Lajmet

​Sopi në Hagë: Salih Mustafa nuk ka ushtruar dhunë ndaj askujt, ai ka përjetuar tortura nga pushteti serb

Sopi ka thënë se qëllimi i luftës së UÇK-së ka qenë vetëm çlirimi i vendit nga forcat serbe.

Published

on

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fatmir Sopi i cili po dëshmon në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Hagë, ka thënë se në shtëpitë në Zllash ku kanë qëndruar ushtarët e UÇK-së nuk është maltretuar askush. Ai ka thënë se Salih Mustafa nuk ka trajtuar asnjë njëri mizorisht dhe se nuk ka dëgjuar diçka të tillë për ish-bashkëluftëtarin e tij.

Në ditën e dytë të dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Sopi ka thënë se gjatë luftës nuk ka qenë asnjëherë pengesë orientimi politik i ushtarëve të UÇK-së.

“Nuk ka mundur të ndodh kjo kurrë. E njoh edhe para luftës, e kam njohur si ish i burgosur politik dhe njëri i cili i ka përjetuar torturat më çnjerëzore nga pushteti serb dhe nuk e besoj kurrë që i njëjti mund të ushtrojë dhunë ndaj dikujt për asnjë arsye dhe për asnjë rast[…] Kurrë në jetën time nuk kam dëgjuar diçka të tillë për bashkëluftëtarin tim zotëri Salih Mustafa”, ka thënë Sopi.

Sopi ka thënë se qëllimi i luftës së UÇK-së ka qenë vetëm çlirimi i vendit nga forcat serbe.

“Në asnjë rrethanë dhe në asnjë formë nuk ka qenë pengesë orientimi politik i ushtarit të UÇK-së, qëllimi i luftës ka enë çlirimi i vendit ndërsa për bindjet politike neve në atë kohë nuk na ka interesuar”, ka thënë ai.

Sopi është përgjigjur në pyetjet e avokatit mbrojtës së Salih Mustafës, Julius Von Bone, të cilit i ka thënë se UÇK nuk ka qenë ushtri e rregullt andaj edhe nuk ka pasur uniforma për të gjithë ushtarët. Por ai ka shtuar se uniforma e UÇK-së është keqpërdorur nga forcat paramilitare serbe.

“Uniforma e UÇK-së në shumë raste edhe është keqpërdorur, është keqpërdorur sidomos nga forcat ushtarake paramilitare dhe militare serbe të cilët nën uniformën e UÇK-së kanë kryer masakra të llahtarshme. Po ua përmend vetëm një rast të cilin e kam në mendje kur pjesëtarët e njësiteve serbe në uniform të UÇK-së në Pejë hynë në një lokal të të rinjve dhe i vrasin që të gjithë ata pjesëtarë të kombit të vet, pjesëtar serb, në mënyrë që të fajësohej UÇK-ja dhe opinion ndërkombëtar ta dënonte si organizatë terroriste sepse po kryen terror, krime. Ndërsa sa i përket uniformës që ne kemi mbajtur nuk kemi qenë krejt të kompletuar”, ka thënë Sopi.

Gjatë dëshmisë tij, Sopi ka thënë ushtarët e UÇK-së kanë bërë roje para ndërtesave në të cilat vendoseshin shtabe apo njësi të UÇK-së dhe se u kërkoheshin mjete identifikimi apo prezantim personave të panjohur që mund të hynin aty.

Derisa është pyetur për periudhën e prillit të vitit 1999. Sopi ka thënë se as ai dhe as Salih Mustafa nuk kanë mundur të qëndrojnë në një vend meqë sipas tij është dashur të merren me pozicionimet dhe përgatitjet për operacionet luftarake. Ai ka thënë se nuk i kujtohet që Mustafa të ketë dërguar staf mjekësor në Zllash në prill të vitit 1999.

Sopi ka thënë se që prej 7 prillit 1999 ka qenë i angazhuar me detyrën e komandantit të operacioneve luftarake në Zonën e Prapashticës dhe se deri në ofensivën e dytë që ishte më 18 prill ai rrallë herë është kthyer në fshatin Zllash.

Fatmir Sopi është dëshmitari i 11 i cili po dëgjohet në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës dhe seanca po zhvillohet e hapur për publikun. Ai ka thënë se i ishte bashkuar UÇK-së që prej fillimeve të saj në vitin 1998 dhe ka kryer detyrën e organizatorit në rajonin e Gollakut ndërsa sot është kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prishtinë.

Gjykimi i cili ka filluar më 15 shtator 2021 është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ndërsa deri tani janë dëgjuar dhjetë dëshmitarë të mbrojtur të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Aktakuza ndaj Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte. Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Lajmet

REL: Serbia blen raketa kineze “shkatërruese”, Kroacia njofton NATO-n

Published

on

By

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi më 12 mars se Serbia ka blerë raketa balistike supersonike CM-400 nga Kina.

“Ne kemi një numër të konsiderueshëm raketash dhe do të kemi edhe më shumë”, tha Vuçiq në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë.

Ai shtoi se Forcat e Armatosura të Serbisë i kanë integruar tashmë me sukses raketat kineze në avionët luftarakë rusë MiG-29, të cilët i zotërojnë.

Deklarata e tij vjen pasi një forum i specializuar ushtarak publikoi së voni fotografi që tregonin disa avionë luftarakë të Forcave të Armatosura të Serbisë.

Një avion, siç u pretendua, ishte i armatosur me një raketë kineze ajër-tokë me rreze të gjatë veprimi, me shenjën CM-400.

Tjetri, sipas raportit, mbante një bombë ajrore LS-6, gjithashtu të prodhuar në Kinë.

Vuçiq tha se avionët me raketat kineze ishin “filmuar rastësisht”.

Ai nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarit se sa kushtuan raketat kineze.

“Raketat janë tmerrësisht të shtrenjta. Ne i morëm me një zbritje të vogël”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se rrezja e tyre është 200 deri në 400 kilometra dhe se ato janë raketa me fuqi të madhe shkatërruese.

Ndaj kësaj blerjeje reagoi kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq.

Ai tha se vendi i tij – anëtar i Bashkimit Evropian dhe i NATO-s – do të flasë me aleatët e tij për këtë çështje.

“Ne do të flasim me partnerët tanë në NATO dhe do t’i paralajmërojmë për armët e tilla, të cilat janë risi në arsenalin e Ushtrisë së Serbisë”, tha Pllenkoviq.

Megjithatë, ai shtoi se nuk pret që një armë aq e fuqishme të përdoret ndonjëherë kundër vendeve fqinje, si Kroacia apo ndonjë shtet tjetër.

Serbia, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli dhe Uashingtoni, po e zgjeron bashkëpunimin e saj ushtarak me Kinën.

Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes (SIPRI) në Stokholm, në periudhën 2020–2024, Serbia ka importuar më së shumti armë nga Kina (57%), më pas nga Rusia (20%) dhe nga Franca (7.4%).

Duke reaguar ndaj deklaratës së Pllenkoviqit, Vuçiq tha se “Zagrebi nuk do të vendosë se çfarë do të ketë Serbia”.

Ai tha se Serbia “po përgatitet për mundësinë e sulmit nga aleanca që po formohet nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi”.

Shtoi se, gjatë një vizite në Indi në mes të shkurtit, Pllenkoviq e ka siguruar se bashkëpunimi ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk është i drejtuar kundër Serbisë.

“E dëgjova dhe kaq. Por, a kam ende një dozë shqetësimi dhe frike? Po, kam”, tha Vuçiq.

Në mars të vitit 2025, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një Deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilën zyrtarët serbë e cilësuan si kërcënim për sigurinë e Serbisë. /REL/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Vdekje e dyshimtë në Fushë Kosovë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për një vdekje të dyshimtë që ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Fushë Kosovë.

Sipas raportit 24- orësh, ngjarja është raportuar rreth orës 19:00, me ç’rast në vendin e ngjarjes kanë intervenuar menjëherë njësitë policore dhe ekipi mjekësor.

Pas ekzaminimit fillestar, mjekët kanë konstatuar vdekjen e viktimës burrë.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Rasti aktualisht po trajtohet si “Hetim mbi vdekjen” deri në pranimin e rezultateve mjeko-ligjore.

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Osmani pret në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Kosovë

Published

on

By

Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend dhe çështje të bashkëpunimit bilateral.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u trajtuan zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe tema të tjera me interes të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fokus të bisedës ishte edhe rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme.

Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kosova për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në, duke ritheksuar se aleanca ndërmjet dy vendeve mbetet jetike dhe e pazëvendësueshme për Kosovën.

Continue Reading

Lajmet

Gjykata Evropiane: Ndalimi i ndryshimit të gjinisë në dokumente shkel ligjet e BE-së

Published

on

By

Gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian mori vendim të enjten se ligjet kombëtare që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore në dokumentet e identifikimit janë në kundërshtim me ligjin e BE-së. Gjykata theksoi sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohen personat kur identiteti i tyre gjinor nuk përputhet me dokumentet zyrtare.

Rasti në fjalë rrodhi nga një shtetase bullgare, e regjistruar si mashkull në lindje, e cila kishte filluar trajtimin hormonal dhe identifikohej si grua. Ajo ishte zhvendosur në Itali dhe u kishte kërkuar autoriteteve bullgare të ndryshonin gjininë ligjore, emrin dhe numrin personal në dokumente.

Gjykatat në Bullgari e kishin refuzuar kërkesën, duke u thirrur në rregullat kombëtare që e përkufizojnë seksin vetëm në aspektin biologjik dhe që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore.

Megjithatë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë konstatoi se megjithëse shtetet anëtare janë përgjegjëse për lëshimin e dokumenteve, mosmarrëveshja mes identitetit gjinor dhe letërnjoftimit mund të shkaktojë dyshime gjatë kontrolleve rutinë, udhëtimeve apo ndërveprimeve profesionale. Sipas Gjykatës, këto “paparashikueshmëri të konsiderueshme” pengojnë të drejtën e personit për lëvizje të lirë brenda Bashkimit Evropian. /Reuters/

Continue Reading

Të kërkuara