Kulturë

​Teatri Kombëtar i Kosovës dy muaj pa shfaqje teatrale për shkak të restaurimit të objektit

Objekti i Teatrit Kombëtar së shpejti do të ketë një renovim të tërësishëm.

Published

on

Me vendim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Teatri Kombëtar i Kosovës që nga data 1 korrik ka mbyllur dyert për publikun për shkak të renovimit të objektit.

Me një audiencë prej 1 mijë e 500 personave për shfaqje teatrale, objekti i Teatrit Kombëtar së shpejti do të ketë një renovim të tërësishëm.

Kushtrim Sheremeti, drejtor i këtij institucioni kulturor, thotë se renovimi ka qenë i domosdoshëm pasi një renovim të tillë teatri nuk e ka pasur që nga koha e themelimit të tij. Ai thotë se përkundër shfaqjeve që kanë pasur në Teatrin Kombëtar, tash gjatë kohës së renovimit të objektit kanë dy hapësira të cilat do t’i shfrytëzojnë deri në përfundimin e punimeve.

“Teatri Kombëtar i Kosovës ka gati për çdo natë shfaqje në skenën e madhe dhe skenën e vogël. Tash në situatë ku nuk e dimë si do ta menaxhojmë për shkak se i kemi dy hapësira, me të cilat po mundohemi ta vazhdojmë punën tonë derisa të kryhet renovimi i teatrit. Njëra prej tyre është amfiteatri i Pallatit të Rinisë, të cilin presim ta adaptojmë dhe ta shfrytëzojmë për skenën e vogël. Në anën tjetër, kemi marrë premtime edhe nga Komuna e Prishtinës që do të mund ta përdorim edhe ish-objektin e kinemasë “Rinia” për nevojat e Teatrit Kombëtar të Kosovës, përkatësisht që aty ta zhvendosim skenën e madhe deri në renovimin e tërësishëm. Kështu që nuk e di se kur do të fillojmë me reportuare. Nga tetori do të mundohemi të kemi reportuaret tona të rregullta dhe prodhimin e shfaqjeve të reja”, thotë ai.

Sheremeti thotë se restaurimi i objektit të teatrit është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për komunitetin artistik, por edhe për publikun kosovar.

“Po, renovimi i teatrit ka qenë i domosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm. Ne shpresojmë të jemi të lumtur kur të eliminohen të gjitha problemet që kanë qenë të natyrës teknike, sanitare, dhe mezi presim të kthehemi në këtë objekt dhe të vazhdojmë punën”, tha ai.

Sheremeti flet edhe për bashkëpunimin që ka Teatri Kombëtar i Kosovës me teatrot e rajonit.

“Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë sidomos me Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe atë të Shkupit, për shkak që është e natyrshme që të kemi bashkëpunim edhe që e kemi edhe të njëjtën gjuhë që flasim në teatër. Gjuha është faktor shumë i rëndësishëm brenda teatrit, por e kemi edhe audiencën afërsisht të njëjtë që mund të qarkullojë në këto teatro. Përndryshe, Teatri Kombëtar i Kosovës para tre muajve është anëtarësuar në Konventën teatrore evropiane e që është një platformë më e madhe evropiane”, thotë ai.

Pavarësisht mungesës së shfaqjeve teatrale, për publikun nuk kanë munguar aktivitetet kulturore të ndryshme gjatë kësaj sezone.

Sa i përket ndarjes së buxhetit për renovimin e objektit të Teatrit Kombëtar, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk ka kthyer përgjigje.

Kulturë

Steve Jobs – një nga figurat më me ndikim në historinë e teknologjisë

Published

on

Steve Jobs ishte një sipërmarrës dhe inovator amerikan, i lindur më 24 shkurt 1955 në San Francisko, SHBA. Ai është më i njohur si bashkëthemelues i kompanisë Apple Inc., e cila sot është një nga kompanitë më të mëdha dhe më me ndikim në botë.

Jobs luajti rol kyç në zhvillimin e produkteve revolucionare si iPhone, iPad, iPod dhe kompjuterët Mac. Qasja e tij ndaj dizajnit dhe thjeshtësisë ndryshoi mënyrën si njerëzit përdorin teknologjinë në jetën e përditshme.

Në vitin 1985, ai u largua nga Apple, por më vonë u rikthye në vitin 1997 dhe e ringriti kompaninë nga vështirësitë financiare, duke e shndërruar në një nga markat më të fuqishme në botë.

Steve Jobs ndërroi jetë më 5 tetor 2011, por trashëgimia e tij vazhdon të ketë ndikim të madh në teknologji, dizajn dhe inovacion.

Ai shpesh kujtohet për vizionin e tij: të krijonte produkte që nuk janë vetëm funksionale, por edhe të thjeshta dhe të bukura për përdorim.

Continue Reading

Kulturë

Dita Botërore e Kreativitetit dhe Inovacionit

Published

on

Më 21 prill shënohet Dita Botërore e Kreativitetit dhe Inovacionit, një ditë që i kushtohet fuqisë së ideve të reja dhe mënyrave të ndryshme të mendimit. Kjo ditë synon të theksojë rëndësinë e kreativitetit në zhvillimin e shoqërisë, ekonomisë dhe kulturës.

Kreativiteti nuk kufizohet vetëm në art apo muzikë, por shtrihet në çdo fushë të jetës, nga teknologjia deri te zgjidhja e problemeve të përditshme. Inovacioni, nga ana tjetër, e kthen një ide në diçka konkrete që sjell ndryshim dhe përmirësim.

Në një botë që ndryshon vazhdimisht, këto dy elemente janë bërë thelbësore, sidomos për të rinjtë. Ata janë shpesh burimi i ideve të reja dhe energjisë që sjell zhvillim në shoqëri. Përmes edukimit, bashkëpunimit dhe guximit për të menduar ndryshe, krijohen mundësi të reja për të ardhmen.

Kjo ditë shërben si kujtesë që çdo ide, sado e vogël, mund të shndërrohet në diçka me ndikim të madh nëse i jepet hapësirë dhe mbështetje.

Continue Reading

Kulturë

Baleti Kombëtar i Kosovës në përgatitje intensive për premierën “Bletë”

Published

on

Baleti Kombëtar i Kosovës pritet të vijë së shpejti me premierën e parë për vitin 2026, duke shënuar një tjetër kapitull të rëndësishëm në kalendarin kulturor të vendit.

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës po zhvillon me intensitet provat për projektin më të ri skenik, të titulluar “Bletë”, me koreografi nga Clebio Oliveira dhe asistencë artistike nga Lela Di Costanzo. Ky produksion i ri synon të sjellë një qasje bashkëkohore në interpretimin skenik, duke ndërthurur lëvizjen, muzikën dhe konceptin vizual në një tërësi unike artistike. Aktualisht, ansambli ndodhet në javën e tretë të provave intensive, ku përveç punës koreografike, po i kushtohet rëndësi edhe detajeve të interpretimit dhe harmonizimit të trupës në skenë. Sipas ekipit realizues, procesi ka avancuar me ritëm të kënaqshëm dhe shfaqja tashmë po merr formën e saj përfundimtare.

Premiera e shfaqjes “Bletë” është paraparë të mbahet më 29 prill 2026, ndërsa publiku pritet të përjetojë një produksion që reflekton energji, disiplinë dhe kreativitet bashkëkohor në skenën e baletit kosovar.

Continue Reading

Kulturë

”Mes Realiteteve”: Diskutim mbi artin dhe video-lojërat në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Published

on

Më 23 prill, duke filluar nga ora 18:00, në Galerinë Kombëtare të Kosovës – Qafa, do të mbahet diskutimi “Mes Realiteteve / Between Realities”, një bisedë që ndërthur artin bashkëkohor me botën e dizajnit dhe zhvillimit të lojërave.

Në këtë diskutim, artistja Laureta Hajrullahu, së bashku me zhvilluesit e lojërave Lekë Sahatqija dhe Petrit Hoxha, do të trajtojnë video-lojërat si medium artistik, rolin e tyre në hapësirat muzeale dhe galeri, si dhe ndërveprimin mes realitetit fizik dhe atij digjital.

 

Continue Reading

Të kërkuara