk përgjigjet as në kërkesat e tyre për aplikim për leje. Në anën tjetër, qytetarët mendojnë se në Parkun e Qytetit ka shumë kafene.
Pronari i kafes “Mia Park”, Burim Azemi, tregoi për KosovaPress se që nga viti 2017 po kërkojnë leje por që nuk po u jepet. Azemi vlerëson se vendimi i Komunës është i gabuar dhe se duhej të pritej sa të mbaron sezoni i verës.
“Sot u dakordum edhe me të gjithë pronarët e lokaleve të Parkut të Qytetit që jemi këtu, ishim në Komunë ku prej 2017 ku kërkojmë leje për zhvillimin e aktiviteteve në Parkun e Qytetit nuk na jepen. Ne kemi arsye të fortë pse jemi këtu sepse në këto ditë të nxehta ne jemi për qytetarin që të paktën me t’ju kryejmë shërbim edhe të qëndrojnë në parqe për shkak të freskisë që është. Vendimi i tyre është jashtëzakonisht i gabueshëm për shkak se këta oshtë dashtë të paktën të presin deri në fund të sezonës, deri sa të largohen këto temperatura të nxehta edhe na t’i zhvillojmë këto aktivitete tona”, tha Azemi.
Kaltrin Jusufi, pronar i picerisë “Rona” në Parkun e Qytetit tregon se sikur të gjitha bizneseve të tjera edhe atyre iu ka shkuar vendimi për mbyllje.
“Si të gjitha kafeneve edhe neve na ka ardhur vendimi që brenda 5 dite veç të lirojmë pjesën e tarracës që është pronë publike, po na për atë tarracë lart kemi pas leje edhe gjithmonë e kemi vazhduar lejen e njëjtë, po për këtë vit ata as nuk na kanë vazhduar lejen, as kurrgjë hiç veç d.m.th pas të gjithë atyre investimeve që i kemi bërë po ata veç po vijnë edhe po thonë mbyllni. Më duket diçka absurde veç të vijnë e të thonë mbyllni”, u shpreh Jusufi.
Qytetarët që frekuentojnë këtë park kanë mendime të ndryshe, megjithëse thonë se nuk duhet të ketë kaq shumë në këtë zonë.
Muharrem Bullofci mendon se në Parkun e Qytetit janë bërë shumë kafene dhe se nuk duhet të ketë më shumë se dy.
“Shumë janë bërë, vetëm këtu janë bërë tetë në këtë park, vyejnë edhe një në park me pas na pensionistët jena lodh, shëtit aty, shëtit këtu, po e pijmë një kafe ka nevojë ama jo mu bo tetë kafe. Një, hajde dy, s’duhet me qenë më shumë”, tha ky qytetar.
Një tjetër qytetar, Shyqyri Mici thotë se dalin më shpesh në Gërmi dhe në Taukbahçe pasi Parku i Qytetit është mbushur me kafene.
“Ne dalim shpesh ecim, dalim vikendi në Gërmi, Taukbahçe, mirëpo edhe Parku i Qytetit është degraduar, hajt për kafene që u hapën shumë, stadiumi beton e ka prish edhe stadiumin. Është jashtëzakonisht mirë që po mbyllen (kafenetë) vijnë fëmijë luanjë gjelbërim me pas e jo me pas krejt pluhur… tetë (kafene) janë shumë, çdo pishë që është në park mu bo kafene nuk shkon”, thotë ai.
Një mendim më ndryshe se këta të fundit e kishte Zar Hoti i cili shton se është vendim i keq nga Komuna sepse më shumë po u pengojnë lokalet në qytet se sa këto në parqe.
“Është diçka shumë keq po më duket prej Komunës, kafe ka Prishtina në të gjitha anët por këtë gjelbërim ose këtë kënaqësi, qytetet me veturae, kjo është shumë gabim prej Komunës ma merr mendja, parqet janë, po luajnë fëmija prind po vijnë këtu po pijnë nga një kafe. Unë për vete dal këtu çdo ditë se s’ki ku shkon. Me të tregu të drejtën mu po më pengojnë ato kafet jashtë se e kanë mbyll rrugën, s’po mund të kalosh prej tavolinave dhe karrigeve, e jo prej parkut këtu sa vendi kush do mundet të vrapoj, të ecë, të bëjë sport. Nga ana jem është shumë gabim mi mbyll këto kafe”, deklaron ai.
Të hënën në Parkun e Taukbahçes janë larguar 7 tarraca të lokaleve, dhe e njëjta i pret edhe lokale në Parkun e Qytetit nëse këta të fundit nuk largohen brenda 5 ditësh, afat ky i dhënë nga komuna e Prishtinës.
Lajmet
Kurti flet për paradoksin e zgjerimit të BE-së
Published
1 day agoon
November 21, 2025By
UBTnews
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Samitin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, i mbajtur në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.
Në këtë samit ishin të pranishëm përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, dhe Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjët dhe Negociatat për Zgjerimin e BE-së, Gert.
Në fjalën e tij, Kurti përgëzoi Shqipërinë për avancimin drejt BE-së dhe theksoi rëndësinë historike të hapjes së të 33 kapitujve të negociatave. Ai përmendi progresin e Kosovës në sundimin e ligjit, duke theksuar renditjen e vendit tonë në vendin e tretë në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore sipas Indeksit të Botës për Sundimin e Ligjit, si dhe faktin se Kosova është konsideruar si vendi më i sigurt në rajon me kriminalitetin më të ulët dhe progres të dukshëm në luftën kundër korrupsionit.
Kurit vuri në pah rritjen ekonomike të Kosovës dhe heqjen nga listat e vendeve të brishta nga Banka Botërore dhe FMN-ja. Megjithatë, ai kritikoi masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës, duke kërkuar heqjen e tyre dhe dhënien e statusit të kandidatit, që sipas tij, Kosova e meriton dhe është e përgatitur për të.
“Të flasësh për urgjencë në zgjerim, ndërkohë që aplikimi i Kosovës mbetet i bllokuar për tre vjet, është një paradoks”, tha Kurti. Ai theksoi rëndësinë e reformave dhe përparimin e nevojshëm për zbatimin e Axhendës së Reformave të Planit të Rritjes.
Kurti gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për integrimin në tregun e vetëm të BE-së dhe përparimin në lëvizshmërinë dhe tregtinë rajonale. Ai përmendi sektorët kyç të identifikuar në Samitin e Shkupit si pjesë e Autostradës së Tregut të Vetëm, duke përfshirë Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, mbrojtjen dhe bujqësinë.
Ai theksoi gjithashtu potencialin e Kosovës në transformimin ekonomik digjital dhe çmimin më të ulët të energjisë elektrike në rajon, duke e cilësuar vendin si një qendër të fortë potenciale për fabrikat e Inteligjencës Artificiale të BE-së.
Në përfundim, Kurti njoftoi planet për mobilizimin e të paktën një miliard euro investime kapitale në vit për projekte strategjike dhe theksoi rëndësinë e përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe korridoreve rajonale për avancimin e integrimit ekonomik./KP
Lajmet
KQZ fillon përgatitjet për zgjedhjet e 28 dhjetorit, këto janë afatet kryesore
Published
1 day agoon
November 21, 2025By
UBTnews
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me përgatitjet për organizimin e zgedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Në mbledhjen e mbajtur, KQZ mori vendim për caktimin e afateve të aktiviteteve për organizimin e këtyre zgjedhjeve.
Sipas vendimit të KQZ-së, afatet e aktiviteteve zgjedhore përfshijnë: fushata zgjedhore, aplikimi i subjekteve politike dhe dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë, regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës, akreditimi i vëzhguesve. Si në vijim:
KQZ pranon ekstraktin e parë të regjistrit qendror civil nga Ministria e Punëve të Brendshme/ Agjencia e Regjistrimit Civil më së voni me datën 22.11.2025;
KQZ merr vendim për caktimin e kufizimit të shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve për Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2025 më së voni me datën 24.11.2025;
Partitë politike të regjistruara deklarojnë mos pjesëmarrjen në zgjedhje në periudhën kohore 24.11.2025 deri më 30.11.2025;
Partitë politike të regjistruara deklarohen për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicioneve, në periudhën kohore 24.27.2025 deri më 30.11.2025;
Periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike realizohet nga data 24.11.2025 deri më 30.11.2025;
Periudha e dorëzimit të listës së kandidatëve të subjekteve politike të certifikuara realizohet nga data 24.11.2025 deri më 07.12.2025;
Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve pulitke në fletëvotim realizohet në datën 08.12.2025;
KQZ merr vendim për emërimin e anëtarëve të Komisioneve Komunale Zgjedhore me datën 26.11.2025;
KQZ publikon listën e Qendrave të Votimit me datën 25.11.2025;
KQZ miraton dhe publikon listën e Qendrave Komunale të Numërimit me datën 25.11.2025;
Periudha e shërbimit të votuesve për ndërrimin e qendrave të votimit fillon me datën 26.11.2025 dhe përfundon me datën 06.12.2025;
Periudha e kundërshtimit dhe konfirmimit e listës së votuesve fillon me datën 26.11.2025 dhe përfundon me datën 07.12.2025;
Periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës fillon me datën 26.11.2025 dhe përfundon me datën 06.12.2025;
Lista e votuesve që përfshinë votuesit brenda dhe jashtë Kosovës certifikohet nga KQZ, me datën 10.12.2025;
Periudha e votimit përmes postës fillon me datën 12.12.2025 dhe përfundon me datën 27.12.2025;
Fushata zgjedhore e subjekteve politike të certifikuara fillon me datën 17.12.2025 dhe përfundon me datën 28.12.2025;
Periudha e regjistrimit të personave me nevoja të veçanta fillon me datën 11.12.2025 dhe përfundon me datën 21.12.2025;
KQZ emëron këshillat e vendvotimeve, më së voni me datën 16.12.2025;
KQZ emëron këshillat e vendvotimeve në përfaqësi diplomatike më së voni me datën 16.12.2025;
KQZ emëron ekipet e numërimit për Qendrat Komunale të Numërimit më së voni me datën 16.12.2025;
Periudha e aplikimit për akreditimin e vëzhguesve fillon me datën 05.12.2025 dhe përfundon me datën 20.12.2025./EO
Lajmet
FSK në ushtrimin “Golden Sabre 25”, të organizuar nga misioni i NATO-s në Kosovë
Published
1 day agoon
November 21, 2025By
UBTnews
Forca e Sigurisë së Kosovës mori pjesë në ushtrimin “Golden Sabre 25”, të organizuar nga misioni i NATO-s në Kosovë.
“FSK dëshmon kapacitetet specialistike të Gardës Kombëtare në ushtrimin “Golden Sabre 25” për herë të dytë këtë vit. Pjesëmarrja e njësive specialistike të FSK-së në një ushtrim të këtij konteksti, përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në mes të KFOR, FSK, PK dhe EULEX”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Më tej, thuhet se “Angazhimi i FSK-së në këtë kontekst shumëkombësh, me kapacitetet specialistike të Gardës Kombëtare, përbën një dëshmi të qartë të avancimit të aftësive në realizimin e detyrave kyçe për ofrimin e Mbështetjes Ushtarake për Autoritetet Civile( MUAC) në përputhje me standardet e NATO-s. Ky aktivitet mblodhi pjesëmarrës nga vende të ndryshme partnere dhe aleate, me qellim të rritjes së ndërveprueshmërisë dhe testimit të gatishmërisë dhe përgjigjes së koordinuar ndaj krizave, në një mjedis kompleks operacional”.
FSK vazhdon të thellojë angazhimin e saj në iniciativa të përbashkëta vendore dhe ndërkombëtare, duke u mbështetur në partneritet të qëndrueshëm dhe në vizionin e një vendi të sigurt, të integruar dhe të gatshëm për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin global./EO
Lajmet
BE kërkon sinkronizim të reformave, Kos u dërgon porosi të qartë vendeve të Ballkanit Perëndimor
Published
1 day agoon
November 21, 2025By
UBTnews
Komisionerja për zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka kërkuar nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin në sinkron sa i përket realizimit të reformave në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së.
Sipas saj, është e rëndësishme të mos krijohen hendeqe mes gjashtë vendeve të rajonit, derisa tha se muaji qershor i vitit 2026 është një afat i rëndësishëm në zbatimin e Planit të Rritjes, pasi skadon periudha njëvjeçare e pritjes për reformat e papërmbushura.
Plani i Rritjes është një kornizë e re e BE-së për përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e BE-së në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese.
Kos, në konferencë për media pas përfundimit të samitit rajonal për Planin e Rritjes që u mbajt të premten në Tiranë, tha se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e BE-së, si shpërblim i merituar për përafrimin me legjislacionin e BE-së dhe vlerat e unionit.
“Objektivi ynë është që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin përpara në sinkron dhe nuk duam që të krijohen hendeqe të reja mes jush gjashtë vendeve të rajonit. Në fund të fundit, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Evropian dhe duhet të jenë pjesë e tij. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëhen shtete anëtare me të drejta të plota të BE-së si shpërblim i merituar për përafrimin me legjislacionin e BE-së dhe vlerat. Le të përqendrohemi sot në mënyrën sesi të përshpejtojmë punën… Në qershor do të kemi skadimin e periudhës tranzitore njëvjeçare për reformat e papërmbushura nga raundi i dytë i raportimit. Për këtë arsye i bëj thirrje të gjithë udhëheqësve të rajonit që të punojnë më fort për reformat”, theksoi ajo.
Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se samiti i sotëm ishte i frytshëm, duke konfirmuar se Plani i Rritjes është një urë e sigurt drejt tregut të përbashkët evropian.
“Sot mund të them se kemi mbyllur një takim edhe një herë tjetër të frytshëm me hapa konkretë të mëtejshëm që e afrojnë më tej rajonin me Bashkimin Evropian. Duke konfirmuar përsëri se Plani i Rritjes është një urë e shpejtë dhe e sigurt drejt tregut të përbashkët evropian”, deklaroi Rama.
Pjesë e samitit ishte edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Kosova ende nuk ka përfituar nga Plani i Rritjes, pasi disbursimi i mjeteve të para-financimit për Kosovën është i ndërlidhur me miratimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, por të cilat, për shkak të krizës politike në Kosovë, nuk u miratuan në legjislativ.
Me zbatimin e këtyre reformave, Kosova do të përfitojë deri në 882,6 milionë euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253,3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629,3 milionë eurosh janë hua afatgjata./KP
Kurti flet për paradoksin e zgjerimit të BE-së
KQZ fillon përgatitjet për zgjedhjet e 28 dhjetorit, këto janë afatet kryesore
Si t’i lani siç duhet leckat e mikrofibrës?
Rumer Willis: Babai im ndonjëherë nuk më njeh për shkak të demencës
Përjetoni avantazhin e privatësisë me Samsung Galaxy, liria fillon nga siguria
FSK në ushtrimin “Golden Sabre 25”, të organizuar nga misioni i NATO-s në Kosovë
BE kërkon sinkronizim të reformave, Kos u dërgon porosi të qartë vendeve të Ballkanit Perëndimor
Libri i ri hedh dyshime mbi BBC-në: Intervista e Princeshës Diana mund të ishte siguruar me mashtrim
Ariana Grande infektohet me COVID-19 gjatë turit promocional për “Wicked: For Good”
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoProfesori i UBT-së, Bahri Gashi, pjesë e rrjetit prestigjioz ndërkombëtar të recensimit shkencor në Taylor & Francis
-
Aktualitet1 month agoProfesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, fituese e bursës prestigjioze Fullbright Visiting Scholar, Profesor Vizitor dhe Post Doktoraturë
-
Rajoni2 months agoPolicia, FSK-ja dhe Shërbyesit Civilë përfitojnë bursë 20 për qind në programet Master Shkenca Politike dhe Studime të Sigurisë në UBT
-
Vendi3 months agoVotoni për UBT-në dhe Rektorin Hajrizi në Triple E Awards: Dy nominime të reja ndërkombëtare për institucionin dhe Kosovën
