Lajmet

​Tetë të vrarë dhe shumë të plagosur pas shpërthimeve në Kiev

“Ka pasur disa pasoja në qytet”, tha kryebashkiaku Vitali Klitschko.

Published

on

Shpërthime të mëdha tronditën Kievin, për herë të parë pas disa muajsh duke shkaktuar deri tani tetë të vrarë dhe shumë të plagosur.

Shpërthime të mëdha ndodhën sot në qendër të kryeqytetit ukrainas, Kiev, pasi Moska më parë kërcënoi me hakmarrje për shpërthimin e fundjavës që dëmtoi urën e rëndësishme të Rusisë në Krime.

“Ka pasur disa pasoja në qytet”, tha kryebashkiaku Vitali Klitschko.

Re tymi u panë mbi horizontin e Kievit. Numri i saktë i pasojave dhe objektivat e tyre ishin të paqarta, me dëshmitarët që raportuan se kishin dëgjuar tre ose katër shpërthime. Klitschko tha se më shumë detaje do të publikohen së shpejti./Atsh

Aktualitet

Reshjet e borës rritin rrezikun e aksidenteve, ekspertët apelojnë për kujdes!

Published

on

Bora është një fenomen natyror i zakonshëm gjatë dimrit dhe një nga shenjat më të dukshme të kësaj stine. Por, kur reshjet e dendura të saj mbushin vendin, përveç pamjeve të bardha, ndodhin edhe disa probleme, si mungesa e gomave të duhura për të lëvizur në rrugë, si dhe trafiku i mbingarkuar.

Nëntori është duke mbaruar dhe duket se pothuajse i gjithë muaji dhjetor do të jetë i ftohtë dhe me temperatura nën zero. Këtë e ka konfirmuar edhe meteorologu Mendim Rugova.

“Në fundjavë mund të kemi reshje, dhe të dielën do të kemi mot më të kthjellët e me diell. Lajm i mirë për ata që duan të organizohen për të udhëtuar në vendet rajonale,” u shpreh ai.

Rugova thekson se pjesa jugore do të jetë më e qetë, ndërsa në atë veriore apo të ulët të vendit pritet të ketë një mesatare reshjesh prej 70-80 mm, ndërkohë që në pjesën perëndimore, ku ka më shumë reshje bore, ato mund të arrijnë deri mbi 100 mm.

Dihet se bora mbulon sipërfaqen e rrugës dhe incidentet me makinë shkaktohen shumë më shpejt. UBT News ka pyetur edhe ekspertin e aksidenteve rrugore dhe njëherësh profesor universitar në UBT, Nol Dedaj, i cili apeloi se drejtuesit e automjeteve duhet të drejtojnë mjetin me kujdes të shtuar. Ai theksoi se në këtë situatë, makina duhet të ketë goma dimri, për të shmangur situatat e rrezikshme.

“Sigurisht që rënia e borës dhe mbulimi i sipërfaqes së rrugës na sjellin një nivel të lartë rreziku në komunikacion, duke shkaktuar aksidente dhe kolona në rrugë. Faktorët që janë aktivë si shkaktarë të aksidenteve janë faktori njeri, automjeti dhe faktori rrugë,” tha Z. Dedaj. Ai pohon se Kosova, dhe më konkretisht kryeqyteti, nuk ka një infrastrukturë të mjaftueshme, edhe kur situata është normale, dhe lë më shumë kur kushtet atmosferike dhe rrugore janë në një nivel tjetër.

“Kjo paraqet rrezik në komunikacion dhe kolonat në përgjithësi krijohen në truke ku ka pika konflikti në mes të trajektorëve të lëvizjes së automjeteve, shpejtësisë së ulët të automjeteve dhe kapacitetit të madh të qarkullimit të automjeteve,” përfundoi ai.

Përndryshe, gjatë 48 orëve të fundit, në Kosovë janë regjistruar 76 aksidente. Sipas policisë, 19 prej tyre janë të lënduar, dhe 57 të tjerë me dëme materiale. Po në të njëjtën periudhë, janë shqiptuar 1689 gjoba trafiku. U arrestuan gjithashtu 11 persona, pesë prej të cilëve u dërguan në mbajtje dhe një tjetër u dërgua në vuajtje të dënimit./UBTNews/

Gazetare Albina Zeneli

Continue Reading

Kulturë

Prezantohet fjalori i madh i Gjuhës Shqipe: 103 mijë fjalë, 55 bashkautorë dhe 25 hartues!

Published

on

Në ditën e dytë të Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe, kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, prezantoi me krenari Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, një vepër monumentale që i kushtohet pasurimit dhe dokumentimit të pasurisë gjuhësore të shqipes. Ky fjalor, i cili është rezultat i një pune kërkimore dhe shkencore të shtrirë mbi katër vite, është hartuar nga Akademia e Shkencave, në bashkëpunim me institucionet më të rëndësishme të gjuhësisë dhe albanologjisë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Nevoja për një fjalor të madh

Gjinushi theksoi se nevoja për një fjalor të madh të shqipes kishte lindur prej kohësh, pasi shqipja ishte një nga gjuhët e pakta që nuk dispononte një fjalor të tillë, përkundrejt gjuhëve të tjera evropiane. Ai e konsideroi këtë projekt si një hap të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe, që synon të përmbledhë në mënyrë të plotë dhe shkencore gjithë pasurinë leksikore të shqipes, duke pasqyruar zhvillimin e saj historik, kulturor dhe shoqëror.

Një bashkëpunim mbarëkombëtar

Kryetari i Akademisë së Shkencave u shpreh se ky projekt ishte një frymëzim i bashkëpunimit mbarëkombëtar, duke përfshirë ekspertë dhe akademikë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, dhe shqiptarët në diasporë, si dhe institucione shkencore nga Italia. Fjalori është një rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës, duke përfshirë gjithashtu një numër të madh institutesh dhe universititesh nga rajoni dhe më gjerë.

Për realizimin e këtij projekti, u ngrit një grup i përbërë nga 55 bashkautorë dhe 25 hartues, të udhëhequr nga një redaksi prej 10 leksikografësh me përvojë, që siguroi cilësinë shkencore të kësaj vepre. Po ashtu, për të mundësuar një punë të saktë dhe të shpejtë, u krijua një qendër e veçantë botimesh enciklopedike dhe albanologjike, e cila do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e mëtejshëm të fjalorit dhe të fushës së leksikografisë.

Përmbajtja dhe shtrirja e fjalorit

Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe është një vepër e përmasave të mëdha, e cila përfshin më shumë se 103.000 fjalë si fjalë-tituj, që janë më shumë se dy herë më shumë se në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe të vitit 1980. Pjesë e këtij fjalori janë rreth 5.000 emërtime të pathjeshta për realie, rreth 3.000 njësi leksiko-gramatikore të fshehura, 11.500 njësi frazeologjike, 1.400 shprehje të huaja të paasimiluara dhe 1.200 shkurtesa dhe akronime. Fjalori gjithashtu përmban më shumë se 40.000 vargje sinonimike dhe është një mjet i rëndësishëm për të kuptuar tërësinë e fjalëve dhe shprehjeve të përdorura në gjuhën shqipe.

Fjalori ka gjithsej 124.000 njësi dhe ka një volum prej 23 milionë karakteresh dhe hapësirash, që mund të konvertohen në rreth 9.200 faqe kompjuterike ose 10.000 faqe A4, duke u bërë kështu një nga projektet më të mëdha dhe të ndërlikuara në fushën e leksikografisë shqiptare.

Mbështetje qeveritare dhe perspektiva për të ardhmen

Kryetari i Akademisë së Shkencave falënderoi Qeverinë shqiptare dhe Kryeministrin Edi Rama për mbështetje të plotë dhe financimin e këtij projekti madhor, i cili ka pasur mbështetje gjithashtu edhe nga Qeveria e Kosovës. Ai theksoi se ky fjalor është një monument kulturor dhe shkencor, që do të shërbejë jo vetëm si një burim i pasur për studiuesit e gjuhës dhe letërsisë, por edhe për përdoruesit e çdo niveli, nga mësues e studentë, deri te gazetarë, shkrimtarë, diplomatë e përkthyes.

Për më tepër, Gjinushi theksoi se ky fjalor nuk është seleksionues ndaj dialekteve të ndryshme të shqipes, duke ndjekur parimin e gjuhës standarde, ku çdo fjalë shkruhet sipas rregullave të gjuhës letrare, pavarësisht se cilit dialekt i përket. Kjo siguron një uniformitet dhe koherencë në përdorimin e gjuhës shqipe, duke mbajtur gjithashtu në konsideratë dhe zhvillimin e vazhdueshëm të saj.

Ky Fjalor i Madh është një vepër që do të mbetet si një pasuri e çmuar e kulturës shqiptare, dhe gjithashtu një pasqyrë e gjallë e zhvillimeve të gjuhës shqipe dhe të shoqërisë shqiptare në përgjithësi./UBTNews/

Continue Reading

Lajmet

KFOR-i as pohon e as mohon nëse policët e Kosovës hynë në Serbi

Published

on

By

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) nuk e ka demantuar as konfirmuar pretendimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë se më 21 nëntor një grup policësh të Kosovës të armatosur rëndë kanë kaluar në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare në fshatin Çirkoviq, në territorin e komunës së Leposaviqit.

KFOR-i në përgjigjen dërguar Radios Evropa e Lirë tha se situata përgjatë kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e qetë dhe se po vazhdojnë të ndjekin zhvillimin e ngjarjeve.

Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibile dhe jemi të pozicionuar mirë për t’u përgjigjur për çdo skenar të sigurisë, në përputhje me mandatin tonë shumëvjeçar që bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999”, tha KFOR-i.

Në fund të përgjigjes së tij, KFOR-i tha se për këtë çështje specifike, pra nëse Policia e Kosovës ka kaluar ose jo vijën kufitare, “drejtojuni autoriteteve serbe për komente të tjera”.

Pas kësaj, REL i është drejtuar sërish KFOR-it për të specifikuar se përse vetëm autoritetet serbe janë kompetente të japin përgjigje për këtë çështje, por REL-i nuk ka marrë ende përgjigje.

Policia e Kosovës të enjten, më 21 nëntor, i cilësoi si të pavërteta pretendimet e Serbisë se policët e Kosovës kaluan në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare me Serbinë.

Shkrimet e tilla të referuara në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Andaj këto shkrime dhe njoftimi i publikuar si i tillë, është një dezinformat që ka për qëllim të krijojë pasiguri te qytetarët e asaj zone dhe të njollosë punën e Policisë së Kosovës”, u tha në reagimin e Policisë së Kosovës.

Ministria serbe e Mbrojtjes tha se “kalimi i paautorizuar i vijës administrative” mes Serbisë dhe Kosovës paraqet “provokim të rrezikshëm dhe kërcënim për paqen” dhe shtoi se se Ushtria e Serbisë po ndjek situatën në terren dhe është e gatshme të reagojë në përputhje me Marrëveshjen Ushtarako-Teknike të Kumanovës.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë gjithashtu ka kërkuar nga KFOR-i, “si e vetmja forcë ushtarake ligjore dhe legjitime” në territorin e Kosovës, që “të marrë masa në përputhje me mandatin e tij dhe të parandalojë autoritetet përkohshme të Prishtinës në përpjekjet për të shkaktuar një përshkallëzim të dhunës”.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 21 nëntor se pret reagimin e Shteteve të Bashkuara sepse “ata e dinë që ishte [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti ai që e urdhëroi këtë me qëllim”.

Ai kërkoi nga SHBA-ja që të njoftojnë Serbinë nëse ka të drejtë “kur thotë se Kurti personalisht urdhëroi provokimin dhe hyrjen e forcave të tij të armatosura në territorin e Serbisë”.

Ai priste që këta individë të likuidoheshin dhe kjo të ishte arsyeja për të përfshirë NATO-n në një konflikt me Serbinë. Herën tjetër, ne do të reagojmë në përputhje me rregullat e plota të shërbimit ushtarak”, tha Vuçiq për transmetuesin publik serb.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë dhe Departamentit amerikan të Shtetit me kërkesën për të komentuar këto pohime të presidentit serb, por këto dy institucione ende nuk janë përgjigjur.

Kosova dhe Serbia kanë një linjë kufitare prej rreth 350 kilometrash, dhe më shumë se 60% e kësaj linje kalon nëpër komunat në veri të Kosovës, të banuara kryesisht nga serbë.

Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 350 kilometra dhe mbi 60 për qind e kësaj vije përfshin komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Në vitet e fundit, Kosova shpesh ka akuzuar Serbinë se sjellë pranë kufirit ushtrinë. Ndërkaq, në qershor të vitit 2023, Kosova tha se tre policë të saj u arrestuan brenda territorit të shtetit, afër kufirit, por Serbia pretendoi se ata kishin kaluar vijën kufitare. Disa ditë më vonë, policët u liruan nga autoritetet serbe.

Për Kosovën vija kufitare është kufi, për Serbinë vijë administrative.

Për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë është përgjegjës misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare Policia e Kosovës.

Megjithatë, sipas një vendimi të vitit 2014 të komandantit të atëhershëm të KFOR-it, Policia mund të patrullojë në vijën kufitare Kosovë-Serbi deri në 1 kilometër afër vijës ndarëse.

Aktualisht KFOR-i ka mbi 4.400 trupa ushtarake në Kosovë./REL/

 

Continue Reading

Bota

Planet për dëbimet e emigrantëve, Teksasi i ofron Trumpit gati 567 hektarë tokë

Published

on

Zyrtarët e Teksasit kanë ofruar një hapësirë prej 567 hektarësh në jug të shtetit për ekipin e ri të tranzicionit të presidentit të ardhshëm, Donald Trump, për t’u përdorur në implementimin e planeve të administratës së re për deportime masive të emigrantëve. Ky veprim është pjesë e angazhimit të Trump për të intensifikuar politikën e deportimeve, një premtim që ai kishte bërë gjatë fushatës zgjedhore.

Komisioneri shtetëror i Teksasit, Dawn Buckingham, tha se është dërguar një ofertë zyrtare për të ofruar Konteja Starr, një zonë e ndodhur në jug të Teksasit, si vend të mundshëm për të implementuar këto plane. Në këtë ofertë, Buckingham i ka bërë të ditur ekipit të Trump se Teksasi disponon edhe shumë më tepër tokë 13 milionë hektarë që mund të përdoren për projekte të mëtejshme të administratës për menaxhimin e emigracionit.

Konteja Starr, që ndodhet në kufirin SHBA-Meksikë, është një zonë që ka qenë në fokusin e politikës së emigracionit të Trump gjatë fushatës së tij, e cila përfshin ndalimin dhe deportimin masiv të emigrantëve të paligjshëm. Sipas informacionit të shpërndarë, ky hap është pjesë e përpjekjeve të Teksasit për të mbështetur administratën e ardhshme në krijimin e mundësive për të forcimin e kontrollit të kufirit dhe zbatimin e ligjeve të emigracionit.

Për këtë qëllim, Tom Homan, i cili është emëruar për të mbikëqyrur politikat e emigracionit në administratën e ardhshme, pritet të vizitojë Teksasin më 26 nëntor, ku do të takohet me Guvernatorin e Teksasit, Greg Abbott. Ende nuk është e qartë nëse Homan dhe Abbott do të shqyrtojnë mundësinë për të inspektuar tokën në Konteja Starr.

Për më tepër, Teksasi ka marrë hapa të mëdhenj për të forcuar sigurinë e kufirit me Meksikën. Që nga korriku 2024, shteti ka ndihmuar në financimin dhe ndërtimin e një muri prej 54 kilometrash në kufirin SHBA-Meksikë, një projekt që është gjithashtu pjesë e angazhimeve të Trump për të frenuar emigracionin e paligjshëm.

Sipas të dhënave të fundit, sipas censit të vitit 2020, Konteja Starr ka një popullsi ku 97% e banorëve janë hispanikë ose latinë, një informacion që mund të ketë ndikim në zhvillimin e politikave të reja për menaxhimin e emigracionit dhe kontrollin e kufirit në këtë zonë./UBTNews/

Continue Reading

Të kërkuara