Lajmet

​Trupi gjykues rrëzon kërkesën e ZPS-së, urdhëron që të thërras dëshmitarin 1 për të dhënë dëshminë

ZPS-ja ka kërkuar që të pranohen si prova deklaratat e mëhershme me shkrim të këtij dëshmitari.

Published

on

Trupi gjykues në çështjen ndaj Pjetër Shalës ka rrëzuar kërkesën e ZPS-së që të pranohen si prova, deklaratat e mëhershme me shkrim të dëshmitarit 1. Sipas trupit gjykues, forma më e përshtatshme për t’i paraqitur provat ky dëshmitar, është përmes dëshmisë së plotë. Trupi gjykues ka urdhëruar ZPS-në që të thërras në dëgjim këtë dëshmitar në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Në hapjen e seancës së sotme gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia ka thënë se ka nxjerrë vendim me gojë sa i përket mocionit të Prokurorisë së Specializuar për pranimin e provave të dëshmitarit 1. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që të pranohen si prova deklaratat e mëhershme me shkrim të këtij dëshmitari.

“Në kërkesë ZPS kërkon që të pranohen si prova, deklaratat e mëhershme me shkrim të dëshmitarit 1 që ka marrë ZPS-ja si dhe materiale shoqëruese, në rast se përmbushën kërkesat e rregullës 154 të rregullores. ZPS-ja parashtron se pranimi i materialeve në lidhje me këtë dëshmitar do të mundësojë një vlerësim të plotë të këtij dëshmitari, ndërsa pyetjet e drejtpërdrejta mund të fokusohen në çështje që janë në themel të çështjes gjyqësore, si ri-freskimi i kujtesës së dëshmitarit, vendosja e pyetjeve në kontekst si dhe marrja e dëshmive lidhur me aspektet e rëndësishme të rrëfimit të dëshmitarit. Kjo nga ana tjetër do të ndihmojë që të ulet numri i orëve që nevojiten për pyetjet e drejtpërdrejta. Kemi marrë kundërshtime lidhur me këtë kërkesë nga mbrojtja, në materialin 485, më 14 prill 2023 dhe mbrojtja parashtron se duke mbajtur parasysh historikun e këtij dëshmitari si dhe kontradiktat në dëshminë e tij, materiali që kërkohet për t’u pranuar nga prokuroria, nuk është i besueshëm dhe duhet të konstatohet si material i papranueshëm, për të garantuar të drejtën e të akuzuarit për gjykim të drejtë”, ka thënë gjykatësja.

Mbrojtja ka kërkuar që nëse trupi gjykues e pranon materialin, të kërkojë të pranohen si prova materiale që lidhen me karakterin e dëshmitarit, besueshmërinë edhe të shkuarën e tij kriminale.

“Kemi marrë edhe kundërpërgjigje nga ZPS, në materialin 493, me datën 24 prill 2023 se mospërputhshmëria që pretendon mbrojtja në materialin e ofruar nga ZPS, janë çështje që duhet t’i eksplorojë mbrojtja në kundër-pyetje nëse dëshiron dhe t’i vlerësojë trupi gjykues gjatë momentit që bëhet gjykimi. Sa i takon materialeve që kërkon mbrojtja për tu pranuar, ZPS pretendon se kërkesa nuk është e vlefshme, sepse ka ardhur në formën e një përgjigje. Krahas kësaj, ZPS parashtron që materialet nuk përmbushin standardin e pranueshmërisë, sipas rregullës 138, pika 1 e rregullores dhe duhet rrëzuar”, ka thënë ajo.

Gjykatësja Veldt-Foglia ka rikujtuar se është në kompetencën e trupit gjykues që të përcaktojë formën më të përshtatshme e dëshmisë, apo modalitetin e parashtrimit si provë për çdo material që palët kërkojnë. Sipas ZPS-së dhe mbrojtjes, siç ka thënë kryetarja e trupit gjykues, dëshmitari 1 është i rëndësishëm dhe i kontestuar.

“Rregulla 154 e rregullores lejon që të kursehet koha dhe të shfrytëzohet më së miri, por në të njëjtën kohë respektohet edhe një proces i drejtë dhe të drejtës e palës kundërshtare për të kundërpyetur dëshmitarin në mënyrë të njëmendtë. Sipas ZPS-së edhe mbrojtjes, dëshmitari 1 është dëshmitar i rëndësishëm dhe i kontestuar dhe nuk mund të vendoset paraprakisht që dëshmia që mund të japë ky person mund të ketë mospërputhshmëri të mundshme dhe kontradikta. Krahas kësaj, do të duhet sidoqoftë një kohë e konsiderueshme dhe jo më pak se tetë orë, sipas ZPS-së, për të përfunduar procesin që i nevojitet këtij dëshmitari për të dhënë dëhsminë në këtë sallë gjyqi në raport me deklaratat e tij të mëhershme, në përputhje me rregullën 154 C të rregullores”, ka thënë kryegjykatësja Veldt-Foglia.

Përmes urdhrit me gojë,kryetarja e trupit gjykues ka njoftuar se nuk është miratuar mocioni i ZPS-së, me ç’rast, ka shtuar se është rrëzuar kërkesa dhe kanë urdhëruar që të thirret dëshmitari 1 që të japë dëshminë.

“Trupi gjykues vlerëson se do ta marrë parasysh natyrën e dëshmisë që pritet të japë ky dëshmitar, përfshirë ndonjë mospërputhshmëri dhe kontradiktë të mundshme lidhur me aspektet e rëndësishme të dëshmisë së tij, deklaratat e mëhershme që palët mund t’i paraqesin dëshmitarët, sikurse deri në parashtrimin e tyre si dhe koha që nevojitet nga ZPS për të përfunduar pyetjet e mbetura të drejtpërdrejta. Atëherë, provat e këtij dëshmitari sipas trupit gjykues, nuk janë të përshtatshme për procesin gjyqësor, në përputhje me rregullën 154 të rregullores. Trupi gjykues konstaton se forma më e përshtatshme për t’i paraqitur provat dëshmitari 1 është përmes dëshmisë të plot. Për këtë arsyeje, trupi gjykues rrëzon kërkesën e ZPS-së dhe urdhëron ZPS-në të thërras dëshmitarin 1 që të jap dëshminë në mënyrë të drejtpërdrejtë, tërësisht”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues në përfundim të urdhrit me gojë.

Trupi gjykues ka urdhëruar ZPS-në që të dorëzojë brenda të premtes, 12 maj, një përllogaritje të kohës që nevojitet për të marrë në pyetje dëshmitarin 1.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë është nxjerrë vendim me gojë lidhur me kërkesën e prokurorit të specializuar për të ndryshuar listën e provave materiale.

“ZPS kërkon që të shtojë në listën e provave materiale një sërë dokumentesh zyrtar, fotografi dhe video të vendeve të pretenduara ku kanë ndodhur krimet, që janë mbledhur pas një vizite që është bërë në këtë vend nga ZPS, në fillim të këtij viti. Kemi konstatuar që mbrojtja nuk ka paraqitur kundërshtim në lidhje me këtë pjesë që është parashtrimi i 489, 1 maj 2023. Nuk kemi marrë asnjë parashtrim as prej mbrojtësit të viktimave. Trupi gjykues është i bindur se kërkesa është dorëzuar në kohë dhe është dorëzuar menjëherë pasi është marrë materiali. Trupi gjykues është i mendimit se mund ta ndihmojë trupin gjykues që të kuptojë vendin e mundshëm e pretenduar të krimit dhe po ashtu vëm re që s’ka asnjë kundërshtim nga mbrojtja dhe e miratojmë kërkesën”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues.

Trupi gjykues ka kërkuar dorëzimin e një liste të përditësuar të provave materiale brenda 12 majit. Urdhri tjetër me gojë ka të bëjë me përcaktimin e hapave të mëtejshëm procedural për paraqitjen e provave nga mbrojtësi i viktimave. Trupi gjykues ka vendosur që viktimat duhet të paraqesin provat e tyre nëse kanë para ZPS-së dhe para mbrojtjes. Nëse viktimat dëshirojnë të paraqesin mendimet dhe shqetësimet e tyre para trupit gjykues, mund ta bëjnë këtë pasi ka mbyllur provat ZPS dhe para se të fillojnë paraqitjen e provave mbrojtja.

Trupi gjykues ka udhëzuar që brenda 30 qershorit të dorëzohet një listë e dëshmitarëve që propozojnë të thërrasin në dëgjim. Në seancën e sotme ka lëshuar pesë urdhra me gojë. Seanca e caktuar për nesër është anuluar, ndërsa gjykimi do të rinisë më 19 maj.

Gjatë ditës së djeshme ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, i cili po përballet me akuza me pretendime për krime lufte.

Pjetër Shala e ka ndjekur edhe këtë seancë përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit, ku ndodhet prej marsit të vitit 2021. Sipas Speciales, “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe është transferuar në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

lajme

Akademia Verore e Fakultetit të Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë në UBT përmbylli me sukses aktivitetet e edicionit 2026

Published

on

By

Akademia Verore e Fakultetit të Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë në UBT përmbylli me sukses aktivitetet, duke finalizuar një program katërditor të pasur me ligjërata shkencore, diskutime profesionale, punëtori praktike dhe aktivitete akademike të fokusuara në zhvillimet më të fundit në fushën e biokimisë, bioteknologjisë dhe shkencave biomjekësore.

Dita e katërt e Akademisë Verore solli në fokus rolin e biofizikës, biokimisë dhe diagnostikës bashkëkohore në mbrojtjen dhe avancimin e shëndetit, duke theksuar rëndësinë e integrimit të kërkimit shkencor, teknologjive moderne dhe praktikës klinike në përgatitjen e profesionistëve të së ardhmes.

Gjatë gjithë programit, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin ligjërata nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, të shkëmbejnë përvoja dhe ide, si dhe të angazhohen në diskutime profesionale mbi sfidat dhe zhvillimet më të reja në fushën e diagnostikës laboratorike, bioteknologjisë dhe shkencave të jetës.

Në ceremoninë përmbyllëse, Dekani i Fakultetit të Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë, Prof. Dr. Fisnik Laha, në emër të Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ndau certifikata për anëtarët e Komitetit Organizativ, ligjëruesit dhe folësit kontribuues, si dhe për studentët pjesëmarrës, në shenjë vlerësimi për angazhimin, kontributin profesional dhe pjesëmarrjen aktive gjatë gjithë Akademisë Verore.

Përmes kësaj Akademie Verore, Fakulteti i Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë konfirmoi edhe një herë përkushtimin e tij për promovimin e arsimit bashkëkohor, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit akademik, duke krijuar një platformë që lidh dijen, praktikën laboratorike dhe inovacionin në funksion të zhvillimit të shkencave shëndetësore.

Continue Reading

Aktualitet

KPK refuzoi ankesën e Atdhe Demës për procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit

Published

on

Me një votë për dhe pesë vota kundër, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) refuzoi ankesën e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, Atdhe Dema.

Dema kishte paraqitur ankesë në KPK, duke pretenduar shkelje të dispozitave ligjore në aspektin procedural dhe material si dhe mospërputhje ndërmjet pikëzimit dhe arsyetimit të dhënë nga Paneli vlerësues.

Ai kishte kërkuar që ankesa të aprovohej si e bazuar dhe që Paneli vlerësues ta rishqyrtonte vlerësimin e tij, duke argumentuar se vlerësimi për intervistën dhe koncept-dokumentin nuk ishte mbështetur në fakte konkrete dhe arsyetim të mjaftueshëm.

Gjatë shqyrtimit të ankesës, zëvendëskryesuesi i KPK-së, Dardan Vuniqi, tha se pretendimet e Demës për mungesë të arsyetimit nuk qëndrojnë. Sipas tij, kandidati nuk ka paraqitur prova që mbështesin pretendimet e ngritura dhe ankesa nuk tregon se cili element i vlerësimit duhet të ndryshohet.

“Kam kërkuar dokumente shtesë në ankesë, por nuk kam arritur ta gjej interesin e kandidatit në fjalë, se çfarë ka kërkuar të ndryshohet, pasi të drejtën që e ka kërkuar e ka fituar. Mendoj se diskrecioni ka qenë në përputhje me rregulloren. Ankesa nga kandidati duhet të mbështetet në prova. Ankesën e kemi pranuar vetë, i kam dëgjuar intervistat, por nuk mund të shkojmë tutje nëse nuk kemi interes juridik se çfarë duhet të ndryshohet, ngase ajo për të cilën është atakuar, ajo e drejtë është e fituar. Unë qëndroj në argumentimin tim që e njëjta ankesë të refuzohet”, tha ai.

Vuniqi shtoi se ankesa e Demës nuk specifikon ndonjë shkelje procedurale apo materiale, por shpreh vetëm mospajtim me pikëzimin e marrë.

Gjatë diskutimit, anëtari i KPK-së, Milot Krasniqi, tha se Këshilli duhet ta vlerësojë ankesën vetëm mbi bazën e kritereve dhe shtyllave të përcaktuara në procesin e vlerësimit.

“Sa i përket barrës së provës, konsideroj se është duke u bërë një interpretim i gabuar, sepse kandidati, jo vetëm ky, por edhe të tjerët, nuk kanë se si të sigurojnë prova se çfarë ta mbështesin. Konsideroj se sa i përket barrës së të provuarit nuk mund të kërkohet që kandidatët të dorëzojnë dokumente që mbështesin pretendimet e tyre. Duhet të bazohemi në tri shtylla: vlerësimin e kryer nga paneli, të cilin nuk e kemi sot para vetes, intervistën, ku mund të shohim më së miri kandidatët, dhe e treta është kundërshtimi. Mbi këto baza mund të dalim në një vlerësim më të qartë”, tha ai.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, tha se për të është me rëndësi të kuptohet se në çfarë mase KPK-ja ka pasur mundësi të ushtrojë kontroll efektiv mbi vlerësimin e bërë nga Paneli vlerësues.

Në të njëjtën mbledhje, me gjashtë vota për u miratua edhe autorizimi i drejtorit të Sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi, për ta përfaqësuar Këshillin para Gjykatës Kushtetuese si dhe për dorëzimin e komenteve lidhur me njoftimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës./Kosovapress/A.K/

Continue Reading

Vendi

Themelohet grupi punues për hartimin e Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm 2026–2027

Published

on

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka themeluar Grupin Punues për hartimin e Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm për periudhën 2026–2027.

Sipas ministrisë, programi do të përcaktojë kriteret, procedurat dhe mekanizmat e nevojshëm për hartimin dhe zbatimin e masave që synojnë mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet përkatëse.

Ministria thekson se ky program synon të krijojë politika të qëndrueshme që mbrojnë qytetarët më të cenueshëm dhe garantojnë qasje më të drejtë në shërbime dhe mbështetje institucionale.

Sipas njoftimit, puna e grupit do të fokusohet në hartimin e një kornize që do të forcojë mbrojtjen sociale dhe do të përmirësojë qasjen e kategorive në nevojë ndaj mekanizmave të mbështetjes shtetërore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ferizaj: Arrestohet një 16-vjeçar pasi sulmoi me thikë qytetarët dhe zyrtarët policorë

Published

on

By

Sot rreth orës 07:50 në Ferizaj, policia ka arrestuar një 16-vjeçar dhe nënën e tij 47-vjeçare, pas një incidenti që nisi në sheshin e qytetit dhe përfundoi me lëndimin e dy qytetarëve dhe tre zyrtarëve policorë.

Sipas njoftimit zyrtar, i mituri fillimisht ka sulmuar qytetarët me thikë dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia e ka lokalizuar të dyshuarin në fshatin Greme, ku ai ka refuzuar të dorëzohet, ka hedhur benzinë në trup dhe ka sulmuar zyrtarët policorë me gurë e me thikë. Gjatë kësaj kohe, nëna e tij ka ndërhyrë duke penguar veprimet e policisë. Nga përleshja kanë mbetur të lënduar tre policë, përfshirë njërin që ka marrë një goditje me thikë në qafë.

Pas ndërhyrjes, policia ka prangosur të dy personat dhe ka sekuestruar thikën si provë materiale. Me urdhër të prokurorit, 16-vjeçari është dërguar në mbajtje për 24 orë, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara