Lajmet

​Sveçla: Ne kemi qenë të përgatitur që edhe fizikisht të largojmë barrikadat në veri

Sveçla po raporton para Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje.

Published

on

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar sot për herë të parë se Policia e Kosovës ka qenë e gatshme edhe fizikisht që të heq barrikadat në veri të vendit, të vendosura nga banorët serbë për të kundërshtuar reciprocitetin në targa.

Këto komente Sveçla i bëri kur është pyetur nga deputetë të Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje lidhur me problemet logjistike që ka hasur Policia e Kosovës gjatë bllokadës në veri.

“Po e them për herë të parë, ne kemi qenë te përgatitur që edhe fizikisht të largojmë barrikadat. Ka qenë çështje e vlerësimit operacional nga policia dhe politik nga qeveria qe te zgjidhet rruga me e mire e mundshme për largimin e barrikadave, nuk ka pasur asnjë ngërç në përgatitjen logjistike”, deklaroi ai.

Edhe drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti tha se nuk ka marrë informacione për probleme logjistike nga policët në veri të vendit.

“Edhe kontratat që nuk i kemi pasur bë dispozicion kemi arritur me i përmbush me Fondin emergjent”, tha ai.

Ai mohoi që pjesëtarët e Njësisë Speciale kanë qenë të bllokuar nga serbët në veri, teksa shtoi se qarkullimi nuk është ndalur për asnjë moment.

Mehmeti foli edhe për komunikimin ndërmjet policëve, për çka tha se për shkak të terrenit radiolidhjet nuk funksionojnë çdo herë.

“Gjithçka ka funksionuar përmes rrugëve alternative. Qarkullimi nuk është ndërprerë për asnjë moment. Ne i kemi bllokuar automjetet për shkak që kanë barrikadat në kufi. Ata kanë udhëtuar me autobus, po pikat nuk kanë qenë të bllokuar as për një moment të vetëm…Sa i përket komunikimit janë përdorur disa forma. Nuk jemi kushedi sa të kënaqur me këtë sistem që e kemi por komunikuar vazhdimisht”, u shpreh ai.

E sa i përket ushqimit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës gjatë qëndrimit në veri të vendit në kohën kur po mbanin nën kontroll situatën në veri të vendit, Mehmeti tha se janë siguruar që një vakt të jetë i nxehtë dhe një i ftohtë.

Ndërkohë që raportimi i Sveçlës dhe Mehmetit erdhi pas një shkëputje pasi që pati tensione mes kryetarit të Komisionit për Çështje të Sigurisë, Bekë Berisha dhe ministrit Sveçla.

Nënkryetari Enver Dugolli tha se gjuha e përdorur nga deputetë të Kuvendit të Kosovës ishte arrogante dhe e papërshtatshme, për çka kërkoi ndjesë nga Sveçla dhe Mehmeti.

“Ju kërkoj ndjesë për gjuhën e papërshtatshme dhe arrogante që është përdorur. Ne e dimë që jemi në fushatë zgjedhore, por nuk duhet të keqpërdoret fushata për show medial”, tha Dugolli.

Keqardhje për situatën e krijuar më parë shprehu ministri Sveçla, i cili tha se nuk mund të jetë pjesë e lojërave të tilla.

“Më vjen keq për situatën e mëparshme, por nuk mund të jem pjesë e lojërave të tilla. Kisha planifikuar të raportojë më gjatë por për shkak të rrjedhës së gjërave, po fokusohem tek zhvillimet në veri të vendit. Atje ishte mjaft shqetësuese prania e artilerisë serbe në Kosovë, prezenca e ambasadorit rus në Serbi. Ajo në këtë rast nuk i arriti qëllimet e saj dhe u zmbraps. Në këtë rast, të gjitha tentativat e strukturave kriminale në masën më të madhe kanë dështuar. Jemi dëshmitarë se më shumë ka pasur makineri të barrikadave të vendosura sesa qytetarë. Gjatë kësaj periudhe por edhe tani, koordinimi ynë ishte i shkëlqyeshëm. Bashkëpunimi jonë me aleatët tanë ishte i shkëlqyeshëm. Ngjarjet e zhvilluara sollën edhe rezultatin final e që është pajtimi i Serbisë me reciprocitetin e plotë në targa. Deri më.sot janë lëshuar mbi 17 tiketa ngjitëse (sikersa), që mbulojnë të gjitha simbolikat shtetërore të targave të Serbisë”, tha ai.

Ndërsa drejtorin Përgjithshëm i Policisë së Kosovës foli për situatën në veri dhe gjithë ecurinë e punëve prej momentit të vendosjes së reciprocitetit më targa me Serbinë.

“Situata në veri është e qetë dhe policia është garantuese. Veriu i Kosovës është bërë një urë lidhëse e kontrabandave të ndryshme. Është vërejtur se grupet kriminale në veri janë ndërlidhur me kompani të ndryshme të ndërtimit, ndikimi i tyre është vërejtur edhe në rastin e bllokimit të rrugëve”, tha ai. 

Lajmet

Një muaj kohë për presidentin e ri, Haradinaj ‘‘sfidon’’ Osmanin e ‘‘pasigurt’’

Published

on

 

Deri më 4 mars Kosova duhet ta ketë presidentin e ri, ose qytetarët e vendit do t’i drejtohen sërish kutive të votimit. Kësisoj, deputetët e legjislaturës së re të parlamentit, ende të pakonstituar, kanë kohë një muaj që ta “shpëtojnë’’ vendin nga zgjedhjet e reja. Megjithatë, edhe pse mund të tingëllojë si proces i thjeshtë, në fakt, çështja është më e komplikuar se aq.

Arsyeja për këtë është se duhet së paku 80 vota gjatë zgjedhjes së kryetarit të shtetit. Pikërisht kjo arsyeje, dhe qëndrimet e “mjegullta’’ të partive ka bërë njohësit të aludojnë se gjasat më të mëdha janë zgjedhjet e reja, që do të ishin të pestat brenda 13 muajve.

Vjosa Osmani, ajo që mban ende këtë pozitë, 5 vite më parë gëzoi përkrahje të madhe nga deputetët. Porse, ky fundmandat, e gjen atë në një situatë tjetër. Përderisa ajo tashmë ka deklaruar haptazi se dëshiron sërish pozitën e të parës së vendit, qëndrimet e partive, përfshirë edhe ata që e përkrahën fuqishëm atë pesë vite më parë, Lëvizjes Vetëvendosje, s’janë të qarta, shkruan “Express”.

Lideri i kësaj të fundit, Albin Kurti, tashmë ka përsëritur disa herë deklaratën që duhet diskutime edhe më partitë e tjera. Jozyrtarisht, spekulohet se Kurti i ka thënë Osmanit se ai do t’ia siguronte votat e VV’së nëse ajo i siguron të tjerat. Merret vesh se Osmani tashmë ka filluar të kontaktojë deputetë.

Qëndrime se “duhet diskutime e konsensus’’ kanë edhe partitë e tjera. Partia Demokratike e Kosovës e Lidhja Demokratike e Kosovës, janë dy partitë që kanë bërë thirrje të tilla për marrëveshje politike e kandidat konsensual.

Porse, partia e katërt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka “marrë një rrugë tjetër’’. Kjo parti po shtyn përpara idenë se lideri i saj, Ramush Haradinaj, duhet ta gëzojë pozitën e presidentit.

Përvoja si ish-kryeministër, e një nga figurat më të rëndësishme të UÇK’së, janë gjërat në cilat aludohet se Haradinaj, do të ishte figura më e mirë konsensuale për president, sipas tyre.

Vetë Haradinaj, i cili deri tani është kandidati i vetëm që po sfidon Osmanin, nga ana e opozitës,  është duke zhvilluar vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë viteve të fundit ai është thirrur në forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me SHBA’të për të cilat ka pasur kritika se kohëve të fundit s’janë të mira.

Anëtari i partisë së tij, Besnik Tahiri, në një lidhje direkte nga SHBA’të, ka vlerësuar se Haradinaj është një prej kandidatëve “më të denjë’’ që ka vendi për këtë pozitë.

“Normal se nuk ka qenë një ambicie e fshehur e zotit Haradinaj për këtë. Por kjo nuk varet as nga Amerika, as nga kongresi, as kurrfarë lidhjeje, kjo varet nga vetëdija politike e një vendi, në qoftë se ka vetëdije politika brenda kuvendit, unë mendoj që zoti Haradinaj është një nga kandidatët më të denjë që ka Kosova’’, ka deklaruar ai.

Ai ka paralajmëruar konsultime me PDK e LDK për këtë. Haradinajn për president, si kandidat “serioz’’ e ka vlerësuar edhe Lulzim Peci. Ky i fundit, në RTV21, ka thënë se këtë vlerësim e ka duke u “bazuar edhe në të kaluarën’’. Ndërkaq për Osnanin, ai ka thënë se presidentja “ndihet e pasigurt’’.

”Vjosa Osmani ndihet e pasigurt që do propozohet për presidente të vendit, Ramush Haradinaj është kandidat serioz për postin e presidentit, duke u bazuar edhe në të kaluarën, por problem nuk do të jetë mbledhja e votave, por problem i tij është votimi, nuk besoj që VV-ja do ta votojë, në anën tjetër mund të shërbejë që në sallë do të jenë 80 deputetë”, ka deklaruar mbrëmë Peci.

Për çështjen e presidentit, ka pasur deklarime të shumta. Megjithatë, deklarimet kanë qenë më shumë rreth situatë në të cilën do të gjendet vendi pas 4 marsit: Me presidenti të ri, apo me zgjedhje të reja.

Porse, një koment ndryshe ka dhënë Blerim Shala. Shala, në një opinion të tijin, ka deklaruar prerazi, se vendit nuk i duhen zgjedhje të reja, duke shtuar se “këtë duhet thënë troç që të gjithë ne: qytetarët dhe politikanët e Kosovës”.

Në shkrimin e tij, ai ka shtuar edhe se, partitë duhet të kenë “diskutim të ndershëm’’ për zgjedhjen e Presidentit/ Presidentes së Kosovës.

Ndryshe, procesi i zgjedhjes së presidentit/es të ri/të re, mund të zhvillohet deri në tri faza ose raunde. Në dy raundet e para, është e domosdoshme që në sallë të jenë së paku 80 deputetë. Ndërsa në raundin e tretë, mjafton edhe shumica e thjeshtë. Për të qenë kandidat, një person duhet të sigurojë 30 nënshkrime të deputetëve, nga 120 sa janë.

/Express – Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

Radio Evropa e Lirë: Çfarë dihet për pjesëmarrjen e FSK-së në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën?

Published

on

Pjesëtarë të FSK-së gjatë një stërvitjeje ushtarake të zhvilluar në jugperëndim të Kosovës, në tetor të vitit 2025.

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) janë në proces të trajnimit të formës dhe kapacitetit me të cilin do të mund të kontribuojnë në forcën paqeruajtëse për Gazën, i tha Radios Evropa e Lirë ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Autoritetet në Kosovë ditë më parë kanë bërë të ditur se FSK-ja do të jetë pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, që buron nga plani 20-pikësh i presidentit amerikan, Donald Trump, për të arritur paqe në territorin palestinez.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha më 30 janar se pjesëmarrja e FSK-së në këtë forcë vjen pas pjesëmarrjes në një konferencë në Doha të Katarit në dhjetorin e vitit paraprak, të organizuar nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara.

I pyetur për rezultatet konkrete të këtij takimi, Maqedonci theksoi se konferenca në Katar kishte karakter informues lidhur me Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese dhe se Kosova u ftua të merrte pjesë në të nga ushtria amerikane.

“Në këtë fazë nuk është kërkuar të jepen zotime”, tha Maqedonci.

Pas ftesës nga SHBA-ja, Kurti ka miratuar kërkesën që komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari të marrë pjesë takimin në Katar, thanë nga zyra e tij.

“Në kuadër të gatishmërisë sonë për të kontribuar brenda kapaciteteve tona për paqe dhe stabilitet në Gaza, kryeministri Kurti ka miratuar kërkesën e Ministrisë se Mbrojtjes për pjesëmarrjen e Komandantit të FSK-së në Samitin përgatitor për krijimin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, që buron nga Plani Gjithëpërfshirës për Përfundimin e Konfliktit në Gaza”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Kurtit, Përparim Kryeziu.

Kosova veçse është zotuar për kontribut për paqe në botë, teksa presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është bërë pjesë e Bordit të Paqes, nismës e Trumpit përmes së cilës synon zgjidhjen e konflikteve globale.

Por, teksa Kosova merr pjesë në Bord dhe në forcën paqeruajtëse, nga Ministria e Mbrojtjes nuk treguan detaje se sa ushtarë të FSK-së do të jenë pjesë e misionit ndërkombëtar e as çfarë profilesh të ushtarëve do të dërgohen.

Çfarë është Forca Ndërkombëtare Stabilizuese ku do të marrë pjesë Kosova?

Kjo forcë shumëkombëshe buron nga plani 20-pikësh për paqe në Gazë i Trumpit, që është pranuar tetorin e vitit të kaluar nga Izraeli dhe Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Lufta në Gazë nisi në tetor të vitit 2023, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, kur u vranë mbi 1.200 njerëz në Izrael dhe mori qindra pengje.

Sulmet hakmarrëse izraelite në Gazë shkaktuan mijëra të vrarë, krizë urie dhe dëme të mëdha infrastrukturore.

Hollësi për Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese, që ka mandat të Kombeve të Bashkuara, nuk janë bërë publike, por ajo besohet se do të ketë për detyrë ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjes së armëpushimit në Rripin e Gazës.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se komandat i Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese është emëruar gjeneralmajori i ushtrisë, Jasper Jeffer, komandant amerikan i operacioneve speciale.

Kurti ka thënë për mediat ditë më parë se Kosova merr pjesë në këtë nismë sepse vetë ka qenë përfituese e ndërhyrjeve të forcave ndërkombëtare.

Në qershor të vitit 1999 kishte përfunduar fushata ajrore e NATO-s ndaj caqeve serbe, që çoi në çlirimin e Kosovës. Që atëherë, në Kosovë është i pranishëm misioni paqeruajtës i aleancës, KFOR.

Kosova, që është në proces të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, synon të jetë pjesë e NATO-s dhe së voni ka rritur buxhetin për ushtrinë dhe e ka përforcuar atë me armatime dhe pajisje të reja, kryesisht duke i blerë nga SHBA-ja, por edhe nga vende të tjera, përfshirë nga Turqia.

Pjesëmarrja e Kosovës në misionin paqeruajtës për Gazën nuk paraqet herën e parë që FSK-ja dërgohet në mision jashtë vendit.

Çfarë thotë ligji për dërgimin e FSK-së jashtë vendit?

Për herë të parë, FSK-ja u dërgua në mision jashtë vendit më 2021, kur në bazë të bashkëpunimit me forcat amerikane, disa pjesëtarë të saj shkuan në Kuvajt.

Misioni i dytë ishte më 2022, kur në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar, pjesëtarë të FSK-së u dërguan në mision në Ishujt Falklands.

Si për këto misione, ashtu edhe për pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën nga Ministria e Mbrojtjes thanë se dërgimi i FSK-së bëhet në bazë të Ligjit për dërgimin e kësaj force jashtë vendit.

Ky ligj, parasheh që dërgimi i FSK-së në misione jashtë vendit bëhet në bazë të ndonjë marrëveshjeje dypalëshe me shtetin pritës apo në kuadër të ftesës nga ndonjë organizatë ndërkombëtare, apo me ndonjë rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Vendimi për dërgim në misione jashtë vendit e merr Qeveria, me propozim të ministrit të Mbrojtjes. Më pas, ai i dërgohet Kuvendit dhe në fund presidenti autorizon dërgimin e FSK-së jashtë vendit.

Ligji parasheh edhe aspekte të tjera të pjesëmarrjes së FSK-së në misione jashtë vendit. Shembull, aty thuhet se para dërgimit në misione, FSK-ja duhet të kryejë stërvitje e përgatitje. Po ashtu, ligji parasheh që mbulimi i shpenzimeve të bëhet nga buxheti i vendit, por edhe nga organizata ndërkombëtare e shtete të tjera, në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare apo ndërinstitucionale.

Po ashtu, aty caktohet edhe kur tërhiqet FSK-ja nga misione jashtë vendit. Tërheqja mund të bëhet kurdo kur vlerësohet se me këtë vendim mbrohen interesat e Kosovës. FSK-ja mund të tërhiqet edhe në rrethana të jashtëzakonshme, thuhet në ligj, dhe këtë vendim e merr presidenti i shtetit.

Përveç misioneve jashtë vendit, FSK-ja ka marrë pjesë edhe në operacione të kërkim-shpëtimit dhe misione të tjera me karakter humanitar. Rasti i fundit që një kontingjent u dërgua jashtë vendit në mision humanitar ishte në janar të këtij viti, ku ushtarët kosovarë u përfshin në kërkimin e një personi në Shqipëri.

Po ashtu, pjesëtarë të FSK-së marrin pjesë në trajnime jashtë vendit në kuadër të bashkëpunimit me shtete të ndryshme. Shembull, në muajin dhjetor 2025, pjesëtarë të operacioneve speciale të FSK-së, në bashkëpunim me ushtrinë e Mbretërisë së Bashkuar kryen trajnime në xhunglat tropikale të shtetit të Belizës.

FSK-ja po ashtu merr pjesë në trajnime të ndryshme me ushtrinë amerikane dhe ka partneritet të ngushtë me Gardën Kombëtare të shtetit amerikan të Ajovës.

/Radio Evropa e Lirë/

 

 

Continue Reading

Lajmet

MAShT cakton datat e provimit të maturës shtetërore

Published

on

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka marrë vendim lidhur me organizimin e provimit të maturës shtetërore për këtë vit.

Sipas vendimit të MAShTI-t, afati i parë i provimit të maturës shtetërore do të mbahet më 20 qershor, ndërsa afati i dytë është caktuar për datën 29 gusht.

Ministria u ka bërë thirrje nxënësve që të përgatiten me kohë dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për detaje shtesë rreth organizimit të provimit. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

Osmani takon Presidenten e Tanzanisë në Samitin Botëror të Qeverisjes

Published

on

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë pjesëmarrjes në Samitin Botëror të Qeverisjes, është takuar me Presidenten e Tanzanisë, Samia Suluhu, si dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Tanzanisë, Mahmoud Thabit Kombo.

Osmani ka bërë të ditur se takimi është zhvilluar në një frymë të hapur dhe miqësore, duke reflektuar marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Tanzanisë.

“Diskutim i hapur dhe miqësor, në vazhdën e marrëdhënieve të mira në mes të Kosovës dhe Tanzanisë”, ka shkruar Presidentja Osmani. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Të kërkuara